FLORESHA DADO: MBI VEPRËN ‘CAMAJ I PASKAJUAR’ TË SHABAN SINANIT

Tiranë, 03. 04. 2014 – Në vazhdën e shumë artikujve kritikë, studimorë, ligjëratave të mbajtura në konferenca dhe auditorë të ndryshëm, krijohet përshtypja se për disa prej shkrimtarëve tanë, të anatemuar nga shkenca letrare e periudhës para ‘90-s, është folur dhe s’ka ç’të thuhet më tej. Martin Camaj është ndër autorët e preferuar (në artikuj, studime, punime të nivelit “master” apo “doktoraturë”). Por studimi “Camaj i paskajuar – rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camaj”, i Shaban Sinanit, na rikujton se:
– interpretimi i artit letrar, te mjeshtrit e mëdhenj, është gjithnjë i papërfunduar;

– se boshti metodologjik, që duhet të qëndrojë në themel të një studimi letrar të vërtetë, është zbulimi i marrëdhënies së variantit letrar (krijimtarisë së autorit) me sistemin letrar;
– se kontributi i vërtetë i një studimi nuk mund të qëndrojë në analiza standarde të dukurive të përsëritshme, që i hasim në trajtimet e poetikave të shumë autorëve, por në zbulimin e origjinales së poetikës, që e bën të veçantë krijimtarinë e një autori;
– se qasja ndryshe ndaj veprës së Camajt është interpretimi më i vlefshëm për shkrimtarin, por dëshmon, njëkohësisht, edhe vlerat e këndvështrimit origjinal të një studiuesi.
Studimi “Camaj i paskajuar – rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camajt” të Shaban Sinanit tërheq vëmendjen për disa teza, sa të reja, aq edhe polemizuese me kritikën e zhvilluar deri tani mbi këtë shkrimtar.

Prof. Dr. Shaban Sinani, studiues dhe historian i letërsisë,
etnolog, eseist dhe publicist i shquar.

Sfida e parë: Vetë titulli “Camaj i paskajuar” hedh poshtë gjithë përpjekjet për ta kanonizuar Camajn si pasues të Mjedës, folklorizant, të ndikuar nga Montale apo Ungareti, surrealist, neorealist, hermetik, etj… Sipas Sh. Sinanit “Camaj pothuajse të gjitha këto ‘skaje’ i ka refuzuar…sepse Camaj gjithë jetën kërkoi amzën, matricën, çfarë nuk ishte bërë më parë, jo si një anti-model; sepse Camaj nuk shkroi kundër askujt, por si shprehje e mitit dhe origjinalitetit – forma e jashtme e një miti më të rëndësishëm të brendshëm, mitit të vetvetes”. Pikërisht kjo është sfida që studiuesi u bën gjithë atyre që i janë qasur krijimtarisë së Camajt për të përcaktuar, me domosdo, burimin e ndikimit te Camaj. Sipas studiuesit, Camaj i largohet së gatshmes, asaj që kanë bërë paraardhësit, duke synuar të papërsëritshmen, por pa ndërprerë udhën e të parëve. Në traditë dhe në ikje prej saj, jo për ta mohuar, por për liri vetjake krijuese!. Duke sjellë një qasje tjetër studiuesi vë në dukje, si pak kush tjetër, se Martin Camaj ishte i madh jo sepse i përket kësaj apo asaj poetike paraardhëse apo bashkëkohore, por sepse është krejtësisht i mëvetësishëm, i papërsëritshëm, se ka një origjinalitet të mahnitshëm në poetikën e krijimtarisë së tij dhe kjo e bën “të vështirë” për t’u lexuar dhe, aq më tepër, për t’u interpretuar.
Duke e përqasur me autorë shqiptarë bashkëkohës të periudhës, kur një brez poetësh projektonin letërsinë e frymëzuar nga idealet e së ardhmes, letërsia e Camajt përcaktohet si “pasatiste”, me të cilën studiuesi nënkupton prirjen estetike për të vendosur lidhje të tërthorta me rrënjë e të parëve, për të qenë larg idesë së projektimit të mitit të së ardhmes. E veçanta e shkrimtarit tonë është se ai nuk përfilli as parimet e përcaktuara të letërsisë së kohës, por, çka është vërtet mahnitëse në procesin e tij krijues, as poetikat e brendshme të vetë letërsisë, formësuar gjatë zhvillimit historik të letërsisë.
Është pothuajse “tronditës” pohimi se Camaj, me gjithë veprën e tij, prishi kufijtë shumëshekullorë të letërsisë, që nga poetikat antike e deri tek ato moderne, të shkollave krijuese të letërsisë shqiptare, se atij “mund t’i qëndronte cilësimi i shkallmuesit të pabujshëm të kanoneve në përgjithësi”. Prandaj, sipas Sh. Sinanit, Camajt i shkon vetëm një përcaktim: i paskajueshëm, që nuk mund ta futësh në asnjë kanon letrar. Cili autor mund të karakterizohej në këtë përmasë?
Sfida e dytë: M. Camaj nuk mund të përdoret! Ai është shkrimtar! Diskutimi në plan teorik e çon studiuesin në disa vëzhgime që lidhen me përcaktimin e Camajt, në mjaft shkrime të periudhës pas viteve ‘90, si shkrimtar disident, emigrant politik, gega i fundmë, antikomunist, verior… Kundërshtimin e një përcaktimi të tillë studiuesi e bën jo vetëm duke iu referuar pohimeve të vetë shkrimtarit në letrën drejtuar studiuesit arbëresh F. Altimari: “Unë nuk shkruej kundër dikujt!”, por në radhë të parë duke depërtuar në sistemin poetik të krijimtarisë së Camajt, në hapësirën universale, të veçantë, që ka të bëjë me botën, me qenien e njeriut, të vetë poetit, ndëshkimin për të shëmtuarën e jetës njerëzore etj., që janë dhimbja dhe meditimi i çdo poeti të madh, në çdo vend e kohë. Në këtë kuptim studiuesi propozon një paradigmë leximi e komunikimi që i përket thelbit të artit të letërsisë: leximin estetikisht të vetëmjaftueshëm, “të çliruar prej qëllimeve të vjetra dhe të reja që kanë shtuar me shumicë studiues dashamirës gjatë dy dekadave të fundit”.

Sfida e tretë: Përcaktimet e specifikave gjinore të disa prej veprave më të diskutueshme të Camajt. Sipas studiuesit nuk mund të përcaktohet tipologjia e shumë veprave të Camajt përmes krahasimit me vepra dhe autorë të tjerë. Kështu referencat e shumta me prozat e shkurtra të Borhes-it, Ungartetti-t, me palimpsestin, madrigalin, etj., që janë bërë për të përcaktuar llojin e veprës “Dranja”, nuk mund të zbulojnë thelbin e papërsëritshëm të poetikës së saj. Autori i argumenton kundërshtimet e tij, nisur nga “refuzimi” që qëndron në themel të botës artistike të vetë M. Camajt. Studiuesi e mbështet arsyetimin në prirjen e shkrimtarit për të rikodifikuar shenjat tradicionale të kulturës dhe psikikës kombëtare, duke shkuar në krijimin e simboleve të reja. Analiza e “Dranja” është pa diskutim një model origjinal, sa intuitiv, aq edhe shkencor, i rrokjes shumëplanëshe, jashtë skemave të njohura në studimet që i janë bërë kësaj vepre. Në një gërshetim befasues të analizës së një sistemi të papërsëritshëm kodesh me sintezat po aq filozofiko-poetike, mitologjike universale dhe shqiptare, studiuesi zbulon magjinë e procesit të krijimit të simboleve të reja. Njohuritë nga fusha biblike-ungjillore, e antropologjisë kulturore, e mitologjisë universale e shqiptare, etnografike, nga historia e gjuhës, nga fusha e semantikës letrare, etj., e çojnë studiuesin në konkluzionin se hermetizmi i veprës buron nga rikodifikimi që Camaj i bën shenjës tradicionale të trashëgimisë shpirtërore të popullit të tij, “duke bartur funksione totemike, rituale dhe magjike nga simboli i gatshëm te simboli që ai krijon vetë”. Do të mjaftonte vetëm analiza e veprës “Dranja”, prej Sh. Sinanit, për të kuptuar thelbin e papërsëritshëm të individualitetit krijues të Martin Camajt.
Sfida e katërt: Duke i kushtuar vëmendje të veçantë tipologjisë së llojeve letrare, studiuesi i qaset kësaj çështjeje gjithnjë mbi bindjen se Camaj, në rrugën e kërkimeve të papërsëritshme, zhduk kufijtë midis gjinive letrare (prozës dhe poezisë), duke guxuar të pohojë se te Camaj më shumë se transmodelim zhanresh, funksionalizim të tekstit narrativ në poezi, ka ndërmodelim ose rimodelim. Të veçantën dhe dallimin e këtij autori nga shkrimtarë të tjerë paraardhës apo bashkëkohorë, e sheh në faktin se ai nuk merr, por rikrijon modele gjinore dhe nëngjinore. Gjinitë apo llojet letrare që ndërton nuk janë asnjëherë format e ngulitura në traditën gjinore dhe kanë ndryshime origjinale prej tyre. Duke alternuar mjete të poetikës së poezisë me poetikën e romanit, vihet në dukje se shkrimtari riformuloi trajta që nuk ishin parë, qoftë në traditën gojore shqiptare, qoftë në letërsinë më të mirë të kohës. Në pamundësinë e klasifikimit tipologjik zhanror, studiuesi gjen një argument tjetër kryesor për ta përkufizuar Martin Camajn si një fenomen “të paskajueshëm” në letërsinë shqipe, duke kuptuar me këtë një origjinalitet jashtë kanoneve të përcaktuara. Për një specialist të studimeve strukturore dhe intertekstuale, studimi paraqet mjaft interes në zbërthimin e pesë formave të lidhjeve ndërtekstuale, ku studiuesi karakterizon veprën (“Dranja”) në nivelet e marrëdhënieve të brendshme me sfera të tjera të krijimtarisë.
Duke hetuar mekanizmin krijues të Camajt, Sh. Sinani “trullos” lexuesin kur guxon të pohojë se “Dranja” është vepër shkrimtari dhe shkencëtari, është letërsi dhe studim, është art dhe besim, është filozofi për jetën dhe argëtim estetik. Gjithashtu duket se për të ashtuquajturën “errësi” të poezisë së Camajt “fajësohet” lexuesi i zakonshëm për mosnjohjen e kuptimeve të hershme të shumë fjalëve. Sfida bëhet më e ashpër!
Sfida e pestë: Loja që shkrimtari bën edhe me titujt e veprave e ka shtyrë vëmendjen e studiuesit drejt terminologjisë së artit kishtar dhe arteve të tjera. Vëzhgimi mbi ndikimet e ligjërimit të letërsisë kishtare, të ligjërimit klasik shqip të humanistëve shqiptarë, të ligjërimit popullor etnografik të epikës legjendare, etj., e çon studiuesin në konstatime interesante mbi të veçantën e gjuhës së Camajt. Sipas tij ajo “e tejkalon gegrishten letrare të njësuar dhe vjen deri te shkalla e një ligjërimi letrar kombëtar të paranjësuar. Struktura e fjalisë së Camajt ruan shpirtin e shëndetshëm të rendit të brendshëm sintaksor të gjuhës shqipe dhe nuk vërehet asnjë ndikim shmangës i strukturave të serbishtes…”. I gjithë ky pohim sfidon thëniet mbi vështirësitë dhe karakterin hermetik të ligjërimit poetik të shkrimtarit.
Sfida e gjashtë: Studiuesi preferon ta bëjë veprën e vet tërheqëse, duke ndërfutur vargje, faksimile të artikujve të vetë M. Camajt me problematikë historike e kulturore, botuar në “Shejzat”, apo artikuj të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë mbi vepra të ndryshme të tij, copëza nga romanet apo poezitë e shkrimtarit, artikuj të Camajt për vepra të mëdha, të letërsisë shqiptare, apo dhe të huaj, dorëshkrime të poetit, fotokopje të “Shejzat” apo të njoftimeve mbi botimin e veprave të tij, vargje të poetëve të tjerë, shënime të Camajt për përkthime fetare në shqip, pjesë nga reportazhet kërkimore të Camajt, fotokopje të ilustrimeve për poezitë e Camajt, bërë nga një piktor i huaj, e sigurisht edhe foto të shkrimtarit. Një kompozim i tillë ndërmjet trajtimeve shkencore dhe ilustrimeve të karaktereve të ndryshme, e bëjnë librin më tërheqës dhe më çlodhës për lexuesin, ndonëse, në vështrim të jashtëm, duket sikur nuk i përshtatet strukturës së një monografie klasike shkencore.
Kryesfida: Duket sikur boshti i këtij studimi është pohimi-çudi: ç’është ky shkrimtar që thyen gjithë rregullat gjinore, të drejtimeve letrare, që ndërton një marrëdhënie kaq personale me artin letrar, dhe që, megjithatë, mbetet një shkrimtar i madh, i papërsëritshëm, i papërcaktueshëm në norma apo parime estetike? A mos vallë Camaj deshi të sfidonte vetë letërsinë, në parimet dhe ligjshmëritë e brendshme të zhvillimit të saj, duke e nisur këtë shpërfillje (tërthorazi) që nga konceptet teorike të Platonit e Aristotelit e deri te praktikat poetike të poetëve e prozatorëve të njohur, të bashkëkohësisë?
Apo edhe studiuesi Shaban Sinani, me qasjet e tij origjinale duket sikur sfidon kritikën letrare, një pjesë të studimeve që janë shkruar deri tani mbi M. Camajn, duke vënë në dyshim një varg përcaktimesh që i janë bërë krijimtarisë së këtij autori? Duke njohur pothuajse në mënyrë shteruese çfarë është shkruar deri në ditët tona për M. Camajn, por edhe më gjerë në problematikat teorike (bibliografia shumë e gjerë e dëshmon këtë fakt) ai ka marrë përsipër ballafaqimin me rezultatet e deritanishme, tezat e studiuesve të tjerë mbi Camajn.
Është e çuditshme pse vëmendja e mendimit të sotëm shkencor i qëndron larg këtij studiuesi të spikatur, shumë prodhimtar, me një vullnet dhe kapacitet krijues jo të zakonshëm, me kontribute origjinale disaplanëshe, mbi letërsinë, por edhe të karakterit kulturor…
Pavarësisht se kjo vepër ka edhe aspekte të diskutueshme (e natyrshme për çdo interpretim letrar), ajo jep një model qasjeje provokuese për studimet tona. Njohim disa klishe në mënyrën se si e konceptojmë një studim shkencor, por Shaban Sinani konkretizon konceptin e vet, duke synuar të zbulojë ç’ka të veçantë Martin Camaj, duke shmangur procedimet e përgjithshme dhe të zakonshme që hasim shpesh në studimet tona. Kjo është meritë dhe nxitje debati, njëkohësisht!
_____________
*) Floresha Dado është njëra prej studiueseve më serioze, shkencorisht më të përgatitura shqiptare për probleme të studimit teorik të letërsisë në përgjithësi e të letërsisë shqiptare në veçanti. Profesoreshë shumëvjeçare e teorisë së letërsisë në Universitetin e Tiranës, nga viti 2008 edhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është autore e disa librave: A. Z. Çajupi, jeta dhe vepra (1983); Proza nëpër teknikat poetike (1997); Teoria e veprës letrare (1999); Intuitë dhe vetëdije kritike (2006).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GJUHA JONË

GJUHA JONË Nga Ndriçim Kulla, Tiranë 26 shtator 2021 “Historia që ka një farë rëndësie në jetën e…