Zvicër, Gusht 2012 – (Me çifteli në qendra kulturore si preferon qeveria, apo me politik në parlamentet evropiane siç bëjnë mërgimtarët. Osman Osmani një shembull i mirë për angazhimin politik në shtetet mikpritëse.) Gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, në numrin e saj të së dielës (12.08.2012), njohtoi që Partia Socialdemokrate e Zvicrës planifikon krijimin e një seksioni për migrantët. Iniciues i kësaj ideje është shqiptari nga Kosova, Osman Osmani, sekretar sindikal për migracion në sindikatën Unia, (përgjegjës për Evropën juglindore). „Migrantët kanë kërkesa dhe nevoja të veçanta, deklaroi për NZZ Osmani, prandaj dhe nevojiten korniza, struktura dhe organe në të cilat kërkesat e tyre mund të shtrohen dhe të merren me seriozitet…”. Ngjarja nuk mbeti pa u regjistruar nga shumë media në Zvicër.
Shtohet angazhimi politik në mërgatë
Lajmi për krijimin e një Seksioni për migrantët në radhët e Partisë Socialdemokrate ndoshta nuk do të ishte i rëndësishëm për opinionin shqiptar sikur iniciues i idesë të mos ishte një shqiptar nga Kosova. Kjo duket aq më shumë e rëndësishme kur të merret parasysh që kjo iniciativë u përkrah nga qarqet më të larta të Partisë. Ideja e Osmanit do të shtrohet në Kongresin e Partisë Socialdemokrate në Zvicër, i cili mbahet në shtator të këtij viti në Lugano, për të marrë miratimin e Kongresit dhe filluar implantimin e idesë në praktikë. Njeriu i Kosovës nuk mund të mos e ndjej veten krenar me këtë rrjedhë, aq më shumë kur dihet se fjala është për forcën e dytë politike në vend, e cila ka ndikim dhe merr pjesë në qeverisjen e vendit. Nga krijimi i seksionit për të huaj do të përfitojnë jo vetëm migrantët shqiptar por të gjithë të huajt (edhe pa shtetësi zvicerane) në Zvicër të cilët dëshirojnë të angazhohen në politikë, nëse nuk dëshirojnë të jenë gjithnjë objekt i politikës. Shembulli i shqiptarit nga Zvicra, Osman Osmani është një shembull shumë i mirë për angazhimin dhe ndikimin politik, për burimet e diasporës, për ndikimin e sajë në politikën e vendit ku jeton dhe për funksionin e krijimit të urave të miqësisë mes dy vendeve.
Osman Osmani
……………………………………………………….
Zviceranët njohin potencialin e mërgatës, qeveria e Kosovës e injoron
Në Zvicër ekonomia kishte perceptuar shumë herët që shqiptarët në këtë vend përbënin një potencial të madh. Kjo bëri që të ndërmerreshin shumë masa për ta konsumuar sa më mirë atë. Edhe pse shumë kohë pas ekonomisë, potencialin e mërgatës nga Kosova ka filluar ta njoh edhe politika zvicerane duke krijuar kështu hapësirë dhe kushte që ky potencial të shfrytëzohet.
Qeveria e Kosovës duket të jetë e vetmja e cila si duket nuk ka aftësinë për të perceptuar drejtë rolin dhe fuqinë e mërgatës. Drejtuesit e PDK-ës, një pjesë e së cilëve ka jetuar në Zvicër nga ndihmat sociale duke filluar nga kryeministri e percepton mërgatën si të parëndësishme. Kjo ndoshta për shkak të përvojave personale të të qënurit pjesë e mërgatës. Sidoqoftë ky potencial nuk shfrytëzohet. Dhe mjerisht, përkundër krijimit të ministrisë dhe Ligjit për Diasporë, nuk ka asnjë shenjë të një qasje të mundshme pozitive në drejtim të mërgatës.
Mërgimtarët të mos presin qeverinë
Mërgimtarët e Kosovës, kudo që jetojnë, nuk duhet të presin qeverinë që t’i mbështes në drejtim të organizimit të tyre politik. Kjo qeveri nuk është e interesuar për angazhim politik të mërgatës në vend e aq më pak për angazhim politik jashtë vendit. Kjo ndodhë për shkak që qeveria nuk ka potencial profesional për të kuptuar rrolin dhe fuqinë e mërgatës. Shembulli i Osman Osmanit tregon që angazhimi i suksesshëm politik është i mundshëm. Dhe ky nuk
është i vetëm. Së paku në Zvicër kemi një varg qytetarësh dhe qytetaresh të Kosovës që janë angazhuar politikisht dhe mbajnë poste të ndryshme në organet legjislative të kantonit, qyteteve apo komunave. Angazhimi politik në vendet ku jetojnë mërgimtarët nga Kosova është shumë i rëndësishëm për shkak që mundëson që ata të kthehen nga objekti në një subjekt politik. Ai përmirëson jo vetëm imazhin por edhe pozitën e tyre strukturore dhe politike në vend. Ai si i tillë është një mundësi reale për të krijuar ura miqësie dhe për të realizuar interesa politike dhe ekonomike si për Kosovën, ashtu edhe për vendin ku jetojnë mërgimtarët. Derisa Qeveria e Kosovës angazhohet për anën kulturore, mërgimtarët e vetëdijshëm preferojnë angazhimin politik. Aty ku politika e kryen mirë funksionin e sajë krijohet gjithnjë shumë hapësirë edhe për kulturë.
(* Osman Osmani, i diplomuar në lëmin sociale në Zvicër, ka bërë përvojë në legjislaturën e parafundit si anëtar i Parlamentit në Kantonin e Schaffhausen-it (2006-2009, i pari me prejardhje shqiptare që njeh Zvicra). Ai për këtë vit është nominuar përsëri nga Partia Socialdemokrate për zgjedhjet parlamentare të kantonit dhe ato të qytetit, e të cilat do të mbahen me 23 shtator të këtij viti. Osmani është i punësuar në sektorin për migracion pranë sekretariatit qendror të sindikatës UNIA në Bernë, si dhe është Kryetar i Organizatës Profesionale „Pro Integra“ në Cyrih. Ai është edhe anëtar i Komitetit për Mbrojtje Sociale të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.)