GJEKË GJONLEKAJ: AT ATHANAS GEGAJ (PHD) 1904 – 1988

New York, 9 shkurt 2018: (Në 30 vjetorin e vdekjes) – Emëri i pagëzimit i Athanas Gegaj ishte Lucë Gegaj. Emrin Athanas e kishte marrë në kohën kur ishte bërë meshtar. Lucë Prëloka siç e quanin në Triesh kishte lindur në vitin 1904. Pas shkollës fillore në vendlindje, babai e kishte dërguar në Shkodër në shkollën frannçeskane. Përpara tij në atë shkollë kishte mësuar vëllau i madh Kolë Gegaj. Pas një kohe të shkurtër Lucë Gegaj u dallua si nxënës i shkëlqyeshëm. Patër Gjergj Fishta i kishte thënë babait të tij Prëlokë Gjeloshit fjalët më të mira për Lucën. Familja e tij ishte e mirënjohur në Triesh, sidomos për trimëri. Pavarësisht se në atë kohë përkushtimet e tilla fetare ishin të vështira, ata ishin ndjerë mirë për sukseset e tij.
Pas mbarimit të Liceuet Ilyricum në Shkodër, Lucë Gegaj ishte regjistruar në Fakultetin e Teologjisë në Romë. Edhe atje kishte qënë student i mrekullueshëm. Pas përfundimit të studimeve të larta teologjike në Romë, At. Athanas Gegaj ishte kthyer në Shqipëri për të vazhduar detyrën e tij prej meshtari. At. Gegaj kishte shërbyer në vise të ndryshme të Shqipërisë por më në fund ishte vendosur në Shkodër. Autoritetet e larta fetare e kishin kërkuar në Shkodër për të dhënë mësim lëndën e historisë në Gjimnazin Françeskan. Në fillim të viteve 30’të kishte filluar bashkëpunimin me revistën “Hylli i Dritës”. Ishte njëri prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të asaj reviste. Ai ishte shumë i nderuar për shkrimet e tij serioze. Ndonjëherë kishte qënë i ashpër kundër atyre që e sulmonin me shkrime në revistën “Leka” ose në gazetat e revistat tjera të Shqipërisë. Këtu në Shtetet e Bashkuara kisha takuar meshtarë e qytatarë të Shqipërisë të cilët kishin qënë nxënësit e tij në Shkodër, bile At.Zef Pllumbi i cili fliste me respekt për profesorin e tij të historisë Athanas Gegaj. At. Pllumi e përmend shumë herë në veprat e tij botuar në Shkodër. Në atë kohë bota shqiptare nuk kishte bërë studime të mjaftueshme për Gjergj Kastriot Skendërbeun. Athanas Gegaj ishte i vetëdijshëm se mund të bëhej diçka më shumë për të hedhur dritë mbi të kaluarën e heroit tonë kombëtar. E shqetësonte fakti që ishte bërë aq pak për trimin legjendar të shqiptarëve.
At.Athanas Gegaj kishte kërkuar leje nga autoritetet e larta fetare të Shqipërisë për të filluar një turne akademik prej shkencëtari nëpër arkivat dhe bibliotekat e qyteteve evropiane ku ishte ruajtur historia e Skendërbeut. Kolegët e kishin mbështetur për këtë hap të madh e të guximshëm. Pa vonesë në fillim të viteve 30’të ishte regjistruar në Universtetin Louvain të Belgjikës për të specializuar periudhën historike më të lavdishme të popullit shqiptar. Në këtë Universitet që sot e kësaj dite është Universitetit më i madh në botë i këtij lloji, Athanas Gegaj kishte paraqitur disertacionin e doktoratit me titull: “L’Albanie et I’Invasion turque au XV ‘ siècle”. (Shqipëria dhe invazoni turk në shekullin XV). At Athanas Gegaj në vitin 1936 e kishte mbrojtur me shumë sukses tezën e tij të doktoratit pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Univesitetin e Louvan-it. Pasi e kishte mbrojtur me sukses tezën e tij, autoritetet akadamike të atij universiteti i kishin dhënë titullin doktor i shkencave të historisë. Një vit më vonë në vitin 1937, kjo vepër shkencore ishte botuar frangjisht në Paris. Natyrisht se ishte pritur mirë nga historianët shqiptarë dhe të huaj. Menjëherë pas kthimit në Shqipëri Ahmet Zogu e kishte pritur Dr. Athanas Gegaj me nderime të larta në Pallatin mbëretëror. Ky françeskan malësor shqiptar u kishte rënë në sy shumë zyrave të larta fetare dhe kombëtare. Kohanikët e tij kishin treguar për një episodë në Kishën e Brigjes në Hot. Ata kishin treguar se 2 xhandarë të kohës së Zogut kishin hyrë në kishë dhe gjatë meshës kishin folur e bërë zhurmë, si të kishin qënë në rrugë. At. Gegaj e kishte dëgjuar zhurmën e tyre. Ai vet ishte ballafaquar me ta dhe i kishte nxjerrë jashtë. Ata ishin larguar dhe e kishin paditur At. Gegaj tek autoritetet e larta, por Drejtoria e Policisë në Shkodër i kishte shkarkuar menjëhërë nga detyra. Ky akt i guximshëm i Athanas Gegaj ishte bërë i ditur në gjithë Shqipërine.

AT ATHANAS GEGAJ (PHD) 1904 – 1988

Por kulmin e trimërisë At Athanas Gegaj e kishte treguar më 7 prill te vitit 1939, Ditën e Pashkëve, që ishte dita e parë e pushtimit fashist të Shqipërisë. Në atë kohë At. Athanas Gegaj ishte meshtar në Kishën e Madhe të Shkodrës. Natyrisht se ai e kishte thënë meshën e kësaj feste të madhe dhe nuk pritej që gjatë meshës At.Gegaj do ta sulmonte ashpër me fjalë Benito Musolinin dhe sulmin fashist kundër Shqipërisë. Sigurimi fashist kishte qënë brenda në kishë, dhe pasi kishte mbaruar mesha dhe At. Athanas Gegaj e kishte zhveshur uniformën fetare, ata e kishin arrestuar në oborrin e Kishës së Madhe në Shkodër, duke i vënë prangat dhe e kishin çuar në burgun e atij qyteti. Pas tri javësh e kishin dërguar në Tiranë dhe pas pak kohe e kishin internuar në një kamp të Italisë. Tre meshtarët e mirënjohur shqiptarë françeskanë: Patër Lekë Luli, At. Athanas Gegaj dhe At.Gjon Shllkau kishin qënë anti-fashist edhe më përpara se Italia të sulmonte Shqipërinë. Bile Patër Leke Luli ishte bashkuar me forcat nacionaliste të Abaz Kupit në luftë kundër fashizmit dhe kundër komunizmit. Patër Lekë Luli ishte vrarë nga terroristi komunist i Kosovës Mehmet Hoxha. Patër Gjon Shllaku ishte dënuar me vdekje nga regjimi i Enver Hoxhës, ndërsa At. Athanas Gegaj ishte dënuar me mërgim të përjetshëm. At. Gegaj kishte kërkuar ndihmë për lirimin e tij nga autoritetet e larta fetare të Shqipërisë, bile drejtëpërsëdrejti nga Patër Gjërgj Fishta. Mosinteresimi i tyre e kishte zhgënjyer. Patër Athanas Gegaj kishte qëndruar për një kohë të gjatë në burgje dhe në kampe përqëndrimi në Itali. Në Itali Dr.Athanas Gegaj u largua nga detyra e meshtarisë dhe u martua me një grua italiane. Vëllau i tij Kolë Gegaj kishte qënë fetar i madh dhe ishte larguar nga kjo jetë pa ia falur atë gabim. Edhe pse kishte qënë Prof.Dr. dhe shumë i njohur në Shqipëri, Kola pak herë mund ta ketë përmendur emërin e tij. Dr.Gegaj i mbante lidhjet me vëllaun e tij më të vogël Gjergjin i cili kishte qënë komunist dhe antifashist. Gjergji mbante lidhje të ngushta familjare me Athanasin, bile e kishte vizituar në Romë. Gjergji ishte i njohur në Mal të Zi, malësorët e nderonin për disa vepra të mira që kishte bërë në Malësi në vitin 1945. Gjergj Gegaj nuk e kishte sllavizuar kurrë mbiemërin e tij siç kishin bërë disa malësorë shqiptarë në Mal të Zi.
Dr. Athanas Gegaj gjatë kohës sa qëndroi në Itali bashkëpunoi me organizatat nacionliste antikomunste. Ndërkohë kishte punuar për radio-emisionin “Evropa e Lirë”. Edhe Gegaj si shumica e shqiptarëve antikomunist imigroi në Shtetet e Bashkuara. Në New York u bashkua me elitën kulturore antikomuniste të shqiptarëve dhe në vitin 1963 u emërua editor i gazetës “Dielli”. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1971. Pasi mbaroi këtë punë u kthye në Evropë. Për disa vjet ishte sekretar i Leka Zogut në Madrid. Pas shërbimit në Madrid u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe u vendos në Santa Monica të Kalifornisë ku jetoi deri ditën e fundit të jetës më 28 janar të vitit 1988.
Në New York në bashkëpunim me Profesor Dr. Rexhep Krasniqin botuan nje libër për historinë e Shqipërisë. Dr. Athanas Gegaj ishte editor i “Diellit” dhe sekretar i Organizatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. Ai ishte shumë i nderuar në shoqërinë shqiptaro-amerikane antikomuniste. Udhëtonte kudo në shtetet amerikane ku kishte shqiptarë. Qëndronte në këto qytete ditë të tëra për të mirën e “Vatrës” dhe “Diellit”. Shumica e këtyre udhëtimeve dhe sukseseve janë të shënuara në gazetën “Dielli” të asaj kohe. Dr. Athanas Gegaj kishte lidhje e miqësi me elitën kulturore, fetare dhe financiare të Bostonit. Ai kishte marrëdhënie të mira me Imzot Nolin, Christo Thanas, Peter Çikos dhe Anthony Athanas. Edhe në të kaluarën “Dielli” kishte qënë gazetë antikomuniste, por në periudhën e editorit Athanas Gegaj u bë më antikomuniste se asnjëherë më parë. Dr. Athanas Gegaj kishte qënë editori më antikomunist në gjithë historinë e kësaj gazete. Për aktivitetet dhe shkrimet e tij antikomuniste, Dr.Gegaj shumë herë ishte sharë e kërcënuar nga grupet shqiptare marksiste të Amerikës. Ata kishin lidhje me Misionin Komunist të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe ata i orkestronin këto veprime të mbrapshta. Athanas Gegaj në shkrimet e tij tallej me regjimin komunist të Shqipërise dhe me përfaqësuesit shqiptar Behar Shtylla dhe Halim Budo. Athanas Gegaj shkruante në gazetën “Dielli” se dy inicialet e mëdha PP (Partia e Punës) e Shqipërisë kishin qënë simbol i (Dy Pordhave në nji Pe). Propaganda e Shqipërisë e sulmonte vazhdimisht sidomos në revistën e ilustruar “Shqipëria e Re” që shpërndahej jashtë atdheut. Dr. Gegaj në një shkrim botuar në “Dielli” tregonte se Imzot Noli i kishte thënë një dite në kishën e Shën Gjergjit: “Athanas mos fol shqip, fol frangjisht se këtu mund të kemi miq të diktaturës në Shqipëri”. Noli e nderonte Gegaj për faktin se kishte bërë veprën më të mirë historike për Skenderbeun dhe ai si Noli kishte qënë meshtar. Noli kishte qënë antifashist, bile Athanas Gegaj kishte qënë edhe më antifashist sepse për këtë bindje personale kishte qëndruar në burgjet dhe kampet e Shqipërisë dhe të Italisë. Shkrimet e Athanas Gegaj kishin përmbajtje kombëtare, fetare, kulturore dhe demokratike. Ai në shkrimet e tij gjithmonë citonte filozofët dhe poetët antikë. Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe i dy gjuhëve klasike. Në kohën kur kishte jetuar në Kaliforni kishte bashkëpunuar me gazetën “Dielli”, duke vazhduar me ato komentet tij antikomuniste, bile editori i “Diellit, Xhevat Kallajxhiu nuk ia kishte botuar një shkrim kundër Enver Hoxhës. Zoti Kallajxhi tregonte se shkrimi ishte tepër vulgar. Në kohën kur kishte jetuar në Kaliforni kisha lidhje pothuajse të përjavshme telefonike me të. Ishte shumë i përzemërt në biseda telefonike. E adhuronte humorin shqiptar. Tallej me këngët tepër të gjata në lahutë të Mujit e Halilit të babait të tij. Këngët e tij ishin monotone dhe njerëzit e pyesnin, Përlokë a ka fund kjo kangë? Dr.Gegaj e kishte vizituar disa herë motrën time Lenën në Los Angeles,dhe i kishin pëlqyer disa ushqime tradicionale të Malësisë. Sot e kësaj dite ajo i kujton përshëndetjet e tij shumë të bukura dhe të qytetëruara. Prej tij e kishte dëgjuar për herë të parë shprehjen “mbetëshi me shëndet”.
Në pranverën e vitit 1988 e kisha lutur për një intervistë për “Zërin e Amerikës”. E pranoi menjëherë. Në atë kohë Kosova ishte në qëndër të vëmendjes ndërkombëtare. E pyeta për problemet e Kosovës. Athanas Gegaj tha: “Kosova është tokë shqiptare dhe si e tillë ka qënë qysh në kohërat antike. Ai tha:” Kosova është atdheu i Budit e Bogdanit dhe i At. Shtjefën Gjeçovit, është atdheu i Haxhi Zekës, Isa Boletinit dhe Bajram Currit. Kosova është pjesë e Shqipërisë dhe si e tillë një ditë duhet të bashkohet me tokën nënë”. E kujtoj sot e kësaj dite atë intervistë historike me Dr. Athanas Gegaj. Ai mbante lidhje të ngushta me aktivistët shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të robëruara nga Jugosllavia. Dekadën e fundit të jetës e kaloi në vetmi të plotë. Mbante lidhje vetëm me Hasan Dostin dhe me dy tri familje të tjera shqiptare të atij qyteti. Edhe ceremonia e tij mortore kishte qënë tepër private e vogël dhe tepër modeste.
Athanas Gegaj kishte qënë patriot i vërtetë shqiptar. I kishte të gjitha tiparet e patriotëve të Rilindjes sonë kombëtare. Tërë jetën kshte punuar pë të mirën e çështjes shqiptare. Dashurinë e tij për Arbërinë e kishte fituar edhe më shumë gjatë studimeve maratonike shumë vjeçare nëpër Evropë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skendërbeun. Për këtë vepër madhore do të kujtohet përgjithmonë. Do të kujtohet edhe për qëndresën e tij sidomos antifashiste. Ishte intelektual “par exellence”. Pavarësisht se ishte larguar nga detyra fetare Athanas Gegaj kishte mbajtur lidhje të forta e miqësi me klerikët shqiptarë të gjitha feve. Kishte ruajtur respektin e dashurinë për fenë e tij njësoj si në kohën kur kishte qënë meshtar. Ai nuk është trashëguar. Veprimtaria e tij atdhetare dhe intelektuale nuk mund të përfshihet në një shënim si ky. Njohuritë e mia për veprimtarinë e tij kombëtare dhe kulturore nuk janë në nivelin e duhur. Pastaj as ambienti nuk është i përshtatshëm. Për jetën dhe veprat e tij kulturore dhe kombëtare duhet të bëhen kërkime në Shkodër, në Tiranë, në Romë, në Bruksel dhe në Boston e qytete të tjera. Athanas Gegaj meriton studime serioze nga biografët dhe historianët shqiptarë. Ky kolos i kulturës dhe atdhedashurisë meriton studime serioze. Meriton edhe nderimet e zyrave të larta të Shqipërisë dhe Kosovës. Presidentët e Shqipërisë kanë nderuar shumë shqiptarë, meritat e të cilëve ishin shumë të vogëla në krahasim me Dr. Athanas Gegaj. Jam i sigurtë që Skendërbeu sikur të ishte gjallë do t’i kishte dhënë një shpërblim për një vepër aq të mirë kushtuar atij. Edhe ata të cilët kishin bërë vepra antifashiste e antikomuniste siç kishte bërë Athanas Gegaj meritojnë nderime.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura