Ulqin, 17. 04. 2015 – Kraja, një oazë etnike, arsimore dhe shkencore e shqiptarëve në Mal të Zi nëpër shekuj e ka thelluar, kultivuar, trashëguar dhe begatuar mençurinë e popullit shqiptar, që është një margaritar i cili do t’i përballojë jo vetëm kohës, por besoj edhe epokës. Kjo trevë ishte dhe vazhdon të mbetet djepi i mençurisë së populllit. Gjhithçka është mençuri, është krijim, e gjithçka është krijim është mençuri” pohonte Hegeli. Përkundër varfërisë dhe prapambeturisë së gjithanshme, folklori, në të gjitha format ka qenë i vetmi prodhim artistik I kranjanëve. Krijimtaria gojore ishte ushqim shpirtëror i tyre në të gjitha kohërat. Ata në oda e tubime, gazmende e ceremoni i lëshuan fre imagjinatës së tyre të pasur, duke ngritur virtytet më të larta, atdhedashurinë, besnikërinë e bujarinë, trimërinë e luftën. Kraja është një rajon jashtëzakonisht interesant i jetës kulturore të popullit , ku elementet e kulturave të huaja kanë depërtuar me vështirësi dhe fare pak ose aspak kanë ndikuar në traditën autoktone.
Studiuesi i zellshëm i folklorit burimor Ismail Doda është ndër të pakët dhe të rrallët (nga të gjallët) që me dekada vjel në vazhdimësi thesarin e paçmuar të mençurisë sonë, veçmas të Krajës. Ai qysh heret tregoi interesim dhe dashuri të madhe për historinë gojore të kësaj trevë iliro-shqiptare, dhe jo vetëm. Pa përtesë në rrethana të vështira të kohës në gjysmëshekullin e kaluar fillon rrugëtimin e tij të gjatë nëpër fshatrat e Krajës në vjeljen dhe grumbullimin e këngëve popullore, frazave e frazeologjive, anekdotave, fjalëve të urta, gjë e gjëzave, përrallave, përrallëzave kallëzimeve e zhanreve tjera.
Oda e burrave, mençuria, tregimet dhe këngët popullore, e kanë nxitur t’i qaset kësaj fushë e cila nuk ishte edhe aq e lehtë, sepse shpesh i janë dashur udhëtime të gjata, vetëm në këmbë, pa material dhe mjete të nevojshme, pa ushqim të rregulltë e gjumë të bollshëm, madje edhe nën përcjelljen e “ fshehtë” të regjimit të kohës, të mbajë shënime “ me thes”.
Studiuesi i zellshëm i folklorit burimor – Ismail Doda.
Veprimtaria e tij mori hov me fillimin e bashkëpunimit të tij me Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku e ndihmuan shumë prof. Eqrem Çabej , prof. Anton Çetta e studiues të tjerë të folkloristikës. Seriozitetin e punës së këtij foklkloristi të mirënjohur arbëresh e vërteton letërkëmbimi i gjatë prej gjashtë faqesh, të cilin ia nisë prof. Eqrem Çabejt, nga Arbneshi , më 30.06 1975. Në letrën e tij të parë Ismail Doda ndër të tjera e njofton professor Çabejn, se përkundër vështirësive me punë sistematike dhe “vullnet të çelikosur”, po përpiqej t’i kontribuonte vendit dhe shkencës albanologjike, ndërsa konsultimet dhe këshillimet, qofshin ato edhe përmes korrespondencës ishin të një vlere të madhe. Është kjo koha kur Ismail Doda vjelë toponomastikë, frazeologji, folklor dhe fjalë të rralla, trajta nëndialektore etj., ndërsa po përgatitej që të merrej me një projekt mjaft serioz në fushë të gjuhësisë shqiptare: studimin “Rreth përkimit të gjuhës së Buzukut me ligjërimet e Krajës dhe të Shestanit”, të cilën ia kishte sugjeruat profesor Çabej, më 8.12.1972, gjatë ditëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”.
Qysh atëherë, në rrjedhë të viteve Ismail Doda ka qenë emër i njohur në mjediset studimore të shqiptarëve në Mal të Zi, e më gjerë, duke marrë pjesë me kumtesa në Kongrese të Folkloristëve Jugosllav. Artikujt dhe studimet e tij janë botuar në revista të ndryshme kulturore e laterare të Malit të Zi, të Shqipërisë, Kosovës dhe tek Arbneshët e Italisë.
Pasuria mendore dhe gojore e Krajës do të mbetej e pazbuluar pa lapsin e tij, ndonëse , siç shprehet ai me modesti, edhe pa të ky thesar do të zbulohej dhe do të trajtohej. Pyetjes se “ sa ka arritur që ta studioj dhe hulumtoj këtë thesar të paçmueshëm “ mu përgjij “ aq sa merr ujë nga deti , me një gotë”!
Ky mbledhës dhe studiues i përkushtuar i folklorit të pasur të shqiptarëve, mësimdhënës e drejtor shkolle në Krajë , më 22 janar 2015, në Qendrën e Studimeve Albanologjike,organizuar nga Shkolla Doktorale e Etnologjisë dhe Folklorit, në Tiranë mbrojti me sukses, para jurisë pesëanëtarëshe doktoraturën” Baladat popullore te shqiptarët e Malit të Zi”.
KONTRIBUTI I TRIESHJANËVE NË KRYENGRITJEN E MALËSISË SË MADHE
Kam kënaqësinë dhe nderin e madh të flas para jush me rastin e përkujtimit të 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, njerës prej ngjarjeve me rëndësi hiostorike të kombit tonë, për të cilën shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare thotë se “ ajo hyn ndër ato ngjarje, që kanë zëvendësuar në Shqipëri veprat monumentale, bibliotekat dhe akademitë” dhe se “ është lufta e fundit e shqiptarëve përprara fillimit të pavarësisë dhe akti i fundit i një drame të përgjakshme, që vazhdonte qysh prej pesë shekujsh. ”.(1)
Ne malësorët kudo që jemi kemi fatin e mirë që sot po festojmë këtë ngjarje të shënuar të popullit shqiptar me Shqipërinë në NATO dhe me Kosovën shtet të pavarur e sovran.
Kryengritësit malësorë trima bashkë me trieshjanë filluan para një shekulli betejën e përgjakshme për liri e pavarësi në mbrotje të trojeve të tyre etnike, të kombit, gjuhës, traditës, zakoneve, fesë dhe kulturës shqiptare kundër Perandorisë Osmane, që ishte fuqia më e madhe ushtarake e kohës, të bindur se fitorja nuk vjen përmes rrugës së shtruar me lule, por rrugës së shtruar me gjemba, rrugës së dhimbjes dhe sakrtificës me gjurmat e gjakut të derdhur. Për këta burra nga të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe , të rritur në djepin e trimërisë dhe me këngën e lirsë, vdekja në luftë për liri ishte e bekuar, kurse jeta në robëri ishte e mallkuar.
Lemaja – beteja e parë e përgjakshme për liri e pavarësi
Burimet historike tregojnë se trieshjanët kanë derdhur gjak të pastër shqiptar për trojet e tyre stërgjyshore në luftimet e ashpra e të pabarabarta me forcat turke të armatosura deri në dhëmb që nga viti 1907 e deri në vitin 1911, kur malësorët nënshkruan historinë e lavdishme të popullit shqiptar.
Në raportin e gjeneralit V. Llazoviq, dërguar ministrit ushtarak në Cetinë, gjeneralit Mitar Martinoviq, thuhet se përleshjet e para luftarakë në mes të trieshjanëve dhe ushtrisë osmane, kanë filluar më 6 tetor 1907 pasdite në ora 16:00 në Luginën e Cemit, në Lemajë e Shesh, (2)ku nizamët kishin vendosur disa çadra dhe punonin në ngrtijen e kështjellës për nevojat e veta( 3)
… Afro 150 luftëtarë trieshjanë, të organizuar në dy çeta: e Trieshit të Poshtëm, që e udhëheqte Kolë Prëçi Gjolaj, nga fshati Muzheçk, dhe e Trieshit të Epërm, nën drejtimin e Gjelosh Tomë Ujkaj, kadet i shkollës ushtarake të Cetinës nga fshati Bëkaj (4) pas një lufte të rreptë disaditëshe në Lemajë, Shesh e Grabom arritën të dëbojnë ushtrinë turke nga Trieshi. Në betejën e Lemajës dhe Sheshit, sipas burimeve ruse (raporti nr. 47 i datës 12 tetor i vitit 1907), që ambasadori rus nga Cetina ia dërgon ministrit për Punë të Jashtme në Petrovgrad, konfirmohet se në konfliktin e armatosur ndërmjet trishjanëve dhe nizamit u vranë tre ushtarë turq, nëntë tjerë u plagosën sikurse edhe një oficer. (5) Ndërkaq në burimet malalaze (raporti i cituar dërguar minsitrit ushtarak në Cetinë gjeneralit Martinoviq) nuk përmendet numri i të plagosurve, por thuhet se “kemi gjetur tre skeletë të ushtarëve të vrarë nizamë” (6)
Bazuar në dokumentin nr. 321/6, dërguar ministrit ushtarak nga gjenerali Llazoviq, (7) në betejën e madhe të Grabomit, e cila zgjati disa ditë, u vranë dhe u plagosën mbi 30 ushtarë turq, ndërsa nga pala trieshjane janë plagosur tre vetë : Gjel Deda Nikprelaj, Gjelosh Toma Ujkaj dhe Kolë Duli Palushaj. Po sipas këtij raporti sekret, që mban datën 11 tetor 1907 në këtë betejë për fat të keq kanë humbur jetën edhe janë plagosur disa civilë. (8)
Historiani nga Gruda me banim në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Gjon Frani Ivezaj shkruan: “Lufta e Lemajës, shënoi edhe datën më të rëndësishme të lavdisë së trieshianëve. Të gjithë malësorët, sikurse edhe herë të tjera u bashkuan, kundër armikut të përbashkët turk. Me germa të arta, janë të shënuar në analet e historisë së popullit shqiptar e të Malësisë, emrat e luftëtarëve trima të lirisë, që u dalluan në Luftën tek Ura e Lemajës. Në vitin 1907, bajraktarët e vojvodët trima e djemtë sokola të Trieshit, rrëmbyen armët dhe sulmuan postën e kështjellës turke, në Urën e Lemajës. Ata për shtatë ditë e netë me radhë luftuan si luaj kundër garnizoneve turke. Aty u dalluan shumë trima trieshianë, ku ushtria turke mori ikjen e arratinë nga kishte ardhur më parë. Ata gjatë ikjes me turp, të shpartalluar dogjën dhe plaçkitën çfarë gjetën përpara. Kjo ishte një metodë e vjetër e ushtrisë barbare turke.” (9)
Flijimi i kryengritësve trieshjanë për Flamurin e Skënderbeut
Qëndresa dhe fitorja e patriotëve trieshjanë kundër Portës së Lartë në Lemajë, Shesh e Grabom dhe lufta e tyre e drejtë për çlirim kombëtar padyshim se ka ndikuar në zgjimin kombëtar të popullit shqiptar. Kjo luftë e madhe e trieshjanëve dhe e ushtarëve osmanë me pasoja tragjike i parapriu Kryengrtijes së Malësisë së Madhe të vitit 1911 dhe shërbeu si nxitje e kësaj lufte të fundit përpara fitimit të pavarësisë . (10) Këtë e vërtertuan ngjarjet e mëvonshme, sidomos ato të viteve 1910-1912.
Ditën e parë të shpërthimit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe , më 24 mars 1911, së cilës i priu me sukses heroi ynë Dedë Gjo’ Luli, iu bashkangjitën edhe trimat e lirisë nga Trieshi, të gatshëm për flijime të reja. Kjo pasqyrohet qartë në poemën “ Lufta e Maleveve” të mësuesit, poetit dhe luftëtarit Palokë Traboini Gojçaj nga Hoti, kushtuar Kyrengritjes së Malësisë së Mbishkodrës: ( citoj)
Ndiej ç’ po t’ thotë njeky Trieshjanë( Gjel Çaku):
Në mal temin sa t’kaptoj
Kushtrim Trieshit tash i lshoj
me ra shpejt prej bjeshksë e vrrinit
përmbas djelve t’ Traboinit
n’hall me i dalun Osmanllis,
me i fitue lirin Shqipnis,
me ngulë n’Hot flamurin arit
kuq e zi si e patëm s’parit.
Po ta nap besën e Zotit
Vet me msy me djelt e Hotit,
me dhanë jetë për liri,
për flamurin kuq e zi
Qi kaherë e kem’ dishrue ( 11)
Historiani Romeo Gurakuqi shkruan se ditën e dytë të shpërthimit të kryengritjers u vra një trieshjan dhe një tjetër u plagos, se një ditë më vonë kryengritësit të ndihmuar prej disa trieshjanësh muarën kaushën e Pikalës dhe tri kausha të tjera të Malit të Zi . (12) Gurakuqi, duke iu referuar njoftimit të konsullit Skutari Zambaur të datës 27 mars 1911 thekson se “numri i kryengritësve, të cilët kanë ardhur nga Trieshi në Mal të Zi për tu dhënë mbështetje kryengritësve, është 3-4 mijë” (13) dhe shton: “në përkrahje të Hotit dhe Grudës, me 27 mars, rreth 300 vetë banorë nga fshatrat e anës malazeze të kufirit, Trieshit, Fudnës (Fundnave-shënimi im), Orahovës (Rahosë-shënimi im) e tjerë morën pjesë në luftime”. (14) Vullnetarët nga Trieshi luftuan heroikisht, bashkë me kryengritësit e tjerë malësorë, për shkatërrimin e të gjitha fortifikatave turke në rajonin e Malësisë së Madhe. Nga ditari personal i Janko Vuktoiqit, që ruhet në Muzeun e Mbretit Nikolla, shihet qartë se 50 trieshjanë u vijnë në ndihmë kryengritësve kelmendas deri në fund të kryengritjes. Historiani nga Kosova Isa Bicaj në monografinë “Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze (1881-1914)” shkruan se me 18 prill të vitit 1911 forcat kryengritëse të inkurajuara nga trieshjani Gjokë Vata në këto luftime u vra një kryengritës nga Trieshi. (15) Praninë e çetave të Tireshit në Kelemend i konfirmon edhe komandanti i batalionit të Kuçit të Epërm Spasoje J. Miliq në një njoftim që i bën eprorit të tij ( 16) At Pal Dodaj në ditarin e tij, që man datën 3-4 shtator 1911, ku ndër të tjera jepet një variant i fillimit të kryengritjes në Rapsh të Hotit, thuhet: “…Shqiptarët e Triepshit e rrethina, tashmë të lodhur nga të jetuarit nën Qeverinë Malazeze, kishin mbështetur me zjarrë malësorët me shpresë së do të bashkoheshin përësri me ta (malësorët-shënimi im) nëse këta (malësorët-shënimi im) fitonin.” (17)
Por ka patur edhe raste kur luftëtarët trieshjanë kanë sulmuar ushtarët turq edhe në mënyrë individuale , siç ka ndodhur në Cemin e Trieshit, ku Gjel Dodë Husi ka çarmatosur një repart të tërë osmanësh (18) Në luftimet e prëgjakshme gjatë vitit 1910-1911 u plagosën dhe u vranë shumë kryengritës malësorë, në mes tyre edhe trieshjanë. Në mungesë të burimeve të shkruara nuk mmund të japim numrin e saktë të të vrarëve trieshjanë në këtë kryengritje, përveç çka thamë më lartë dhe çfarë shkruan studiuesi i kësaj trevë Gjergj Nikprelaj në librin e tij kushtuar Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911, ku thotë se në Qafë të Uglës nën Majën e Helmit, nga kjo trevë kanë humbur jetën Cela Baci në Hot, Gjergj Deda, Tomë Nika, Lucë Ujka , Gjel Çak Mirashi në Drume të Hotit dhe Vatë Martini në Narhelm, të dy më 27 mars 1911, (19), kurse në listën e ushtarëve që mbetën në Këlmend Nikprelaj ka publikuar emrat e 41 trieshjanëve. (20) Gjaku i derdhur i vëllezërve tanë trieshjanë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së vet në përleshjet me ushtarët turq gjatë periudhës 1907-1911, nuk shkoi kot. Ai gjak, si përmendorja më e madhe e qëndrueshmërisë së çeliktë, guximit dhe trimërisë së pashembulltë, u kurorëzua me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar (shqipen dykrenare e strukur diku për gati pësë shekuj robërie pas vdekjes së Gjergj Kastriotit) në Bratilë të Deçiqit, më 6 prill të vitit 1911, nga trimi legjendar Dedë Gjo’ Luli me bashkëluftëtarët e vet.
Po atë ditë Prelë Luca ngriti në Triesh flamurin shqiptar, ( 21) i cili u valëvit në qiellin e lirë të vendlindjes sime. Patriotët trieshjanë nuk janë pajtuar me vendimin e Kongresit të Berlinit që të jetojnë nën Malin e Zi, por kërkuan të jenë me Shqipëri. Ata bashkë me hotian e grudian disa herë kishin shkuar të protestojnë në Shkodër për të kërkuar Shqipërinë, duke brohoritur “ Rrnoftë Shqipnia me Hot, Grudë e Triesh”. ( 22)
Kur flasim për këtë ngjarje me rëndësi historike patjetër duhet theksuar edhe misionin politiko-diplomatk të intelektualit nga Tireshi i përmasave kombëtare Nikollë Ivanajt, njëri nga udhëheqësit e kryengritjes shqiptare dhe të Lëvizjes Çlirimtare të popullit shqiptar në përgjithësi. Ivanaj si anëtar i Komitetit të Kryengritjes në Podgoricë, bashkë me personalitetet e njohura të Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare: Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin Hil Mosin, Risto Silin, Salih Hoxhën, Simon Dodën, e tjerë (23) përmes misionit të tij politik e diplomatik iu përkushtua denjësisht çështjes së shenjtë të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë, në grumbullimin e ndihmës materiale dhe sigurimin e armëve për kryengritësit, (24) në strehimin dhe ushqimin e emigracionit të madh shqiptar dhe familjeve të varfëra malësore dhe në forma të tjera. (25)
Nga dokumentacioni arkivor dhe burimet që kemi në disponim shihet qartë se në Triesh gjatë viteve 1910-1911 kanë gjetur strehim të përkohshëm shumë refugjatë shqiptarë nga malet e Shqipërisë së Veriut, në mesin e të cilëve edhe udhëheqësi i Kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës, Dedë Gjo’ Luli e kryengritës të tjerë shqiptarë. (26) Ndihma që populli i Trieshit u dha refugjatëve shqiptarë, në gjykimin tim, është faqe e ndritshme e historisë së dashurisë dhe fqinjësisë së mirë vëllazërore.
Ne trieshjanët kudo që ndodhemi duhet të jemi krenar dhe të mburremi edhe me faktin se pikërisht në këtë truall të Ilirisë, më saktë nën ahun legjendar të Greçës (vend strategjik i mbrojtjes) më 23 qershor të vitit 1911 (27) u mblodhën krerët më të mëdhenj shqiptarë të kohës me ftesën e Komitetit të Podgoricës dhe formuluan e firmosën programin politik të kryengritjes shqiptare – Memorandumin, (28) apo siç u quajt në atë kohë “ Libri i kuq”, prej 12 kërkesash, i cili e shqetësoi mbretin Nikolla, sespe atij vendimet historike në Greçë i prisnin rrugën planeve pushtuese malazeze ndaj viseve shqiptare (29)
Përfundimi
Sukseset e trieshjanëve dhe malësorëve të tjerë në betejat e përmendura mbylli një epokë të tërë lufërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar, dhe, nga ana tjeter, hapi një epokë të re luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar të Shqipërisë nga rreziqet e jashtme e të brendshme. Ato forcuan edhe më tej bindjen se shqiptarët malësorë ishin të zotë të mbronin vetë trojet e tyre pa ndihmën e askujt, mbasi ata ushqeheshin nga dashuria për atdheun e tyre, që ishte dhe mbeti motivi më frymëzues i të gjithë malësorëve.
Shumë patriotë trieshjanë, jo me fjalë por me veprime konkrete luftarake në fushat e betejës, dhanë jetën për flamur e për atdhe, dhe u mbetën besnik vëllezërve të fiseve tjera të Malësisë së Madhe. ( 30) . Ata i treguan opinionit të gjerë se nuk dëshiruan të mbeten nën turkun, se janë burra e trima guximtarë, liridashës, heroik e mikpritës dhe se në damarët e tyre gufon fryma e dashurisë ndaj atdheut, liria dhe pavarësia e Shqipërisë, virtyte këto që ruhen edhe sot. Jam i bindur se këto ndjenja dhe idelae kombëtare do të vazhdojnë të kultivohen, ruhen dhe përcjellen nga brezat edhe në të ardhmen derisa të vazhdojë jeta në këto male e në këto shkrepa legjendare të gjakosura, dhe derisa të vazhdojë të rrejdhë pika e fundit e ujit të kthjellët si loti i lumit Cem. Me këto veprime atdhetare trimat trieshjanë, disa prej të cilëve i dekoroi presidenti i Shqipërisë dr. Sali Bersiha, na e zbardhën faqen për gjithë jetën.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe nderimi ynë ndaj të gjithë luftëtarëve dhe dëshmorëve trieshjanë në veçanti dhe atyre shqiptarë në përgjithësi !
Rroftë populli shqiptar!
***
Kumtesë e palexuar me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Kryengrtijes së Malësisë së Madhe – Triesh, 2 prill 2011
________________
LITERATURA E SHFRYTËZUAR
1. “ Koha javore, 10 mars 2011, faqe 13
2. Gjergj Nikprelaj, “ Lufta në Lemajë , Polis-shtojca në gjuhën shqipe, tetor-nëntor 2007
3. Lucë Lucaj “ Triepshi ndërmjet Malësisë dhe Kuçit”, Tuz 2001, faqe 68- 69.
4. Gjergj Nikprëlaj “ Lufta në Lemajë , Polis-shtojca në gjuhën shqipe, tetor-nëntor 2007
5. Po aty
6. Po aty
7. Po aty
8. Po aty
9. Gjon Frani Ivezaj, “ Triershi ndër shekuj – Beteja te Ura e Lemajës”, Zoja shqiptare, 8.09.2008.
10. Gjergj Hasanaj “ Malësori këndon”, Titograd, … faqe 236 .
11. Kolecë Traboini “ Gjurmë në histori”, faqe 58-59
12. Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911, Shkodër 2002, faqe 74
13. Romeo Gurakuqi, vepër e cituar , faqe 75
14. Po aty, faqe 76
15. Dr. Isa Bicaj, “ Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze ( 1881-1914)”, faqe 101-102
16. Gjergj Nikprelaj, vepër e cituar, faqe 220-244
17. Dr. Nevila Nika “ Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare (1910-1912), Instituti i Historisë – Prishtinë, 2003, faqe 175
18. Gjergj Nikprelaj, vepër e cituar, faqe 173
19. Po aty, faqe 179
20. Po aty, faqe 209-210.
21. Kolec Traboini, Vepër e cituar, faqe 21
22. At Anton Harapi, “ Andrra e Prëtashit”, Botime Franmçeskane, Shkodër, 2008, faqe 169
23. Luigj Gurakuqi, “ Vepra të zgjedhura”, Prishtinë, 1969, faqe 292
24. Historia e Shqipërisë, vëllimi II. Tiranë 1984, faqe 450
25. “Glas Crnogorca” , Nr. 49, datë 30 shtator 2010
26. ASHMZ, MPB, fash. 102, Telegrami nr. 2750 dt. 2707.1910; Po ashtu MPJ, Telegram nr. 4. Datë 2.08.1910
27. Romeo Gurakuqi, vepër e cituar
28. Po aty, faqe 116-123
29. Dr. Isa Bicaj, vepër e cituar, faqe 104)
30. Dr. Palokë Gj. Berisha “ Gjoni e Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës”, Tuz 2003, faqe 16 )