DR.MOIKOM ZEQO: METAFORAT E HIEROGLIFEVE

Pashtriku.org, 24. 01. 2014 – Parafjala për librin tim “Metafora memece”- album grafikash, botim i Shtëpise Botuese ‘APARKEAS ABRAXAS’, Tiranë, 2014 – (Lis, sur mon front mon nom, Ecrit en signes hieroghyphiques.BAUDELAIRE / Lexo në ballin tim emrin tim Të shkruar me hieroglife./BODLER)
Ky libër është padyshim një album, ashtu si albumi është absolutisht një libër. Ftillëzimi i shpërbën dallimet e nocioneve klasifikuese. Është një rikthim i pafajshëm dhe i vetëdijshëm njëkohësisht, ose një sfidë.

Në letërsi mëtohet për ta shndërruar frazën në një sakrament- ritual mendor. Gjithçka ritmizohet në numrat dhe muzikën pitagorike. Ah, sharmi enigmatik i vijave – këtë gjë e harrojmë më shpesh dhe më mizorisht! Njerëzit parakë të paleolitit shpikën pikturën shkëmbore, duke tempullizuar shpellat e frikshme.
Natyra e plotëfuqishme dhe e egër u kthye në semiotikë moderne. Gjuha e simboleve është gjuha e parë e njerëzimit primitiv. Ajo ishte gjuha grafike ashtu si më vonë shkrimet kuneiforme dhe alfabetet runike, hieroglifet kineze dhe egjiptiane, që mbartnin të fshehur fonetikën.
Akoma më e ndërlikuar qe gjuha simbolike gjithashtu e matematikës dhe algjebrës – komunikimi bëhet akoma më universal dhe njëkohësisht më i abstraguar. Ajnshtajni kështu bëhet një refugjat madhështor i ikur tek paleotilianët e harruar barbarisht. Kinse të harruar!

Kopertinat e librit: “Metafora memece”- album gravurash.

Vijat e prehistorikëve e ndalën – e fiksuar Kohën në shkëmb – gjë krejt e ndryshme nga simbolet biblike të kalueshmërisë së pandalur, relativizmit të pashpirt.
Të vizatosh do të thotë të përsëdytësh botën dhe universin – ndjesi prej demiurgu krenar dhe mosmirënjohës. Ta kuptosh materien si cilësi të shpirtit – predikat të përfytyrimit ose të ëndrrave. Por kjo gjë nuk është iluzioni në kuptimin e Svedenborgut heretik, as Biblia Pauperum. Arti vizual është shpikja e kryehershme para letersisë – zanafilla e metaforave të fjalës është memecllëku i tyre i vijave rindërtuese dhe komunikuese pambarim dhe pa asnjë kushtëzim, madje jashtë katekizmit estetik.
Vizatimi është hija e gjërave dhe nocioneve të vdekura. Është “misteri arcan” ose “raison d‘etre“. Kështu shumëzohen ikonografitë vetiake të njerëzve. Apo dhe panoramat dekorative.
Kështu lindin shëmbëlltyrat sinkronike. Abstragimi harliset, bëhet i plotëfuqishëm, i papërmbajtshëm, të jep lirinë të krijosh prej Rimbaud-it Robespjerin apo nga anemona poeteshën Safo. Raca e piktorëve është forma e mbijetesës së fillimit të pashmangshëm të njerëzimit. Nuk duhet anashkaluar vargu ungjillor – më tepër gnostik “to pneuma pnei opou thelei“ (“shpirti fryn aty ku do vetë“). Nuk është fjala për ide të trashëgura por për modele të trashëgura mendimi dhe përceptimi.
Ai që vizaton është “actor rerum“ (“autor i gjërave“), u jep rëndësi të tëra detajeve dhe rastësive dhe nuk mendon se ka ndonjë objekt që nuk subjektivizohet “quid vilius alga“ (“më pa vlerë se algat“).
Në rrugën e Njeriut, Arti është paraqitur si kafsha misterioze (jashtë zoologjisë natyrore, normale) e Dantes. Mund të thuhet se Arti është Zoti, artistët janë ateistë.
Që herët në fëmini kam vizatuar – sepse të tërë fëmijët e botës vizatojnë – këtë nuk e mohon dot askush. I ruaj disa vizatime që nga viti 1964 – tërë jetën kam bërë skica, kroki, gravura, imazhe bardhë e zi, karikatura – (“Guernika” e Pikassos është një karikaturë e mahnitshme, gati kozmike). Asnjëherë për t’i bërë publike, – por tani po nxjerr në dritë një pjesë nga ditarët e mi kaotikë të vizioneve.
Ato janë metafora memece, sepse lumturisht nuk mund të flasin. Përtej gjithë komenteve të gjëmshme dhe të thashëmnajeshme këto paraqitje të gravurura janë jetë ime plot mungesa dhe dështime të vetëkuptueshme.

Dr.Moikom Zeqo, autori i librit “Metafora memece”- album grafikash.

Ky album mund të quhej edhe si një Miscellanea pa poezi të shkruara asnjëherë – por metaforat kapricoze dhe rebele janë gjithësesi!
***
Albrecht Durer- (1421-1528) në 1514 realizoi gravurën e famshme “Melankolia“ – është po aqë enigmatike dhe e paharruar sa Mona Liza e Leonardo Da Vincit – intelektualisht ndoshta dhe më shumë!
Kapërcen vetëtimthi shekujve si formula E=MC2 e Ajnshtajnit. Një ravijëzim misterioz, një Alma Mater – një Anima Mundi, ose “Lavdërimi i Marrëzisë” së Erazmit të Roterdamit në një sens apo rend tjetër.
Aristoteli është shprehur kalimthi se melankolia është shprehi e njerëzve inteligjentë dhe të ditur. Ndoshta!
Afreskat apokaliptikë të Mikelanxholos kanë lidhje me gravurën e Durer-it. Por Durer-i nuk operon me ngjyra. Natyra është me ngjyra. Sytë njerëzorë e shohin me ngjyra gjithçka. Sytë e qenit e shohin bardhë e zi. Pikërisht këtu është abstragimi më i hatashëm! Fotografia bardhë e zi, filmat e Çarli Çaplinit janë birimësime të artit të grafikës – apo stërnipa muskulozë dhe përherë triumfues.
Sytë e Durer-it janë ato të Cerberit të Hadit – të tëra ngjyrat koncentrohen dhe distilohen në bardhë e zi – një strukturë dyore si matematika e Bul-it.
Kjo gravurë madhështore është pengu i këtij botimi të ndrojtur dhe ndoshta të kotë.
Duhet ta thoja këtë thagmë torturuese por edhe dlirësuese më tepër për të shpëtuar shpirtin tim!
QUOD SCRIPSI, SCRIPSI (AJO QË U SHKRUA, U SHKRUA)
MOIKOM ZEQO, TIRANË – 11 janar 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura