Gjashtë deputetë dhe një demokraci në ankth
Nga Prof. Enver N. Rexhaj, Prizren – 2 gusht 2026
Në Kosovë, qenka mjaftueshëm të gjesh gjashtë deputetë që thonë “jo” dhe menjëherë shteti hyn në alarm.
Jo sepse gjashtë deputetë kanë ndonjë fuqi magjike.
Por sepse politika jonë është mësuar me një demokraci shumë praktike: kur na duhen votat, demokracia është madhështore; kur votat nuk na dalin, demokracia bëhet problem.
Kryeministri në detyrë na tregon se janë gjashtë deputetë kundër.
Mirë.
Por dikush duhet të na tregojë edhe diçka tjetër:
A janë gjashtë deputetë kundër presidentit, apo gjashtë deputetë që thjesht nuk pranojnë të votojnë sipas skenarit të pushtetit?
Sepse këtu ndryshon krejt tregimi.
Kur një deputet voton me pushtetin, quhet “votë për stabilitet”.
Kur voton kundër, bëhet “pengesë për institucionet”.
Kur opozita kundërshton, quhet “bllokadë”.
Kur pushteti bllokon diçka, quhet “vendosmëri”.
E kur qytetari pyet: “Po ne, ku jemi në gjithë këtë histori?”, përgjigjja zakonisht është:
“Mos u shqetësoni, gjithçka po bëhet për të mirën e Kosovës.”
Kjo fjali është ndoshta produkti më i suksesshëm politik që kemi eksportuar pa pasur nevojë për doganë.
Të gjithë betohen në Kosovë.
Të gjithë flasin për shtetin.
Të gjithë e kanë demokracinë në fjalorin e tyre.
Por sapo një grusht deputetësh vendos të mos ecë në rresht, fillon shqetësimi për “institucionet”.
Ndoshta institucionet nuk janë aq të brishta sa na thonë.
Ndoshta janë thjesht shumë të mësuara me bindje.
Dhe ndoshta këta gjashtë nuk janë as heronj, as tradhtarë, as shpëtimtarë.
Janë vetëm gjashtë deputetë që kanë kuptuar një rregull shumë të thjeshtë të demokracisë:
Edhe “jo”-ja është votë.
Problemi është se politika jonë e do demokracinë vetëm kur numërimi përfundon në favorin e saj.
Prandaj sot pyetja nuk është:
“Çfarë do të bëjnë gjashtë deputetët?”
Pyetja më interesante është:
“Çfarë do të bëjnë pushtetarët kur gjashtë deputetë të mos bëjnë atë që u kërkohet?”
Sepse aty fillon demokracia e vërtetë.
Jo kur të gjithë votojnë njësoj.
Por kur pushteti mëson të jetojë edhe me një JO.
Dhe në Kosovë, duket se kjo është ende një lëndë që shumë politikanë po e mësojnë me provim të dytë.
Sepse në fund, gjashtë deputetë mund ta rrëzojnë një marrëveshje, por vetëm një gjë mund ta rrëzojë arrogancën e pushtetit: qytetari që nuk pranon më të votojë verbërisht për askënd.
Gjashtë “JO” në Kuvend mund të jenë lajm për një ditë.
Një “JO” i madh i qytetarit në kutinë e votimit mund të jetë lajm për katër vjet.
Gjashtë pikat e Ban Ki-moonit i kemi dëgjuar dikur.
Sot Kosova i ka gjashtë pika të tjera: gjashtë deputetë që i thonë “JO” një qeverie që është mësuar të dëgjojë vetëm “PO”.
Dikur flitej për gjashtë pika për ta qetësuar Kosovën.
Sot na mjaftojnë gjashtë deputetë për ta shqetësuar pushtetin.
E ironia është se qeveria sillet sikur këta gjashtë po kërcënojnë shtetin, ndërsa në të vërtetë po bëjnë diçka shumë më të rrezikshme për çdo pushtet të madh: po përdorin të drejtën për të mos iu bindur.
Sepse një qeveri që e quan çdo kundërshtar “problem”, herët a vonë fillon ta ngatërrojë shtetin me veten.
Dhe aty fillon tragjikomedia.
Gjashtë deputetë kundër një qeverie që sillet si “qeveri majmunësh” – por majmunët, të paktën, nuk pretendojnë se çdo ulërimë e tyre është demokraci.
__________
Sokrati në Trojet Shqiptare
Nga Prof. Enver N. Rexhaj, Prizren – gusht 2026