GJEKË GJONAJ: RRËFIM I DHIMBSHËM MBI HUMBJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR!

Tivar, 11 shtator 2019: Këtë histori shumë të hidhur të një burri (65 vjeç) me rrënjë shqiptare nga Shestani i Krajës në Malin e Zi e mësova (dëgjova) në Spitalin e Tivarit, në Repartin e Internistikës, në dhomën nr.18, ku jam shtruar para dy javësh për shkak të çrregullimeve të zemrës. Cimerin e ri e njoha të mërkurën e kaluar. Atë ditë, pak pas mesdite, në dhomë hyjnë një burrë dhe një grua. Flasin me njëri-tjetrin në gjuhën malazeze. Burri u shtrua në spital. Gruja e tij, para se të largohet, më kërkoi t’i japë numrin tim të telefonit, për të komunikuar me burrin (bashkëshortin) e saj, sepse e kishin harruar telefonin e tij në shtëpi. Natyrisht me dashamirësi e kënaqësi ia dhash numrin tim të telefonit. Më falënderoi për këtë shërbim modest dhe shkoi.
Meqë nuk njifeshim me cimerin e ri i prezentohem se kush jam dhe prej nga jam. Fillojmë komunikimin. Në vend se si shqiptar të bisedojmë në gjuhën tonë të bukurë shqipe, kjo nuk ishte e mundur, meqë bashkëbiseduesi im nuk e dinte gjuhën e të parëve të tij.
-Si quheni?
-Leka.
-Po mbiemrin si e ke?
-Marstijepoviq.
-Nga Shestani i Krajës.
-Po, atje kanë jetuar të parët e mi.
Si e ka pas emrin babai yt?
-Zef.
-Po nëna?
– Dila.
– Kanë qenë shqiptar?
-Po, shqiptar. Por në familje nuk kanë folur në gjuhën shqipe. Gjithmonë serbisht (serbokroatisht).
-E gjyshi e gjyshja si kanë folur në shtëpi?
-Shqip. Ata e kanë dijtë mirë këtë gjuhë.
Ju Lekë, çfarë jeni?
-Katolik.
-Shqiptar apo…
-Malazez.
-Ku ka malazez katolik? Malazezët janë të besimit ortodoks, e jo katolik.
-Ti e di kush janë malazez, ata që jetojnë në Mal të Zi?
Ne jetojmë në Mal të Zi, prandaj edhe jemi malazez. Kështu ndjehemi.
– Në çfarë gjuhe kanë mësuar nxënësit e gjeneratës së prindërve tu në fshatin e origjinës?
-Të gjithë serbisht. Nuk kanë ekzistuar shkolla në gjuhën shqipe. As mësues shqiptar.
-Kur keni zbritur në Tivar?
-Prindërit e mi kanë ardhur këtu në vitin 1950. Këtu kam lindur. Shtatë vite kam punuar në Gjermani. Atje jam njoftuar dhe jam martuar me bashkëshorten time serbe nga një qytet afër Jajces, Bosnjë e Hercegovinë. Kemi dy vajza. Ka shumë vite që jemi kthyer në Tivar. Të dy jemi pensionistë.
-Jeni besimtar?
-Po.
-Shkoni rregullisht në kishë?
-Kryesisht.
-Në cilën gjuhë meshohet?
-Në gjuhën kroate.
-I keni pagëzuar fëmijët?
-Po, si jo.
– Kremtoni ndonjë festë?
– Kremtojmë pashkët, krishtlindjet dhe festën e shtëpisë, me 1 nëntor, që e kemi trashëguar nga të parët tanë.
Sado i pabesueshëm ky është realiteti i sotëm e dhimbshëm i kësaj familje me rrënjë shqiptare, dhe jo vetëm, të cilat janë asimiluar. Kanë humbur historinë, gjuhën, traditën (dasmat, vdekjet, lindjet), foklorin, veshjen e Shestanit, për të cilën thuhet se ka lidhje me antikitetin, e karakteristika të tjera të kombit shqiptar.
Në humbjen e identitetit të banorëve të Shestanit kanë ndikuar skemat qëllimkqia të realizuara në mënyrë të përkryerë nga strukturat politike të kohës, qëllimi i të cilave ishte që Tivari ( dikur tërësisht shqiptar, ndërsa sot shqipja ka humbur në rrugicat e qytetit të vjetër), të fsheh çdo histori e gjurmë shqiptare. Të shntrembëroj faktet historike. Të shformësojë dokumentet e monumentet kulturo-historike. Të përvetësojë çdo gjë shqiptare. Dhe t’i zëvendësojë me të tjera ( sllave). Megjithatë, ato nuk mund të fshihen me shtrembëërime faktesh e manipulime. Sepse gjurmët e qarta shqiptare gjenden pikërisht në Tivar të Vjetër, në objektet e mbetura arkeologjike të këtij qyteti, në dokumentet e shumta historike ende të pazbuluara e hulumtuara sa duhet, në historitë njerëzore të trashëguara brez pas brezi.
Kjo politikë e fortë asimilimi e dhune bëri që kishat e sotme të restauruara që dallohen në Kalan e Tivarit, të mos jenë më katolike, edhe pse në fillesat e tyre kanë qenë të tilla. Pavarësisht rrënojave të vjetra që janë të dallueshme asnjë objekt kulti katolik në Kala nuk është funksional. Arkeologët dhe hsitorianët pohojnë se Kisha Katedrale e Shëngjergjit, që mban emrin e pastorit të qytetit, u shkatërrua në vitin 1881 pas hyrjes në qytet të trupave malazeze. Sipas tyre rrënimi i saj u fsheh pas një shpërthimi që dukshëm nuk ishte aksidental. Selia e Argjipeshkvisë së Tivarit ka qenë brenda Kalasë në Kishën e Shëngjergjit. Dihet poashtu se kjo argjipeshkvi ishte argjipeshkvia e parë katolike e këtij territori ( nga Kroacia e poshtë). Ajo ishte edhe nismëtarja e parë për zhvillimin e katolicizmit, e kishës perëndimore në territorin e Shqipërisë.
Nuk egziston një evidencë e saktë, por pothuaj të gjhitha ato kisha në Kalanë e Tivarit kanë qenë objekte të kultit të cilat i kanë takuar kësaj kryedioqezë. Edhe sot janë disa kisha, disa prej tyre i ka përvetësuar kisha ortodokse serbe. Ato edhe gjatë pushtimit treqindvjeçar të Perandorisë Osmane kanë qenë të rrënuara, ashtu që kanë kaluar në përvetësimin e Kishës Ortodokse Serbe.
Një problem tjetër serioz që lidhet me asimilimin e shqiptarëve të Tivarit është se edhe sot në Katedralen e Vjetër apo të Re nuk meshohet në gjuhën shqipe. Kjo ka ndodhur sepse një numër i madh i besimtarëve që janë shqiptar ose me prejardhje shqiptare vazhdojnë të deklarohen si kroat apo katolik malazez. Kështu popullata vendase e ka përvetësuar meshën në gjuhën kroate dhe asaj i duket më lehtë për ta kuptuar.
Lajm i mirë dhe i gëzueshëm ishte nisma e argjipeshkvit aktual të Argjipeshkvisë së Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj për mbajtjen e meshës në gjuhën shqipe në ora 8,00 në kishën që ndodhet në oborrin e rezidencës. Mirëpo, besimtarët vendas që janë të lindur dhe të rritur në Tivar nuk kanë treguar interesim. Ata që kanë marrë pjesë në meshë në gjuhën shqipe kanë qenë vetëm ndonjë besimtar nga Kosova ose Shqipëria. Imzot Rrok Gjonleshaj është përpjekur që gjuhën shqipe ta bëjë pjesë edhe të rasteve të veçanta, siç janë krishtlindjet, pashkët… Nga mosinteresimi i besimtarëve të asimiluar kjo nismë fisnike e argjipershkvit nuk u jetësua.
Procesi i asimilimit të shqiptarëve katolik i ka rrënjët shumë të hershme. Gjurmët e tij, sipas historianëve, i gjejmë që në shekulin XII, kur edhe këtu ndodhi pushtimi sllav, kur Stefan Nemanja e sulmoi me ushtri. Siç tregojnë kronikat serbe bashkëkohore të kohës, kur kanë ndodhur ngjarjet, Nemanja arrestoi dhe burgosi fisnikërinë vendase, Klerikët vendas i përzuni nga kishat, dhe ndërtoi kishat ortodokse, në të cilat vendosi priftërinjë ortodoksë. Kështu ka vazhduar të jetë deri në shekulin XIV, deri me shembjen e Perandorislë Serbe të Stefan Dushanit. Këtë presion të fortë ndaj tyre arriti ta lehtësojë apo ta zbusë për një periudhë të caktuar, gjatë pjesës se dytë të shekulit XII, princesha françeze Helena D’Anjo (e njohur si mbrojtëse e fortë e katolikëve). Nga ajo periudhë asimilimi i shqiptarëve të Tivarit vazhdon me mjetet dhe metodat më përfide.
Si pasojë e kësaj politike të vazhdueshme të asimilimit të Tivarit dhe të zhdukjes së çdo gjurme shqiptare në këtë qytet ndodhi edhe Masakra e Tivarit ( ndër masakrat më të ashpra të popullsisë shqiptare), e cila as sot nuk e ka marrë përgjigjen e duhur. Në Tivar nuk ka qoftë edhe një pllakatë të thjeshtë e cila do të kujtonte këtë masakër.
Të gjitha këto dhe presione të tjera ndaj shqiptarëve katolikë, siç janë edhe përvetësimi, rrëmbimi dhe marrja e pronave të shqiptarëve katolikë nga ana e shtetit në periudha të ndryshme historike kanë bërë që në Tivar, bazuar në regjsitrimin e vitit 2011, ka vetëm 121 shqiptar, apo 0,89 % të popullsisë së përgjithshme. Ky numër i papërfillshëm (simbolik) i shqiptarëve në Tivarin e sotëm është treguesi më rrënqethës i zhdukjes me çdo kusht nga faqja e dheut të këtij qyteti të çdo gjëje (gjurme) shqiptare.
Tivar, 8 shtator 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura