GJEKË GJONAJ: JUSUF LIKA, HAPI SHTIGJE TË REJA NË JETËN MUZIKORE TË ULQINIT

Ulqin, 28. 10. 2015: Profesori i muzikës Jusuf Cufo Lika nga Ulqini është një personalitet i njohur në fushën e artit dhe jo vetëm. Ai veçmas shquhet për ringjalljen dhe përhapjen e kulturës muzikore në këtë qytet, por edhe për afirmimin e historisë së lashtë të qytetit të tij të lindjes – Ulqinit. Në këto dy shtylla të rëndësishme e ka ndërtuar të gjithë veprimtarinë e tij të deritashme artistike e kulturore, që meriton të vlerësohet dhe të respektohet, për shkak se me idetë dhe veprimet e tij arriti mbi të gjitha të përhapë kulturën muzikore në këtë qytet, si askush para tij. Personalisht e njoh atë që nga viti 1991. Mbaj mend se në rolin e redaktorit ai na ndihmoi në përgatitjen e një programi muzikor të emisionit “Kronika e javës” në Televizionin e Malit të Zi me rastin e festës së fundvitit. Ky emision pati shumë sukses dhe jehonë tek teleshikuesit në të gjitha venbanimet shqiptare në Mal të Zi.

Prej atëherë e kam kuptuar se atij i pëlqen të punojë i lirë, pa porosi, me idetë e veta, duke mos dëshiruar lëvdata. Dhe kjo tani kur jemi shok dhe bashkëqytetar të Ulqinit më ka pëlqyer për një arsye të thjeshtë. Për faktin se puna e artistit nuk është që të punojë për të fituar çmime as lavdi. Ai duhet të punojë për të krijuar art, për të qenë një hap para kohës. Artisti dhe arti nuk njohin kufij, janë institucionet ato që dallohen.
Me një ëndërr të bukur në shpirt Jusuf Lika mori udhën për në “ mbretërinë” e muzikës në vitet 60-të të shekullit të kaluar, në kohën kur mësuesi i tij i muzikës i ndjeri Qamil Gorana në orët private ia ka shkruar notat në fletore.
Një stacion ishte Shkolla e Mesme e Muzikës në Dubrovnik. Më pas Akademia e Muzikës në Lubjanë e Prishtinë, ku edhe u diplomua në drejtimin artistiko-pedagosjik. Dhe pastaj njohuritë e tij të fituara nga fusha e kulturës muzikore në institucione të njohura në Dubrovnik, Lubjanë dhe Prishtinë, me t’u kthyer nga studimet në vendlindje, i vuri në shërbim të hapjes së shkollës së muzikës në Ulqin. Idenë për hapjen e kësaj shkollë i kishte filluar ta realizojë në vitin 1982, kurse ëndrrën e tij të kahmotshme e finalizoi në vitin 1995. Ky vit shënon fillimin e mësimit muzikor në Ulqin. Në prill të atij viti ka filluar punën Shkolla Fillore për Arsimin Muzikor në Ulqin si paralele e Shkollës së Ulët të Muzikës në Tivar nën udhëheqjen e profesorit të muzikës Jusuf Likës. Në hapjen e kësaj shkollë e kanë ndihmuar shumë dashamirë të artit dhe kulturës muzikore, ndër të cilët duhet përmendur ish – kryetarët e Komunës së Ulqinit, Batko Gjakonoviq dhe Mehmet Bardhi, ish-drejtorin e Bibliotekës së Ulqinit, Fadil]Kroma dhe ish – drejtorin e Shkollës së Muzikës në Tivar, Bozhidar Rakonjac.
Prej atëherë jeta dhe veprimtaria e profesor Likës u lidh pazgjidhshmërisht me shkollën e muzikës në Ulqin.

Në vitin e parë shkollor u regjistruan 42 nxënës në degët piano, kitarë dhe fizarmonikë. Më vonë interesimi për kulturën muzikore në këtë qytet rritet ndjeshëm, sikurse edhe numri i nxënësve. Në vitin shkollor 2000/2001 kjo shkollë me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Mal të Zi mëvetësohet, dhe fillon punën e saj si shkollë e pavarur me të drejta si shkollat e tjera në Mal të Zi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura