FRONTI I SREMIT DHE FIGURA E AVDYL DURЁS

Fronti i Sremit dhe figura e Avdyl Durës

Nga Nafi Çegrani

Rrëfimi i historisë është si ecja mbi një truall të lashtë, ku çdo hap ngre pluhur kujtimesh, e çdo grimcë pluhuri ka brenda një emër, një jetë dhe një heshtje të pambaruar. Në këtë truall, rrëfimi për shqiptarët që u nisën drejt Frontit të Sremit, me ëndrra të pastra dhe zemra të palëkundura, është një ndër ato plagë që nuk plaken. Sepse aty, idealet u shndërruan në zhgënjim, besa në varre të humbura, ndërsa drita që mendonin se çonin me vete, u shua në mesin e baltës së Banatit.

Ishte koha kur brigadat shqiptare – të përbëra nga kuadro e oficerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e vise të tjera – u nisën për t’iu bashkuar operacioneve të çlirimit të Jugosllavisë, në bindjen se kjo rrugë, në rend të parë, siguronte Kosovën. Ideali ishte i kthjellët, aspirata e pastër, por horizonti ishte i turbullt. Nëpër istikame të Sremit u tretën jetët e mijëra vullnetarëve shqiptarë të cilëve as varret nuk u dihen – sikur toka e huaj ta ketë gëlltitur kujtesën e tyre me një amshueshmëri të ftohtë.

Në sfondin e kësaj tragjedie të heshtur, ëndrrat e shqiptarëve qenë të një natyre të bukur e naive: mendonin se pas përfundimit të luftës, do të hapeshin dyert e drejtësisë kombëtare. Se Kosova, së paku, do të trajtohej me nder e barazi. Por historia, ajo bijë e hekurt e politikës, tregoi se kishte shkruar një skenar tjetër: një mashtrim të madh, të organizuar me një profesionalizëm çnjerëzor.

Avdyl Dura dhe iluzioni i lirisë

Në mesin e qindra burrave që besuan në këtë rrugë, që luftuan dhe u mashtruan, ishte edhe Avdyl Dura – një figurë që sot rri në ndërgjegjen historike si simbol i besës, i idealit dhe i dhimbjes së popullit. Përpjekjet e tij për formimin e Brigadës së VII Kosovare nuk ishin një akt i zakonshëm, por pjesë e një ndërmarrjeje të thellë morale: për ta parë Kosovën të lirë dhe me dinjitet.

Ai, bashkë me dhjetëra veprimtarë e krerë shqiptarë, mblodhi vullnetarë duke besuar se çlirimi i vendit do të sillte dritë për Kosovën. Vullnetarët në Podujevë ishin mbledhur me zemra të ndezura dhe me një besim të patjetërsueshëm tek drejtësia. Por ai takim ishte pikërisht pika e kthesës ku drita e mashtrimit u bë e qartë: Polluzha dhe Dura, në atë pikëtakim historik, u ballafaquan me planin e errët për t’i larguar djemtë shqiptarë nga Kosova, që pastaj brigadat serbo–malazeze të bënin kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare.

Shaban Polluzha – një burrë që i nuhaste dredhitë e politikës si era që sjellë paralajmërime – e pa qartë këtë strategji të djallëzuar. Ai nuk pranoi të shkelte më tutje, duke deklaruar se më mirë vdiste në Kosovë sesa të bëhej pjesë e një plani që cenonte shpirtin e vendit. Këtë ia bëri me dije edhe Avdyl Durës, që mos të thoshte një ditë: “Nuk e kam ditur tradhtinë.”

Udhëtimi i Brigadës dhe zhgënjimi në Banat

Megjithatë, Avdyli u nis me brigadën e tij. Rruga ishte e errët, e rënduar nga propaganda serbe, nga frika, nga padituria se çfarë i priste. Në Smederevë, një zë ndërmjet pritat e rrezikshme të armikut përdorej si mjet manipulimi për t’i shtyrë shqiptarët drejt një rruge të caktuar. Avdyli, i vetëdijshëm për tradhtinë nga Kosova, mbante moralin e vullnetarëve me fjalë të qeta, si ai që dëshiron të shuajë stuhinë në shpirtat e shqetësuar.

Fatkeqësisht, shumë prej tyre nuk e panë më dritën e kthimit. Sëmundjet, ekzekutimet, shpërndarjet nëpër shtabe, humbjet pa varr – u bënë pjesë e asaj tragjedie që sot ende i vlon gjakut shqiptar.

Kur u kthyen në Prizren, oficerët shqiptarë, në vend të shpërblimit, u pritën me hekurat e udbashëve. Avdyl Dura u burgos me akuzat më absurde, të shpikura për të mbuluar një hakmarrje politike ndaj figurave shqiptare të ndershme. Në burgun e Ferizajt, ai u përball me torturën e hetimeve pa prova, me propagandën që fabrikonte nënshkrime, me zhgënjimin e atyre që e kishin tradhtuar duke e dorëzuar të çarmatosur.

Por burgu, ndonjëherë, është vendi ku njeriu e gjen lirinë e brendshme. Atje Avdyli planifikoi ikjen e tij së bashku me shokët e malit: Ramë Beka e Sadik Tusha. Në korridoret e errëta të burgut, me një shufër të fshehtë, hapën tunelin e lirisë – një tunel që simbolizon daljen e shpirtit të robëruar drejt dritës.

Pas arratisjes, Avdyli u plagos rëndë, por nuk u dorëzua. Në mal, ai u bashkua me dhjetëra luftëtarë të tjerë të lirisë – emra të paharruar të anëve të Kaçanikut, Ferizajt e Gjilanit – dhe për më shumë se një vit i rezistuan OZN-së e KNOJ-it. Trimëria e tyre, si një rrymë e gjallë mali, ishte një kundërvënie e pashoqe ndaj pushtetit që besonte se do t’i thyente me dhunë, me izolim, me urinë.

…Më pas, pushteti i ofroi Avdylit dy rrugë: dorëzimin me një dënim të lehtë ose ikjen në Shqipëri me pension të garantuar. Ai refuzoi të dyja – sepse asnjëra nuk mbante peshën e moralit të tij. As Greqia, ku e thërriti Muharrem Bajraktari, nuk ishte rruga e tij, për sa kohë që ajo luftonte kundër Shqipërisë.   

Deri më 28 qershor 1949, Avdyl Dura dhe Ramë Beka nuk u dorëzuan. Luftuan, qëndruan, i mbajtën shpresat e një populli të shtypur si zjarr në gji. Në Hani i Ri të Rakajt, u rrethuan nga forca të mëdha ushtarake dhe ranë duke luftuar e kënduar – siç bien vetëm ata që nuk kanë tjetër pasuri veç nderit dhe besës.

Në këtë rrëfim, historia nuk është vetëm kronikë. Është dramë e ndërgjegjes kombëtare. Është përballja e ëndrrës me zhgënjimin. Është kujtesë që s’mund të varroset edhe kur varret mungojnë. Figura e Avdyl Durës nuk është thjesht një emër. Është një pikë e dendur drite në errësirën e shekullit XX – një dritë që ende na tregon rrugën drejt dinjitetit dhe bashkimit kombëtar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura