Gjekë Gjonaj: Gjelosh Junçaj, rapsod i mrekullueshëm me zërin si pushka

Ulqin, 11 mars 2021: Në kërkim të lahutarit më të vjetër në Malësi arrita në shtëpinë e Gjelosh Junçaj, në Tuz, ku jeton një jetë të qetë, të bukur e në harmoni të plotë me bashkëshorten e tij Marinë. Të dy intelektualë, profesorë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, tashmë në pension. Bashkëbisedimi me këtë çift shembullor, mikpritës e fisnik është shumë dashamirës, i ëmbël, i ngrohtë e gazmor. E, si nund të jetë ndryshe kur ndodhesh në mesin e dy, mbi të gjitha, njerëzve të mirë ( prindër të dy djemve të shkolluar) të cilët gjatë gjithë jetës së tyre arsimore, edukative e krijuese lanë gjurmë të pashlyera në arsimin dhe kulturën shqiptare.
Gjelosh Junçaj, lindi në vitin 1941 në fshatin Drume të Hotit, në një familje që ruan traditat shqiptare. U rrit në një truall e popull shumë të vobektë ekonomikisht, por shumë të pasur në ndjenjat e tij shpirtërore. Aty ku njerëzit ishin kryesisht të pashkolluar, por jo të paqytetëruar. Është rritur me historinë e Lahutës së Malësisë. Në shtëpinë e tij ka disa lahuta e çifteli të cilat i ruan me fanatizëm. Lahuta që disponon ka më se 40 vite. Në lahutë janë të gdhendur disa elemente me motive historike, si koka e Skënderbeut, Shqiponja e elemente tjera. Dëshira për lahutën i ka lindur qysh në fëmijërinë e hershme, në moshën 7 vjeçare. Ekzekutimin me lahutë e ka trashëguar nga babai i tij. Si i vogël, thotë, improvizonte me dy drunjë lahutën duke kënduar disa vargje këngësh të vjetra. Shokët e klasës në Drume e dinin se ai di t’i këndojë dhe t’i bjerë lahutës. Dhe për këtë një ditë i treguan ish-mësuesit të tij të ndjerë Gjon Tomë Berishaj, i cili i sugjeroi atij që të sjellë me vete lahutën në shkollë. Kjo për mësuesin Tomë qe befasi e bukur. Ndjehej krenar se sa bukur i binte lahutës Gjeloshi i vogël me atë zërin e tij njomcak e të ëmbël. Gjeloshi qysh atëherë i binte lahutës shpesh në shtëpi, e më vonë në gazmende familjare, në manifestime e festivale të ndryshme folklorike brenda dhe jashtë Malit të Zi. Ka qenë pjesëmarrës me SHKA “Ramadan Sharkiq” të Tuzit dhe “SHKA“ Hoti” nga Hoti në shumë festivale folklorike e manifestime tjera kulturore në qytete të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Evropë dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës , ku ka kënduar këngët “ Dedë Gjo’ Luli, “Martesa e Halilit” , “Hysen Fukaraja”, Muji e tri zanat e malit”, e shumë këngë të tjera kushtuar trimave e kreshnikëve shqiptarë. dhe figurave të shquara të kombit tonë.

Gjelosh Junçaj vërtetë ka qenë ndër rapsodët më të famshëm të kohës së vet në Malësi, më i veçanti nga të gjithë të tjerët. Me këngën e tij me lahutë e çifteli ka çuar peshë zemrat e të gjitha grupmoshave. Ai këndoi aq bukur sa i kënaqi dashamirët e këngës folklorike-popullore dhe të gjithë e respektonin duke e uruar: “Të këndoftë zemra o Gjelosh Junçaj! Të lumtë goja.!” Gjithkund po ia lën vedit! Gjatë karrierës së tij të gjatë e të suksesshme si rapsod i mrekullueshëm me zërin e tij kumbues si pushka është shpërblyer me diploma e mirënjohje të shumta. Po ashtu ka fituar çmimin e parë si lahutari më i mirë dhe si organizator i shoqërisë nga Radiotelevizioni i Titogradit për pjesëmarrje në garat e 12-ta rajonale të folklorit. Me këngët e tij ka përjetësuar shumë çaste të veçanta historike dhe ka pasqyruar jetën e shqiptarëve-malësorëve. Ai krahas lahutës interpreton shkëlqyeshëm edhe me çifteli, fyell dhe këndon këngë të vjetra për maje (krye) krahu. Junçaj është jo vetëm lahutar shumë i njohur, por edhe një poet i vërtetë, një krijues tekstesh të disa këngëve që i ka kënduar vetë. Deri më tani, siç pohon ai, ka botuar dy përmbledhje me poezi dhe në dorëshkrim ka edhe përmbledhjen e tretë në vargje.
Ky rapsod popullor, instrumentist e krijues me nostalgji rikujton kohën kur në Malësi lahuta ka qenë instrumenti popullor më i preferuar. “Çdo familje malësore e ka pasur lahutën të varur në mur edhe pse nuk dinin t’i binin. Tani tek të rinjtë dashuria për lahutën ka filluar të zbehet. Për të mos u zhdukur lahuta në Malësi duhet ndikuar që nxënësve në shkollë t’u zgjojmë dashurinë dhe interesimin për këtë instrument.”, shprehet Junçaj, duke shtuar se këndimi me lahutë është më i vështirë se me çifteli e instrumente tjera. Lajmi i vendimit të marrë nga UNESKO për regjistrimin e lahutës si pasuri serbe e ka shqetësuar shumë. Sepse ,pohon ai, lahuta kurrë s’ka qenë e serbëve, por e shqiptarëve.
Profesori, rapsodi dhe poeti Junçaj me karakterin, tipologjinë dhe botën e pasur shpirtërore mbetet shëmbëlltyra e shqiptarit autentik të malit, i cili do të kujtohet ndër breza jo vetëm si këngëtar me zë të ëmbël melodik, por edhe si edukator i shumë gjeneratave, ruajtës dhe mbrojtës i vlerave tona dhe kulturës sonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura