FETNTETE RAMOSAJ: PËRDHUNIMET SI KRIME LUFTE

Pashtriku.org, 22. 05. 2013 – Gjatë luftës (1998-1999), Serbia tentoi ta spastrojë tërësisht Kosovën nga popullsia shqiptare, duke e sulmuar në radhë të parë familjen shqiptare, duke e masakruar atë nga fëmijët 3 muajsh e deri te plaku 97 vjeçar.1 Sulmet e organizuara mbi qindra familje shqiptare ishin pjesë e skenarëve serbë për zhbërjen e qenies shqiptare në Kosovë, ishin pjesë e gjenocidit dhe spastrimit etnik të Kosovës.2
Në pikëpamje të shkallës së natalitetit dhe të shtimit natyror, shqiptarët bëjnë përjashtim edhe në përmasa europiane. Mu për këtë arsye, Serbia me vite e ka pasur në shënjestër familjen shqiptare dhe shtimin e saj. Urrejtja patologjike kundër nënës e familjes shqiptare dhe propaganda serbe kundër gruas shqiptare dhe lindshmërisë së saj, duke e konsideruar atë si “fajtore” kryesore për shkallën e lartë të natalitetit të popullsisë shqiptare, daton shumë kohë para fillimit të luftës.3
Ekzekutimi dhe masakrimi i parë masiv i familjes Ahmeti në Likoshan të Drenicës, më 28 shkurt 1998, dhe vrasja e familjes Jashari më 5-7 mars 1998 në Prekaz, paralajmëroi tragjedinë e rëndë që po e kërcënonte Kosovën, dhe në veçanti popullatën civile shqiptare, pa dallim moshe e gjinie.4
Karakterin e vërtetë kriminal e gjenocidal të fushatave ushtarako-policore serbe në Kosovë e dëshmon qartë numri i madh i femrave dhe i fëmijëve të vrarë e të masakruar në format më çnjerëzore. Dëshmitarë të shumtë që arritën t’u shpëtojnë masakrave, dëshmojnë se gratë dhe fëmijët masakroheshin dhe ekzekutoheshin nga forcat serbe, pa dallim prej të rriturve. Fëmijët shqiptarë ishin në shënjestër të forcave serbe dhe ekzekutoheshin me motivacion se ata ishin “armiqtë e ardhshëm të Serbisë”(!).5

Në këtë fushatë sistematike të gjenocidit e të spastrimit etnik, krahas vrasjeve e masakrave të tmerrshme, krahas dhunimit të kufomave dhe varreve të të vrarëve e të masakruarve, forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe përdhunuan mijëra femra shqiptare. Përdhunimet që i kryen forcat serbe gjatë luftës në Kosovë janë ndër krimet më të tmerrshme e më të pandriçuara, për të cilat mund të flitet vetëm përafërsisht.6
Përdhunimet e grave e të vajzave shqiptare nuk ishin akte të rralla e të izoluara të kryera nga individë të forcave serbo-jugosllave, por ishin akte të organizuara mirë nga Serbia dhe u përdorën qëllimisht si një instrument për të terrorizuar popullsinë civile.7 Kjo formë e dhunës u përdor si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik sistematik.8
Në bazë të të dhënave nga terreni, intervistave të ndryshme, dëshmive të vetë viktimave por edhe nga dëshmitarët okularë të rasteve shihet se përdhunimet kanë qenë të përhapura në gjithë Kosovën. Kanë qenë mjaft masive dhe kanë atakuar femrat e të gjitha moshave. Shumica e viktimave kanë qenë të moshave prej 12-13 vjeçare deri 40-45 vjeçare. Ndërsa struktura e të përdhunuarave ka qenë e shumëllojshme. Kështu, në mesin e të përdhunuarave ka pasur të mitura, nuse, gra shtatzëna, gra të moshuara, fshatare, qytetare, studente, etj. Karakteristikë e këtyre përdhunimeve është se ato janë bërë në mënyrë masovike; janë bërë në prezencën e familjarëve të të përdhunuarave; janë bërë në objekte dhe kampe të ndryshme ushtarako-policore; kanë qenë të planifikuara dhe të programuara nga regjimi serb; janë kryer nga forcat ushtarako-policore dhe paramilitare serbe; këto akte janë përcjellë me sadizëm, mizori dhe me vrazhdësi të pashpjegueshme; është i madh numri i viktimave, të cilat pas kryerjes së aktit të përdhunimit janë vrarë e masakruar dhe u janë djegur kufomat për fshehjen e gjurmëve të krimit.9
Numri i femrave shqiptare të përdhunuara të Kosovë, kap shifra të ndryshme varësisht nga statistikat e organizatave të ndryshme të cilat kanë bërë hulumtime në këtë drejtim.10 Edhe pse përmenden shifra të ndryshme të të përdhunuarave, prapë se prapë është vështirë të dihet numri i saktë i tyre, për shkak të pasojave që mund t’i kenë viktimat në të ardhmen, si dhe për shkak të turpit që e ndjejnë ato nga familjarët, etj.11 Përgjithësisht viktimat shqiptare të dhunës seksuale nuk pranojnë të flasin për çështje të tilla.12 Shumica e femrave të përdhunuara nuk pranojnë se kanë qenë të përdhunuara, mirëpo, për to më tepër mund të mësohet nga rrethi dhe dëshmitarët eventualë, që i kanë parë në momentet kur ato janë marrë nga forcat serbe.13
Sipas të dhënave të KMDLNJ-së dhe organizatave të tjera vendore e ndërkombëtare që janë marrë me këtë trajtim, femrat shqiptare janë përdhunuar nga forcat serbe që nga fillimi i luftës në Kosovë, kryesisht në pjesët që gradualisht janë përfshirë nga lufta. Mirëpo, intensiteti i përdhunimeve është shtuar me fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe është rritur në vazhdimësi gjatë tërë periudhës së sulmeve ajrore. Shumë organizata ndërkombëtare joqeveritare dhe ekspertë të ndryshëm kalkulojnë me shifrën se afër njëzet mijë femra shqiptare janë përdhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe gjatë luftës. Të dhënat nga terreni dhe dëshmitë e mbledhura në kampe të refugjatëve në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, dhe në vende të ndryshme, ku kanë qenë të vendosur shqiptarët e dëbuar e të deportuar nga Kosova dhe të gjitha dëshmitë e mbledhura pas përfundimit të luftës, dëshmojnë se numri i femrave të përdhunuara mund jetë shumë i madh, me qindra e mijëra.14
Vetëm Organizata Joqeveritare e Gruas “Jeta në Kastriot”, e drejtuar nga Luljeta Selimi, ka nën përkujdesje 2 016 femra shqiptare, të përdhunuara nga forcat serbe. Njëqind e njëzet e katër (124) prej tyre kanë plagë të dukshme në trup (gjinj të prerë, gishtërinj të këputur, nëntë janë me nga një sy të nxjerrë dhe gjashtëmbëdhjetë me plagë të hapura në fytyrë), të cilat janë në gjendje të rëndë shëndetësore e psikike.15
Shumë prej vajzave e grave shqiptare, pasi ishin përdhunuar për ditë me radhë, ato ishin vrarë e masakruar, apo edhe ishin djegur për së gjalli bashkë me objektet ku kishin qenë të stacionuara forcat ushtarako-policore serbe.
Shaip Vrellaku,* i cili ishte zënë rob nga forcat serbe, sjellë dëshmi rrëqethëse lidhur me përdhunimet e më pas djegiet e vajzave shqiptare në stacionin e trenit në Gllogoc. “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit në Gllogoc. Edhe sot i dëgjoj ato britma të tmerrshme dhe trishtuese të vajzave që digjeshin. Sa e kisha vetëdijen vajza me të cilën fola dhe një tjetër afër saj nuk kanë qenë duke u djegur dhe unë nuk di se ç’është bërë me to. Sigurisht se edhe ato janë djegur. Policët që më ruanin më thanë se nëse dikujt i tregoj për këtë që pashë do të ma këpusin kokën”, thotë Shaipi, dëshmitar okular i këtij akti makabër.16
Faktin se Kosova u përball me përdhunime të programuara dhe të organizuara nga vetë shteti serb e përforcojnë dhe dëshmojnë reagimet e shumë personaliteteve të shquara politike gjatë dhe pas luftës. Njoftime për ekzistencën e kampeve të përdhunimit në Kosovë janë dhënë qysh gjatë ditëve të luftës edhe nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria Britanike dhe nga NATO.
Gjatë periudhës së sulmeve ajrore të NATO-s mbi forcat serbe, në një raport të Stejt Departamentit Amerikan, Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, nënvizoi se “forcat serbe po e përdorin përdhunimin si pjesë të spastrimit etnik dhe se numri i përdhunimeve është duke u shtuar në vazhdimësi dhe kur bëhet fjalë për përdhunimet, mund të flitet për një fushatë të organizuar” nga vet shteti serb. Në këtë raport thuhet se “shqiptaret e reja janë ndaluar në një hotel në Pejë (bëhet fjalë për hotelin “Karagaç” – v. jonë), ku pa mëshirë janë përdhunuar nga ushtarët serbë”.17
Në një raport për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, të publikuar nga OSBE në maj të vitit 1999, thuhet se janë grumbulluar mbi 1400 dëshmi për krime lufte e përdhunime në Kosovë. Dëshmitë janë grumbulluar nga gratë dhe vajzat e reja shqiptare, të cilat rrëfejnë për veten e tyre (anonime) apo për shoqet e tyre dhe të afërmet që kanë përjetuar përdhunimin nga pjesëtarët e forcave serbe. Rrëfimet janë shumë tronditëse dhe skajshmërisht të dhimbshme.18 Ndërkaq, në një raport të Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për Popujt e Rrezikuar (FNUAP) i publikuar më 25 maj 1999, në Gjenevë, ndër të tjera thuhet: “Ushtarët serbë për çdo ditë ngarkonin me kamionë nga 30-50 femra të reja shqiptare, të cilat i dërgonin në drejtime të panjohura, ku i përdhunonin për disa ditë me radhë në ndërtesa ushtarake apo vendbanime të tjera të ushtarëve serbë. – Nëse ato refuzonin marrëdhëniet seksuale me ushtarët dhe eprorët serbë, i vrisnin ose i digjnin në prezencën e të tjerave, për t’i frikësuar dhe nënshtruar më lehtë femrat tjera”.19
Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Mery Robinson, në raportin e saj përkitazi me përdhunimet që kanë kryer forcat serbe gjatë luftës në Kosovë thotë: “Përdhunimet e femrave shqiptare në shumë qendra të Kosovës janë kryer kryesisht nga paramilitarët e Arkanit dhe nga policët shtetërorë serbë”.20
Ekspertja e Human Rights Watch-it, Martina Vandenberg, në raportin prej 37 faqesh të HRW-së, të publikuar më 21 mars 2000, ku përshkruhen rastet e përdhunimeve të femrave në Kosovë, në bazë të dëshmive të shumta konstaton se “forcat e armatosura të Jugosllavisë dhe të Serbisë janë përgjegjëse direkte për përdhunimin sistematik të grave dhe të vajzave shqiptare në Kosovë gjatë sulmeve ajrore të NATO-s”.21
Në shumicën dërmuese të rasteve, viktimat, para se të ekzekutoheshin, ishin objekt i shfrimit shtazarak, i rrahjeve, i torturave nga më të egrat, i përdhunimit seksual, i fyerjeve dhe i poshtërimit moral e pastaj edhe i ekzekutimit e masakrimit në format më barbare.22
Përveç femrave të përdhunuara dhe atyre të vrara ekziston edhe një numër i madh i atyre që konsiderohen të zhdukura.23 Viktimat e përdhunimit kanë të përbashkët një histori të njëjtë tronditëse dhe shumë të dhimbshme dhe të gjitha së bashku përbëjnë një kategori shumë fatkeqe të viktimave.24
Të mbijetuarat dëshmojnë se një numër i vajzave shqiptare që konsiderohen të zhdukura, pas përdhunimit janë dërguar në Serbi.
Pas përdhunimit, vajzat e reja i transferonin në Serbi. Ushtarakët serbë kishin ngritur një infrastrukturë të tërë për të siguruar gjahun e seksit për taborët e Arkanit. Kjo e vërtetë tronditëse që vjen nga rrëfimet e viktimave të barbarisë së shfrenuar serbe në Kosovë është një tragjedi më vete. Në të gjitha dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, veçohet fakti që asnjë prej vajzave të çuara forcërisht në Serbi gjatë ditëve të luftës në Kosovës, nuk është rikthyer pranë familjes. Ka të dhëna se bashkë me përfundimin e operacioneve të NATO-s, që gjunjëzoi përfundimisht ushtrinë kriminale të Millosheviqit, pjesa më e madhe e tyre u zhdukën e u vranë në kushte misterioze. Gjithsesi, deri më sot, asnjë organizëm ndërkombëtar nuk është interesuar për të nisur hulumtimin rreth fatit të këtyre vajzave që kanë humbur pa adresë. Janë vetëm familjarët e tyre që rendin e rendin pa shpresë për të mësuar diçka për atë që ka ndodhur me to.25

Rrëfimet e atyre që përjetuan tmerrin janë tronditëse:

Ne që jemi përdhunuar dhe sot vuajmë jemi morali dhe pamorali i të gjithë kosovarëve! Edhe kur jemi në mesin e të gjallëve, ne, sërish ndjehemi të vdekura! Edhe kur ecim rrugës, e ndjejmë peshën e përdhunimit, e shohim atë në sytë e njerëzve, të cilët, ndoshta, kurrë nuk do të mund ta imagjinojnë se çfarë kemi përjetuar. Ne jemi plaga e çdo njeriu, vuajtja dhe mungesa e çdo fëmije. Edhe kur njerëzit qeshin, pa kujtuar fare se ne ekzistojmë, ne mendojmë se ata qeshin dhe tallen me tragjedinë tonë. Edhe kur lotojnë, shajnë e pështyjnë edhe atëherë ne jemi pjesa më e dhembshme dhe më tragjike… Ne sot jemi të braktisura, dhe pesha e çdo gjëje që po ndërtohet në Kosovë rëndon mbi ne! Ne jemi gjaku, pluhuri dhe pështyma e djeshme, e sotme dhe e nesërme e Kosovës andaj dikush duhet ta ngre zërin për ne…26
Deri në vitin 2004, janë evidentuar 46 vetëvrasje të femrave të përdhunuara gjatë luftës, që kanë ndodhur si pasojë e krizave nervore e psikike.27
Ekspertët e Tribunalit të Hagës qysh gjatë ditëve të luftës u prononcuan se aktet e dhunës seksuale trajtohen në kuadër të juridiksionit të ICTY-së (Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi) dhe se aktet e përdhunimit specifikohen si krime kundër njerëzimit, gjenocid, shkelje të ligjeve të luftës, torturë, etj., duke potencuar se Tribunali i Hagës e ka zgjeruar juridiksionin e vet për hetimin e abuzimeve seksuale të kryera nga forcat e armatosura serbe mbi popullatën civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.28
Por, ashtu siç nuk u trajtuan në mënyrën e duhur gjenocidi e krimet e tmerrshme që kryen forcat shtetërore ushtarako-policore e paramilitare serbe në mënyrë të organizuar kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, edhe për përdhunimet e mijëra femrave shqiptare, ndonëse konsiderohen krime kundër njerëzimit, deri më tani askush nuk është përgjigjur para drejtësisë.
___________________
Referencat:
1. Dr. Hakif Bajrami, fejtoni i botuar në javoren “Fokusi”, Prishtinë, 2003; Faton Mehmetaj, Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, “Anatema”, Prishtinë 2004, f. 365.
2. Raport i KMDLNJ-së, Dëshmi të hidhura: Masakrimi i familjeve – skenar i zhbërjes së qenies shqiptare, Prishtinë, prill 2000.
3. Po aty.
4. Po aty.
5. Po aty.
6. Jehona Shyti, Dhunimet si krime kundër njerëzimit, Mitrovicapress, 17 korrik 2006.
7. Human Rights Watch, NËN PUSHTETIN E URDHRAVE – Krimet e luftës në Kosovë (mars – qershor 1999), f. 8, 137.
8. Po aty.
9. Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës, botoi Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 2003.
10. Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës…; Emine A. Vezaj, Femra dhe pasojat e luftës, revista “PAQJA” Nr. 4, 19 Mars 2007.
11. L. Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës…
12. Human Rights Watch, NËN PUSHTETIN E URDHRAVE – Krimet e luftës në Kosovë…, f. 138.
13. Raport i KMDLNJ-së, Dhunimi plagë që vështirë shërohet, përgatitur nga Naime Maçastena -Sherifi, Prishtinë, 20 prill 2000.
14. Po aty.
15. Shih ueb-faqen zyrtare të Organizatës Joqeveritare të Gruas “Jeta në Kastriot” (www.vajzat.com).
 Shaip Vrellaku (1974) nga Baica, ishte zënë rob nga forcat serbe më 24 maj 1999, te Mulliri në Çikatovë të Re. Derisa ishte duke udhëtuar, në rrugë, brenda një makine të ndaluar, kishte parë katër persona të veshur me uniforma të UÇK-së. Sapo afrohet, këta pjesëtarë të sigurimit serb të maskuar me uniforma të UÇK-së, me të shpejtë dolën nga makina, e rrëmbyen Shaipin, ia mbyllën sytë dhe e futën në makinë për ta dërguar në stacionin e policisë në Gllogoc, e prej andej edhe në stacionin e trenit… Shaipi është liruar nga burgu i Pozharevcit (Serbi), më 11 prill 2000. (KMDLNJ, Informata nr. 494 për gjendjen e të drejtave e të lirive të njeriut në Kosovë prej 16 deri më 23 prill 2000, Prishtinë, më 23 prill 2000; Dëshmi të luftës në Kosovë: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit në Gllogoc”, “Bota Sot”, 26 mars 2002, f. 13).
16. Dëshmi të luftës në Kosovë: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit në Gllogoc”, “Bota Sot”, 26 mars 2002, f. 13.
17. Shih gazetën e përditshme shqiptare të Shkupit, “Fakti”, 12 maj 1999, f. 4; KMDLNJ: Dhunimi plagë që vështirë shërohet, pun. i cit., Prishtinë, 20 prill 2000; Jehona Shyti, Dhunimet si krime kundër njerëzimit, art. i cit.
18. E përditshmja “Flaka” e Shkupit, e datës 24 maj 1999; Raport i KMDLNJ-së, Dhunimi plagë që vështirë shërohet…
19. E përditshmja “Fakti” e Shkupit, e datës 26 maj 1999; KMDLNJ, Dhunimi plagë që vështirë shërohet…; J. Shyti, Dhunimet si krime kundër njerëzimit…
20. KMDLNJ: Dhunimi plagë që vështirë shërohet…
21. Po aty.
22. Raport i KMDLNJ-së, Dëshmi të hidhura: Masakrimi i familjeve – skenar i zhbërjes së qenies shqiptare, punim i cituar; Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës…, vep. e cit.
23. KMDLNJ, Dëshmi të hidhura: Masakrimi i familjeve – skenar i zhbërjes së qenies shqiptare, pun. i cit.; Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës, vep. e cit.
24. KMDLNJ, Dhunimi plagë që vështirë shërohet, pun. i cit.
25. Luljeta Selimi, Dosja e dhunimit: “Vajzat e reja, pas aktit barbar i çonin në Serbi”, botuar te pashtriku.org, më 23 dhjetor 2007.
26. Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës…
27. Intervistë e Riza Lahit me Luljeta Selimin: “Unë Dragan Spasiq jam njeriu që me dorën time kam prerë fytin e 50 shqiptarëve!”, gusht 2004 (Shih linkun pashtriku.org).
28. Dhuna seksuale si krim ndërkombëtar, “Fakti” – Shkup, 12 e 13 maj 1999; KMDLNJ, Dhunimi plagë që vështirë shërohet, pun. i cit., Prishtinë, 20 prill 2000.

(Pjesë nga libri “Krimet serbe në Kosovë – Pa Apologji – Me fakte kundër shpifjeve” (Vëllimi 2), botoi Anatema, Prishtinë 2008, f. 211-218).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura