FJALA E KRYETARIT TË SHOQËRISË ‘LËVIZJA’, XHEVAT BISLIMI – MBAJTUR NË SIMPOZIUMIN SHKENCOR ‘THEMELIMI I LËVIZJES (LPK) DHE HERONJTË E JANARIT 1982’

Pashtriku.org, 21. 01. 2017: Të nderuar të pranishëm! Para se të lexoj fjalën time po citoj dy citate-thënie nga Heronjtë tanë: njëri është i Kadri zekës dhe tjetri i Jusuf Gërvallës.
“…..Vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve ». (Kadri Zeka)
“…..Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s`do të ketë forcë, që të na ndalë në rrugën tonë….” (Jusuf Gërvalla)
Janë këto dy thënie monumentale dhe programore për Lëvizjen dhe karakterin e saj thellësisht kombëtar dhe clirimtar.
Mirë se ardhje për ju studjuesë, miq, shokë, bashkeveprimtarë, medie dhe për ju të gjithë që sot keni ardhur për të ndjekur këtë simpozium shkencor !
I nderuar zoti President, Moisiu !
I nderuar Ambasador i Republikes se Shqipërisë, Minxhozi! Zonja dhe zotërinj!
Simpoziumi shkencor që po hapim dhe promovojmë sot është organizuar nga Shoqëria “Lëvizja”, bashkë me Institutin Albanologjik-Dega e Historisë dhe me Shoqatën e të burgosurëve politikë të Kosovës me rastin e 35 vjetorit të bashkimit të organizatave atdhetare të kohës. Po në këtë ditë, 17 Janar, kishte vdekur edhe Kryeheroi, Kryetrimi dhe Kryeprofeti i kombit tonë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilin shqiptarët e kujtojnë dhe nderojnë sot e përgjithmonë. Simpoziumi që do të jetë i përvitshëm ka për synim të jap ndihmesë kryesisht në hulumtimin dhe studimin e periudhës 20 vjeçare të përpjekjeve, qëndresës dhe luftës së kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave tjera të pushtuara të Shqipërisë.
Ideatore dhe organizatore e kësaj Lufte Antipushtuese-Clirimtare ishte Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila u krijua me bashkimin e organizatave atdhetare të kohës. Në themele të këtij bashkimi dhe krijimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës janë mendja, puna dhe gjaku i Kadri Zekës, vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe i atdhetarve dhe dëshmorëve që nuk kursyen mundin, djersën dhe gjakun e tyre për realizimin e dëshirës së një populli të copëtuar për liri, barazi ekonomike dhe shoqërore, pavarësi dhe bashkim të Shqipërisë në një shtet të vetëm.
Për arsyet dhe rrethanat që të gjithë i dimë, veprimtaria e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe e të gjithë atyre që flisnin, shkruanin dhe vepronin për lirinë e tokave të pushtuara të Shqipërisë bëhej në fshehtësi të plotë. Por, nuk mungonin edhe ata që me mendjen, penën dhe veprimtarinë e tyre shkencore, arsimore, kulturore, publicistike, gazetareske, etj. bëheshin krah dhe mbështetje e fuqishme për realizimin e aspiratave të popullit tonë të robëruar dhe të shtypur nga çizmja e rëndë e pushtuesit.
Sot, nuk do të flas për ata shqiptarë të pakët që ishin bërë mbështetja dhe jataku i butë politik e ideologjik i pushtuesit! Nuk do të flas as për ata shqiptarë të pakët që ishin bërë syri dhe veshi i pushtuesit! Pati edhe nga ata që ishin bërë kërbaç në duart e pushtuesit! Sot, nuk po flas as për këta shqiptarë që po angazhohen me një zell të paparë për zhbërjen e identitetit kombëtar dhe për krijimin e një ”kombi” të ri e të një gjuhe të re sipas dëshirës dhe kërkesës së fqinjve tanë shovinistë dhe miqve të tyre! Mbase në ndonjë simpozium të ardhshëm studjuesit tanë do të flasin e do të shkruajnë edhe për këtë anë të medaljes për ta nxjerr sa më të plotë të vërtetën shkencore.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij Simpoziumi,
Shoqëria “Lëvizja”, bashkë me Institutin Albanologjik, me Shoqatën e të burgosurëve, me Institutin e Historisë, me universitetet tona publike e private dhe me gjithë të interesuarit tjerë ka dëshirën dhe vullnetin që të kontribuojë në mbledhjen, hulumtimin, studimin dhe botimin e kësaj veprimtarie dhe trashëgimie voluminoze e komplekse politike e kombëtare. Nxënësit, studentët dhe njerëzit tanë duhet ta njohin, ta mësojne e studiojnë këtë periudhë të historisë shqiptare dhe të mburren me të. Edhe publiku i huaj dhe sidomos qarqet shkencore, politike e diplomatike të vendeve tjera duhet të njihen me këtë histori të lëvizjes sonë politike e kombëtare.
Jemi të ndërgjegjshëm për “kutinë” që po hapim me këtë projekt simpoziumesh! E vërteta shkencore nuk do ta ketë të lehtë përballjen me çasjet, me burimet, argumentet, dëshmitë dhe materialet e shkresat nga më të ndryshmet, shpeshherë edhe kundërthënse, që do të vijnë e të shpalosen këtu ose në vende dhe forma tjera. Të vërtetën shkencore për këtë periudhë e bën të vështirë edhe pamundësia ose vështirësia e hulumtimit në arkiva të vendeve fqinje dhe të vendeve tjera në botë. E mira e këtij Simpoziumi të përvitshëm është se do të ngacmojë njerëzit, që ishin aktorë ose bashkëaktorë të atyre viteve ta thonë dhe ta shkruajnë të vërtetën e tyre! Kumtesat, shkrimet, kujtimet, librat dhe materialet e tyre do të jenë burim dhe orientim i mirë për thellimin e studimit të kësaj periudhe të historisë më të re shqiptare, e cila nuk mund të veçohet dhe as të studjohet e shkëputur nga shteti Amë, nga gjeografia-hapësira kombëtare dhe nga mërgata shqiptare.
Tendenca për ta shkëputur dhe mbyllur këtë përpjekje dhe luftë mbarëshqiptare vetëm brenda kapakëve të një historie për Kosovën e dëmton të vërtetën shkencore dhe kohezionin kombëtar. Madje, kjo periudhë nuk mund të hulumtohet e studiohet as jashtë kontekstit rajonal, evropian dhe ndërkombëtar. Cështja shqiptare në Iliri ishte dhe mbetet e ndërlidhur edhe me faktorë të jashtëm. Prandaj, është një fushë studimesh që kërkon kohë dhe fonde, që kërkon mendjen dhe përkushtimin e studjuesve tanë, por edhe mbështetjen e institucioneve tona shtetrore, sidomos të atyre në Tiranë e Prishtinë.
Megjithatë, jemi optimistë se kombi shqiptar tashmë e ka marrë të mbarën, por pa e harruar pjesën e vështirë të rrugës së mbetur dhe pa i harruar rreziqet dhe kërcënimet që janë të pranishme edhe në kohën tonë në rajon dhe jashtë tij. Kundërthëniet, përplasjet dhe konfliktet midis popujve, kulturave, qytetrimeve, shteteve dhe blloqeve të ndryshme janë ashpërsuar si rrallëherë më parë. Shkaku kryesor, si gjithmonë, i këtyre kontradiktave dhe konflikteve mbetet pabarzia e thellë ekonomike midis vendeve dhe çështja e pazgjidhur kombëtare e shumë popujve që mbahen të pushtuar e të copëtuar!
Zonja dhe zotërinj,
Koha për organizimin e këtij Simpoziumi ishte pak e shkurtër. Kishim edhe vështirësi të natyrave tjera. Por, jam i sigurt se vitin tjetër do të jemi më të përgatitur.
Falënderimet i lash për fund si punë ëmbëlsire… Falënderoj mikpritësin ose nikoqirin e këtij simpoziumi dhe bashkëorganizuesin, drejtorin e Institutit Albanologjik, Hysen Matoshin, Kryetarin e Shoqatës së burgosurëve politikë, Hydajet Hysenin, drejtorin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Sabit Sylën, veprimtarin e dalluar dhe nënkryetarin e Shoqërisë “Lëvizja” nga Kërçova shqiptare, Fatmir Limanin, dhe gjithë ata që na ndihmuan për organizimin e këtij Simpoziumi. Dhe, më lejoni që në emër të Këshillit organizues dhe të gjithë juve ta falënderoj posaçërisht, sekretarin e Institutit Albanologjik, Sylë Kasumin, pa të cilin vështirë se do t’ia dilnim kësaj pune mjaft voluminoze.
Ju falemnderit për vëmendjen!

Prishtinë, 17 janar 2017
Xhevat Bislimi, kontakti: [email protected]; [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura