FETNETE RAMOSAJ: MEHMET HAJRIZI ËSHTË NJË NDËR FIGURAT MË TË ҪMUESHME TË LËVIZJES SONË KOMBËTARE

Prishtinë, 10. 12. 2106: (Recension për librin “Në rrugë drejt lirisë”, Agim Sylejmani, Prishtinë, 2016) – Agim Sylejmani: “Në rrugë drejt lirisë” – Intervistë me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi”. Botoi Televizioni Albanian-American Vision dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, nëntor 2016.
Libri “Në rrugë drejt lirisë”, në të cilin botohet intervista apo bashkë-bisedimi i autorit, Agim Sylejmani, me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Mehmet Hajrizi, është i një rëndësie të veçantë, sepse sjell dëshmi të dorës së parë nga njëri prej bartësve aktivë të proceseve liribërëse, për një periudhë prej më se tri dekadash të fundit të shekullit XX, e cila u kurorëzua me Luftën e armatosur për liri që e zhvilloi populli shqiptar në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Intervista është realizuar në pranverë të vitit 2015 dhe e ka transmetuar në kuadër të rubrikës “Ruajtja e vlerave të luftës”, Televizioni Albanian-American Vision.
Mehmet Hajrizi është një ndër figurat më të çmueshme të Lëvizjes sonë Kombëtare, një njeri i vlerësuar lart dhe i respektuar për veprimtarinë e tij jetësore në shërbim të lirisë dhe mirëqenies së popullit dhe vendit të vet. Ai veprimtarinë e filloi që në rininë e hershme, për të mos u ndaluar së vepruari për asnjë çast. Në këtë libër sjell rrëfimet për frymëzuesit e tij nga radhët e familjes, e përndjekur nga regjimet okupuese serbe në disa breza, e cila ka dhënë disa dëshmorë e veprimtarë lirie. Ai thotë ta ketë pasur “shkollë të parë të edukimit atdhetar” të vëllanë, Zeqir Hajrizin. Në vijim paraqet ndikimin e jashtëzakonshëm në kultivimin e ndjenjave kombëtare që patën demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe veprimtaritë për shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pastaj kontributin e shtetit amë – Shqipërisë, me librat që hynë në Kosovë, për t’u lexuar fshehtas nga atdhetarët e shumtë, me emisionet e RTSH etj. Shkolla Normale e Prishtinës, ku Mehmeti merrte mësimet e mesme, ruante traditën e saj të kultivimit të atdhedashurisë dhe frymës së lirisë, te të rinjtë e të rejat e Kosovës së robëruar.

Mehmet Hajrizi sjell dëshmi për veprimtarinë jashtë-zakonisht të rëndësishme të organizatës ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, e themeluar zyrtarisht në fillim të vitit 1973, pas një veprimi disavjeçar të radhëve të saj. Kjo organizatë shquhet për veprimtarinë më jetëgjatë nga të gjitha organizatat ilegale të kohës. Përkundër goditjeve që mori me burgosjen, por edhe me vrasjen e veprimtarëve të saj, organizata vazhdonte veprimtarinë, duke ripërtërirë radhët e anëtarësisë. “Arrestimet vazhduan gjatë gjithë jetës së Organizatës. Për herë të parë në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës po ndodhte që veprimtarët e organizatës të arrestoheshin njëri pas tjetrit, por vetë organizata të mos zbulohej. Miti i fuqisë magjike të policisë sekrete jugosllave u shemb”, shprehet Hajrizi.
Që nga maji i vitit 1974, kur bie në burg pjesa dërmuese e udhëheqjes së kësaj organizate në krye me veprimtarin Kadri Osmani, është pikërisht veprimtari Mehmet Hajrizi, i cili arriti t’i riorganizojë radhët e organizatës dhe ta udhëheqë me sukses deri më 20 dhjetor 1981, kur bashkë me shokë burgoset, por veprimtarinë e vazhdojnë të tjerët me emërtime tjera organizative. Kjo organizatë e kishte shtrirë aktivitetin e saj në të gjitha trojet shqiptare të mbetura në ish-Jugosllavi, por edhe në diasporën shqiptare, veçanërisht në Zvicër e Gjermani.
Veprimtari Mehmet Hajrizi rrëfen edhe se si janë përzgjedhur anëtarët e organizatës. Përveç faktit se anëtari i ri duhej të vinte nga një familje e rezistencës kundër pushtuesit, “ai nuk mund të ishte një person i dështuar në jetë. Për shembull, një student që nuk tregonte asnjë sukses në studime, sepse konsiderohej si një njeri që nuk mund të japë rezultate. Kërkohej që të ketë dije, vullnet dhe mbi të gjitha guxim, meqenëse ishte një punë me rrezik personal dhe mund të kushtonte kjo me vite burgimi, ose edhe me jetë”.
Përderisa në shtetet tjera, si bie fjala në Slloveni apo në Kroaci, proceseve për zgjidhjen e çështjeve kombëtare u prinin vetë udhëheqësit e zgjedhur institucionalë, duke e kombinuar legalen me ilegalen, dhe duke u sakrifikuar aktorët kryesorë politikë, fatkeqësisht, në Kosovë ndodhte e kundërta: “Përfaqësuesit institucionalë, duke i qëndruar besnikë të zotit nuk e prishën rehatinë personale, por me zell më të madh se ç’u kërkohej turreshin me tërbim kundër Lëvizjes ilegale kombëtare, kurse shovinistët në Beograd fërkonin duart dhe ua rrihnin krahët”.
Në këtë libër sillen dëshmi të jashtëzakonshme për veprimtarinë e gjithanshme ilegale të kësaj organizate, por edhe të ilegales shqiptare të kohës në përgjithësi; sillen dëshmi për bashkëpunimin me Shqipërinë, bazat e të cilit i kishte vënë udhëheqja e kësaj organizate që nga viti 1975, duke filluar me mbajtjen e takimeve të para në Ambasadën e Shqipërisë në Paris, pastaj në Sofje e në Vjenë, etj.; sillen dëshmi për themelimin nga kjo organizatë, për herë të parë në jetën e Lëvizjes Kombëtare në Kosovë, të një sistemi të tërë të shtypit klandestin, me organet e saj “Zëri i Kosovës”, duke filluar nga 1 shkurti i vitit 1974, pastaj “Pararoja” dhe sidomos “Liria”, e cila shpërndahej në mbi tremijë ekzemplarë; sillen dëshmi për punën me masat popullore për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përgatitjen e tyre për veprim të hapur e rezistencë kolektive kundër pushtuesit, në protesta, greva, demonstrata e luftë të armatosur; sillen dëshmi për Kryengritjen e vitit 1981, të përgatitur, siç thotë veprimtari Mehmet Hajrizi, të paktën për dhjetë vjet rresht, e cila pati përkrahjen e Shqipërisë, por edhe një solidaritet ndërkombëtar, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Itali, Turqi etj. për t’u kurorëzuar më pas me Luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; sillen dëshmi për rënien heroike në këto demonstrata të dëshmorëve Naser Hajrizi e Asllan Pireva; sillen dëshmi për një plejadë të tërë veprimtarësh të shquar, për veprimtarinë e tyre, për sakrificën e tyre, për qëndresën në kazamatet jugosllave, për rënien e tyre në ballë të luftës për liri, por pa u dorëzuar asnjëherë.
Në këtë libër, lexuesve u ofrohen edhe dëshmi rrëqethëse për trajtimin barbar të të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët torturoheshin, jo vetëm gjatë procesit të hetuesisë, por edhe gjatë gjithë vuajtjes së dënimit, kur izoloheshin në burgjet hetuese, mbaheshin në kushte të tmerrshme me nga 10 e 15 vjet, me kriminelë e të sëmurë psikikë, si në çmendinë. Shumë prej tyre vdiqën herët nga pasojat e burgut. Përveç të dënuarve, torturoheshin dhe lëçiteshin edhe familjarët e tyre, bastiseshin, thirreshin në polici, largoheshin nga puna dhe mbaheshin nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Fatkeqësisht, veç periudhës së mëhershme që njihet si “koha e Rankoviqit”, kur inspektorët e OZN-ës e të UDB-së i torturonin mizorisht dhe i shpinin drejt vdekjes të arrestuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë, edhe në vitet ’70-’80-të të shek. XX, u vazhdua kjo traditë, ndonëse pjesa dërmuese e hetuesve dhe inspektorëve torturues ishin shqiptarë, të cilët në këtë libër përmenden me emra e mbiemra.
Dëshmi për trajtimin e të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave jepen edhe në një letër proteste (të vetmen që u ka shkruar Mehmet Hajrizi me disa shokë të burgosur politikë, organeve zyrtare), drejtuar Sekretariatit për Jurisprudencë në Kosovë, kundër një vendimi për t’ua ndaluar librat. Aty janë vënë në dukje diskriminimi dhe trajtimi i rëndë që u bëhej në mënyrë sistematike të burgosurve politikë shqiptarë, ndaj të cilëve u përdorën edhe “mjete e metoda të egra torturuese, të denja për inkuizicionin mesjetar”, që përbënte shkelje të ligjit, të kushtetutës dhe të konventave ndërkombëtare. Aty vihet në dukje edhe torturimi i familjeve të tyre kur u duhej të udhëtonin me qindra kilometra për 20-30 minuta vizitë dhe të harxhonin një rrogë kosovare për të.
Momentet më të vështira gjatë qëndrimit në burg, veprimtari Mehmet Hajrizi i veçon kur i mori lajmet për rënien e bashkëveprimtarëve si: Kadri Zeka me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu etj. Ai shprehet: “Kur janë vrarë Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla, nuk kam pasur të drejtë ta kem shtypin në qeli, kështu që asnjë informacion nga jashtë nuk kisha. Për herë të parë, si indikacion më ka ardhur diku në mars të vitit 1982. Njëri nga hetuesit, pas torturave që më kishte bërë me kolegët e vet, tha: “Ti si duket dëshiron të bëhesh hero, si Kadri Zeka. Të bëjmë.” Po, nuk doja të besoja dhe ta ktheja në bindje këtë dyshim. Një muaj më vonë, në prill të atij viti, e sollën në dhomën time një student nga rrethi i Dardanës, i cili kishte marrë pjesë në demonstrata, në njëvjetorin e kryengritjes së vitit 1981. Dukej i rrahur dhe i përgjakur edhe ai. Në bisedë e sipër, më tregoi se e kanë vrarë Kadri Zekën. “E kanë vrarë?!”- klitha i tmerruar… Tërë pesha e katit të sipërm të burgut prej betoni, ra mbi kokën time!… Kisha ndier një nevojë shpirtërore të arrestohesha edhe unë më 1974, kur m’i morën të gjithë shokët e Komitetit Drejtues, kurse tani po ndjeja nevojën e vrasjes time, si një çlirim shpirtëror…”
Veprimtari i shquar i Lëvizjes sonë Kombëtare, Mehmet Hajrizi, ka qenë dhe ka mbetur njeri i idealeve të larta të atdheut. Këtë e shohim edhe në këtë libër, këtë e dëshmon gjithë jeta dhe veprimtaria shumëdimensionale e tij në përpjekje e në luftë për liri, gjatë veprimtarisë ilegale, gjatë burgimit dhe pas tij. E ka thënë vetë në mënyrë të jashtëzakonshme se ishin “…tri forca që e bënin të qëndrueshëm në burg veprimtarin e çështjes kombëtare: njëra quhet ideal, e dyta ideal dhe e treta ideal. Vetëm ideali i lartë i jep kuptim trimërisë, qëndresës dhe vendosmërisë së luftëtarit të lirisë!” , përfundon ai.
Një ndër çështjet që do trajtim të mirëfilltë historik, në procesin e domosdoshëm të ballafaqimit të shoqërisë sonë me të kaluarën, është vlerësimi meritor i gjithsecilit dhe ndriçimi gjithëpërfshirës i periudhave historike. Fatkeqësisht, deri më tani pothuajse askush nuk ka denjuar madje as të kërkojë falje për të bëmat kundër vendit dhe popullit të vet. Aq më keq edhe më tutje, duke u përpjekur t’i arsyetojnë veprimet e tyre, tentojnë t’i njollosin dhe t’i etiketojnë rëndë të gjithë ata që vepruan e luftuan për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të mbetur në ish-Jugosllavi. Ja si shprehet lidhur me këtë veprimtari Mehmet Hajrizi: “Më 1981 përfaqësues të regjimit që veten e mbanin të majtë si komunistë të Titos, na kanë quajtur reaksionarë dhe agjentë të Perëndimit, kundërrevolucionarë, armiq të socializmit, nacionalistë shqiptaromëdhenj etj., kurse sot, madje të njëjtit, si ky farë Azemi (Vllasi), nxjerrin në plan të parë petkun ideologjik të majtë të Lëvizjes Kombëtare, për ta vënë në kundërshti me sistemin e ideve të sotme demokratike. Madje, shkon aq larg sa të thotë që kjo Lëvizje nuk kishte asnjë qëllim çlirimi, lirie, patriotizmi e bashkimi kombëtar, por vetëm instalimin e sistemit enverist-stalinist!”, për të vazhduar se “kur sunduesit ishin në pushtet, ata nuk lejonin që të flisnin të tjerët (e kur flisnin atëherë të bëhej gjëma), kurse sot e shfrytëzojnë lirinë e fjalës dhe flasin e nuk i ndalon kush!”
Prandaj, është detyrë parësore e institucioneve hulumtuese e shkencore në Kosovë e në Shqipëri për ta ndriçuar realisht këtë periudhë historike, të aq shumë vuajtjeve e sakrificave, për të mësuar nga historia, nëse duam që të mos na përsëritet. Faktet dhe argumentet janë të bollshme. Një nga dëshmitë e fuqishme që e zbardhin të vërtetën për këtë periudhë, madje jo vetëm për të, por edhe për periudhën e mëvonshme, atë të rezistencës paqësore e të UÇK-së, është edhe dëshmia e Mehmet Hajrizit, që botohet në këtë libër brilant që e kemi në duar. Është ky një libër që duhet ta lexojë secili shqiptar dhe i huaj që dëshiron ta njohë mirëfilli këtë periudhë të historisë sonë të re. Ky libër i shërben jashtëzakonisht shumë procesit të dokumentimit dhe ballafaqimit të shoqërisë sonë me të kaluarën.
Jam shumë e nderuar që pata rastin që ndër të parët ta kem në duar këtë libër! Shëndet, suksese, punë të mbarë e shumë libra të rij, veprimtarëve të palodhshëm të çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi e Agim Sylejmani!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura