SYLEJMAN PIREVA: LLOJSHMËRIA E KOLEKSIONEVE TË LIBRIT NЁ RRJETIN E BIBLIOTEKËS PUBLIKE

Prishtinë, 04. 02. 2014 – Furnizimi a pajisja e degëve të bibliotekës publike/qendrore me material bibliotekar, në përgjithësi, nuk bën por as nuk duhet të jetë e njëjtë për të gjitha këto, kur dihet se as kërkesat dhe as nevojat e atyre që i përdorin nuk janë tamam identike. Kurse një bibliotekë publike mund të ketë edhe mbi dhjetë degë të shtrira në lagje të ndryshme të qytetit dhe në fshatra përreth, kur dihet se kjo nuk është e përcaktuar me ligj, por varësisht prej kërkesave dhe nevojave në terren. Paraprakisht është e rëndësishme, madje e domosdoshme analiza dhe njohja e specifikave të çdo mjedisi për të mësuar se me çfarë aktivitetesh dhe veprimtarish merret komuniteti lokal ku ekziston biblioteka, në mënyrë që zgjedhja e llojit të materialit bibliotekar dhe e burimeve të tjera t’i përshtaten sa më mirë kushteve dhe interesave të tij.
Është krejt e natyrshme që të ndryshojë lloji i koleksioneve të një dege të lagjes së qytetit nga lloji i koleksioneve të një biblioteke në fshat. Madje lloji i koleksioneve mund të dallojë, pse jo, edhe prej një dege në degën tjetër të qytetit dhe të një fshati nga një fshat tjetër, varësisht prej veprimtarisë dhe aktivitetit të pjesëtarëve të komunitetit. Si kriter bazë, natyrisht, duhet të shërbejë fakti që sa më i madh që të jetë lloji i kërkesave, aq më i madh është edhe numri i përdorueseve, prandaj dhe pajisja me material bibliotekar dhe burime të tjera të informimit duhet të jetë më e larmishme dhe më e rregullt. Përveç llojshmërisë në libër/literaturë, këtu bëjnë pjesë gazetat, revistat, CD-të, fletushkat e ndryshme (me një fjalë-materiali bibliotekar) me tematikë që rrokin veprimtari të ndryshme të njerëzve të atij mjedisi që mund t’u hyjnë në punë, që nga amvisëria, familja, edukimi, shëndetësia, bujqësia, zejtaritë e ndryshme, për të cilat ata kanë nevojë të informohen dhe të mësojnë gjëra të reja dhe të panjohura e që më parë s’kanë pasur as rast dhe as mundësi të mjaftueshme apo fare për këtë. Këto të gjitha së bashku përbëjnë llojshmërinë e burimeve të informacionit të një biblioteke të mirëfilltë duke ju shërbyer sa më mirë interesave të përdoruesve të saj.
Korrigjimi i politikës së gabuar.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës-

Në të kaluarën jo aq të largët, shumica e bibliotekave publike-qendrore të Kosovës, kishin praktikuar që në të gjitha degët e tyre me popullatë shqiptare të dërgonin libra në gjuhën serbe, ndonëse nuk kishte asnjë lexues serb, apo e kundërta por më pak, dërgoheshin libra në gjuhën shqipe në degët ku nuk kishte asnjë lexues serb. Kjo kishte ndodhur kështu për shkak të politikës së atëhershme, por që ishte treguar faktikisht e gabueshme, sepse kështu vetëm sa u zihej vendi librave të gjuhës së folur në atë mjedis, pasi askush nuk tregonte farë interesimi për ta, pasi nuk i lexonte asnjeri dhe mbeteshin të paprekur gjatë gjithë kohës. Kështu për shembull në bibliotekën e fshatit Koliq (komuna e Prishtinës), ku nuk jetonte asnjë banor serb, ishin dërguar libra serbisht, ose në bibliotekën e fshatit Llapna Sellë, ku s’kishte asnjë anëtar shqiptar, ishin dërguar libra shqip! Në të dy rastet librat ishin kryesisht të moshës për fëmijë dhe shihej ashiqare që kjo bëhej vetëm për hatër të politikës. Më vonë, pas ndryshimit të rrethanave, me rastin e revizionit të fondit librar, Biblioteka qendrore e Prishtinës hoqi plotësisht dorë nga kjo praktikë dhe librat e tërhequr ua shpërndau degëve në ato vende ku mund të shfrytëzoheshin më mirë dhe ku përdorej gjuha e këtyre librave. Me fjalë të tjera kjo praktikë, kësi soji, ishte treguar e dëmshme dhe aspak logjike, sepse s’ kishte të bënte në kuptimin e pajisjes së koleksioneve të bibliotekave me llojshmëri të burimeve informuese, por siç e thamë, krejtësisht me karakter tjetër që nuk kishte asnjë efekt.
Ndjeshmëria në raport me komunitetin
Në përmbushjen dhe realizimin e qëllimit që unë denjoj të arrij për mes kësaj teme, është i rëndësishëm roli i bibliotekarit të degës, i cili përveç që duhet të jetë profesionist i mirë, duhet të jetë edhe një entuziast i dalluar që e do këtë profesion. Megjithatë barra dhe përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e punës së degëve bie mbi bibliotekën qendrore, e cila ka për detyrë që t’i gjejë format dhe mundësitë për t’i pajisur ato në mënyrë të rregullt me material bibliotekar. Kjo arrihet duke u mbështetur në propozimet dhe sugjerimet e bibliotekarit të degës i cili, më mirë se kushdo tjetër, është në kontakt të drejtpërdrejtë me përdoruesit e komunitetit, pra me kërkesat dhe nevojat e tyre.
Janë disa kritere që duhet pasur parasysh dhe respektuar në këtë rast, ngjashëm si me furnizimin apo pajisjen e bibliotekës qendrore, për të mos i mbetur borxh dhe hyrë në hak asnjë dege, apo thënë më drejt përdoruesve të tyre, por unë po përmend disa sosh: përshtatja e materialit me shijet, kërkesat dhe interesat e përdoruesve, përshtatja me moshat e gjeneratave, përshtatja me llojin e veprimtarisë dhe aktivitetit të mjedisit, përshtatja me diversitetin kulturor, gjuhësor, fetar etj. të komunitetit përkatës. Marrja për bazë e këtyre kritereve ka rëndësi të shumëfishtë, pasi ndikon drejtpërdrejt në ngritjen cilësore dhe sasiore të shërbimeve bibliotekare.
Në një rast, në një tubim të rëndësishëm me bibliotekarë, përmes një teme të paraqitur nga autori i këtij shkrimi, ndër të tjera kishte tërhequr vërejtjen që të kihet kujdes gjatë pajisjes së një dege me material bibliotekar, në mënyrë që veprimtaria e bibliotekës t’i përshtatet sa më tepër mjedisit ku ajo punon, duke e përmendur një fakt me të cilin ishte ndeshur ai vetë: për shkak që një degë e Bibliotekës publike të Prishtinës ndodhet në një fshat kryesisht malor, bibliotekari i saj me të drejtë i bënte ‘presion’ vazhdimisht bibliotekës qendrore që ajo t’i siguronte literaturë nga bletaria dhe pemëtaria, pasi që për këto dyja ka më tepër kërkesa nga banorët e asaj ane, sepse këto janë disa veprimtari të leverdishme që i shfrytëzojnë ata, por që kanë nevojë për informim dhe konsultim më të plotë me këtë lloj literature.
Përveç kësaj, duhet të bëhet e qartë se kriter kryesor për të pasur anëtarësim dhe pjesëmarrje aktive të përdoruesve të çdo biblioteke (që është mision i saj), lypset që pajisja me literaturë të jetë e rregullt dhe në harmoni me ndryshimet dhe ecjen e kohës, ndërsa përzgjedhja të bëhet nga njerëz të ditur dhe profesionistë. Kështu, për shembull, nëse banorët e një fshati si lloje të veprimtarisë me të cilat merren ata, janë bujqësia, pemëtaria, kopshtaria, vreshtaria etj., atëherë duhet bërë të gjitha përpjekjet që koleksionet e bibliotekës të përfshijnë atë lloj literature me përmbajtje të dedikuara për këto degë prodhuese, ndërsa në një fshat tjetër, ku më tepër janë të zhvilluara blegtoria, bletaria, përpunimi i drurit etj., literatura t’u përshtatet këtyre degëve të veçanta, në mënyrë që banorët të kenë mundësi për t’u informuar dhe për të mësuar sa më mirë që është e mundur, me të vetmin qëllim, për ngritjen e standardit dhe modernizimit sa më të shpejtë dhe sa më të plotë të jetesës së tyre në fshatin e tyre.
Garanci e suksesit-cilësia në punë
Por siç e thamë më lart, duhet theksuar se për t’u arritur rezultate sa më të mira, kjo punë varet kryesisht nga biblioteka qendrore dhe drejtuesit e saj. Për t’ia dalë mbanë gjithë kësaj, ajo lypset të ketë stafin e përgatitur profesionalisht në shkallën e duhur dhe me shkollim adekuat, të trajnuar dhe të specializuar në nivel të kërkuar. Janë ekspertët e bibliotekës qendrore ata të cilët duhet të jenë mirë të informuar përkitazi me veprimtaritë botuese të shtëpive që prekin mu këto çështje. Të njoftohen me kohë për botimin e librave më të rinj që botuesit i nxjerrin në treg, qofshin në origjinal a të përkthyer dhe ta bëjnë shpërndarjen e tyre në rrjetin e të gjitha degëve në mënyrë sa më të përshtatshme. Të gjitha këto sa u thanë, kanë një rëndësi dhe rol shumëfish më të madh edhe për një çështje tjetër dhe me shumë interes: nevojën për përgatitjen dhe trajnimin e kuadrit të ri për punë në degët e bibliotekës qendrore, si dhe bashkëpunim të ngushtë ngushtë midis bibliotekës qendrore dhe degëve të saj.
Kur veç jemi te ky moment, duhet shtuar dhe këtë fakt, që bibliotekat qendrore dhe drejtoritë komunale për kulturë, duhet të kujdesen seriozisht dhe të ndiejnë përgjegjësi morale dhe ligjore me rastin e pranimit të kuadrit për punë në bibliotekë/degë, në mënyrë që të pranohen kandidatët profesionistë, ata më të zotët që janë treguar në intervistë. Ky është kriter që duhet respektuar, sepse kjo është garanci për të shpresuar në cilësinë e rezultatit të pritur.
Në praktikën e gjertanishme ky parim dhe ky kriter nuk mund të thuhet se kanë ekzistuar dhe funksionuar ashtu siç duhet. Dhe duhet të konstatojmë me të drejtë dhe me plot arsye se vetëm kur të respektohen dhe përmbushen të gjithë këta kritere, atëherë degët e bibliotekave qendrore do ta kryejnë punën e tyre siç u takon.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura