DR.HYSNI BYTYÇI: KONTAKTI FUNDIT ME UKSHIN HOTIN!

Pashtriku.org, 15. 05. 2016 – Kam qenë njëri nga mbrojtësit e Ukshin Hotit në Gjyqin e Qarkut të Prizrenit, në tetor të 1994 kur u dënua ai për herë të dytë, kësaj radhe me 5 vjet burg. Edhe pasi ka përfunduar tërë procedura në Gjykatën Supreme të Serbisë, atë e kam vizituar rregullisht një herë në muaj, sipas rregullave ligjore, si në burgun e Dubravës, të Nishit ashtu dhe në burgun e Mitrovicës së Sremit. Më 12 mars 1999 ishte ditë e premte (e premtja e dytë e marsit), kur e vizitova për herë të fundit Ukshin Hotin.
Sipas rregullores së burgut të Mitrovicës së Sremit, vizitat familjare për të burgosurit politik bëheshin të premten e parë të çdo muaji, ndërsa vizitat e avokatëve bëheshin të premten e dytë me rradhë. Pra, Ukshinin e vizitova vetëm 12 ditë para se të fillonin bombardimet e NATO-s. Ishte kohë e vështirë dhe askush nuk e dinte se çka do të ndodhë, do të bombardohet Jugosllavija e atëhershme apo jo, si do të zhvillohet situata nëse bombardohet ajo etj.,etj?
Me Ukshinin u morëm veshë që kur të lirohet nga burgu, kurrsesi të mos niset vet për në Kosovë. I thash se nëse ndodhë që të mos vijë për vizitë më 12 prill dhe 14 maj 1999, (këto ishin datat e rezervuara për vizitat e ardhshme), atëherë me çdo kusht do të jam më 17 maj (data e lirimit) në ora 08:00 të mëngjesit para dyerve të burgut. Gjithashtu i thash, në rast se lirohesh para 17 majit, (sepse sipas akteve ligjore në raste të veçanta 1/10 e denimit mund t´i falej të burgosurit, por kjo mundësi asesi nuk mund të ndodhte edhe me Ukshinin) mos ta luaj këmbën mëtutje, të qëndroi para portës së burgut dhe të më thërras në telefon, në mënyrë që së bashku të nisemi për në Kosovë, apo sipas situatës dikund tjetër.
Meqenëse bombardimet filluan me 24 mars (1999), vizitën e radhës me 12 prill nuk arrita dot me realizue, sepse u detyrova edhe vetë të shpërngulem nga banesa e përhershme në Beograd, për t’u vendos përkohësisht në një lagje tjetër (17 kilometra largë), ku nuk më njihte askush, dhe fare nuk lëvizja nga banesa. Më 17 prill, ndonëse ishte data kur përmbusheshin normat e rregullores për lirim të parakohshëm, e kontaktova me telefon drejtorinë e burgut dhe ja u përmenda këtë mundësi lirimi për Ukshin Hotin. Ju thash, nëse vendosni për lirimin e Ukshinit para datës 17 maj, paraprakisht të njoftohem edhe unë. Për t’ua lehtësuar punën organeve të burgut, ata i sigurova se në çdo dy ditë do t´i thërras në telefon, për t´u informuar rreth lirimit të Ukshinit nga burgu.

Ukshin Hoti dhe motra Myrvete, e cila shpreson se Ukshini është gjallë!

Kryeshefi me të cilin bisedova në telefon, më tha se një muaj para kohe nuk do ta lirojnë, por disa ditë më herët po, dhe se nuk ka nevojë të lajmërohet në telefon para festave të majit, sepse nuk mund të ndodh lirimi i tij më përpara. Më tha, që të lajmërohem pas fetsave të majit. Kjo bisedë më gëzoi shumë dhe thash në vete se kjo punë ka gjasa të përfundojë si është më së miri.
Ndërkohë e kontaktova dajën e nënës së Ukshinit, i cili kishte dy furra të bukës, një në Temerinë dhe tjetrën në Novi Sad të Vojvodinës. U morëm vesh që në ditën kur do të lirohet Ukshini, të shkojmë së bashku në Mitrovicë të Sremit për ta pritur atë dhe pastaj të kthehemi sërish në Temerinë, ku Ukshini mendonim të qëndronte aty derisa të stabilizohet situata.
Më 3 maj 1999, ishte dita e parë e punës pas festave të majit, dhe në mëngjesin e asaj dite, (rreth orës 08:00) e thirra në telefon drejtorinë e burgut në Mitrovicë të Sremit. Për fat të keq mësova se Ukshini nuk ishte më në atë burg. Më thanë se është transferuar për në burg të Nishit. Pa humbur kohë e thirra burgun e Nishit dhe mësova se Ukshini dhe disa të burgosur tjerë shqiptar ishin transferuar në burgun e Dubravës së Pejës. Në ato momente më kaploi një frikë e madhe, sepse transferimi i Ukshinit dhe të tjerëve nga Serbia për në Kosovë, i kishte rreziqet e veta të mëdha. Duhesh të ndërmerrja diçka. Vendosa dhe ia adresova një shkresë Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë dhe kërkova që Ukshin Hoti të mos lirohet nga burgu i Dubravës, por ta transferojnë në ndonjë burg tjetër të Serbisë, ku do ta merrja unë në dorëzim.
Ju propozova që të gjitha shpenzimet e këtij transferimi të më fakturohen në llogari time. Një letër ia dërgova edhe Ministrisë së Drejtësisë të Republikës Federale të Jugosllavisë, dhe kërkova që ta përdorin autoritetin e tyre edhe pse kjo nuk ishte në kompetencat e saj. Kërkova në emër të humanitetit të ndërmirret diçka, se ky njeri (Ukshin Hoti) mund ta humb kryet po atë ditë që e “shijon lirinë”.
Në mbrëmje (më 3 maj) nga Tetova mu lajmrua Myrveti (motra e Ukshinit) ku ishte si refugjate. I tregova për aktivitetet e mia lidhur me Ukshinin dhe i propozova që një shkresë të ngjajshme (në emër të saj si anëtare e familjes Hoti) ta adresoi edhe në Kabinetin e Kryetarit të Sërbisë, Millan Millutinoviq. Letrën në kabinet do ta dërgoi më 05 maj 1999.
Gjatë bisedës, Myrveti më tha se ka biseduar me avokatin Zhivojin Jokanoviq në Prishtinë, i cili i paska premtuar se do të tenton që Ukshinin, para se ta lirojnë nga Dubrava, ta sjellin në Prishtinë ku do ta merrte Zhika dhe do ta mbante në shtëpi të tij deri sa të qetësohet situata. Ishte kohë e vështirë. Asnjëri prej shqiptarëve nuk guxonte ta merrte rrugën për në burg të Dubravës, për shkak të frikës nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe. Edhe serbët gjithashtu nuk guxonin të udhëtonin, sepse kishin frikë prej UҪK-së. Dhe krejt kjo frikë ishte e kuptushme, sepse rreziku kudo ishte evident.
Myrvetit i thash se nëse Ukshinin e sjellin për t’u liruar nga burgu i Prishtinës, nuk do të ketë rrezik për te sepse ai mund të gjejë strehim te shumë njerëz, por mund të ndodh që të gjitha përpjekjet tona të mos rezultojnë fare. Myrvetit i propozova (edhe pse ishte rrezik për te) që të shkojë deri në Prishtinë, për të hulumtuar ndonjë mundësi, të gjej ndoshta ndonjë njeri për një shumë markash gjermane, që do të udhëtonte më 17 maj deri në Dubravë.
Ato ditë nuk funksiononte asnjë lidhje telefonike me Dubravën dhe Pejën. Nuk më kojtohet data e saktë, por medoi se ka qenë data 10 apo 11 maj kur kontaktova në telefon me Jovica Jovanoviq, ish-zavendës i Prokurorit të Qarkut në Prishtinë, tani i punësuar në Sektorin e Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë për Kosovë. Ky ishte njeriu më përgjegjës i kësaj ministrie në Kosovë. Përpara ishim kundështar të mëdhej, sepse kemi qenë në pozita të kundërta, unë si mbrojtës i shqiptarëve, ndërsa ai në anën e kundërt. Një fjalë popullore thotë: “Zori të çonë edhe në derë të hasmit”. Pra, ishte koha që duhej të ndërmarrja diçka, për të mirën e klientit tim, Ukshin Hoti, sepse po të mos e bëja një gjë të tillë do të më kritikonte vetëvetja.

Vendimi nr. 24/2241/05 dt. 16. 05. 1999, i lëshuar nga drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirmin” e Ukshin Hotit nga burgu i Dubravës! Pas daljes nga burgu, Ukshin Hotin e zhdukin pa lënë gjurmë!!! /sh.b/
Jovicën e luta që të ndërmarrë gjithçka është e mundur për ta sjellë Ukshinin diku në burgjet e Serbisë (para se të lirohet), ose të paktën ta transferojnë nga Dubrava në burgun e Prishtinës.
Për çudi, ai më priti shumë mirë me fjalë. Më tha se situata është shumë e vështirë në teren, sidomos në rrethinën e Pejës, dhe lidhjet telefonike nuk funksionojnë (në asnjë mënyë) me Pejën dhe Dubravën. Më tha se posta zyrtare (edhepse rrallë) bartet me makina dhe se kur të vijë herën tjetër makina nga Dubrava, ai do ta përcjellë kërkesën time dhe do të tenton që ashtu edhe të bëhet. Deri me 17 maj e kam telefonuar për çdo ditë, ndërsa përgjigjja ishte e njejtë.
Më datën 21 apo 22 maj, Jovica më ka thënë se makina ka ardhur nga Dubrava dhe është informuar zyrtarisht se Ukshin Hoti është liruar ditën e diele, më 16 maj 1999, pak para orës 11:00 të paradites.
***
Pas 12 qershorit 1999, të burgosurit shqiptarë janë transferuar sërish nëpër burgjet e Serbisë, dhe gjatë vizitave që ua kam bërë atyre kam mësuar se: “Ukshin Hotin në ditën e lirimit (më 16 maj) e kishin vra një apo dy kilometra largë portës së burgut të Dubravës, në drejtim të Istogut.” Më kanë thanë se këtë ua paska komunikuar një gardian malazezë (po atë ditë), atyre që kanë qenë në një dhomë me Ukshinin. Prej momentit të transferimit të të burgosurve nga Kosova për në Serbi e deri në vjeshtë (1999) kam qenë e vetmja lidhje ndërmjet të burgosurve dhe familjarëve të tyre në Kosovë. Çdo të shtune, tuboheshin me qindra familjarë në oborrin tim në fshatin Semetisht të Suharekës. Një të shtune në mbrëmje erdhi gazetari Zenun Çela nga Prishtina së bashku me korespodentin e “Zërit të Amerikës” për ta zhvilluar një intervistë me mua për këtë Radiostacion. Dhe njëra nga pyetjet e korrespodentit të Zërit të Amerikës ishte:
ku gjindet Ukshin Hoti?
Pra, më shtynë në një rrugë shumë të vështirë, me thënë atë çka kisha dëgjuar për fatin e Ukshinit, ndërsa më vinte shumë zorë prej motrës së Ukshint, Myrvetës. Kisha dëgjuar se ajo kurrsesi nuk pranon të flitej për humbjen e vëllait. Meqë dëshiroja që ajo (Myrveti) të mos e dëgjojë këtë lajm përmes radios, por të gjej rastin kur të shkojë vet në familje dhe duke biseduar t’ia komunikojë diqysh më lehtë këtë gjë, gazetarit ju përgjigja se: “Ukshini është dalë nga burgu me 16 maj, por frikohem se jeta e tij në liri ka zgjatë shumë pak.”
Pas disa ditësh, së bashku me disa shokë të mi dhe të Ukshinit shkova në Prishtinë te Myrveti, por nuk e gjetëm në shtëpi. Nuk munda të kontaktoj me të. Pas asaj kohe nuk kam tentuar ta kontaktojë më Myrvetin, sepse të gjithë shokët që më njihnin mua dhe atë më këshilluan që të mos ia përmendi humbjen e vllaut, pasi që ajo kurrsesi nuk pranon se Ukshini është i vdekur.
***
Diku pas gjysmës së gushtit 1999, një të shtune, tek unë në fshat ka ardhur Skender Hoti, një veprimtar i devotshëm, dhe më tha se Ukshini 100 % është gjallë. Më tha se kanë kontaktuar me disa njerëz, të cilët i kërkojnë 100.000 DM që ta vizitoi Myrveti atë diku në Mal të Zi. Nuk munda ta bindi se kjo nuk është e vërtetë. Ai ishte i bindur se kjo vizitë do të realizohet. Skenderi më tha se kanë kërkuar nga ata njerëz që ta dërgojnë Myrvetin deri te Ukshini, që ta sjellin një familje të tyre në Pejë, e cila do të qëndronte aty deri sa të kthehet ajo (nga Mali i Zi). Pas dy jave, Skenderi më tha se ky propozim ishte refuzuar! Për fat të keq ky është realiteti, kemi edhe këso gjallesash me fytyra të njeriut, të cilët tentojnë të pasurohen duke shfrytëzuar fatkeqësinë e tjetrit. Vallë çfarë janë këto figura njerëzish?…

Londër, 01. 12. 2006

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura