BEDRI TAHIRI: DY FJALË LEXUESIT PËR KIPTËT E DURRËSIT

Pashtriku, 20 mars 2019: Lexues i nderuar,
Për Kapitët e Durrësit kam shkruar edhe më parë. Madje, atyre ua kushtova mbi gjysmën e librit “Nga Shqipëria në Shqipëri”, i cili, kur u përurua në sallën e madhe të Muzeut Historik në Tiranë, më 2007, qenë bashkuar shqiptarë nga të gjitha Trojet tona Etnike e të të gjitha ngjyrimeve politike, sociale e fetare.
Mirëpo, heroizmi dhe veprimtaria atdhetare e Sadri Kapitit, paskëtaj djemve të tij, që besnikërisht ndoqën rrugën e idealeve të tij, është aq e madhe saqë nuk mund ta futesh dot në një libër. Ata, gjatë luftës heroike të UÇK-së, çdo gjë dhanë nga vetja që ajo të shkonte mirë e mbarë. Lokalet dhe shtëpitë e tyre i vunë në shërbim të vullnetarëve të lirisë. Në to, sidomos në hotel “DRENICA”, u mobilizuan dhe u sistemuan me mijëra luftëtarë të lirisë, vullnetarë shqiptarë e të huaj, të cilët prej aty u nisën për në qendrat stërvitore e për në frontet e luftës në Kosovë.

Edhe pas çlirimit ata nuk pushuan së vepruari në përkujtim të njerëzve dhe ngjarjeve të mëdha kombëtare, në organizim ceremonish përkujtimore për dëshmorët e UÇK- së, për festën kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, për Epopenë e Jasharëve të pavdekshëm, ngritjen e Monumentit të UÇK-së mu në oborrin e hotelit “DRENICA”, mandej si nismëtarë për emërtimin e shkollës 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj“ në Rrashbull, për binjakëzim shkollash mes atyre në Shqipëri e në Kosovë (Vushtrri) etj.

Hilmi Haradinaj dhe Dilaver Goxhaj (ulur) dhe Sylejman, Skënder e Naim Kapiti (në këmbë nga e djathta) ditën e përurimit të shkollës “Vëllëzërit Haradinaj” në Rashbull- Durrës

Duke u bazuar në të gjitha këto, vendosa që të shkruaj këtë libër, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për atë që Kapitët e Durrësit kanë bërë për atdheun dhe kombin. Nga kureshtja e pashuar, edhe njëherë iu riktheva dokumenteve e shënimeve të mëparshme. Dhe, derisa po meditoja e po përpëlitesha për ta gjetur një titull adekuat për librin, në notesin tim të leckosur, hasa në një mendim të Skënder Kapitit, që ma kishte thënë qysh në takimin e parë, fill pas çlirimt të Kosovës. Ai ma kishte shpjeguar kështu atdhetraizmin: “Patriotizmi është dashuria për jetën, familjen, atdheun e popullin të cilit i përkasim; është detyrimi, përgjegjësia e sakrifica për ta, por që dhe atdheu e populli duhet të jenë si prindër për bijtë e bijat e veta dhe që duhet të respektojnë e të jenë mirënjohës, të përjetësojnë e të lartësojnë shembullorët vepërmirë”.
Kjo më ndihmoj që të përcaktohesha për titullin e librit. Pa u hamendur fare e pagëzova “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”. Nëse gjithmonë është thënë se titulli duhet të reflekojë gjithë përmbajtjen e librit, kjo më së miri mund të vërtetohet kësaj radhe. Që nga lashtësia dihet se atdhetarizmi është i pavdekshëm dhe se ai jeton në përjetësi. Sadri Kapiti dhe familja e tij u bën sinonim i atdhetarisë. Një amanet për gjithë brezat e ardhmërisë..
Mirëpo, veprat e mëdha kombëtare, edhe duhet çmuar e respektuar. Praktika jonë, mjerisht, shpeshherë bën të kundërtën. Kjo ngjet me politikën dhe pushtetet, por jo edhe me popullin. Zëri i popullit, zëri i Zotit!
Kështu, nëse Kapitët dhe veprimtaria e tyre kombëtare, në njëfarë mënyre janë vënë në “harresë” nga institucionet, populli u bëri vend nderi në zemrën e tij të madhe. Shoqata e individë, artistë e krijues, profesorë e akademikë, luftëtarë e ushtarakë, veteranë e familjarë dëshmorësh, invalidë e mërgimtarë, kanë akorduar Mirënjohje, Falënderime dhe kanë bërë Kërkesa që atdhetari Sadri Kapiti dhe familja e tij të dekorohen, ndërkaq Hotel “DRENICA” të shpallet Shtëpi Muze e të merret nën përkujdesjen shtetërore!
Se një foto vlen sa njëmijë fjalë e dokumenton Fotoalbumi në fund të librit, i cili pasqyron e argumenton bindshëm aktivitetet e larmishme e të ngjarjeve që janë marrë në shqyrtim.
Lexues i nderuar, unë nuk do të të lodh më shumë. Libri pret gjykimin Tuaj, të cilin e çmoj deri në përulësi.
Autori Galicë, 10 tetor 2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura