PROF.DR.MYSLIM PASHA: DEMARKACIONI I KOSOVËS ME MALIN E ZI – PRELUD I HUMBJES SË MADHE

Tiranë, 3. 6. 2016: – TIPOLOGJI NGJASHMËRIE – Si kësaj pranvere, nga e cila po dalim, shtatë vjet më parë, këtu në Shqipëri u hodhën fishekzjarrë kur u firmos marrëveshja për ndarjen e kufirit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë. Të nesërmen e saj, kur boja s’qe tharë, klithi deti i dhimbjes dhe filloi një udhëtim tjetër i vështirë për të gjetur se si ishte gatuar tradhtia kombëtare, se si kishin ardhur kumtet hartografike, se si kish mbërritur kali i Trojës duke përndarë koordinata deri në mes të Otrantos. Pas kësaj, kufiri detar nuk u shenjua, por u shënua vetëm kufiri i turpit politik të një Qeverie dhe të një njeriu të trazimit djallëzor, që vijon ende të jetë në diktimin politik, Sali Berishës, kur historia e drejtësia nuk do t’ia dijë për veprën e tij të krimit. Ç’erdhi më tej? Kufiri nuk u nda. Marrëdheniet me Greqinë për fajin e Shqipërisë u përkeqësuan, dhe përfytyrimet e ndarjes detare kanë marrë udhën, për në Kalendat Greke.
Po ç’ngjashmëri na vjen me Kosovën, “Gjakun që nuk falet” dhe si parakalojnë ca fakte të dhimbshëm që na fajësojnë në histori ?
Me shpejtësinë e dyshimtë, me ngutjen teknike, me harresën historike, me dëshirën për përfitim politik, u arrit që Marrëveshja kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi të nënshkruhet në Vjenë, pa tejdukshmërinë dhe pa kujdesin thelbor për këtë proces aq të vështirë dhe aq të ndjeshëm, e më tej u përcollën firmat e Hashim Thaçit e Skënder Hysenit.
Le t’i qasemi, këtu, ngjashmërisë.
Ashtu siç e kishin dëgjuar në vitin 2009 Sali Berishën që ulërinte para shqiptarëve me kompas në dorë “se Shqipëria nuk kishte humbur asnjë milimetër nga ndarja detare me Greqinë “ edhe Qeveria e sotme e Kosovës, përmjet Kryeministrit të saj kumton “se Kosova s’ka humb asnjë milimetër nga sipërfaqja e saj, me Demarkacionin me Malin e Zi “.
Ndërkaq është shenjuar dëmi i madh që po ndodh në të sotmen dhe ardhmërinë e Kosovës nga ky hap kaq i përshpejtuar, nga ky vetplagim, që e ka trazuar aq shumë politikën e sotme, e ka zhgënjyer Evropën, e cila nuk ka faj, teksa shikon se Demarkacionin e kanë kaluar në duar ekspertë të Qeverisë dhe se është firmuar nga njerëz të epërm të politikës, dhe ndaj kanë vënë edhe kushtin fatal të VIZAVE në këtë shënjim antikombëtar të Kufirit.
NGJASHMËRIA E DYTË E GREMISJES
“Demarkacioni …” i Kosovës, nuk është një problem në ngutje, kur dihet se është aq kompleks dhe aq i ndjeshëm për Kosovën e Re.
Shtete të tjerë kanë shekuj që s’i kanë zgjidhur ende kufijtë sepse prishen interesa të tyre.
Ka shembuj që rrëfejnë se një shkëmb a një ishull, se një istëm dhe një kurrizore mund të jetë bërë shenjë konflikti e pambarimtë midis shteteve.

Fati i Kosovës dhe integritetit të saj është tejet i ndryshëm dhe tejet dramatik, megjithë fitoren aq të madhe të Mëvetësisë së saj. Shqipëria një shtet vetëm njëshekullor dhe u habit e çakërriu sytë për një shkëmb që e mbyt deti në baticë dhe e çliron sërish në zbaticë, ky ishte “Barketa” për të cilën përfaqësues ekspertë të shtetit, deklaruan se “ I ka takuar Greqisë “ (që e kish pushtuar se askush nuk ia kish dhënë me të Drejtë Ndërkombëtare)
Tani prapë vjen ngjashmëria e Dheut dhe e Bjeshkës së Namun e cila në ujëmbledhjen e madhe, ka mbetur jashtë Kosovës. Atje në Kërsh… në jetë të jetës, do të vajtojë Çakori, Kulla dhe ashtu e varur, Belluha (Bali Uka!) do të verë gishtin tek braktisja që iu bë. Tani procesi po shkon në zhytje… përditë e përditë.
Ekspertët e Shtetit të Kosovës, janë të lumtur duke rrëfyer dosjen me harta të Ish Jugosllavisë për të bindur bashkësinë se sa të vërtetë janë sjellë me këtë Demarkacion, e po ashtulloj, kur dëgjojnë se edhe ekspertë të huaj paskan thënë se “kufiri është në vendin e duhur”.
Ndërkaq Qeveria shpejton ta çojë në Parlament, e t’i jepet me dorën e Kosovës çelësi i përftesës humbëse e tragjike, në këtë Demarkacion.
“KUSHTI”, ashtu sikundër iu vu Shqipërisë në rastin e Greqisë, po e njëjta mënyrë, ka ardhur në rendin e ditës së Kosovës: “Firmos! Ratifiko! që të marrësh Viza!“
A ka vend vallë, një kusht të tillë, një Kusht që prêt, që të gjunjëzon që të përçmon…dhe ti duhet ta pranosh! Në Shqipëri arritëm ta ndalim këtë “Pazar” antikombëtar. Po në Kosovë ! ?
NGJASHMËRIA E TRETË
Unë jam hartograf i një shteti tjetër dhe nuk kam dëshirë të ndërhyjë në jetën politike a ekzekutive të Kosovës, por s’mund të hesht në argumentet thelborë hartografikë dhe gjeohistorikë, duke i shpalosur ato, ashtu sikundër po bëjnë studiues të njohur të Republikës së Kosovës që kundërshtojnë “demarkacionin”.
Në këtë hulli, kur shoh një hartë të re, e quaj portret të atij vendi a mjedisi. Mirëpo mendja ime dhe përfytyrimi gjithherë më shkon se “ ku është origjina”, “ku është harta e burimit të parë!? “Ndaj më habit grumbullimi dhe shfletimi i shumë hartave topografike të ish Jugosllavisë, të cilat në kohë të ndryshme “thonë të njëjtën gjë…” atë kufirin që tani ky komision e ka firmosur.
Po, ma merr mendja se ata e dinë se ajo është hartë e diktuar nga ndryshime dhe interesa të asaj kohe, kur nuk përfillej Kosova, se ajo ishte e shtypur dhe gjeohapësira e saj administrative, pas viteve dyzetë ishte ndër duar të Serbisë, ku s’ishte e mundur të përfilleshin kufijtë e saj gjeohistorikë. Kosova nuk ishte element konstituiv i Federatës Jugosllave por vetëm një “Krahinë”, e cila s’mund ta bënte ndonjë vizatim shenjash kufiri, as të shikonte jo se jo! për të përfshirë në “Watershed”-in gjeografik Çakorrin dhe Kullën…kur kadastra serbo-malaziase gllabëronte e pronësonte në faqet e Bjeshkës.
Në këtë diskutim, në ngërç, me firmë gati të fikur, Institucionet studimore kosovare janë gojëkyçur, të kapura, kur ato duhet të flisnin me zë të plotë. Ato duhet ta ndihmonin Kosovën e tyre, por edhe opinionin ndërkombëtar,
Ndodh e njëjta gjë, sikundër në Shqipëri, kur që nga Akademia e Shkencave, tek Universitetet, Institutet, mbajtën një qëndrim heshtjeje dhe indiferentizmi që s’rrëfehet dot me fjalë, sepse sytë dhe mendjen e tyre të grisur e kishin tek diktati politik duke harruar se sa dëm i shkaktuan çështjes kombëtare.
PSE KY SHPEJTIM? PO TEJDUKSHMËRIA E PROCESIT?
Duhet ta sjellim një përvojë nga Shqipëria që edhe pse është e dhimbshme, por ama, mund të vlejë si mësim. Në këtë kohë të vështirë kur Qeveria e Kosovës e ka firmosur “prerjen e Bjeshkës” ne apelojmë për kujdes, për mosshpejtim, mbasi jemi në zgrip të një moment historik.
Është shumë më tepër se një Shën Naum!
Para shtatë vjetësh ne ju drejtuam Parlamentit, Ata në fillim nuk na përfillëm, iu drejtuam Institucioneve, por ato heshtën, ne u përpoqëm që të krijonim ndjeshmërinë e duhur jo për alarm, por për vlerësim të situatës, për t’u qartësuar. Parlamenti i Kosovës duhet të dëgjojë, se askush nuk ka të drejtë të diktojë veç popullit që i ka zgjedhur.
Ja se ç’thotë njëri nga ekspertët ndërkombëtarë: “E di që debati për kufijtë mund të jetë shumë i vështirë. Kam përvoja personale në këtë pikë. …Kemi sjellë ekspertizën profesionale. Kemi takuar akademikët, profesionistët, kemi folur lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kemi diskutuar edhe me qytetarë të shqetësuar, sidomos me persona ku jetojnë në rajonin ku po bëhet demarkacioni, bashkë me ekspertët tjerë kemi udhëtuar edhe vetë për të parë kufirin dhe kemi marrë përshtypjet e dorës së parë. Është një proces i rëndësishëm….” (Fletcher Burton, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Demarkacion). Mund të vihet re se sa ndjeshëm e thotë ai këtë shqetësim që e kanë vënë re, çka na tregon se edhe ai e ka kapur situatën.
Por situata është bërë edhe më e vështirë.
Diskutimet duhet të jenë të tejdukshme, shkencore, ballafaquese, për të depërtuar në thelb të çështjes së Demarkacionit, për të parë gravitetin e interesave të Kosovës, por, ama, asnjëherë në kurriz të të tjerëve (në këtë rast të Malit të Zi )
Aq më tepër që shumë dokumente hartografikë si origjinë përqasjeje i takojnë burimeve nga vet Mali i Zi, që është palë…) por që asnjëherë nuk janë paraqitur në diskutimet e komisioneve përkatëse.
Studiues! Largojuni integralit politik! Vështrimi shkencor do t’u kthjellojë mendjet! Ju mbani përgjegjësi para popullit dhe historisë!
*) Autori është Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës, kolonel në lirim i FA, oponenti i Marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009-2010.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura