GJEKË GJONAJ: NË SHTATËDHJETËVJETORIN E PUSHKATIMIT TË PREKË CALIT. PREKË CALI – PIRAMIDA E KUFIJVE

Ulqin, 16. 03. 2015 – Ditën e mërkurë , më 25 mars 2015 bëhen 70 vjet nga pushkatimi i legjendës së Kelmendit dhe njërit nga figurat burrërore në historinë e Shqipërisë Prekë Calit. Ky burrë i spikatur i Malësisë së Madhe dhe luftëtar i pa shkollë, por trim si zana dallohej nga moshatarët e kohës me një fizik tipik të racës shqiptare – malësore dhe me qëndrimin e vendosur dhe të paluhatshëm për t‘u përballuar me çdo armik në dobi të sigurimit të tërësisë kombëtare tokësore të popullit të vet. Ai hyri në jetën politike të Shqipërisë si njeri i thjeshtë, mirëpo falë aftësive të tij psiko-fizike dhe dashurës së flaktë ndaj atdheut në moshë të re u vu në shërbim të mbrojtjes së kufijvje të Shqipërisë, veçmas të beshkëve të Vermoshit, të cilat herë pas here cënoheshin në pretendimet serbo-malazeze. Si pëfaqësues i shqiptarëve në Komisionin e kufijve nuk lejoi që Vermoshi t’i jepet Malit të Zi , siç ishte projektuar në kancelaritë e Evropës.

Prekë Pjetër Cali (1872 – 1945)

Ky prijës popullor me tipare të veçante burrërore, karakteristikë kjo e malësorëve të malësive tona, e ka shkrirë jetën dhe aktivitetin e tij në luftën dhe përpjekjet titanike të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Përherë u gjend në ballë të veprimeve atdhetare që u ndërmorën në thellësitë e maleve të Malësisë së Madhe midis dy luftërave botërore. Si luftëtar i pakompromis për tërësinë e tokave shqiptare është shëmbëlltyrë me të cilën krenohet Kelmendi, Malësia e Madhe, Shkodra e qytetet tjera të Shqipërisë e më gjerë. Dashuria ndaj atdheut, besnikëria, sinqeriteti, drejtësia, ndershmëria, trimëria, guximi, zgjuarësia, mikpritja, modestia, humanizmi dhe toleranca ia rritën peshën këtij vigani të Malësisë së Madhe. Këto cilësi humane e kombëtare e bënë që masat popullore ta pranonin Prekë Calin si prijës të tyre në luftë kundër çdo armiku të kohës, kundër pretendimeve territoriale të shteteve fqinje dhe kundër komunizmit. Ky prijës popullor, njeri i pushkës dhe i fjalës u bë i njohur në popull që në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, sepse e deshti tokën amtare deri në vetëmohim. U çelikos në zjarrin e kryengritjeve shqiptare të parreshtura të popullit shqiptar, që synonin mbrojtjen me gjak të tokave të tija të shenjta, të cilat rrezikoheshin nga vendimet armiqësore të Kongresit të Berlinit, ku morën pjesë gjashtë fuqitë e mëdha: Anglia, Austro-Hungaria, Franca, Rusia, Italia dhe Gjermania në favor të Malit të Zi dhe Serbisë. Preka duke u rreshtuar qysh në moshë të re në radhën e patriotëve shqiptarë për liri, luftoi me gjithë fuqinë që Kelmendit të mos i shkëputej asnjë pëllëmbë tokë dhe për formmin e një shteti shqiptar me një qendër të vetme. Për këto ideale të larta kombëtare, ky bir i Kelmendit, Malësisë së Madhe dhe gjithë Shqipërisë nuk kurseu asgjë. Ai në këto luftëra u shqua jo vetëm si organizator i masave popullore, por edhe si strateg ushtarak popullor në drejtimin e veprimeve luftarake. U bëri sfidë gjitë ofertave, që i bënë armiqtë për ta graduar e korruptuar, dhe eci me guxim në rrugën e kryengritësve e patriotëve shqiptarë, të cilët e ëndërronin Shqipërinë demokratike. Ajo që bie në sy gjatë gjithë veprimtarisë së Prekë Calit, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të regjimit komunist shqiptar dhe përkrahësve të tij të flaktë për ta denigruar këtë figurë madhore të kombit tonë, ai dha kontributin e tij të drejtpërdrejtë për formimin e shtetit shqiptar kombëtar, ruajtjes së tërësisë tokësore të tij, çlirimit të trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre në shtetin amë. Të dhënat shkrimore të kohës, burimet reale shkencore e letrare, ashtu edhe kujtesa dhe krijimtaria e pasur popullore dëshmojnë se Prekë Cali ishte një malësor i rrallë kelmendas në çdo pikëpamje, një personalitet historik që punoi vetëm për të mirën e atdheut e të njeriut në përgjithësi, të cilin e stolisin tiparet më të larta njerëzore, falë të cilave ai ishte dhe mbeti një figurë që depërtoi thellë në zemrat e njerëzve. Bazuar nga këto dokumenta që poseduam për të ndriçuar fugurën e Prekë Calit mund të konkludojmë se ai në të gjithë rrethanat, ngjarjet dhe situatat kryesore të historisë së Malësisë së Madhe midis dy luftërave botërore, përherë u gjend në ballë të veprimeve atdhetare, gjë që në vepër dëshmon për ndjenjën e tij të pastër të atdhedashurisë dhe kombëtarisë.
Me veprën e tij në në mbrojtjen e kufirit e kufijve të Vermoshit, si pjesëtar i palës shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufitrit verior të Shqipërisë, me rezistencën heroike që u bëri sunduesve të huaj dhe komunistëve shqiptarë partizanë, e nderoi shëmbëlltyrën e tij, sikundër dhe Kelmendin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky prijës kreshnik i malësorëve, udhëheqësi i parë i Kryengritjes antikomuniste, në gjithë Europën Lindore në bashkëpunim me patriotët më të shquar të kombit shqiptar vihet përballë forcave të shumta që ksihin për qëllim zaptimin e Shqipërisë. Po aq sa ishte kundër lakmive serbo-malazeze, po me aq indinjatë e përbuzje ishte kundër pushtimit fashist e sidomos kundër çkombëtarizimit e perversitetit komunist. Pra ishte tri herë kundër, sepse e donte Shqipërinë më shumë se vetveten. Për të ishte i gatshëm të flijojë edhe gjenë më të shtrenjtë-jetën. Nuk luftoi kundër serbëve e malazezëve për të shtyrë kufijtë, as për të grabitur gjanë e mallin e tyre, por për të mbrojtur tokat e të parëve, nderin , fenë e shenjtë, doket e zakonet. Nuk luftoi as për pozita, grada, tituj e dekorata, por për të mirën e vendit, të popullit dhe fisit. Ai pati bindjen se çdo pushtim e regjim totalitar nuk është i përjetshëm.
Si i tillë Prekë Cali ka hyrë në thesarin e çmueshëm dhe të pasur të krijimtarisë sonë popullore, por edhe të krijuesve letrarë, të cilët i kanë thurë shumë këngë, që për mendimin tonë kanë vlera të mëdha jo vetëm artistike, pasi përmes kësaj krijimtarie shpirëtrore të poullit të vet, vepra e Prekë Calit mbetet përherë e pavdekshme.

Për këtë burrë të ndritur e kundërshtar guximtar deri në vdekje të komunizmit, regjimi diktatorial në Shqipëri grumbulloi me kohë gjithë zemërimin dhe urrejtjen për të, ndaj e tradhëtoi në besë të shqiptarit dhe e pushkatoi. Emri i tij, sikur shumë fytyra tona të rëndësishme historike, gjatë sundimit pesëdhjetëvjeçar komunist, ishte i anatemuar dhe nuk lejohej të flitej për për të, kjo diktturë e futi atë në listën e “ kriminelëve” e “tradhtarëve”. Komunistët shiptar aq e urrenin këtë kolos saqë edhe, jo vetëm se ia humbën eshtrat, të cilët kush e di se ku i ka bartë uji i rrëmbyeshëm i Kirit, u përpoqën ta përulin e baltosin figurën e tij, të cilën kujtesa kombëtare nuk e shlyen kurrë për të mirë nga mendja. Ata bashkë me eshtrat e tij u munduan të shlyejnë edhe çdo gjurmë tjetër, që ka të bëjë me jetën dhe veprimtarinë e tij, sikurse edhe pas vdekjes i konfiskuan të gjithë pasurinë e paluajtshme, e cila nuk ishte e vogël, pra edhe Kullën në Vermosh, të cilën e përdorën për nevoja ushtarake deri në vitin 2002.

Në nderim dhe përkushtim të veçantë për veprën madhore të këtij trimi legjendar të cilin komunistët shqiptarë e tradhëtuan në besë të shqiptarit, e përbuzën, e etiketuan me të pavërteta, e njollosën, e dënuan pa faj dhe së fundi e pushkatuan më 25 mars 1945 në Shkodër, presidenti i Shqipërisë, z. Sali Berisha, e dekoroi me medaljen “Martir i Demokracisë”. Kështu Qeveria demokratike në Shqipëri e ngriti në piedestal këtë figurë të shquar të Kelmendit dhe popullit shqiptar, eshtrat e të cilit për fat të keq ende nuk dihen se ku gjinden. Pavarëshit nga ky nderim që sistemi i ri politik në Shqipëri ka bërë veprës së Prekë Calit, politikanët dhe historianët shqiptarë nuk e kanë shlyer borxhin ndaj këtij atdhetari të njohur, luftëtari të shquar të Malësisë së Madhe martire, mbrojtësi të kufijve shqiptarë, demokrati, antikomunisti dhe pishtari të demokracisë shqiptare. Nga politikanët pritet në radhë të parë vendimi i meritur dhe i shumëpritur për kërkimin e eshtrave të tij dhe martirëve të tjerë të pushkatuar padrejtësisht nga regjimi komunist në Shqipëri, pastaj restaurimi i Kullës së Prekë Calit në Vermosh dhe shndërrimi i saj në një shtëpi muze. Ndërkaq historianëve u mbetet obligim kombëtar që të hulumtojnë më shumë në këkim të vetvetës, për të dëshmuar rolin e madh të veprimtarisë patriotike të këtij nacionalisti pro perëndimor dhe jo vetëm atij.

…………………………………………………..

…………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura