FAZLI MALOKU: VËSHTRIM KRITIK PËR LIBRIN ‘LUFTA E KOSHARËS’…

Prishtinë, 8 shtator 2020: Këto ditë doli nga shtypi libri: “Lufta e Kosharës” (analiza, ballafaqime, krahasime dhe replika) nga autori kolonel, Dilaver Goxhaj – Shpëtim Golemi.
Libri është ndarë në dy pjesë, pjesa e parë përfundon me kreun e njëmbëdhjetë, dhe pjesa e dytë – shtesë. Libri ka gjithsej 293 faqe. Autori i librit, ishte edhe vetë pjesëmarrës i luftës së UÇK-së në detyrën zv. shefi i Shtabi i Përgjithshëm të UÇK-së, njëkohësisht edhe oficeri i bashkëveprimit me aviacionin e NATO-s, së bashku me djalin e tij të vetëm, Dritan Dilaver Goxhaj.
Dilaveri, edhe para se të angazhohej drejtpërdrejti e me armë në dorë në Luftën Çlirimtare të Kosovës, ai e përcolli luftën nga distanca ose më mirë të themi jetoi me UÇK-ën, duke bërë shkrime, analiza, sugjerime, por edhe kritika me qëllim të shmangjes së gabimeve, të përmbledhura më vonë në librin “Rruga që më çoi në rradhët e UÇK-së”.

Në librin “Lufta e Kosharës” që i është dhënë tashmë lexuesit, kolonel Dilaveri, duke qenë njohës i mirë i artit ushtarak dhe i veprimtarisë luftarake të UÇK-së, me një fjalë specialist i kësaj fushe, na shpjegon deri në detaje si u zhvillua lufta në Kosharë, cilat ishin sukseset, por edhe gabimet në këto luftime mbi 60 ditëshe në Koshare. Përshtypja ime është se në këtë libër pasqyrohet e vërteta e dëshmuar dhe e argumentuar bollshëm për zhvillimet e luftimeve të atjeshme, pa stërmadhime, pa glorifikime, pa vetëlavdërime e teprime; me fjalë tjera, ashtu si duhet të shkruhet historia e vërtetë e asaj që ndodhi në Kosharë por edhe çdokund tjetër në luftën dy-trivjeçare të UÇK-së.
Për luftimet në Kosharë, autori shkruan për trimërinë, heroizmin e pashoq të ushtarëve të UÇK-së, për moralin e tyre të lartë si dhe për disiplinën ushtarake që i brumoste këta ushtarë vullnetarë: “Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan. Dhe kjo është më se e vërtetë. Trimëria e forcave të njësisë taktike GO-3 (Br.138 Agim Ramadani), në këtë luftë dymujore, është admiruar edhe prej vetë kundërshtarëve… Gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, shprehet: “Sulmi ishte i tmerrshëm, dhe armiku ishte i armatosur shumë mirë, me mbështjetje të mirë ajrore dhe instruktorët më të mirë të NATO-s… Ishte një Vietnam në miniaturë… Unë madje kam qarë”: (fq.25). Dhe nuk ka sesi të mos të ndjehet krenar çdo shqiptar i një gjaku me këta djem e vajza që bënë Luftën e Koshares.
Nga të gjithë kuadrot pjesëmarrëse në atë luftën dy mujore në Koshare pranohet se ideatori dhe hartuesi i atij plani luftarak për sulm në Kosharë ishte Shefi i Shtabit të GO-3, Brig. Agim Ramadani, tani Hero i Kombit, i cili për fatin e keq u vra në ditën e dytë të luftimit (10 prill ’99) (u vra më 11 prill – në ditën e tretë të luftimeve – Sh.B) në vijën e parë të sulmit. Vrasja e kom. Agim Ramadanit ishte humbje e pakompesueshme jo vetëm për GO-3, por për gjithë UÇK-në. Themi për gjithë UÇK-në, pasi vrasja e tij ndërroi gjithë kahjen e mëtejshme të kësaj lufte në Koshare, duke mos ia arritur qëllimit të saj.
Përmes këtij libri, kolonel D. Goxhaj kërkon sqarime nga drejtuesit e kësaj lufte dymujore e më shumë, nga kuadrot komanduese kryesore: zotërinjtë Rrustem Berisha, Anton Çuni, Hysen Berisha… etj. Ai shtron pyetje të thjeshta:
– Përse u ndërpre sulmi aq i suksesshëm i dy ditëve të para?!
– Përse u kalua nga sulmi në brojtje?!
– Përse në 65 ditët e tjera nuk u tentua qoftë edhe një herë të sulmoheshin pozicionet serba?!
Ndërrimi i papritur i kursit të luftës në Kosharë shkaktoi dhëmbje e pasuar me humbje jo të vogla. Autori shkruan: “Këta zotërinj e kanë më se të qartë se gjatë dy muajve luftë, duke luftuar vetëm në mbrojtje, ranë 114 dëshmorë dhe u gjymtuan 350 të tjerë…” (po aty fq-30). Edhe pse autori bën shumë përpjekje për të zbuluar se nga kush dhe pse u dha urdhëri të ndërpritet sulmi i filluar për mrekulli dhe të kalohet në mbrojtje për gjithë kohën e mëpastajme, përsëri ai nuk arrin të verë gishtin e ta zbuloi autorin; dhe kjo, me sa po kuptohet, ka për të mbetur enigmë për shumë kohë!
Qëllimi i luftës në Koshare i përpiluar deri në hollësi nga ideatori dhe drejtuesi kom. Agim Ramadani ishte: “Zbatimi i urdhërit për hapjen e korridorit të furnizimit me armatim e municion si dhe me ushqim e veshmbathje për UÇK-ën, në drejtimin Padesh-Drini i Bardhë, e cila bënte luftë në gjithë territorin e Kosovës”.
Dhe kjo nuk u realizua?!
Koloneli, Dilaver Goxhaj me plot arsye qorton komandantët e Betejes së Koshares: “…Në vend që të përfitoni nga forcat morale, që buroi nga marrja e atyre territoreve (Rrasa e Koshares, Kosharja, Rrasa e Zogut)… dhe të vazhdonit të përparonit, ju u ndalët, duke i dhënë kohë kundërshtarit të afronte forca nga thellësia e të qëndronte i vendosur dhe i patundur. Derisa ju ishit në sulm duhej të mbanit nismën. Ndalimi i mësymjes nga ana juaj ishte në dobi të palës tjetër”. (fq-51-52).
Tani me të drejtë shtrohet pyetja sikur mos të vritej ditën e dytë (është vrarë ditën e tretë – ShB) të sulmit Shefi Shtabit të GO-3, kom. Agim Ramadani, a do të ndërpritej sulmi i filluar me aq sukses? Këtë pyetje e shtroj duke pasur parasysh atë që tregojnë ushtarët pjesëmarrës në atë luftim, pasi kom. Agim Ramadani na thoshte: “Për dhjetë ditë luftime do të jemi në Malishevë”.
Megjithatë, edhe pse nuk u realizua synimi i Luftës së Kosharës, autori I librit nuk mohon edhe rezultatet positive të saj: “E themi me plot gojën, se e vetmja vlerë pozitive e luftimeve të kryera nga GO-3 (Br.138), që duhet theksuar medoemos, është tërheqja në ato luftime e rreth 2000 forcave nga më specialet të Ushtrisë Serbe, duke ua lehtësuar disi detyrat formacioneve luftarake të Zonës së III-të Operative të Dukagjinit dhe asaj të II-të të Pashtrikut”. (fq-91). Thyrjen e kufirit Shqiptaro-Jugosllavë, shkulja e piramidave (me mbishkrimin RSFJ, nga çizmja e ushtarit të UÇK-së (9 prill ’99) në Kosharë, ne në malin e Zllashit të Prishtinës (Br. 153, e ZOLL-it) e kemi përjetuar me lot gëzimi, duke u përqafuar me njëri tjetrin. Shpresonim se tani e tutje nuk do të kishim më probleme furnizimi me armë e municion, por edhe me veshmbathje e ushqime. Por e gjithë kjo mbeti vetëm shpresë.
***
E një rëndësie të veçantë është edhe Pjesa e Dytë e librit në fjalë, ku kemi deklarata të pjesëmarrësve në këto luftime, përballje, replika etj… Besoj se për lexuesit paraqet një matrial mjaftë të bollshëm interesant për ta ndihmuar atë që të kuptojë më lehtë se si dhe kush është përgjegjës i atij dështimi.
Përgjithësisht libri i kolonel Dilaver Goxhaj, mendoj unë, ka një vlerë shumë domëthënëse, për historianët ushtarakë e civilë si dhe për të gjithë ata që do të shkruajnë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në veçanti një rëndësie të veçantë ka për brezat, ku do të mësojnë se çfarë lufte u zhvillua në këto troje në një periudhë të caktuar. Përmes këtij libri kolonel, Dilaveri len të kuptohet këshilla për të gjithë ata që do të shkruajnë për luftën e UÇK-së, që t’i përmbahen realitetit dhe të vërtetës dhe të mos i mbyti etja për lavdi e teprime, t’i shmangen lokalizmave e krahinarizmave me moton “se aty ku luftova unë, u bë lavdia”.
Po ashtu, në këtë libër që po e diskutojmë z. Dilaver, nisur ndoshta edhe nga modestia, shkruan fare pak për ndihmën dhe kontributin që e dha Shqipëria gjatë gjithë kohës sa zgjati lufta për çlirimin e Kosovës, jo vetëm për ata qindra oficerë e ushtarë të Ushtrisë Shqiptare nga të cilët dhjetëra syresh janë heronj e dëshmorë të kombit, por të shkruhet edhe të vlerësohet drejt ndihma e popullatës civile në brezin kufitar të Shqipërisë, për ato nëna e motra shqiptare, të cilat në mënyra të ndryshme ndihmuan ushtarët e UÇK-së.
Në këtë libër të autorit Dilaver Goxhaj, për herë të parë dhe si asnjëherë deri tash vlerësohet drejt ndihma e popullatës civile shqiptare e mbetur në Kosovë, e cila ishte bazamenti i mundësive që UÇK-ja të bënte luftën, ose të qëndronte e pathyeshme ndaj armikut shekullor. Aty del shumë qartë se UÇK-ja lindi nga ky popull, i cili jo vetëm që e mbështeti me të gjitha mundësitë, por u lidhën si mishi me kockën dhe së bashku mbijetuan dhe fituan luftën çlirimtare për çlirimin e Kosovës. Kjo e dhënë e vërtetë e dëshmoi katërcipërisht konstatimin se “çdo ushtri çlirimtare, të cilën e mbështet populli i saj, ngadhnjen gjithmonë, pavarësisht se me çfarë forca e mjete sulmon pushtuesi”.
Kolonel Dilaverit, i dëshirojmë shëndet e lumturi! E përgëzojmë për këtë libër me shumë vlera, duke i ururar e dëshiruar që të na shkruaj edhe libra të tjerë të kësaj natyre.
Prishtinë, 5 shtator 2020
Fazli Maloku – Kritik letrar

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura