FATMIR MINGULI: SHEMBJA E NJË PËRMENDOREJE TË ABSURDIT

Durrës, 24. 07. 2015 – (Shënime për romanin “Monstra” të shkrimtarit Steven Harri) – I shkruar në 102 faqe romani më i ri “Monstra” i shkrimtarit Steven Harri, jep një tabllo tronditëse të një bote në absurd. Nuk është thjeshtë subjekti i thurur me mjeshtri strukturale, por është dhe stili i veçantë që të kujton se je duke udhëtuar në faqet e romaneve të Franz Kafkës.
Që në fillim lexuesi ndeshet me një godinë të ndërtuar nga njerëz që nuk janë si njerëzit rreth e qark. Godina me zyra plot kode ka dhe shefa e punonjës plot me kode që së bashku përbëjnë një kafshë monstruoze që jeton me thithjen e përgjimeve. Një kafshë amebike që kërkon të shtrihet në mbarë hapësirën e lejuar dhe jo të lejuar.
Autori Steven Harri duket si një njohës i thellë për njerëzit që popullojnë kafshën përbindësh. Ai njeh edhe më mirë jetën e njerëzve jo vetëm të ndërtesës – përbindësh por dhe idetë e Projektuesit, atij njeriu që propagandon një “krijim të njeriut të ri dhe ndryshimin e së kaluarës.”
Por ky autor veç kodeve që përdor si psh Përgjuesi nr 1 dhe Përgjuesi nr 2 i jep lexuesit dhe emra dhe këta emra janë dhe boshti i romanit.

Mirko dhe Stefan janë dy emrat e dy përgjuesve, atyre që ushqejnë kafshën enigmatike me përgjime deri në ato më intimet. Mirko dhe Stefan janë dhe dy pështjelluesit e dramës që ka kaluar dhe po kalon populli reth e qark ndërtesës ku punon Projektuesi dhe Shefat e mëdhej.
Por nëse përgjimet në shërbim të një godine që kërkon armiqësinë midis njerëzve janë pjesa absurde e punës së përgjuesve, në klubin ku të dy përgjuesit pinë kafe, realiteti vjen e zbeh forcën e absurdit.
Zyra 99 kundër Klubit 77. Kjo është dhe thagma që Stefen Harri e fut me artifica moderne në faqet ë këtij romani. Godina ku përgjohen fatet e njerëzve prodhon projekte për vrasje, prodhon teori se si duhet parë e kaluara për të çvendosur meritat e njerëzve të mirë e për të lartësuar mëkatet e njerëzve të këqinj.
Debatet midis Mirkos dhe Stefanit lidhur me prejardhjen e tyre, që në fakt janë krejt të ndryshëm, janë njëkohësisht dhe debatet më në zë në atë qytet ku godina përbindësh me zyrtarët e saj duhet të ngatërrojnë pikërisht këto prejardhje.
Por a ndërrohet shtrati i një lumi të madh!
Me një stil ku spikat modernizmi e që anon nga shkolla letrare e absurdit europian Steven Harri përdor tre format e strukturimit, atë të monologut, dialogut midis Mirkos dhe Stefanit dhe vetë narracionit të autorit, duke na dhënë një roman të kohës, një pasardhës të denjë të romaneve më në zë të shkrimtarëve eurpianë.
Nëpërmjet këtyre dy personazheve kalojnë pelikolat e jetëve të shumë njerëzve që janë për reth godinës përbindësh, ku Projektuesi hedh metastazat e një projekti gjigant që do të quhej “Monstra”. Është një projekt me një esencë që lexuesi e kupton fare mirë kur mëson se në qendër të tij janë tezat e shkrimtarit Ivo Andriç, tezat që udhëzojnë në shinat ku njerëz të caktuar do të ikin e do të zëvëndësohen me njerëz të tjerë.
Janë pikërisht dialogjet kafkianë të dy përgjuesve që i japin romanit personazhe të rëndësishëm siç janë Ereta, vogëlushja nëntë vjeçare që përgjohet nga “Monstra”, janë dy gratë të Mirkos dhe Stefanit që përcaktojnë dhe fatet e burrave të tyre, është shkrimtari Idlir që përgjohet, është Sonja, vajza e Mirkos që bëhet një personazh sugjestionues për vetë babain e saj.
Është kjo mënyrë thurjeje që Steven Harri bën me një përkujdesje duke e anuar peshoren e tij nga ana e njerëzve të mirë, ata që përgjohen dhe janë projektuar për t’u larguar nga tokat e tyre shekullore, ose edhe që të zhduken.
Si një figurë sfinksi qëndron Aleksandri i madh, figura simbol drejt të cilit mëtojnë “zyra 99” dhe njerëzit e saj, simboli i Projektuesit dhe të shpurës së tij, një simbol që në fund të fundit edhe atë e kërkojnë ta rrëmbejnë.
Romani “Monstra” është një roman që i përket një plejade të sotme shkrimtarësh, asaj plejade ku hapësirat janë teje të mëdha. Vetë autori në faqet e romanit përdor një slogan që e vë në gojë të Projektuesit “Fajin e kanë amerikanët”. Kushdo mund të sjellë ndër mend kodin “Zyra 99” për të kuptuar aludimin e këtij slogani. Por faji nuk është as i amerikanëve dhe as austriakëve. Faji s’është as i njerëzve për reth, njerëzve në tokën e të cilëve u ngrit ndërtesa vrastare.
Por merita më e madhe e Steven Harrit është patjetër kthesa që merr përgjuesi Nr 1 Mirko, tek punon dhe debaton me kolegun e tij Stefan, e ku ky i fundit i takon pjesës së mirë të njerëzve. Në fund të librit Mirko shpëton shpirtin e tij duke e kuptuar përfundimisht punën e Monstrës, monstrës që nuk kursente as njerëzit e saj.
“Botë e çmendur – foli tashmë me një zë të paforcë. Ndjehej i ndotur dhe i mjerë, paskajshmërisht i mjerë. Dikur iu bë sikur trupi i tij zvogëlohej dhe pati frikë nga kjo vogëlsi. Godina vazhdonte të rritej në sytë etij. Një frikë lemeritëse se do të humbte kësaj hapësire të pamatur të ftohtë e plot rreziqe, e bëri që me vrap të dalë jashtë saj.”
Është e qartë! Ai doli jashtë Monstrës. Në fund të fundit ai jetonte me njerëzit për reth, njerëz të zakonshëm në tokën e zakonshme, por jo vrasës, por jo Monstra.
Duke kërkuar të ndërtojnë përmendoren e Monstrës, ata që e projektuan, harruan se godina do të përbëhej nga njerëz, dhe jo të gjithë janë vrasës. Këtë nuk kuptuan projektuesit. Edhe Kulla e Babelit kërkoi të ngrihej shumë lartë, por njerëzit, vetë ata, nuk arritën ta lartësojnë, sepse zoti u dha gjuhë të ndryshme dhe ata s’e kuptuan më njeri tjetrin.

– Fatmir Minguli: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura