SEJDI VESELI: NJERËZ SI RRAHMAN BAHTIRI NUK SHLYHEN NGA KUJTESA E POPULLIT, ATA MBETEN TË PËRJETSHËM

Prishtinë, 30. 04. 2013 – (Me rastin e tre vjetorit të vdekjes fizike të Rrahman Bahtirit) Lexoj me dhembje të thellë në shpirt, përkujtimet për ata që dhanë krejt çka patën, për të sjellë lirinë e shumëpritur, që më në fund edhe ne shqiptarët të vetëvendosim lirshëm për të ardhmen tonë. Këta pishtarë të lirisë, po na ikin në pavdekësi duke na obliguar neve të vdekshmëve, që Amanetin e tyre ta bëjmë realitet! Sot me 30 prill 2013 bëhen tre vjet, që kur Rrahman Hajrush Bahtiri-Shpendi u nda fizikisht nga gjiri i familjes dhe i miqve të shumët, të cilët i kishte në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.
Është provuar sa e sa herë, se për të përkujtuar shokun e idealit nuk është punë e lehtë, sepse para se gjithash, kjo është një përgjegjësi e madhe. Andaj këtë shkrim përkujtimi e sajova duke u udhëhequr nga parimi: siç e njoha – ashtu edhe e përshkrova.
Teksa kujtojmë këtë ditë të dhembjes, nuk ka se si të mos e sjellim në fokusin e mendjes prindin, bashkëshortin dhe vëllanë e kujdesshëm, punëtorin e zellshëm, shokun tonë të idealit dhe sidomos veprat e tij në shërbim të çlirimit, të cilat nuk mundemi dhe as që do t’i harrojmë kurrë.
Heroizmi i Rrahmanit qëndronte në punën vetëmohuese dhe bindjen e tij, se çlirimi dhe ribashkimi i Shqipërisë mund të bëhet realitet vetëm me luftë të armatosur çlirimtare, me sakrifica të shumta dhe shumë të dhembshme.

Rrahman Bahtiri ( 06 mars 1954 – 30 prill 2010 )

Rrahmani fliste pak, por thoshte shumë. Me shikimin karakteristik të tij, fjalën që e thoshte e bënte shumë më të zjarrtë, shumë më të qartë dhe më të kapshme për masat e popullit.
Vepra e Rrahmanit ishte shembull i përkushtimit të një atëmemëdhetari të devotshëm, i cili me vetë dëshirë hoqi dorë nga të gjitha gëzimet e moshës, për t’iu rrekur një pune shumë të vështirë dhe me plotë rreziqe, siç ishte faza përgatitore e luftës çlirimtare dhe më vonë kontributi i tij aktiv gjatë zhvillimit të saj.
Rrahmani u lind me 06 mars 1954 në varfërinë e vatrës së familjes së Bacë Hajrush Bahtirit, në fshatin Gubavc të Gallabit heroik. Por duhet theksuar, edhe pse pa fajin e saj, kjo vatër, në aspektin ekonomik ishte skamnore, ashtu siç ishin shumica e bashkëvendëseve të saj, ajo kishte epitetin e një oxhaku të besës, atdhetarizmit, trimërisë dhe krenarisë, të trashëguar brez pas brezi. Dera e familjes mikpritëse Bahtiri, mirëpriste e përcillte kryesisht njerëz të besës e të nderit.
Skamja bëri që Rrahmani të provoj qysh në fëmijëri mjerimin e kohës. Kjo e poqi! Kjo u bë shkollë për te!
Ndikimi i rrethit familjar dhe shoqëror, tek Rrahmani brumosi dashurinë për popullin e shumëvuajtur, urrejtjen arsyeshme ndaj pushtuesit dhe kuislingëve të tij. Kjo bëri të radhitet përkrah shokëve të përcaktuar për çlirimin e trojeve dhe ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar – Shqipërinë.
Rrahmani, qysh në moshën e mitur përjetoi shijen e hidhur të shpërnguljes nga vendlindja. I ati Bacë Hajrushi, në kërkim të kushteve elementare për ekzistencë dhe për shkollimin e fëmijëve të tij, detyrohet të shpërngulë familjen në Prishtinë.
Në Prishtinë, Rrahmani e kreu shkollën tetëvjeçare brenda afatit. Por, skamja e detyroi qysh në këtë moshë, të mendojë si një i rritur dhe si rrjedhojë e kësaj, përkundër dëshirës, vendos të heq dorë nga planet e tij për t’u regjistruar në shkollën ekonomike. Thjeshtë nga ëndrra e tij, që një ditë të bëhej ekspert i ekonomisë.
Rrahmani, në një bisedë me Bacën Hajrush e njofton Atë për synimet e tij, se do të regjistrohej në shkollën, siç quhej atëherë “ të nxënësve në ekonomi” e cila kryhej për tre vite dhe e kishte të garantuar punësimin. I bindur, se atëherë do të jetë në gjendje të ndihmojë materialisht shkollimin e dy vëllezërve dhe motrave të tij. Duke e njohur karakterin e Rrahmanit, Baca Hajrush nuk e kundërshton shumë. Pajtohet me planet e tij, por me lot në sy!
Këtë ngjarje ma ka rrëfye vetë Rrahmani pak ditë para se të më arrestonin për herën e dytë. Është për t’u theksuar, se gjatë terë këtij rrëfimi, Rahmanit i rridhnin lotët!
Kështu dhe ndodhi! Pasi e përfundoj këtë shkollë punësohet si mjeshtër latimi në ndërtimet e larta në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku”, në Prishtinë. Por, Ai nuk ndalet me kaq. Pa humbur kohë fillon përgatitjet për të vazhduar shkollimin e lartë dhe në kuadër të këtyre përgatitjeve, në afatin e paraparë, pa shkëputje nga puna kryen shkollën e mesme ekonomike. Por, në kohën kur ishte në vlugun e përgatitjeve për t’u regjistruar në fakultetin ekonomik, plasin demonstratat e Pranverës ’81, në të cilat merr pjesë aktive, i organizuar në kuadër të Frontit Nacional Çlirimtar.
Pas këtyre demonstratave, si për Rrahmanin, ashtu edhe për shumë shokë të tjerë filloi një epokë e re e cila karakterizohej: me përpjekjet dhe përkushtimin për masivizimin e subjekteve të organizuara patriotike; me veprimtari të intensitetit më të lartë; me sfida të përditshme dhe me rreziqe gjithnjë ma serioze.
Me 27 janar 1984 pason arrestimi nga “SDB” e pushtuesve serbo-sllav edhe i Rrahmanit, ashtu sikur edhe i shumë shqiptarëve tjerë, dhe më vonë edhe dënimi prej 13 vitesh me burg të rëndë.
Duhet theksuar se qysh nga momenti i arrestimit e deri në përfundimin e dënimit, Rrahmani mbajti qëndrim burrëror, edhe atëherë kur mësoi lajmin e rëndë për rënien e vëllait më të vogël në moshë, nxënësit të tij, Dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtiri-Besniku. Edhe gjatë kohës të cilën e kaloi gjatë internimit prapa grilave të kazamatit serbo-çetnik, të quajtur “Zabella” në Pozharevac – në Serbi, Rrahmani për as edhe një çast nuk do ta ndërpresë aktivitetin e tij prej luftëtarit të lirisë. Në këtë kazamat Ai takon shumë të internuar politik shqiptar dhe në bashkëpunim me ta, pasuron njohuritë e tij, sidomos ato teorike, në lëmin e veprimtarisë çlirimtare.
Pas daljes nga burgu, nën përkujdesjen e doktorëve Avdush Bajgorës dhe Ramë Miftarit, detyrohet t’i nënshtrohet një kure shëruese në lokalet e shtëpisë së tij përdhese, për veshkat e tij të dëmtuara rënd gjatë procesit hetimor.
Rrahmani, po ashtu sikur edhe shumë shokë të tij, e kishte të pamundur që të shfrytëzojë ndihmën mjekësore ne spitale, pasi që ato ishin venë nën masa të dhunshme nga thundra fashiste e pushuesit serbo-çetnik. Ende pa u shëruar plotësisht, Rrahmani fillon punën për organizimin e njësiteve në terren dhe përgatitjen ushtarake të tyre në frymën e Artit të luftës guerile-partizane.
Rrahmani, ishte njeri modest, shumë i sinqertë , shumë praktik dhe shumë i vendosur. Kjo bëri që respekti i njerëzve ndaj ti të rritej përditë e më tepër!
I tillë ishte Rrahmani! Për te jeta pa aktivitete patriotike nuk kishte kuptim, ndërsa ideali kulmor i tij ishte, t’i shërbej me besnikëri, në vazhdimësi dhe deri në fund ribashkimit të Shqipërisë, të cilën e deshi aq shumë.
Kjo bëri që pushtuesit dhe sahanlëpirësit e tyre ta vejnë nën thjerrëzën famëkeqe, me synim të qartë – për ta arrestuar serish apo për ta eliminuar. Gjendja e vështirë ekonomike dhe këshillat e shokëve e detyrojnë që përkohësisht të shpërngulet jashtë vendit. Edhe jashtë vendit, Rrahmani nuk qëndroi duar kryq, por u angazhua në radhët e veprimtarëve të çështjes, të cilët vepronin në mënyrë të organizuar, nëpër vendet e Evropës.
Kur u hap kushtrimi i UÇK-së, Rrahmani i përgjigjet pozitivisht, duke u rreshtuar në radhët e saj.
Pas përfundimit të luftës, u punësua në Institutin Kombëtar të Shëndeti Publik, si udhëheqës i depos, ku karakterizohet për vetëdijen e lartë të shprehur gjatë zbatimit të detyrave që i parashtroheshin nga vendi i punës. Këtu punoi deri sa sëmurja e pashërueshme ia mori jetën.
Vetë fakti se ndërron jetë në një spital vendor, në mungesë të shumicës nga barërat esenciale, ashtu siç vdesin të gjithë ata që interesat e popullit dhe të at’memëdheut i kanë vënë para atyre vetjake, e që për pasojë nuk kanë mjete për të kërkuar shërim nëpër qendrat me shëndetësi më të avancuar është dëshmia më e qëndrueshme, se edhe Rrahmani nuk u mashtrua nga lakmia për pasuri, si disa të sojsëz të mjerë, të cilët të verbuar pas lakmisë, po hahen e grihen ndërmjet veti, sikur hienat kur bien në mish, pa u mërzitur fare, se me këto veprime të turpshme po minojnë themelet e lirisë dhe po ngadalësojnë ribashkimin e trojeve tona, për çka u vuajt aq shumë dhe e u derdhen lumenj lotësh dhe të gjakut. Vepra vetëmohuese e Rrahmanit dhe virtytet e tij të larta njerëzore e kombëtare, mbetën shembull konkret për edukimin patriotik të gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë.
Vdekja e shokut tonë Rrahman Bahtiri, vërtetë ishte vetëm fizike, sepse përveç shoqes së jetës Zyhrijes, Ai la pas veti katër trashëgimtar të devotshëm, Xhaferin, Shpendin, Besnikun dhe Dafinën. Ata, pa e luajtur drejtimin e rrugës së babait, e kujtojnë Atë me mall, dashuri dhe respekt. Rahmani për ta ishte dhe mbetet mburrja dhe krenaria e tyre, sepse personi i tij lidhej me fjalët më të shtrenjtat, siç janë: ndershmëria, besnikëria, atëmemëdheu, një komb- një shtet, liria nuk dhurohet-ajo fitohet! Këshillat që ata dëgjonin gjithmonë prej Tij, me kalimin kohës kuptimi i domethënies së vërtetë të tyre, në mendjet e tyre është përforcuar përditë e më tepër. Ata, tanimë e kanë kuptuar drejt e mirë se ç’është atëmemëdheu, pse duhet ta duanë Kjo ka bërë që ata, tani janë të vendosur që të japin çka lypet prej tyre për ribërjen Shqipërisë Natyrale. Përveç kësaj, Ata, tani më e kanë të qartë, pse duhet të urrejnë, demaskojnë dhe luftojnë pa mëshirën më të vogël të gjithë armiqtë dhe tradhtarët e popullit.
Lum kush mëson nga shembulli Rrahmanit, i këtij veprimtari të spikatur, nga humanizmi, çiltërsia, përkushtimi ndaj atmemëdheut i shprehur në çdo hap të veprimeve të tij, gjithnjë në mbrojtje të së vërtetës, drejtësisë, idealeve për çlirim dhe ribashkim të Shqipërisë.
Ishin këto, fjalët që më diktoi mendja ime e përmalluar, të cilave u përpoqa t’u gjejë vend në këtë shkrim përkujtues, në këtë përvjetor të vdekjes fizike të shokut të idealit dhe bashkëveprimtarit, me të cilin u përpoqëm me përkushtim për dekada, bashkë me shumë shokë të tjerë, aq sa ditëm dhe sa patëm mundësi, për të dhënë hisen tonë të kontributit për çlirimin dhe ribashkimin përfundimtar të Shqipërisë!
Lavdi jetës dhe veprës së Rrahman Hajrush Bahtirit-Shpendit!
Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që prehen në altarin e lirisë!
Lavdi e përjetshme Ushtrive Çlirimtare te trojeve tona!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura