KOÇO DANAJ: HOMAZH TRIBUNIT TË POPULLIT JUSUF GËRVALLA

Pashtriku, 21 mars 20201: Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla
Është një fakt i pranuar prej të gjithëve, se traditat patriotike atdhetare, kulturore, përbëjnë thesarin e paçmuar të çdo populli. Për më tepër, kjo ka vlerë për popujt që janë akoma të pushtuar. Një prej këtyre popujve është populli shqiptar që vazhdon të jetojë i pushtuar në trojet e tij nga shovinizmi serbo-maqedonas. Për shqiptarët, që vazhdojnë ta kenë ëndërr lirinë kombëtare, traditat e të parëve të tyre, janë të domosdoshme, janë pjesë e strategjisë së tyre për çlirim kombëtar. Parë në këtë prizëm, libri monografi i Kadri Rexhës, „Fati i luleve“, plotëson një boshllëk të madh dhe i shërben drejtpërdretjë lirisë kombëtare të shqiptarëve. Ai i kushtohet në pamjen e parë, një njeriu të vetëm, Jusuf Gërvallës. Por jeta dhe vepra e Jusufit, ishte e shkrirë dhe e njësuar me jetën dhe veprën e një populli të tërë për liri kombëtare. Prandaj në thelb, ky libër i kushtohet qëndresës heroike dhe luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Në dallim nga shumë monografi të tjera, që më shumë merren me ngjarjet dhe pak me botën e brendëshme të atyre që u dhanë jetë dhe u paraprinë këtyre ngjarjeve, Kadri Rexha, në monografinë e tij, ndjek një rrugë tjetër. Më të vështirë, por më të pëlqyeshme. Në qendër të librit të tij është Jusuf Gërvalla, jeta e tij, bota e tij e brendëshme shpirtërore, ëndërrat e tij, jeta dhe lufta e tij. Kësisoj, kjo monografi, bëhet më jetësore, më e prekëshme, duke të detyruar të jetosh më të. Pas monografisë së Nasho Jorgaqit për Qemal Stafën, të Spiro Dedes për Alqi Kondin, etj. kjo monografi, kushtuar njërit prej heronjve më të shquar të kombit shqiptar, Jusuf Gërvallës, aq sa ç’i bën nder heroit që i kushtohet, po aq i bën nder dhe autorit që e ka shkruajtur atë. Duke e lexuar dhe rilexuar këtë libër, lexuesi, natyrshëm mediton për përmbajtjen e tij, për heroin e këtij libri. Kush ishte ai?

I thjeshtë gjer në madhështi
Lexoni librin e Kadri Rexhës dhe në mend të mbetet jeta e Jusufit. Një jetë që pak ndryshonte nga ajo e shumicës dërmuese të popullit të cilit ai i përkiste. Një jetë me halle. Halle familjare, pa shtëpi, pa mjetet e nevojshme për të jetuar. Një njeri, që i duhej të çante vetë dallgët e jetës kosovare. Një njeri, që për të jetuar, për të mbajtur familjen i provoi të gjitha punët, që nga ajo e këngëtarit, suflerit, përkthyesit, redaktorit, etj. Një njeri, që duhej të përballonte, provokacionet dhe ndjekjet e policisë sekrete jugosllave. Halle mbi halle dhe vështirësi mbi vështirësi. Megjithatë, qënroi. Megjithatë i përballoi dallgët e jetës. Megjithatë, ky njeri i zakonshëm atëhere, në jetën politike dhe sociale të Kosovës, sot është hero. Është tribun i popullit të tij. Përse vallë. Për një arsye të thjeshtë. Ai kishte zemër të madhe. Por kishte edhe një mendje të madhe. Pushtuesit i duhej mendja e tij. Në shpërblim të kësaj ai do t’ja bënte komode jetën personale. Por pushtuesit nuk i duhej zemra e Jusufit. Është në logjikën e çdo pushtuesi. Nga populli i cili kanë pushtuar, ata duan njerëz me zemër të vogël. Me zemër që të zërë vetëm hallet personale. Prandaj ai nuk pranoi Jusufin në hierarkinë e tij shtetërore. Por, edhe Jusufi, prandaj nuk shkoi tek ai. Në zemrën e tij, nuk vlonin vetëm ndjenjat personale. Përkundrazi, ato qenë në plan të fundit. Në zemrën e tij, vlonin ndjenjat e një populli të tërë, të shtypur, të masakruar dhe të robëruar. Mendjen e tij të ndritur, ai e vuri në shërbim të ndjenjave që zienin në zemrën e tij. Ndaj pati dhe vështirësi në jetën personale, ndaj dhe nuk ishte ndër të preferuarit e pushtetit. Ndaj dhe në pamjen e parë ishte njeri i zakonshëm. Por vetëm në pamjen e parë. Sepse në thellësi të këtij njeriu, vlonte urrejtja ndaj pushtuesit, në thellësi të këtij njeriu, thurreshin planet e lirisë kombëtare, në thellësi të këtij njeriu, seleksionohej fara që duhej të mbillej anë e kënd Kosovës, fara e lirisë. Prandaj atë më shumë se sa skenat apo podiumet për të mbajtur fjalime dhe për t’u dukur, e interesonin shokët që mendonin si ai, që kishin të njëjtën zemër si të tij. Kadri Rexha, nëpërmjet librit të tij, të mbush mëndjen për këtë të vertetë të madhe. Për të vërtetën që ndan atdhetarin real nga atdhetari i salloneve, që ndan tribunin popullor me partiakun e podiumeve, që ndan prijësin e popullit nga pushtetarët e tij, që ndan politikanin e paepur nga politikanët dredharakë dhe matrapazë. Të parët në jetën e zakonshme janë njerëz të thjeshtë, pa bujë e zhurmë, pa rrahje gjoksi e tam-tame gazetash. Ata janë të shkrirë tek populli. Jusufi ka dhënë shumë bukur këtë sentencë: „Në ballë të këtij populli, por edhe tek këmbët e tij“. Por dhe e realizojë më mirë nga të gjithë. Sa ishte gjallë, ai u këndoi të tjerëve, i këndoi popullit të tij. Për vete, nuk deshi këngë. Sot kënga i shkon pas. Sa ishte gjallë, ai kurrë nuk kërkoi lavdi. Është lavdia që sot e ndjek pas Jusuf Gërvallën. Të dytët janë ndryshe. Ata porositin këngë sa marrin ndonjë post, ata porositin artikuj sa ngrihen në përgjegjësi. Ata kanë rreth vetes një grup fanatikësh, që bredhin poshtë e lartë për t’u ngritur lavdinë. Por jeta dhe vepra e Jusufit, të mëson një gjë lidhur me këtë kategori politikanësh dhe „atdhetarësh“. Për ata, kënga zgjat sa zgjat posti i tyre. Lavdia zgjat sa zgjat karrigia e Partisë. Kaq dhe asgjë tjetër. Ndërsa për Jusufin dhe shokët e tij, kënga do të rrojë, sa do të rrojë populli shqiptar. Në përjetësi.
Atdhetari pluralist
Përbën një fakt të njohur prej të gjithëve, se shumë njerëz në Kosovë, që e urrenin pushtuesin, krijuan një sërë organizatash patriotike me emra të ndryshëm, por të njëjta në përmbajtje: Mobilizimin e popullit kundër pushtuesit, organizimin e tij për të fituar lirinë kombëtare. Si njeri i veprimit, dhe Jusufi, bënte pjesë në një prej këtyre organizatave. Por libri i Kadriut, evidenton një problem të madh dhe të rëndësishëm në këtë çështje. Jo vetëm për kohën kur punoi dhe luftoi Jusufi, por për çdo kohë, veçanërisht për kohën e sotme, kur në hapsirën e kombit shqiptar ekzistojnë mbi 30-Parti dhe grupacione politike. Sipas librit, për t’i shpëtuar arrestimit dhe me pëlqimin e organizatës që i përkiste, Jusufi kaloi në emigracion politik në Gjermani. Por edhe aty ai punoi me forca dhe energji shumë të mëdha. Megjithatë, në këtë periudhë, nuk është kjo kryesorja. Në këtë periudhë, ai u shqua më tepër si një atdhetar pluralist, që mbi të gjitha dhe në çdo gjë, dinte të vinte interesat e kombit dhe jo të organizatës që i përkiste. Marrëdhëniet e tij gjatë kësaj periudhe me elementë të organizatave të ndryshme, veçanërisht me Kadri Zekën, që bënte pjesë në O.M.L.K., dëshmojnë qartë për atdhetarizmin e Jusufit. Jusufi dhe Kadriu i hynë një rruge të rëndë, por shumë të domosdoshme: Bashkimit të forcave në një front të vetëm. Në këtë pikë, libri i Kadri Rexhës, dëshmon qartë, për një mësim të madh, që kanë nevojë ta kenë parasysh, ata që marrin përsipër, fatet e kombit. Bashkimi i të gjitha forcave, drejt një qëllimi të vetëm, kërkon që udhëheqësit dhe drejtuesit e partive dhe grupacioneve politke, secili të bëjnë lëshime, të lëshojnë pe, në çështje të dorës së dytë, për hir të një çështjeje më të madhe, që është çlirimi kombëtar. Veprimtaria e Jusufit, dëshmon qartë, se aq sa ç’ishte një atdhetar i madh, aq ishte një pluralist i madh. Shëmbull për dje, por dhe shëmbull për sot, për të gjithë ata që e konsiderojnë vehten atdhetarë. Se sa ishte në gjendje dhe sa ishte i përkushtuar Jusuf Gërvalla, për çështjen e bashkimit te të gjitha forcave, të interesuara për çlirim kombëtar, dëshmon qartë libri i Kadri Rexhës. Edhe pse përpjekja e parë për bashkim nuk u realizua, ai nuk u tërhoq nga bashkëpunimi. Në të kundërtën, e forcoi më shumë atë. Vrasja e pabesë, i gjeti bashkë, Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën. Me gjakun e tyre ata nënshkruan bashkimin. Ju takon të tjerëve që veprën e tyre ta çojnë më lart.
Kosovës po i vriten djemtë
17-Janari i vitit 1982. UDB’ja jugosllave, dhunon sovranitetin e një vendi sovran, të Gjermanisë. Në mënyrë të pabesë, fshehurazi, ajo vret tre atdhetarë shqiptarë, njërit prej të cilëve, shteti gjerman, i kishte dhënë të drejtën e strehimit politik. Fasada ishte bërë gati, për të fshehur krimin. Agjensia Tanjug, këtë vrasje politke dhe makabre e paraqiti si një larje hesapesh mes shqiptarëve. U përpoq t’i hiqte ngjyrimin politik. Por, autori, Kadri Rexha, me shumë korrektësi i përmbahet të vërtetës historike. Atë që fshehu Tanjugu, zyrtarisht e bëri të qartë „Zëri i Popullit“, në Shqipëri. Në shkrimin e tij të datës 20 Janar 1982, ishte vënë ky titull. „Kosovës po i vriten djemtë nga serbomëdhenjtë“. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka i kishin hyrë një pune nga më të rëndat por nga më të lavdishmet, bashkimit. Por fjala „Bashkim“, ka qenë dhe është fjala që në asnjë mënyrë, nuk ka pranuar dhe nuk pranon pushtuesi, të materializohet tek shqiptarët. Bashkimi i shqiptarëve, do të thotë funddi i pushtimit dhe liria e shqiptarëve. Është një mësim i madh ky, që del dhe vë në mendime, kur lexon librin e Kadri Rexhës: „Fati i luleve“.
Heronjtë nuk duan vetëm lule
Që nga viti 1982, e deri më tani, kanë kaluar 12-vjet. Para një viti, Kadri Rexha, realizoi një detyrë atdhetare, nxori në dritë një libër kushtuar jetës dhe veprës së njeriut të thjeshtë, por madhështor, në ëndrrën, punën dhe pasvdekjen e tij, Jusuf Gërvallës. Sot, individë të ndryshëm, grupacione dhe parti politike, flasin për Jusufin, nuk mungojnë të vënë dhe lule në varrin e tij. Por është interesante një dukuri. Asnjëherë nuk shkojnë bashkë, por veç e veç, të ndarë e të përçarë. Ndërsa kur lexon librin e Kadriut, gjëja më kryesore dhe preokupacioni më i madh i Jusufit ishte bashkimi. Megjithë, këta të sotmit, thonë se nderojnë dhe përkujtojnë veprën e Jusufit. Teksa lexuesi mbaron librin: „Fati i luleve“, njihet me jetën dhe veprën e atdhetarit të madh Jusuf Gërvalla, vetvetiu mëndon: Vallë, vetëm për lule kanë nevojë hereonjtë? Vallë vetëm për artikuj gazetash kanë nevojë heronjtë. Jeta dhe vepra e Jusuf Gërvallës dhe shokëve të tij, të cilën, autori i librit na jep shumë qartë, nuk kërkojnë lule, nuk duan artikuj dhe përbetime. Në të kundërtën, duan punë vetmohuese, duan përkushtim atdhetar, duan bashkim te të gjithë atyre që janë të vendosur për çlirim kombëtar, duan realizimin e lajtmotivit të jetës së Jusufit: „Në ballë të këtij populli dhe të këmbet e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme“.
Pas „Fatit të luleve“
Figura e Jusuf Gërvallës, është e gjërë dhe e gjithanshme. Tek ai pleksen me njëra tjetrën, politikani atdhetar, poeti, shkrimtari, këngëtari i halleve të popullit, etj. Kadri Rexha, në librin e tij, nuk merr përsipër t’i thotë dhe trajtojë të gjitha. Libri duhet gjykuar për aq sa ka marrë përsipër autori të shtjellojë në të. Të tjerët apo vetë autori në të ardhmën, le të ulen apo të shkruajnë për anë të tjera të personalitetit të Jusuf Gërvallës. Libri i Kadri Rexhës është një copë e madhe shqiptarie. Le ta urojmë atë që dhe në të ardhmën t’u dhurojë njerëzve, sa më shumë copa shqiptarie.
– Botuar në „Zëri i Kosovës“, 15 nëntor 1994

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura