FATOS ALIU: UKSHIN HOTI – SHEMBULL I LIDERIT TË DENJË TË LËVIZJES KOMBËTARE DHE SHTETNDËRTIMIT

(Prishtinë, 19. 06. 2012) Për Ukshin Hotin, ka të folur e të shkruar nga të gjitha trojet shqiptare, nga Tirana, nga Prishtina, Tetova, Ulqini e Presheva, por ende nuk ka unitet politik e kombëtar për ta mposhtur indolencën dhe heshtjen e madhe që për një periudhë kaq të gjatë po mbretëron në skenën politike shqiptare kundrejt këtij personaliteti emblematik të intelektit dhe intelektualit politik shqiptar, fati i të cilit aq shumë identifikohet me fatin e popullit shqiptar në përgjithësi dhe të intelektualëve më të dalluar të rilindjes shqiptare përgjatë historisë.
Ukshin Hoti, në botën shqiptare shquhet, jo vetëm si promotor i shquar i demokracisë autentike, dhe krijues autentik i filosofisë dhe politikave moderne shqiptare, por njeri me përmasa të një lideri që nuk u përkufizua në teoritizime, pa qenë aktiv në veprimtari të përditshme organizative, duke e vënë në dispozicion tërë qenien dhe jetën e tij intelektuale dhe shpirtërore në përkushtim të pakursyer për të mirën e atdheut dhe kombit, duke kaluar përtej kufijve të shteteve dhe kombeve.
Këtë e dëshmon e tërë periudha e veprimtarisë së tij nëpër të gjitha fazat e ndryshimeve politike, të sistemeve, ideologjive, tranzicioneve dhe koncepteve reformuese të shteteve dhe kombeve tek ne e në botë.

SHIKONI FOTOALBUMIN KUSHTUR UKSHIN HOTIT:

https://pashtriku.org/?kat=48&id=16

____________________________

Ukshini, me kapacitetin e tij për t’i vlerësuar në thellësi situatat nëpër të cilat ka kaluar e po kalon kombi shqiptar në raport me rrethanat dhe zhvillimet politike e shoqërore, nuk pushoi së vepruari, jo vetëm si intelektual, por si tribun i pathyeshëm i rezistencës, besnik në kauzën e parimeve të qarta kombëtare, si vizionar dhe njohës i pakrahasueshëm në vlerësimin e politikave e zhvillimeve politike në botë, si dhe për vlerësimin objektiv të kapaciteteve të faktorit politik shqiptar karshi këtyre zhvillimeve.
Për Ukshinin kanë folur shumë bashkëveprimtarë, dashamirës, e idealistë besnikë të idealit të tij. Kanë fole mirë e drejt, të vërtetën krenare e të dhimbshme të sakrificës së tij të pandashëm nga fati i popullit tonë.
Koha kur flasim sot për Ukshin Hotin, edhe pas luftës së fundit të 1999, vazhdon të jetë kohë e zhgënjimeve të mëdha, kohë kur shpresat nga liria e fituar me gjak po nëpërkëmben nga pseudopatriotë e zvarranikë nga të gjitha shtresat, në maje të piramidës pushtetore duke i zhvendosur idealet kombëtare në hije për hir të interesave partiake. Kjo kohë krahas përpjekjeve dhe sakrificave kolosale të popullit për liri, në maje të piramidave pushtetore solli edhe elementë me mentalitet pashallëqesh neoosmane e kruzhoke sllave, kuislingë të rrezikshëm për zbatimin e politikave neokolonialiste të Serbisë në Kosovë, individë për të cilët Ukshini kishte averzion të arsyeshëm, për prirjet dhe afinitetin e tyre për të përfituar në kurriz të shumicës dhe në dëm të atdheut, pa ndërgjegjen e përgjegjësisë e ndjeshmërisë për tjetrin dhe gjendjen e popullit në përgjithësi. Kësaj kohe i gëzohet vetëm i pasuruari rishtas, që me të shpejtë arriti te pasuria në kurriz të varfërimit të popullit, dhe këtë pas luftës mund t’ia lejonte vetes vetëm krimineli ordiner e mistreci zvarranik, duke shfrytëzuar anarkinë e pasluftës të quajtur liri pa shtet, për ta okupuar e vjedhur lirin e një populli të sapoçliruar nga Serbia, me shpresa të mëdha dhe vullnet të madh për të ardhmen.
Kjo gjendje e shpjegon edhe faktin e indiferencës dhe mos angazhimit institucional dhe ndërkombëtar për 13 vjet të pasluftës, për të zbardhë fatin dhe gjendjen e Ukshin Hotit, por nuk kanë munguar edhe barrierat për ta fshehur të vërtetën e gjendjes së tij sot dhe gjatë tërë viteve të shkuara.
Pothuajse edhe më të vegjëlit e kanë mësuar se në ç’kohë jetojmë sot si popull e si komb, si po veprojnë pushtetarët e Kosovës dhe politikanët tanë kudo që kanë marrë një copë pushteti, brenda shtetit shqiptar dhe Kosovës shtet sui generis me shumicë shqiptare, apo brenda shteteve që sundohen nga pushtuesit e tokave shqiptare. Sot është bërë shumë trishtuese të flasësh për bashkimin e trojeve të Kosovës lindore, apo të Luginës së Preshevës me Kosovë, kur e sheh gjendjen e Kosovës së shpallur “të pavarur e sovrane” pa identitet shqiptar, të cilën po e rjepin e copëtojnë pikërisht ata që e zhvilluan një proces të gjatë për ta degraduar edhe më shumë, dhe nga lugina e Preshevës tani ka trishtim se po t’u mundësohej këtyre pushtetarëve të sotëm lëvizja e lirë andej, dhe përderisa Kosova të ketë pushtetarë të këtij soji, në vend të mobilizimit atdhetar për çlirim dhe bashkim do të ndodhte mobilizimi i harambashëve dhe profiterëve për uzurpime dhe shkretërim edhe më të madh të kësaj treve shqiptare. Prandaj edhe nuk thuhet kot: “sa ta bën i yti – soji keq – nuk ta bën i huaji”! Sepse është po ai që ta bie edhe ujkun në torishtë!
Populli ynë gjithnjë ka pritur nga intelektualët që ta thonë të vërtetën, sepse kjo është cilësia që e karakterizon një intelektual të emancipuar e atdhedashës. Cila është shkalla e vërtetë dhe çka e cilëson akademikun dhe Akademinë tonë sot, nëse nuk kemi pritur edhe aq shumë dje? Ku është ajo sot e 13 vjetët e humbur të pasluftës që nuk arrin të ngrejë as zërin e saj për ta zgjuar opinionin botëror me shembullin dhe fatin e Ukshin Hotit, që do të ishte nder dhe krenari për çdo akademi në botë? Në cilat vlera do të ngrihet e zhvillohet një Akademi kombëtare, nëse jo në vlerat e larta intelektuale të Ukshin Hotit? Nga cilat vlera do të frymëzohet dhe edukohet politikisht dhe kombëtarisht rinia shqiptare, nëse jo nga shembulli dhe virtytet atdhetare dhe intelektuale të Ukshin Hotit? Më e madhe se çdo sakrificë që bëri Ukshin Hoti për kombin, do të ishte humbja nga mospërfillja e vlerave dhe kontributit të këtij kolosi rilindësi të kohës sonë! Si do të vlerësojmë dhe nderojmë ne veten tonë, dinjitetin e intelektualit shqiptar, rrugën e emancipimit dhe zgjimit kombëtar nëse heshtim për Ukshin Hotin?
Ukshini është shembulli më i shquar i krenarisë, por edhe i nëpërkëmbjes së një intelektuali të shquar shqiptar të pakompromis kundrejt deformimeve politike dhe infiltrimeve në lëvizjen kombëtare shqiptare. Pikërisht elementët mediokër të infiltruar të lëvizjes, si në të kaluarën, edhe sot vazhdojnë me strategjinë e heshtjes dhe indiferencës, përmes izolimit të dijes dhe shkencës reale të politikës reale të cilën spikatej Ukshin Hoti i madh. Pikërisht kapaciteti i tij vizionar dhe krijues i politikës reale, i vijës së qartë dhe pragmatike politike ishte dhe mbetet tmerr i armiqve të kombit shqiptar dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ukshin Hoti paraqiste dhe paraqet ende rrezik për planet e forcave pansllaviste të errësirës kuislinge, me qartësinë e dritës së parashikimeve, ideve dhe projekteve kombëtare, që nuk u pëlqenin e konvenonin kolonizatorëve e lakenjve të tyre të para e të pasluftës, qofshin të huaj apo të vendorë, për çka Ukshini dhe mbetet një shembull i intelektualit dhe patriotit më të stigmatizuar dhe të izoluar shqiptar, si nga pushtuesit copëtues të tokave shqiptare, edhe nga zvarranikë e gojimë të shumtë që i polli historia e robërisë ndër shekuj.
Sot dëgjojmë shumë e shpesh për komplote e konspiracione. A e dini nga vijnë këto? Kush i organizon dhe kush etiketohet si konspirator? Pse në Kosovë përdoren me të madhe këto etiketa kur duhet të mposhtet e vërteta, përmes individëve të caktuar apo disa mediave, qofshin të manipuluara apo jo? Mohojnë të vërtetën përmes ironisë dhe përqeshjeve, po në fakt bëhen vetë qesharakë e kob sjellës! A mund të zhvillojë dhe sa mundë të zhvillojë konspiracione i robëruari? Apo këto janë metoda të pushtuesve për ta mposhtur të vërtetën, për t’i stigmatizuar bijtë e bijat më të mirë të një populli? Këto metoda përdoreshin kundër Ukshinit, dhe kjo është vetëm dëshmi tjetër e forcës dhe kalibrit të madh të këtij dijetari të shquar shqiptar.
Por, konspiratorët e vërtetë nuk mirren vetëm me teoritë e konspiracionit por me zhvillimin dhe zbatimin praktik të konspiracioneve. Për zhvilllimin praktik të konspiracioneve duhen mekanizma që kanë kosto të lartë dhe metoda që fillojnë nga përqeshjet e deri te terrori policor kundër atyre që i kundërvihen konspiratorëve të vërtetë. Së pari duhesh të kesh pushtetin dhe forcën, pastaj mund të zhvillosh konspiracione, për të konspiruar, qoftë për të okupim, apo edhe çlirim të një kombi, varet nga misioni dhe qëllimi i konspiracionit. Kështu është krijuar dhe funksionon kjo botë. Proceset e gjertanishme dhe gjendja aktuale në Kosovës tregojnë se kush po zhvillon e çfarë konspiracione, dhe cila është propaganda që i ushqen.
Por me këtë rast po citoj fjalët më kuptimplote të Ukshinit që nuk kanë pasur nevojë për kurfarë konspiracioni, por vetëm e vetëm për të vërtetën dhe të drejtën shqiptare,
citoj:
,,Bashkimi kombëtar duhet bërë, ky bashkim imponohet si domosdoshmëri për zhvillimin normal, stabilizues dhe të sigurisë që i takon kombit. Mirëpo, për ta bërë këtë, shqiptarët duhet kuptuar se Piemont i idesë së bashkimit duhet të jetë Tirana. Çdo përpjekje që bëhet pa u kuptuar kjo, është vetëm në funksion të asaj që ideja të ekzistojë…!’’ Mr.Ukshin Hoti
Konspiratorët armiq të kombit shqiptar punuan për ta zhvendosur kahun e bashkimit. Ukshin Hoti ishte më i qartë se kushdo për çështjen e Republikës së Kosovës, se kujt i shërben dhe në çfarë kohe e periudhë, dhe si do të mund të kishte rol kjo kërkesë karshi idealit të vetëm të shqiptarëve për bashkim kombëtar, për shtet të bashkuar shqiptar, apo për një Shqipëri Një, në terma të ndryshëm siç përdoret sot. Çështja e Republikës së Kosovës, për Ukshin Hotin ishte konceptim kalimtar politik që do të shërbente në kuadër të strategjisë për zbatimin e vetëvendosjes, për zhvillim të diplomacisë efektive e pragmatike, për realizimin e aspiratës së bashkimit kombëtar shqiptar, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, e jo si strategji në vete, si entitet e etnitet në vete, që do të mund të shpinin tek denacionalizimi i popullit shqiptar të Kosovës, përmes planeve shkombëtarizuese e rikolonizuese, duke arritur tek plani i Ahtisarit, i cili mohon ekzistencësn e kombit shqiptar në Kosovë, përmes multietnicitetit, decentralizimit në baza etnike për Serbinë, historikisht kolonizatore, duke ia dhënë asaj edhe të drejtën e trashëgimisë kulturore historike në Kosovë. Pikërisht zhvendosja nga koncepti politik i Ukshin Hotit dhe mendimtarëve si ai, solli degradimin politik dhe ekonomik të Kosovës, dhe pozicionin inferior të Kosovës në planin kombëtar e ndërkombëtar. Këtij procesi i parapriu edhe UNMIKu në bashkëpunim me Serbinë dhe bashkëpunëtorët e tij në Kosovë.
Ukshini vizionar i shquar i zbatimit të vetëvendosjes shqiptare
Pikërisht procesi i zhvilluar i pasluftës ishte ai për të cilin brengosej Ukshini Hoti, për çfarë edhe angazhohej për Demokraci Autentike, si garanci e shtetit të së drejtës dhe sovranitetit të shtetit dhe zhvillimit të shoqërisë demokratike të një vendi, sidomos të dalë nga një kolonializëm, për të mos rënë në kthetrat e në kolonializmi të ri.
Megjithëse kishte keqëkuptime dhe deformime të sajuara nga elementë mediokër që imponoheshin duke shfrytëzuar anarkinë që po krijohej e zhvillohej me të shpejtë në fazën e shpërbërjes së bllokut ish komunist, dhe veçanërisht atë në Federatën e ish-Jugosllavisë, në emër të demokracise, Ukshini parashihte me shumë të drejtë rrezikun nga infiltrimi i patriotëve të rrejshëm në ballë të organizimeve të ashtuquajtura pluraliste, që do të zhvendosnin lëvizjen kombëtare nga rruga e vetëvendosjes shqiptare në rrugë të shkombëtarizimit dhe ri kolonizimit. Ky edhe ishte rreziku më i madh që i kanosej lëvizjes patriotike shqiptare, sepse Serbia kishte shumë aleate pansllavistë rreth e rrotull në rajon e më gjërë, në Evropë e përtej saj, dhe kjo ishte edhe brenga e diskutimeve që i zhvillonim me Ukshinin gjatë takimeve që kishim rast ti bënim, në forma private apo gjatë tryezave të ndryshme që organizoheshin në fillim të viteve të 90-ta, siç ishin ato të Tetovës e Tiranës, dhe sepse kjo ishte koha kur duhej pozicionuar në kahun e vetëvendosjes, në prak të shpërbërjes definitive të Jugosllavisë Avnoj-ane, për t’u përgatitur për rivendikimin e padrejtësive ndaj popullit shqiptar, që nga koha e kongreseve e konferencave, që i ndanë trojet shqiptare në të kaluarën. Fatkeqësisht, çështja shqiptare, duke u zhvendosur nga format e organizimit në parime të vetëvendosjes, sot e kësaj dite lëngon nga plaga e pashëruar e defaktorizimit politik e nacional, nga mungesa e strategjisë kombëtare, si në rajon edhe në Evropë, dhe si rezultat i kemi pasur dhe i kemi në vazhdimësi pasojat nga proceset negative të defaktorizimit politik e kombëtar, të copëzimit territorial dhe tjetërsimit tonë nacional e kulturor.
Duke përkujtuar edhe sot thirrjet e Ukshinit për kujdes dhe vigjilencë se: ,,Okupatorët provojnë që përmes individit (e them të sojit të pushtetarit të sotëm të Kosovës) të kontrollojnë masat e gjera…”, mbetet të urojmë e të punojmë që të gjendet e krijohet kundër forca e domosdoshme kombëtare, intelektuale e organizative, që të ndalen proceset aktuale anti- demokratike e anti-vetëvendosje kundër shqiptarëve dhe t’i hapet rrugë zhvillimit tonë kombëtar e shtetndërtues, ashtu siç e konceptonte Ukshini dhe shumë veprimtarë të shquar të kombit tonë, të palëkundur në rrugën e idealeve të vetëvendosjes dhe të bashkimit kombëtar, nën flamurin tonë kombëtar, pa ngjyrime e deformime që nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin dhe kulturën tonë.
Prishtinë, 17 qershor 2012
(Vështrim i shkruar me rastin e ditëlindjes së atdhetarit Ukshin Hoti, Tribunës kushtuar Tribunit me temën “Rëndësia dhe roli i veprës së profesorit Ukshin Hoti për çështjen shqiptare” dhe ceremonisë së fillimit të punimeve në shtëpinë-muze të Ukshin Hotit)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura