FATOS BAXHAKU: KANDIDATËT PËR FRONIN SHQIPTAR PAS PAVARËSISË

 (Tiranë, 24. 07. 2012) – Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë para Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij dilnin dy probleme themelore: ruajtja e territoreve shqiptare, ndërkohë në shumicë të pushtuara nga fuqitë ballkanike, dhe gjetja e një monarku, i cili do të njihej nga Fuqitë e Mëdha. Në fakt, të dy këta objektiva ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Ekzistenca e një mbreti të huaj në krye të shqiptarëve më në fund do t’i bënte këta të njohur diplomatikisht, por edhe me të paktën një aleat të madh të huaj. Pikërisht në këtë kohë dolën në skenë disa personazhe të çuditshme.

ISMAIL QEMALI

……………………………………

Aristokratë të rënë nga vakti, arrivistë e aventurierë, monarkistë fanatikë, të cilët fati i kishte caktuar të jetonin në republikë a në arrati, pasardhës historish e emrash të lavdishëm, por edhe krejt të panjohur, të gjithë u sulën në garën për fronin mbretëror shqiptar. Në shumë raste, kandidatët për mbret u vetëshpallën pa ua vënë veshin kush, në raste të tjera ishte shtypi i kohës që krijoi figura të qena e të paqena, shpesh ndodhi edhe që fuqitë e mëdha testuan njërin apo tjetrin kandidat. Duka i Abrucos, princi gjerman, fon Urah, princi tjetër gjerman fon Vyrtenberg, markezi i Auletës, të afërmit e Abdyl-Hamitit, të lidhur me krushqi me shqiptarët, princat Jusuf Izedin dhe Abdyl Mexhid, pasardhësit e Mehmet Aliut të Egjiptit, princat Ahmet Fuad dhe Omar Tosun, ambasadori britanik në Kajro, Lordi Kiçener, madje edhe studiuesi i famshëm, baroni Franc Nopça, të gjithë këta nisën të ëndërronin të vinin mbi krye kurorën mbretërore shqiptare. Emrat e shumë prej tyre tashmë janë harruar, porse në Shqipërinë, që ëndërronte lirinë që prej pesë shekujsh shumë prej tyre ngjallën shpresa të mëdha.
Një “Don Kishot” me shqiptarët
Një nga kandidatët që pati një aktivitet të gjatë dhe influencë deri diku të madhe ishte fisniku spanjoll, Huan de Aladro de Perez, i Valasco. Ky kishte lindur në Madrid në 1845. Punoi gjatë si diplomat i mbretit të Spanjës në Paris, Bukuresht, Vjenë, Bruksel, Hagë. Me sa duket pikërisht në Bukuresht u njoh me lëvizjen patriotike shqiptare. Në 1886, kur dashamirësi i tij, mbreti Alfons XII ndërroi jetë, ai u vendos në Paris si president i një kompanie hekurudhore të Pirenjeve. Duket se pikërisht në këtë kohë nis të marrë udhë ëndrra e tij për mbret të shqiptarëve.
Ka diçka prej marrëzisë së madhështisë së Don Kishotit në personazhin e tij. I gjatë dhe i thatë, me mustaqe të stërmëdha, njësoj si personazhi i Servantesit, ai shoqërohej kudo nga një sekretar shqiptar, që quhej Viskë Babatasi, një lloj Sanço Panço shqiptar.

HUAN DE ALADRO (GJIN KASTRIOTI)

………………………………………..

Don Aladro e kishte gati edhe historinë e origjinës së tij legjendare. Madje, biografi i tij, arbëreshi Zef Skiroi, e botoi atë edhe në një broshurë të veçantë. Sipas kësaj historie, në shekullin XVIII, në kohën kur në Spanjë mbretëronte Karli III, stërgjyshi i tij ishte martuar me një princeshë nga familja e Kastriotëve. Në fillim të shekullit XX Aladro e ndërroi emrin nga Huan de Aladro në Gjin Kastrioti, u vetëshpall princ i shqiptarëve dhe prijës i luftës së tyre për çlirim, filloi të mësonte shqipen. Ai u vu menjëherë në kontakt me arbëreshët e Italisë dhe me patriotët që jetonin jashtë Shqipërisë, Asdrenin, Luigj Gurakuqin, Ibrahim Temon, Dervish Himën, Faik Konicën, Bajo Topullin. Shpërndau me qindra mijëra fotografi të tijat të shoqëruar me flamurin e Kastriotëve. Shpalli se do të ndërtonte me shpenzimet e tij një kishë, një xhami dhe një shkollë shqipe.
Në fillim, dalja e tij në skenë, mbase edhe mbiemri i tij i adaptuar, ngjallën shumë shpresa te patriotët shqiptarë. Huan de Aladro udhëtoi shumë. Ai organizoi mbledhje të shqiptarëve në Korfuz, Sofje, Dubrovnik, Kotorr. Patriotët shqiptarë nuk e vranë shumë mendjen për vërtetësinë e historisë mbi origjinën e tij. Për ta kishte rëndësi që një fisnik i huaj, me sa duket edhe me njohje në qarqe të larta europiane dhe shumë i fuqishëm financiarisht po nxiste lëvizjen kombëtare të shqiptarëve. Atyre kaq u duhej. Shenjë e kësaj shprese është një letër që Asdreni i shkruan Aladros nga Bukureshti në qershor të 1902-it. “Perëndia desh që edhe shqiptarët të kenë një shtyllë të shëndoshë ku të mbështeten, rreth e rrotull së cilës të punojnë me atë dëshirë të zjarrtë e me atë besë si ata, që qëmoti pranë stërgjyshit tuaj, të madhit Skënderbe, luftonin për shpëtimin e Atdheut të shtrenjtë”.
Por shpresat e Asdrenit dhe patriotëve të tjerë do të veniteshin shpejt. Aladro nisi të bënte disa projekte të çuditshme për konfederata shqiptaro-bullgare, ndërkohë që vazhdonte të harxhonte paratë vetëm për ngritjen e kultit të tij si mbret i ardhshëm i shqiptarëve. Kur në 1911, dërgoi letra entuziaste në favor të kryengritjes së malësorëve të Veriut, askush nuk ia vuri më veshin.
Princi pa kurorë
Rivali më aktiv i Aladros ishte Albert Gjika. Ky ishte rumun dhe e quante veten princ. Zinte be e rrufe se ishte i afërm i Elena Gjikës, shkrimtares që u bë e njohur si Dora D’Istria. Ishte bërë shumë i pasur nga gruaja e tij e tretë, një irlandeze milionere. Thuhet se bënte pjesë edhe në një llozhë masonike. Edhe ky nisi të ëndërrojë duke shpërndarë flamuj dykrenorë, shami të qëndisura dhe fotografi të gruas së tij që mbante mbi krye kurorën mbretërore. Në fillim të shekullit XX (1902-1904) kishte raporte të mira me Portën e Lartë, e cila madje i ofroi edhe poste të larta shtetërore.

ALBERT GJIKA

…………………………………..

Më pas nisi një udhëtim të gjatë diplomatik në kryeqytetet kryesore të Europës. Në lodër haste rastësisht me Edit Dërhemin, së cilës i propozon të bëhet damë shoqërimi e mbretëreshës së ardhshme. Ja se çfarë shkruan ajo: “Në Londër, pashë një ngjarje humoristike, kur erdhi një rumun, princi Albert Gjika. Ky u paraqit para shtypit si pretendent i fronit shqiptar. Disa gazeta, madje disa edhe shumë prestigjioze e morën seriozisht. Mirëpo, fakti që ardhja e tij në Londër qëlloi në të njëjtën kohë me kthimin tim nga Shqipëria ishte një ogur i keq për të. Unë isha në gjendje që të thosha se, jo vetëm se ai nuk ishte pranuar si mbret nga i gjithë kombi shqiptar, por edhe se as që kisha dëgjuar ndonjëherë për të. Në një bisedë shumë zbavitëse që pata me të, zbulova se ai nuk dinte asnjë fjalë nga gjuha e vendit të adaptuar prej tij. Planet e tij ishin gjigante. Ato përfshinin madje edhe Stambollin si kryeqytet. Pourqoi pas? Kështu pyeste… Megjithatë, Albert Gjika u end edhe për disa kohë në prapaskenat e Ballkanit. Vetëm në Shqipëri nuk e njihte askush”.
Në 1905, pasi kishte krijuar më parë në Bukuresht një komitet, kryetar i të cilit donte të ishte përjetësisht, shpalli organizimin e kryengritjes në Shqipëri. Gjika, në planet e tij kishte llogaritur 12 mijë luftëtarë. Por më pas duke kërkuar të ardhura financiare u zhyt keqas në borxhe dhe rrezikoi burgun. Një vit më vonë tentoi të shfrytëzonte paratë e Austro-Hungarisë, por sërish pa rezultat. Pas shpalljes së Pavarësisë i kishte ulur fare kërkesat. Do të ishte i kënaqur edhe me postin e këshilltarit pranë mbretit të ardhshëm, por as kjo ëndërr e zbehtë nuk u realizua. Albert Gjika ka lënë pas një libër të botuar në frëngjisht në 1908: Shqipëria dhe Çështja Lindore. Shkruante profesor Stefanaq Pollo i ndjerë, njohës i mirë i atyre kohëve: “…Botimi i këtij libri ishte shërbimi më i rëndësishëm që Albert Gjika i bëri çështjes kombëtare shqiptare”. Të paktën një libër…
Rektor apo mbret?
Në 1912 u reklamua shumë, sidomos nga shtypi italian i lidhur me qarqet zyrtare kandidatura e një profesori egjiptian. Ky quhej Ahmed Fuad dhe asokohe ishte as më shumë e as më pak sesa vetë rektori i Universitetit të Kajros.

AHMED FUAD

……………………………………… 

Ky kishte origjinë të largët shqiptare, ishte xhaxhai i Kedivit të Egjiptit, që vinte nga familja e Mehmet Aliut të famshëm. Italianët, në mos e përkrahën, nuk ishin kundër kësaj kandidature. Ahmet Fuadi ishte shkolluar për ushtarak në Itali, madje edhe kishte shërbyer për disa kohë në ushtrinë italiane me gradën kapiten. Kandidatura u kundërshtua menjëherë nga Austro-Hungaria. “Ai s’di të drejtojë një universitet, e si do t’ia bëjë të drejtojë një mbretëri?”, pyeste një diplomat në një letër dërguar Vjenës. Emri i rektorit të Kajros u harrua shpejt. Në kongresin mbi Shqipërinë, që u organizua në Trieste, Albert Gjika, sikurse shkruan Nopça “ia linte dukës së Montpensierit të ‘drejtën e tij’ të deritanishme mbi fron, sigurisht të panjohur nga askush dhe, kundrejt një shpërblimi përkatës ai bënte propagandë për këtë dukë”.
Një dukë francez në Vlorë
Kandidaturën tjetër mbretërore më mirë se kushdo na e rrëfen vetë Ismail Qemali në kujtimet e tij. “Një mbrëmje, andej nga fundi i marsit të 1913 – shkruan ai – mësuam se një anije me flamur britanik ishte ankoruar në port dhe kishte sjellë lajmin se bllokada detare ishte hequr. Natyrisht, ishim të lumtur nga ky lajm. Të nesërmen në mëngjes më informuan se anija në fjalë ishte jahti i Dukës de Montepensier, vëllait më të vogël të Dukës së Orleanit.

FERDINAND FRANҪOIS BOURBON ORLEANS – MONTPENSIER

……………………………..

Duka më nisi një lajmëtar me një mesazh me anë të të cilit Madhëria e Tij më komunikonte qëllimin e vizitës së tij, që ishte dëshira për të paraqitur kandidaturën e tij për fronin e Shqipërisë. Letra ishte e shoqëruar me një ftesë për drekë në jaht. Unë pranova dhe, pasi hëngrëm, patëm një bisedë të gjatë në të cilën ai më përsëriti qëllimet e tij. E sigurova se do të isha i lumtur qoftë për vete, qoftë për vendin tim që një fisnik nga familja mbretërore franceze të shpresonte për detyrën e vështirë, por të nderuar të mbretërimit në Shqipëri, por isha i detyruar të shtoja se bllokada e gjatë na kishte mbajtur për shumë kohë larg të kuptuarit se cila ishte gjendja jonë e tanishme në raport me fuqitë europiane dhe andaj më vinte keq që nuk do të ishim në gjendje të merrnim një vendim të prerë, qoftë ky edhe në përputhje me dëshirat tona”.
Tashmë është bërë e famshme fotografia që tregon Ismail Qemalin, Isa Boletinin e të tjerët duke u nisur nga Vlora për në Londër. E pra varka po i çonte pikërisht në jahtin e Montpensierit. Me të udhëtuan deri në Brindisi.

PRINC W.VIDI

………………………………………

Duka (emri i të cilit gjatë ishte Ferdinand-François Bourbon Orleans-Montpensier) rrekej më kot. Ndonëse pati përkrahjen e disa figurave të njohura, ndër të cilët më i njohuri ishte Faik Konica, planet e tij nuk u realizuan. Që nga fillimi i 1914-s po flitej gjithnjë e më shumë për princin gjerman, Vilhelm Vid, në krye të Shqipërisë së re. “I panjohuri i famshëm”, sikurse e cilëson vetë Ismail Qemali, mbretëroi në një territor të vogël në Shqipëri vetëm për gjashtë muaj. Ismail Qemali e takoi atë në Durrës, gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, në verën 1914. Ai shkruan se u çudit me ngathtësinë dhe injorancën e princit në çështje shqiptare. Vidi vdiq pa abdikuar asnjë herë nga froni në Rumani në 1945 në moshën 69-vjeçare. Në atë kohë një tjetër ëndërr monarkiste kishte marrë fund. Mbretit Zog I, të vetmit që mbretëroi ndonjëherë realisht, i ishte ndaluar kthimi në Atdhe.
Materialet e shfrytëzuar:
1. Stefanaq Pollo, Pretendentët për fronin shqiptar në fillim të shekullit XX, në: 2. Në gjurmë të historisë shqiptare, Tiranë 1990;
3. Ismail Kemal Vlora, Memorie, Roma 1992;
4. Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, Tiranë 2000;
5. Franc Baron Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, Plejad, Tiranë 2007).

 ……………………………………………………………..

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura