FISI BERISHA
Fisi Berisha është pa dyshim ndër fiset më të vjetra shqiptare, dhe sot është ndër më të mëdhenjtë në numër e në përhapje. Si mbiemër, Berisha nis të përmendet dendur prej shekullit të 13, kur përmenden Konti Valentin Berisha (Berissa) nga Ulqini[1], e më pas vazhdimisht deri në shekullin e 15 shfaqet dendur në dokumenta venedikase, raguziane, serbe, osmane, etj., në një hapësirë që përfshin Shqipërinë veriore, Kosovën, Malin e Zi e deri në Librazhd. Gjatë qëndresës së Skënderbeut, për shembull, dy vëllezër Berisha ishin ndër udhëheqësit e ushtrive arbërore[2].
_________
Përmbajtja
1 Gojëdhënat e zanafillës dhe përhapja e fisit
2 Rezultatet gjenetike
2.1 Berisha nga Murr Dedi – Pukë, Tropojë, Kosovë, Preshevë, etj.
2.1.1 Linja atërore E-V13>FGC33625>Y93102
2.1.2 Personalitete historike nga Berisha e Murr Dedit
2.2 Berisha e Kuqe
2.3 Berisha në treva të tjera – Mirditë, Dibër, Kaçanik, etj.
3 Përfundime
Nuk është plotësisht e qartë nëse gjithë personat që dalin në dokumenta historike me mbiemrin Berisha kishin lidhje gjaku. Megjithatë dihet me siguri se në shekullin e 15, Berisha ishte tashmë një fis i formuar e i organizuar politikisht, aq sa në 1467 nënshkruan një marrëveshje me Venedikun, përmes përfaqësuesit Helias Bossi[3]. Gjithashtu është e qartë që anëtarët e sotshëm të fisit, në pjesën dërrmuese janë pasardhës të një trungu mashkullor i cili nis nga trojet e vjetra të Berishës e të Mërturit në Pukë, në territoret e Dukagjinit të vjetër, kurse një pjesë e familjeve të tjera mesjetare me mbiemrin Berisha mund të jene shuar ose të kenë ndërruar mbiemër me kalimin e kohës.
Gojëdhënat e zanafillës dhe përhapja e fisit
Shumica e familjeve të fisit Berishë ruajnë gojëdhënën e prejardhjes nga një paraardhës i përbashkët i quajtur Murr Dedi. Sipas numërimit të brezave në këto familje (në disa raste mbërrin 20)[4], përhapja e degëve të sotshme mund të ketë nisur prej periudhës para-osmane, kurse Nopcsa sugjeron fillimin e shekullit të 14. Rrok Zojzi tregon se shumica e fiseve të Dukagjinit, si Shala, Shoshi, Berisha, Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Kthella, Selita e Rranza, përmendin po ashtu si Berisha, Murr Dedin si të parin e tyre. Përveç gjithë këtyre fiseve, gojëdhëna të ndryshme e lidhin Berishën edhe me disa fise të tjera, pa kaluar përmes Murr Dedit. Për shembull, fisi Kuç, që sot është kryesisht i sllavizuar, dhe përmes Kuçit, edhe Kastrati dhe disa vëllazëri të tjera që mendojnë se vijnë nga Kuçi mendojnë se kanë lidhje gjaku me Berishën[5]. Një pjesë e familjeve të fisit Berishë në Kosovë, për shembull në zonën e Drenicës, quhen Berishë e Kuqe për t’u dalluar prej Berishës që nuk ka lidhje me Kuçin (shpesh quhet Berisha e Bardhë). Po ashtu ka edhe familje Berishë edhe në Fan të Mirditës dhe në Muhurr të Dibrës, po ashtu edhe shumë familje me prejardhje nga pjesa e Kukësit të sotëm në perëndim të Drinit (Arrën, Malzi, etj,) që sot gjenden shpesh edhe në Pollog e Kaçanik, mbahen Berishë.
Kush ka qenë Murr Dedi e ku ka jetuar mbetet temë e nxehtë diskutimi. Sipas një plaku berishas në vitet 1930, fisi vjen nga Mamurrash Dedi, gjë që e lidh të parin e fisit me Mamurrasin afër Fushë-Krujës. Gaspër Gurakuqi, i cili ka mbledhur këtë tregim, e kupton emrin Mamurras si Mat Murra, sipas tij i pari i fisit[6]. Një ide tjetër shumë e qarkulluar e interpreton Murr Dedin si tregues për prejardhje nga Deti i Zi (deti i murrmë)[7]. Ndërkohë një fakt që është lënë disi në harresë por që ia vlen të shqyrtohet është se ekziston edhe një toponim me emrin Murrë, fshat që ndodhet në skajin perëndimor të Dibrës, në kufi me Matin. Në regjistrin osman të vitit 1583, në fshatin Qafë Murrë, që në atë kohë bënte pjesë në Mat, shfaqet shpesh “Belisha” si emër e mbiemër, por nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën familje[8], për më tepër që fisi ishte tashmë i përhapur e i zhvilluar në treva të tjera veriore. Të gjitha këto mbeten mundësi për t’u shqyrtuar në lidhje me zanafillën e fisit, ndërkohë analizat gjenetike kanë verifikuar një pjesë të mirë të gojëdhënave mbi zhvillimin e tij.
Rezultatet gjenetike
Berisha nga Murr Dedi – Pukë, Tropojë, Kosovë, Preshevë, etj.
Kudo të jetë fillesa, përhapja e trungut gjenealogjik të Berishës nga Murr Dedi del mjaft qartë në gjenealogjitë e trashëguara në breza. Ndarja në Alshiqe e Mërtur ka ndodhur në Pukë, pasi aty gjejmë edhe sot të dy vëllazëritë. Më tej, si Alshiqja edhe Mërturi vijuan të përhapen si drejt veriut (Tropojë) edhe drejt lindjes (Rrafsh i Dukagjinit, Fushë-Kosovë, Luginë e Preshevës, etj.) Mërturi u përhap fillimisht mbi Drin, duke dalë në pjesë të Malësisë së Vogël ku krijoi bajrak të veçantë. Prej aty u përhap edhe në Bytyç në një hapësirë që edhe sot quhet Berishë, në Has, në Rrafsh të Dukagjinit, etj. Alshiqja, përveç ngulime buzë Drinit në Pukë, doli po ashtu bashkë me familje mërturase edhe në fshatin Tropojë e zonën përreth, në Berishë të Bytyçit dhe ose përmes këtyre, ose drejtpërdrejt nga Puka, u përhap gjerësisht në Rrafsh të Dukagjinit, Drenicë, Fushë-Kosovë, Gollak Luginë të Preshevës, etj.
Rezultatet gjenetike tregojnë se Alshiqja dhe Mërturi janë të një gjaku, ashtu siç e paraqesin gojëdhënat, pasi të dyja i takojnë vijës atërore E-V13>Z5018>S2979>FGC33625>Y93102. Deri sot kemi 5 anëtarë nga dega e Mërturit, 2 nga e Alshiqes dhe 10 berishas pa njohuri për përkatësinë sipas vëllazërisë brenda fisit, të gjithë që i takojnë kësaj dege të haplogrupit E-V13, pra të gjithë me prejardhje të përbashkët. Nga ana tjetër, dallimi Alshiqe-Mërtur mund të jetë dyzuar me kalimin e shekujve, pasi disa anëtarë nga të dyja vëllazëritë i takojnë të njëjtës nëndegë të E-V13>Y93102. Pra ndonjë familje me prejardhje Mërturi mund të mbahet sot si Alshiqe, ose anasjelltas, dukuri e pritshme për vëllazëri të afërta që shpesh kanë lëvizur bashkë.
Linja atërore E-V13>FGC33625>Y93102
E-FGC33625 map
E-Y93102 në trojet shqiptare
E-V13>Z5018>S2979>FGC33625>Y93102 është një ndër linjat atërore më të përhapura ndër gegë, sidomos në Kosovë dhe pjesën më veriore të Shqipërisë. Rezultatet nga fisi Berishë i takojnë kryesisht degëzimit E-Y93102>Y91573, paraardhësi i të cilës vlerësohet të ketë jetuar para rreth 500 vitesh. Nuk përjashtohet që ndonjë rezultat i thelluar në të ardhmen të shfaqet si degëzim pak më i vjetër brenda fisit.
Paralel me këtë degëzim gjendet E-Y93102>FT70142, ku kemi familje Sop dhe Morinë nga Fushë-Kosova dhe Gjilani, paraardhësi i përbashkët i të cilëve ka jetuar rreth 700 vite më parë. Lidhja e Berishës me këto familja llogaritet rreth 900 vjeçare, prandaj zbardhja e historisë së tyre mund të ndriçojë edhe më tej atë të Berishës.
Për Sopin e Morinën ka gojëdhëna të shumta, shpesh edhe kundërthënëse pasi përmenden disa rajone si vend origjine, gjë që pasqyrohet qartë edhe në rezultatet shumë heterogjene gjenetike të këtyre fiseve. Krahinat përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë, si një zonë që i lidhin të dyja, mund të jetë një ndër rajonet më të mundshme të prejardhjes për këto familje. Edhe toponimia e lidhur me Sopin e Morinën gjendet mjaft e shpërndarë në Shqipërinë veriore, Kosovë, Maqedoni, etj. Një përmendje e hershme del nga viti 1634, kur Gjergj Bardhi vizitoi fshatin Sopanji (Sopaj) në Pukë, fare afër Berishës e Mërturit[9]. Ky fshat mund t’a arsyetojë lidhjen gjenetike mes një pjese të Sopit e Morinës me Berishën, mirëpo nuk mund të thuhet me siguri nëse ky toponim ka lidhje me familjet Sopi në Kosovë. Përveç Berishës, Sopit e Morinës, kjo linjë është gjetur edhe në një familje Gash, një Thaç dhe dy familje të tjera pa fis, në pjesë të ndryshme të Kosovës e në Preshevë.
Sidoqoftë, paraardhësi i përbashkët i gjithë këtyre rezultateve që përmendëm ka qenë sigurisht diku në pjesën veriore të trojeve shqiptare gjatë Mesjetës. Sot përbën rreth 2-3% të gjithë linjave atërore shqiptare, por në Pukë, Tropojë, Kosovë e Luginë të Preshevës mbërrin deri në 10%, kurse në krahinat e tjera shqiptare është nën 1%. Lidhjet më të largëta të këtyre rezultateve janë me të testuar nga Italia (nuk dihet me siguri nëse është me prejardhje arbëreshe), e më larg me rezultate nga Europa veriore dhe perëndimore, dhe nga Bullgaria. Me gjasë bëhet fjalë për përhapje nga Ballkani verior ose Europa qendrore nga fundi i Epokës së Bronzit.
Skema është bazuar në pemën BlockTree të FTDNA.com dhe në pemën YFull.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.
Përsa u takon fiseve të tjera që mendohet se rrjedhin nga Murr Dedi, mund të thuhet me siguri të plotë se nuk kanë lidhje gjaku me Berishën në vijë atërore. Nga fiset Shalë, Shosh, nga tri fiset kryesore të Mirditës dhe nga bajrakët e Ohrit janë testuar mbi 30 anëtarë prej të cilëve asnjë nuk i takon vijës atërore E-Y93102. Në fakt, përveç tri fiseve të Mirditës që kanë një prejardhje të përbashkët mes tyre, secili prej këtyre fiseve ka rezultate të ndryshme prej të tjerëve. Si duket Rrok Zojzi e ka interpretuar saktë gojëdhënën për Murr Dedin thjesht si një prej treguesve të prejardhjes së përbashkët krahinore si fise të Dukagjinit.
Personalitete historike nga Berisha e Murr Dedit
Nga Berisha e Murr Dedit thuhet se kanë dalë një numër i madh personalitetesh të shquara të historisë shqiptare. Ndër anëtarët tanë kemi një familje shumë të afërt me Idriz Seferin, e cila i takon pikërisht linjës E-Y93102. Po ashtu, kohët e fundit u testua një anëtar i familjes Balisha nga Kojeli i Tropojës, e cila mendohet se lidhet me Hasan Prishtinën. Në Kojel gjendet edhe sot një truall që quhet “toka e begut”, ku thuhet se kanë jetuar të parët e tij. Edhe kjo familje i takon linjës atërore E-Y93102. Ftojmë pasardhësit e familjes së Hasan Prishtinës në Kosovë të bashkohen me projektin tonë, që të verifikojmë përfundimisht gojëdhënën e prejardhjes së tyre.
Kurse për përfaqësuesin e fisit Berishë në marrëveshjen me Venedikun, Dhimitër Shuteriqi thekson se ishin nga zona e Librazhdit. Sipas tij, Ilia (Helias) Bosi ishte anëtar i familjes fisnike Bosi, vasalë nën familjen e famshme të Arianitëve. Shuteriqi, i cili ka hulumtuar të dhëna historike dhe burimore rreth Arianitëve thekson se kjo familje duhet të ketë të paktën 500 vjet në Librazhd, ku banorë me këtë mbiemër gjenden edhe sot[10]. Ndoshta për rastësi, mbiemri Berishi gjendej shpesh në Librazhd në shekullin e 15, pasi përmendet në disa fshatra në defterin osman të vitit 1467, përfshirë dy herë në Librazhd dhe një herë në Kosharishtë[11]. Një anëtar i projektit nga Librazhdi me mbiemër Bosi i takon vijës atërore E-V13>Z5017>CTS9320>Z25461, pra nuk ka lidhje gjaku me trungun e Berishës për të cilin folëm më sipër. Ndërkohë do të ishte me interes edhe testimi i ndonjë familjeje me këtë mbiemër nga treva historike e fisit Berishë.
Berisha e Kuqe
Familje të Berishës së Kuqe gjenden në disa pjesë të Kosovës. Ndoshta më të famshmet janë tri fshatrat e Drenicës: Prekazi, Galica dhe Obria. Para pak javësh përfundoi analiza e një anëtari të familjes Jashari, i cili rezultoi të ketë linjën atërore E-V13>S2979>L241>PH2180. Familja e Adem e Hamëz Jasharit, por edhe shumica e banorëve të fshatrave Obri e Galicë, pra, duhet t’i takojnë kësaj linje atërore, që gjendet në dendësinë më të madhe të saj në Malësi e në Drenicë. Rezultatet më të afërta me Jasharajt vijnë nga fisi i Thaçit në Pukë, në rreth 1000 vjet largësi. Me trungun kryesor të Kuçit në Mal të Zi nuk ka lidhje gjaku, por disa lidhje të vjetra ekzistojnë me fise të tjera që përmendin Kuçin si vend origjine (psh: Bardhët e Gashit).
Berisha e Kuqe gjendet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, dhe jo të gjithë kanë të njëjtin haplogrup. Për shembull, një familje e këtij fisi nga zona e Llapushës i takon linjës atërore I-Y3120.
Berisha në treva të tjera – Mirditë, Dibër, Kaçanik, etj.
Siç theksuam më lart, ka vëllazëri e familje të shumta që edhe pse mbahen Berishë, nuk e lidhin trungun e tyre gjenealogjik me Murr Dedin. Rezultatet tregojnë se në shumicën e rasteve këto nuk kanë lidhje gjaku me Alshiqen e Mërturin.
Në Mirditë, familje të fisit Berisha ka në fshatrat Konaj, Rrasë e Butë e Rrasë e Egër, dhe në Korthpulë[12]. Një anëtar nga fshati Konaj i takon haplogrupit E-V13>Z5017>CTS9320>Z17107, me rezultatet më të afërta nga fisi Dibrri në Mirditë, nga Shllaku, Cidhna, etj. Me siguri të plotë mund të themi që bëhet fjalë për një familje me rrënjë të vjetra në Mirditë. Nga ana tjetër, Berisha në Mirditë duhet rishqyrtuar pasi të kemi një numër më të lartë rezultatesh.
Në Dibër ka të dhëna për familje Berishë prej 600 vitesh. Sot, vetëm një familje e tillë gjendet në Dibër, në fshatin Muhurr. Kjo familje thuhet se rrjedh nga vëllezërit Berisha që ishin në shërbim të Skënderbeut në shekullin e 15. Një anëtar i kësaj familje ka rezultuar se i takon haplgrupit J2a-M410, pra pa lidhje gjaku me Berishën në Pukë, Tropojë, Kosovë, etj. Jemi në pritje të një testi të dytë për të parë nëse gjithë vëllazëria është homogjene në vijë atërore, dhe mundësisht për të përcaktuar nëndegën.
Në Kaçanik, një familje Berishë me prejardhje nga Malziu në Kukës (tradicionalisht bajrak i Pukës në Dukagjin), i takon linjës atërore E-V13>Z5018>S2979>FGC11450>Y146086>BY68094. Do të jetë me interes klasifikimi i familjeve të Arrënit për t’u krahasuar me këtë rezultat. Dy rezultate nga familje Berishë i takojnë linjës atërore E-V13>Z5018>S2979>L241>BY5500, por pa lidhje të afërt mes tyre. Njëra vjen nga Obria e Poshtme (shumica e familjeve në Obri duhet të jenë E-PH2180), kurse tjetra ka prejardhje nga Toplica. Nga Hasi në Kosovë, një berishas i takon vijës atërore J2b-L283>PH1751>FT134628, afër rezultateve nga Lura, Kastrati, Dibra, etj.; nga Presheva kemi një rezultat Berishë J1-M267>FGC12816; në Prizren një anëtar tjetër i takon haplogrupit E-M81 dhe lidhet gjenetikisht me familje nga Opoja dhe Luma.
Përfundime
Fisi Berisha, si një prej fiseve më të mëdha shqiptare, gjenetikisht shfaqet mjaft homogjen. Qartësisht, shumica e familjeve të këtij fisi kanë një paraardhës të përbashkët i cili duhet të ketë jetuar në Pukë, e prej aty pasardhësit e tij janë përhapur në pjesën më të madhe të trojeve veriore shqiptare. Nga ana tjetër, një pjesë e rezultateve nuk lidhen me këtë trung në vijë atërore, prandaj përkatësia fisnore ose mbiemrat e lidhur me Berishën, në disa raste mund të jenë vazhdimësi e familjeve të shumta të përmendura historikisht, ose duhet të kenë ardhur si pasojë e proceseve shoqërore apo ekonomike që kanë bashkuar familje me prejardhje të ndryshme në një fis të përbashkët.
Në treva shqiptare nga Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, mbeten edhe shumë familje të lidhura me fisin Berishë prejardhja e të cilave nuk është hulumtuar përmes testeve gjenetike. Ftojmë çdo berishas të kryejë një test e të bëhet pjesë Projektit Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” në www.rrenjet.com/#Si_te_regjistroheni.
________________
Burime:
[1] Sufflay, M. 1879-1931., Jirecek, K. 1854-1918., & Thalloczy, L. 1856-1916. (1913). Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia. Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen. [2] Schmitt, O. J. (2009). Skanderbeg: Der neue Alexander auf dem Balkan. [3] Schmitt, O. J. (2014). Arbëria Venedike (1392-1479). [4] Malaj, I. K. (2003). Tropoja në Breza. Tiranë: Dardania. [5] Durham, M. E. (1928). Some tribal origins, laws and customs of the Balkans (p. 301). London: Allen & Unwin. [6] Gurakuqi, G. (1933). Për Visarin Komtar. Hylli i Drites, IX, 1933, f.98-99. Marrë me 28 shtator 2021 ngahttps://www.leaf.al/books/book.php?b=hylli_i_drites/vjeti_IX_1933-2
[7] Gelasius. (1939). Fjalor Toponomastik. Hylli i Dritës, XV, 1939, 8-10, f. 410. Marrë me 28 shtator 2021 ngahttps://leaf.al/books/book.php?b=hylli_i_drites/vjeti_XV_1939_08-10
[8] Gjoni, Z. & Përnezha, H. (2011). Dibra në Defterët Osmanë (1467, 1583), f.108. Tiranë: Botime M&B. [9] Zamputi, I. (1963, ribotim: 2018). Relacione dhe Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1610-1650), f.373. Prishtinë: Albanisches Institut St. Gallen & SHB Faik Konica. [10] Shuteriqi, Dh. (10.06.2007). Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe historisë. Gazeta Shqiptare. [11] Shoqata Dorëz. (2021). Ja çfarë mbiemrash janë të përmendura në vitin 1467 në fshatin Dorëz dhe fshatrat e tjerë të Librazhdit. Marrë me 28 shtator 2021 ngahttps://www.facebook.com/101559595094719/posts/167191268531551
[12] Tirta, M. Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj. Marrë me 28 shtator 2021 ngahttps://mirdita.com/threads/mirdita-e-mo%C3%A7me-e-migrime-t%C3%AB-popullsis%C3%AB-s%C3%AB-saj.755
————————————-
PREJARDHJA GJENETIKE E SHQIPTARËVE
***
Nr. 3-4 Studime Historike 2021
PREJARDHJA E FISEVE KRASNIQE E NIKAJ NËN DRITËN E TË DHËNAVE GJENETIKE, HISTORIKE DHE TRADITËS BURIMORE
Nga Alban Lauka, Ardian Muhaj & Gjergj Bojaxhi
***
FISI BERISHA
***
BAJRAQET KABASHI DHE QERRETI
***
FISI BYTYÇI
***
FISI GASHI
***
FISI KELMEND
***
BAJRAQET KTHELLA, SELITA DHE SHKRELI
***
PREJARDHJA GJENETIKE E FAMILJEVE FISNIKE DHE FEUDALE SHQIPTARE