UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (IX

Pashtriku.org, 16. 05. 2018: REPUBLIKA DHE LUFTA NË KONTEKST TË EVROPËS – Nga gjysma e parë e këtij viti, në fshatin Billushë të Prizrenit, gjatë një bisede, pyetjet e shumta të pjesëmarrësve reduktoheshin në interesimin e tyre të gjallë mbi mënyrën dhe mundësitë eventuale për jetësimin e Republikës së Kosovës. Natyrisht, kjo bisedë ishte një këmbim joobligues i mendimeve. Ma kishte marrë mendja se do të duhej të kthehej policia e mbrojtja teritoriale, pastaj të formohej një qeveri, e cila do ta merrte mbi vete përgjegjësinë mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe eventualisht të legalizohej Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës. Disa nga këto mendime mund të jenë realizuar, por në mënyrën e vet, dhe pavarësisht nga ajo që kisha menduar unë, gjë që do të thotë se të tjerët jo vetëm që mund të kenë pasur mendime të ngjashme, por edhe të elaboruara, meqë vetë nuk e kisha bërë elaborimin e mendimeve të mia, në qoftë se përgjigjet e rastit në pyetjet e shumta që më shtroheshin, nuk do të konsideroheshin si të tilla. Në ndërkohë kishte përfunduar me sukses të plotë referendumi gjithëpopullor për Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës; ishte zgjedhur qeveria dhe ishte emëruar kryetari i saj dr. Bujar Bukoshi, kurse Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e kishte bërë njohjen e Republikës së Kosovës. Dukej se gjërat do të venin mbarë… Megjithatë, komentet e politikës serbe për referendumin dhe ato që pasuan më pastaj kishin qenë mospërfillëse, ndërsa ndonjëherë edhe ironike. Ato flisnin për një republikë “joekzistuese” të Kosovës, ose për “Republikën në letër” të Kosovës! Një gjë e tillë nga kundërshtarët politikë edhe mund të pritej. Mirëpo nuk mund të pritej prej tyre edhe moslejimi i vijimit të mësimit për nxënësit dhe studentët. Pavarësisht nga arsyetimet e ndryshme dhe fajësimi i alternativës kosovare, kjo nuk mund të arsyetohej me asgjë. Zhvillohej vallë një luftë për të vajtur në Evropë në një ose në shumë mënyra, apo për t’a ruajtur errësirën mesjetare në trojet e Ballkanit? Pastaj nuk mund të arsyetohej vazhdimi i heqjes nga puna të mësimdhënësve të Universitetit, pastaj mbyllja e tij e mëvonëshme dhe suprimimi i Akademisë së Shkencave; nuk mund të arsyetohej as mizerja e luftës në Kroaci, as keqësimi i vazhdueshëm i gjendjes ekonomike të popullsisë dhe as ikja masive e rinisë shqiptare në Perëndim. Mbi të gjitha, nuk mund të pritej pajtimi me një gjendje të tillë, e cila vazhdimisht është duke ecur drejt një lufte të përgjithshme në Ballkan dhe ndoshta edhe në Evropë.
Të gjitha këto e rëndojnë për së tepërmi situatën politike në Kosovë. Madje edhe politikisht, përmes ekranit të TV-së, u shqyrtuan mundësitë për hapjen e “frontit të jugut” dhe u përgënjeshtruan pastaj nga funksionarë të lartë të LDK-së, por gjërat ecin me logjikën e tyre të brendshme pavarësisht nga prognozat dhe përgënjeshtrimet. Atmosfera e rëndë politike në Kosovë megjithatë nuk është vetëm refleksion i luftës në Kroaci, i gjendjes në Jugosllavi, i mosjetësimit akoma të Republikës së Kosovës, por edhe i faktit se gjërat pothuajse ngecën, si dhe i faktit se atmosfera e tillë e rëndë politike tashmë me të dy këmbët është futur në dekadën e dytë. Përse e kemi situatën të këtillë? Përse po zgjat kaq shumë ajo, dhe sa do të duhej pritur akoma? “Të presim edhe dy-tre vjet” -u thoshte fshatarëve të mi një titist i flaktë i dikurshëm që u shndërrua tani në një demokrat edhe më të zjarrtë “dhe pastaj do të jetë aq bukur… do të bëhemi të fortë!”
Fëmijët si peng
Këto fjalë menjëherë ma përkujtuan situatën e fëmijëve të mi: Andinin 5- vjeçar dhe Brisildën 1,5 vjeçe. Ata i kishte marrë nëna e tyre dhe i mbante te prindërit e vet. Ishte hidhëruar dhe më kishte braktisur. Kur i kisha lutur disa titistë të dikurshëm dhe demokratë të tanishëm të ndërmjetësonin dhe së paku të m’i kthenin fëmijët, më ishin përgjigjur: “Prit edhe dy-tre vjet, pastaj djali do të vijë vetë ke ti, kurse pas dy-tre vjetëve të tjerë do të vijë edhe çupëza!”. Mirëpo e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me vajzën time 10-vjeçare – Erletën, nga martesa e parë. Në vitin 1981 ia kishin zënë peng (burgosur) babanë. Në vitin 1985 e kishin zënë peng atë, pikërisht sikurse Andinin – në moshën 4,5 vjeçare. Kisha pritur të kthehej, por ndërkohë ishte tëhuajsuar tërësisht dhe tani nuk njiheshim më në mes vete. Erletën nuk e njihja edhe ngaqë e kisha braktisur si foshnjë 7-muajshe. Ndërkaq zëri i Andinit akoma më është i freskët. Kur një herë kishte arritur të ikte për të më vizituar në shtëpi, e pata vështruar nga dritarja: e puthte një shtyllë betoni që dikur e kisha ngritur për të shënuar mezhdën. Pastaj në çdo dhjetë hapa përkulej dhe si i babëzitur e puthte dheun duke bërtitur “O Babiiiiiiiii!”. Më në fund i puthi disa herë dyert e hyrjes dhe më kërceu në qafë. Nuk kisha mundur t’ia ktheja asnjë përgjigje. E doja për së tepërmi. Natyrisht, kisha pasur rrugëdalje por duhej që të bardhën ta quaja të zezë dhe të zezën të bardhë. Kishte pasur edhe një rrugëdalje tjetër, por duhej që edhe e ëma e tyre gjërat t’i emërtonte drejt, me emrin e tyre të vërtetë. Mirëpo kjo ishte treguar e pamundur dhe tani vuanin fëmijët. Duhej të prisnim edhe dy-tre vjet, pastaj edhe dy-tre vjet të tjerë, dhe sipas disave “do të bëheshim të fortë, shumë të fortë”, por me kusht që të mos tëhuajsoheshim tërësisht dhe që akoma të njiheshim në mes vete…
Republika si peng
Nuk e di tashmë saktësisht se në cilin vit ishte zënë peng Republika e Kosovës. Nuk e di as se kush saktësisht mund ta ketë zënë peng atë dhe se a thua mund të ishte e vërtetë fare se ajo ishte zënë peng nga ndokush që nuk e prisnim? Mirëpo, ishte e sigurt se ajo ishte e zënë peng. Gjithashtu e dija se gjatë dimrit të kaluar njëri nga ish-funksionarët e lartë titistë në revistën «Republika» të Salih Kabashit kishte deklaruar se ata (d.m.th. titistët) nuk e kishin dashur Republikën me stalinistët. Bislim Elshani, redaktor i «Demokracisë Autentike», i ishte përgjigjur drejtëpërsëdrejti me pyetjen se cili ishte vallë kriteri me të cilin e matnin ata patriotizmin e tyre? Shumë më vonë një funksionar i lartë i LDK-së, në intervistën e vet në një gazetë në gjuhën shqipe, kishte deklaruar se nuk e kishin dashur Republikën brenda federatës jugosllave. Ky kishte pandehur se çdo ide për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë do të ishte profane, ndonëse gazeta që ia botonte këto mendime shtypej në Prishtinë, nën patronazhin e Serbisë, e cila luftën në Kroaci e arsyetonte me qëllimin e ruajtjes së atij integriteti. Ndërkaq «Demokracia autentike» që ishte vënë në funksion të Republikës së Kosovës pa e cënuar këtë integritet, ishte heshtur. Ishte heshtur gati çdo mendim i pavarur që nuk i kishte rrënjët në Perëndim por në Kosovë; që hotelin «Grand» nuk e kujtonte për «Hayat Regency» dhe që Prishtinën nuk e merrte për Paris. Kjo nuk do të thoshte se Prishtina s’do të duhej të bëhej Paris. Do të thoshte vetëm se duhej filluar nga fakti se akoma nuk ishte bërë. Në të vërtetë shpeshherë mendimet e tilla etiketoheshin si staliniste dhe «serbo-sllavo-komuniste», pavarësisht nga fakti se komunizmin nuk e kishin lindur sllavët por gjermanët, përkatësisht hebrenjtë në Gjermani, dhe se sllavët vetëm sa e kishin huazuar këtë ide me qëllim të ruajtjes së kufijve të Carit të tyre të madh dhe pothuajse po atë çast e kishin “shitur”. (Shumë teorikë të njohur të politikës ndërkombëtare marrëveshjen e Brest-Litovskit të vitit 1918, nënshkrimin e së cilës e kishte urdhëruar Lenini, e konsideronin si “shitje” të revolucionit gjerman. Karl Libknechti dhe Roza Luxemburgu, por edhe shumë të tjerë, kishin mbetur të habitur, por kjo ishte arsyetuar me interesat e paqes dhe të revolucionit të ardhshëm botëror. Ngjashëm ishte injoruar edhe Revolucioni hungarez i po atij viti). Mirëpo “njohësit” e komunizmit të kohës së dështimit të tij këtë e bëjnë me qëllim të identifikimit të tij me të keqen nacionale, duke fshirë çdo gjë pozitive nga kjo kohë me një lëvizje të thjeshtë pene. Pastaj do të dëshironin që ndonjë gjeneral Schwarzkopf t’i fshinte mbeturinat e komunizmit në Ballkan. Pas kësaj do të pajtoheshin me çdo gjë që do t’u ofronte Lordi Carrington, sepse nuk mund ta marrin me mend ndonjë republikë me “stalinistë” ndërkaq “stalinist” ata e quajnë cilindo që nuk është i mendimit të tyre. Në këtë mënyrë, ndonëse të gjithë përbetohemi në demokraci, bëhet gati e pamundur të dihet se kush dhe përse në të vërtetë e mban peng Republikën? Si rezultat i natyrshëm i këtij “animi” të tepruar, uniteti dhe homogjeniteti me të cilin lavdërohemi duket se nuk mbështetet mbi këmbë të sigurta. Uniteti rreth idesë e cila do ta fshinte një të kaluar të tërë duke e shpallur si mishërim të së keqes nacionale, duhet thënë hapur, është fare jashtë hapësirës, ndonëse mund të ketë unitet rreth mendimeve, ideve, pra edhe veprave që i artikulojnë synimet e vërteta të popullit dhe që dalin nga ai, por jo rreth “aksioneve të mbuluara” (covert action). Ato mund të jenë ndihmesë efikase e ndonjë politike të caktuar por jo edhe zëvendësim për politikën dhe as për idenë. Ky është njëherësh edhe kuptimi që Abraham Lincolni në kohën e vet ia dha demokracisë. Kjo e vërtetë po shpërthen pakëz ngadalë, por do të shpërthejë. Shpërthimi i saj doemos do ta vërë Republikën e Kosovës në raport të drejtë me situatën politike, e cila pa dyshim se do ta çlirojë.

Republika dhe princi
Në një nivel serioz të shqyrtimit të çështjeve, pyetje të tilla si ato të shtruara më lart janë indikatorë me rëndësi të gjendjes së dhënë si dhe të atmosferes dhe të situatës politike në përgjithësi. Mirëpo janë edhe diçka tjetër – një ndihmesë e rëndësishme për zbërthimin e problemeve. Branko Kostiqi, Nënkryetar i Kryesisë së Jugosllavisë (së cunguar), në një emision të TVB-së, pakëz më heret, i përsëriti qëndrimet e njohura të politikës serbe lidhur me Republikën e Kosovës: “Shqiptarët duhet ta kuptojnë, -tha ai, -se Republika e tyre është Republika e Serbisë, e definuar me kushtetutë si republikë e qytetarëve të saj”. Në kontekst të ofensivës së forcave të armatosura në territorin kroat (zhbllokimi i kazermave), fjalët e tij mund të kuptoheshin si vendim – rezolutë për zgjidhjen e krizës jugosllave në mënyrën serbe. Ndërkohë ky vendim u formulua si qëndrim me të cilin politika serbe rezervohej nga propozimet e Lordit Karrington në Konferencën e Hagës mbi Jugosllavinë. Si pretekst u morën dokumentet me të cilat garantoheshin të drejtat e pakicave kombëtare në Evropë. Ndërkaq, edhe më vonë, me nënshkrimin e tij, lutej Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të vendoste mbi dërgimin e helmetëkaltërve në rajonet e luftës në Kroaci. Politika serbe bënte çmos që ta ruante integritetin territorial të Jugosllavisë, tani jo më si opcion adekuat për popujt e saj por vetëm për serbët! Ndërkaq, Princi Tomisllav Karagjorgjeviqi në Oplenac, vizitës së të cilit TVB i kishte dhënë rëndësi të veçantë, deklaronte si nën buzë, gati me druajtje, por në mënyrë rezolute, se “Serbia do të bëhej shtet i fortë, më i forti në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë, do ta shihni!”. Dukej se princi plak Tomisllav Karagjorgjeviqi e besonte me gjithë mend një gjë të tillë. Ai nuk tha asgjë për shqiptarët, dhe as për Republikën e Kosovës. Dukej sheshazi se Republika e Kosovës kundërshtohej në mënyrë rezolute, dhe kjo mbështetej mbi forcën e armës së armatës jugosllave. Princi serb këtë me siguri e dinte. E dinte edhe politika serbe se edhe shqiptarët e kishin një mbret, ndonëse nuk e di nëse e kishin edhe ndonjë princ. Mbreti shqiptar – Leka I Zogu, me siguri se ishte po aq, në mos edhe më i fortë, se ai princi tjetër i serbëve – Aleksandër Karagjorgjeviqi; po aq, në mos edhe më i gjatë se ky. Edhe mbreti i shqiptarëve – Leka I Zogu, e ëndërronte një republikë të fortë shqiptare, “më të fortë në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë, do ta shihni!”. Princi serb mund ta gjente, në mos Sllobodan Millosheviqin, atëherë ndonjë kryetar tjetër të Serbisë, për t’i sendërtuar ëndrrat e tij. Mirëpo edhe mbreti shqiptar mund ta gjente, në mos Ramiz Alinë, atëherë ndonjë kryetar tjetër të Shqipërisë, për t’i sendërtuar ëndrrat e tij. Edhe shqiptarët e kishin një armatë dhe një popull hiç më të vogël dhe hiç më pak luftarak se sa ai serb. Serbët thirreshin në të drejtat historike mbi Kosovën, por shqiptarët kanë më tepër të drejta historike mbi Kosovën, ndërkaq kanë edhe të drejta legjitime që dalin nga realiteti i sotëm politiko-demografik. Serbët e shpresojnë përkrahjen e Rusisë, por edhe shqiptarët mund ta shpresojnë përkrahjen e të tjerëve, sidomos tani që kërkesat shqiptare vlerësohen si legjitime. Kështu, princërit dhe mbretërit do të luftonin në Ballkan përmes kalorisë moderne-aviacionit, dhe njësive tankiste me këmbësorinë e shkretë, për t’i sendërtuar qëllimet e tyre përkatëse – “për t’u bërë më të fortë, më të fortë në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë!”.
Ata ndërkaq, sipas komenteve të TV-së, nuk do të luftonin për evropeizimin e vendeve të tyre të mbetura gati në nivelin aziatik të zhvillimit…
Simbolizimi i kontinuitetit të traditës
Tani është e qartë se princërit dhe mbretërit mund të kthehen në vendet e tyre; mund të simbolizojnë kontinuitetin e traditës së shtetësive të shteteve të tyre, të unitetit të kombeve të tyre, dhe për këtë mund të gëzojnë respektin e duhur të popujve të tyre, por vetëm nëse këta dy popuj, secili në vendin e vet, do të vendosin ashtu. Përveç simboleve klasike që do të simbolizonin institucionet mbretërore, mbreti shqiptar, për shkak të ndasisë së kombit, do të mund të simbolizonte edhe unitetin historik-shpirtëror dhe aspiratat shekullore të natyrshme të popullit, por vetëm në qoftë se do të kuptohet se në prag të shekullit XXI mbretëritë e tyre nuk mund të mbështeten edhe më tutje mbi raportet feudo-klanore të shoqërisë dhe mbi mohimin e progresit të brendshëm në favor të madhësisë së jashtme. Progresi i brendshëm mund ta realizojë madhësinë e një kombi, ashtu si dikur madhësia e jashtme e realizoi progresin e brendshëm të shumë kombeve. Për shqiptarët, por edhe për serbët, progresi i brendshëm e nënkupton jetësimin e Republikës së Kosovës, jo vetëm sepse ajo është e drejtë elementare e tyre -instrument vital i zhvillimit, por edhe sepse vetëm në atë mënyrë mund t’i shmangemi instrumentalizimit në dobi të interesave të huaja për t’i hapur kështu rrugët e evropeizimit të shpejtuar. Në qoftë se kjo gjë nuk kuptohet, ose kuptohet por nuk dëshirohet të pranohet, alternativa e saj mund të jetë vetëm kthimi në mesjetë – përgjakja e sërishme e historisë. Duke u deklaruar për republikën dhe për bashkimin e trojeve shqiptare në kuadër të proceseve integrative të Evropës, pa rezonimin e forcës, populli shqiptar e tregoi pjekurinë e vet politike. Ndërkaq, madhështinë e vet historike e argumentoi me faktin se, fare i vetmuar, i qëndroi çdo stuhie dhe çdo rrebeshi të kohës. Tani ai i ngjan një metuzalemi të qëndresës që nuk i dihet me saktësi mosha. Andaj përgjakja e sërishme e historisë mund të jetë vetëm reminishencë tragjike e kohërave të shkuara dhe totalisht në kundërshtim me trendet aktuale të zhvillimit të qytetërimit në Evropë, por edhe në botë. Me siguri se argumentimi i sërishëm i një teze të tillë nuk mund të jetë i tepërt. Kurrnjëherë nuk mund të jetë e tepërt të bindemi para se të bëhet përfundimisht vonë. Është detyrë njerëzore dhe në natyrën e njeriut që së paku të provojë të mos e lejojë vonimin përfundimtar të gjërave, po qe se ato do të kenë veshë për atë që është e arsyeshme, kurse luftërat janë gjithmonë iracionale, ndonëse zhvillohen për qëllime racionale.
Lufta si mundësi reale dhe modeli evropian
Lufta megjithatë mund të shpërthejë, jo për shkaqe ideologjike, që gjithmonë kanë qenë vetëdije e deformuar mbi realitetin, por për shkaqe të interesave jetike: serbët janë të bindur se ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë është interes jetik i tyre. Shpërbërja eventuale e Jugosllavisë, -rezonon politika e tyre, -do t’a reduktonte Serbinë në kufijtë e tanishëm të asaj që quhet Serbi e ngushtë, kurse një pjesë e mirë e popullatës serbe do të mbetej jashtë Serbisë dhe do ta fitonte statusin e pakicës kombëtare. Si komb i krishterë, ngadhënjimtar i Luftës së Dytë Botërore, me shpërbërjen e Jugosllavisë do të ndjehej i dëmtuar dhe kompensimin për këtë dëmtim doemos do ta kërkonte te popullata jo e krishterë, tek myslimanët dhe shqiptarët. Ndërkaq, ndonëse shqiptarëve vendet fqinje u përpoqën t’ua kontestojnë kontributin në Luftën e Dytë Botërore, ata megjithatë nuk ishin më pak në anën e ngadhënjimtarëve dhe janë populli i vetëm realisht i dëmtuar qysh nga përfundimi i luftërave antiturke në Ballkan. Si popull me provim të dhënë të pjekurisë politike, shqiptarët e shpallën Republikën e Kosovës dhe i deklaruan hapur qëllimet e veta politike. Në thelb të këtyre qëllimeve nuk qëndron ekspansioni – lakmia për tokat e huaja, por e drejta për t’u kompletuar si komb i Evropës. Me përkrahjen e kësaj të drejte, Evropa do të duhej ta jepte provimin: – a vlejnë vallë të drejtat njerëzore, e drejta e njeriut dhe parimet demokratike për të gjithë popujt e saj njësoj apo vetëm për ata të krishterë? Populli shqiptar niset nga besimi i plotë se është popull i Evropës, njëri ndër më të vjetërit, dhe se parimet që do të vlenin për të tjerët do të duhej të vlenin edhe për të. Në këtë mënyrë, tashmë është në provë e sipër kriteri religjioz, kaherë i injoruar dhe i harruar, në përcaktimin e statusit e popujve të Evropës.
Historia e Evropës së bashkuar doemos do të fillojë nga fakti se si do të zgjidhet ky problem, pra pikërisht ai i shqiptarëve. Ndërkaq, meqë zhvillimi i civilizimit në Evropë kaherë e ka përballuar kriterin religjioz në përcaktimin e statusit të popujve, nga mënyra e zgjidhjes së këtij problemi do të varet se sa është e civilizuar vërtetë Evropa. Mirëpo, jo vetëm kaq. Nga kjo do të varet edhe vetë atraktiviteti i modelit evropian për popujt jashtë Evropës. Me fjalë të tjera, nga kjo do të varet akceptimi i Evropës nga të tjerët, në suaza ndërkombëtare, si model serioz i barazisë së popujve dhe i synimeve të saj jashtë Evropës. Për këto dhe për shkaqe të tjera, shqiptarët poashtu kanë shansa reale të jenë të përkrahur në kërkesat e tyre legjitime. Në qoftë se ato do të kundërshtohen nga politika serbe, atëherë teorikisht, shanset për konfrontimin e drejtpërdrejtë të këtyre dy realiteteve politiko-ideore janë bukur të mëdha, me shpresa përafërsisht të barabarta në fitore, gjë që përsëri nuk do të ishte kurrfarë fitore reale dhe në planin afatgjatë -stabile, sepse humbja e cilitdo prej tyre do t’i hapte rrugë destabilitetit politik të mbarsur edhe me revanshizëm. Për këtë shkak, lufta nuk është as alternativë reale për jetësimin e Republikës së Kosovës, dhe as në frymën e proceseve integruese në Evropë. Megjithatë lufta mund të shpërthejë në qoftë se edhe më tutje do të lejohet thellimi i trendeve të tanishme të situatës politike lidhur me jetësimin e Republikës së Kosovës dhe me zgjidhjen e çështjes shqiptare në tërësi. Mirëpo në këtë pikë do të ndërpritet analiza tek e cila do të kthehemi më vonë.
Tani është e udhës të bëhet një digresion me qëllim të shquarjes së elementeve teorike të demokracisë që e kundërshtojnë apo e favorizojnë luftën në suaza të sistemeve globale të mendimit.
Lufta për të përfunduar luftën
Për sistemet globale të mendimit, në periodën pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht gjatë luftës së ftohtë politike, gjërat dukeshin të qarta. Ideologjia komuniste, në njërën anë, besonte se botëkuptimet mbi botën dhe mbi qëllimet klasore të dy sistemeve shoqërore (socializmit dhe kapitalizmit) ishin të kundërta dhe të papajtueshme. Koekzistenca e vendosur në raportet midis këtyre dy sistemeve globale ishte formë e imponuar e ekzistencës për shkak të armatimit raketor-nuklear, por ajo intimisht nuk e përjashtonte bindjen se vetëm fitorja e komunizmit në tërë botën do t’a përjashtonte luftën si metodë për zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare dhe do të ishte garanci e sigurt për ruajtjen e paqes. Organizimi i brendshëm politik (jo vetëm policia dhe armata), prandaj duhej të ishte në funksion të këtij ideali. Në thelb të mendimit të tillë politik ishte ekspanzioni. Zgjerimi i sistemit dhe organizimi i brendshëm politik duhej t’i shërbente rendit që i avanconte qëllimet e këtilla politike. Ndërkaq, mendimi i kundërt politik, në anën tjetër, cilësohej me një filozofi realiste e cila politikën e konsideronte si luftë për pushtet ku interesat e fuqive të mëdha vazhdimisht ndodheshin në konflikt midis tyre. Në thelb të mendimit të tillë politik poashtu ishte ekspanzioni, pasiqë të dy sistemet globale të mendimit e kishin të qartë se vetëm sistemi i organizimit të brendshëm politik mund të ishte garanti i fundit i paqes në botë. E thjeshtësuar gjer në fund, kjo do të thoshte se vetëm njerëzit që mendonin njësoj, që jetonin në mënyrë të ngjashme dhe që kishin interesa përafërsisht të ngjashme, nuk mund t’a rrezikonin as qetësinë e brendshme dhe as paqën e jashtme. Përfaqësuesi amerikan i idealizmit politik, ish-Presidenti i SHBA- Woodrow Wilson, konsideronte se duhej zhvilluar luftë për t’i përfunduar luftërat. Sipas tij, Lufta e I-rë Botërore i kishte shkatërruar perandoritë e Evropës Qendrore (Gjermania, Austro-Hungaria) me ç’rast ishin formuar shtete të reja në mbështetje të parimit të vetëvendosjes. Liga e Kombeve, formimin e së cilës e kishte propozuar vetë, do të duhej të merrej me zgjidhjen e kontesteve që e rrezikonin paqen. Përvoja e brendshme e organizimit politik të SHBA-ve Wilsonit i kishte shërbyer për të nxjerrë parimet për një organizim të mundshëm të botës, ku Liga e Kombeve, duke i mbështetur principet e raporteve midis shteteve, do të kishte rol të veçantë në universalizimin e tyre.
Mirëpo, idealizmin politik të Wilsonit nuk e kundërshtonin vetëm marksistët, dhe as vetëm Revolucioni i Tetorit. Sir Halford Mackinder (“Democratic Ideals and Democracy” 1919) shkruante se demokracia ishte inkopatibile me organizimin e domosdoshëm të luftës kundër autokracive. Ata (idealistët politikë si Wilsoni) “refuzonin t’i njihnin realitetet e gjeografisë dhe të ekonomisë”. Andaj Mackinder e nxirrte përfundimin se paqja botërore mund të sigurohej vetëm duke sunduar me ujdhesën botërore (shih “DeA”-6/1991), e cila praktikisht e nënkuptonte themelimin e një lidhjeje të shteteve të pavarura midis Gjermanisë dhe Rusisë. Ndërkaq, këtij botëkuptimi realist mbi sigurimin e paqes, por që gjithashtu shkonte ndesh me idealizmin politik të Wilsonit, i kishte paraprirë Alfred Thayer Mahan. Duke e çmuar lart fuqinë detare (maritime) të Britanisë, amerikani Mahan me 1890 shkruante se “përdorimi dhe kontrolli i duhur i detit është vetëm një vijë në vargun e këmbimit me të cilin akumulohet pasuria”. Mahan dhe Mackinder ishin teorikë të gjeopolitikës, veçse njëri e theksonte rëndësinë e kontrollimit të ujërave detare, ndërsa tjetri të tokës, për ruajtjen e paqes botërore. Me fjalë të tjera, ata ishin zëdhënës të zgjerimit të imperatorive koloniale, të cilat do të duhej ta vendosnin paqen mbi rruzullin tokësor. Për këtë shkak nuk ishte çudi që të dy teorikët nuk mund t’a honepsnin aspak “shpirtin jo-luftarak të demokracisë”, por as tregtinë e lirë dhe as tregtarët si klasë. Mackinder madje besonte se lufta kompetitive për tregje ishte burimi kryesor i luftërave dhe këtu ai nuk ndryshonte shumë nga marksistët. Ai mendonte se paqja mund të ruhej duke e vënë kontrollin e drejtëpërdrejtë mbi burimet e mëdha të pasurive natyrale dhe jo me tregti, ose përmes tregtisë që zhvillohet jashtë zonës së ndikimit të vet. Dobia nga një gjë e tillë do të ishte iluzore, sepse është e gjykuar të sjellë vullnerabilitetin (shih Stanly Kober, «Idealpolitik», Foreign Policy, Summer 1990). Megjithatë goditjen kryesore idealizmit politik ia dha shpërthimi i Luftës së II-të Botërore. Nevoja që të shpjegohen filozofikisht shkaqet e shpërthimit të luftës e nxiti zhvillimin e drejtimit të realizmit në politikë. Hans Morgenthao ishte eksponenti kryesor i këtij drejtimi. Në librin e tij kapital «Politika Midis Kombeve» (Politics Among Nations, 1948), ai konstatonte se politika, si dhe shoqëria në përgjithësi, udhëhiqet me ligje objektive, rrënjët e të cilave ndodhen në natyrën njerëzore. Meqenëse ligjet e këtilla janë objektive, ato doemos kanë karakter universal. Sjelljet e shteteve i udhëheq interesi i definuar si fuqi dhe jo idealet e burrave të shtetit. Në harmoni me këto botëkuptime, Henry Kissingeri më vonë, ngjashëm me Morgenthao-n, kishte ardhur në përfundim se stabiliteti i sistemit ndërkombëtar varej nga dy komponenta: nga drejtpeshimi i forcave dhe nga principi i legjitimitetit të pranuar përgjithësisht. Dhe përsëri, së bashku me të, besonte se realiteti i politikës së fuqisë e kushtëzonte nënshtrimin e ideologjisë nacionale ndaj interesave më themelore. “Kujdesi për sigurimin nacional, -shkruante Kissingeri më 1986 në «Washington Post», – duhet të jetë në harmoni me vlerat tradicionale amerikane”, për të përfunduar më vonë me një dozë pesimizmi se “ndonëse morali dhe fuqia jonë nuk duhet të jenë në kundërshtim me njëra -tjetrën”, në instancë të fundit, “të gjitha politikat serioze të jashtme doemos nisen nga nevoja për të mbijetuar (the need for survival).
Ligji dhe demokracia
Ajo që është interesante te realizmi politik ka të bëjë me faktin se nuk e merrte parasysh ndikimin e kurrfarë ideologjie. Për ndryshim nga “njohësit” kosovarë të politikës, që gati sa nuk u cfilitën duke gjuajtur “shtriga staliniste” në hapësirën edhe ashtu të ngushtuar politike të Kosovës, ai edhe idealizmin politik e konsideronte si filozofi naive që nuk mund t’a kuptonte realitetin e politikës së fuqisë dhe i cili, për shkak të ngarkesave me moralizime, të çonte qoftë në tërheqje dhe izolim nga një botë e papërsosur, qoftë në një intervenim për t’i ndrequr të gjitha paudhësitë e saj. Realizmi politik, në të vërtetë, e shprehte rezignacionin ndaj realitetit politik të pas-Luftës së II-të Botërore. Mirëpo, paralelisht me forcimin e realizmit politik, kah fundi i viteve ’80 teorikët dhe burrat e shtetit sovjetik kishin filluar t’i kontestonin hapur postulatet e teorisë marksiste. Eduard Shevernadze, p.sh., me 1988 shkruante se “koekzistenca nuk mund të indentifikohej me luftën e klasave”, kurse M. Gorbaçov e shpjegonte perestrojkën si “revolucion legal që kishte për qëllim ta pengonte koncentrimin e fuqisë së tepruar në duar të pakicës me qëllim që shoqëria të udhëhiqej me parimin e sundimit të ligjit”. Një kthesë e tillë marramendëse në teorinë sovjetike tani i jepte krah riafirmimit të idealizmit politik në Perëndim. Mirëpo edhe ky tani kishte evoluar: e pranonte se demokracia kishte zhvilluar luftëra, por institucionet demokratike, të cilat në instancën e fundit e kushtëzonin agresivitetin e politikës së shtetit të dhënë, mund të evoluonin: “Demokracia mishëronte kriteriume rigoroze të sundimit të shumicës dhe të drejtave të pakicës. Sundimi i shumicës do të thotë se të gjithë njerëzit e kanë të drejtën e votës, ndërsa ata që zgjidhen i japin llogari votuesve në intervale të shpeshta dhe të rregullta”. Përfaqësuesit e zgjedhur e kanë për detyrë t’i informojnë për ato që bëjnë, por edhe t’i furnizojnë me informata të nevojshme për të ushtruar kontroll mbi ta, i cili pastaj rregullohet me mekanizma të veçantë. Teorikisht, megjithatë, të drejtat e pakicës duhet të jenë në kundërshtim me të drejtën e sundimit të shumicës, por sipas Stenly Koberit ky botëkuptim është i gabuar: “Siç e demonstrojnë konfliktet etnike të kohëve të fundit, -shkruan ai -shumicat mund të ndryshojnë me kohën, dhe sundimi i shumicës, në mungesë të të drejtave të garantuara të pakicës, është reçetë për katastrofë. Të themi megjithatë më shkoqur: garancionet mbi të drejtën e pakicave, të cilat mund të vendosen vetëm me pajtimin e shumicës, e shënojnë respektin e të dobëtit nga ana e të fortit. Ky sistem i vlerave të respektit për ligjin më parë se për forcën është siguria më e mirë e rendit dhe e stabilitetit, qoftë atij të brendshëm, qoftë atij të jashtëm ndërkombëtar” (Stanley Kober, Idealpolitik, op.cit.). Në harmoni me këto botëkuptime, idealizmi politik tani shpjegonte se shkaqet e Luftës së II-të Botërore nuk duhej kërkuar në konfliktet e interesave të imperatorive koloniale por pikërisht në Kushtetutën e Weimarit. Kjo Kushtetutë, në vend të botëkuptimit amerikan mbi të drejtat e patjetërsueshme të individit, ato ia kishte nënshtruar kolektivitetit. Rene Brunet në The New German Constitution /1922/ lidhur me këtë vërente se “liritë individuale jo vetëm nuk ishin edhe më tutje qëllim në vete, por as që përbënin akoma një të mirë të pavarur në vete. Ato nuk kanë më vlerë dhe nuk mund të mbrohen përveç në masën që shërbejnë për ta kryer këtë detyrë sociale” (ibd.).
Demokracia që nuk i garantonte të drejtat individuale nuk mund të zgjaste shumë. Abraham Linkolni që moti kishte vënë re se “shumica që bëhej zap me kontrollin dhe me përkufizimet kushtetuese… është sovrani i vetëm i vërtetë i një populli të lirë. Kushdo që e refuzon këtë, doemos ka për të rënë, qoftë në anarki, qoftë në despotizëm” (cit. sipas Kober, ibd.). Andaj Hitleri kishte rënë në despotizëm dhe e kishte ndërtuar një diktaturë militariste të fashizmit që e kishte nxitur luftën! Ndryshe nga realizmi, idealizmi politik tani iu kthye konceptit të Adam Smithit lidhur me grumbullimin e pasurisë si fuqi. Zgjerimi perandorak, me fjalë të tjera, e së bashku me këtë edhe kontrolli gjeopolitik i territoreve të huaja, nuk ishin më burim i fuqisë ekonomike dhe politike të shtetit. Sikundër që e vë re Karlo Kipola në The economic Decline of Empires (1970) “një perandori në mënyrë të pashmangshme cilësohet nga një numër i madh institucionesh sklerotike” të cilat “i pengojnë ndryshimet për hir të ekzistencës së vet” (ibd.). Për këtë shkak, pasuria e kombit nuk varej edhe më tutje nga shkalla e kontrollit direkt dhe nga veçoritë ekonomike të territorit të kontrolluar, por, siç thoshte Adam Smithi: “Në rend të parë nga mjeshtria, gjeturia dhe gjykimi me të cilat janë të pajisur punëtorët, dhe së dyti, nga proporcioni i numrit të atyre që janë të zënë me punë të dobishme dhe të atyre që nuk punojnë”. Nga ky postulat i dikurshëm i Adam Smithit, në rrethana të ndryshuara të braktisjes së sistemit kolonial, nuk ishte vështirë të përfundohej se fuqia e punëtorëve të vendeve të zhvilluara duhej që në mënyrë konstante t’i përsoste mjeshtritë e veta duke vazhduar të prodhonte mallra dhe shërbime të reja që t’i ndihmonin nxjerrjes së superprofitit. Ishte konstatuar përfundimisht se kontrolli politik mbi popullin që atë e urren është bazë jostabile për një rritje të vazhdueshme ekonomike, sepse përpjekjet për ta mbajtur atë nën kontroll, me kohë “do të rezultojnë në shpenzime kolosale të qeverisë që do ta provonte një gjë të tillë” (ibd.).
Kanti dhe ligji
Ishte tërësisht e natyrshme që edhe sovjetikët të kishin ardhur në përfundime të ngjashme por për arsye jo tërësisht identike. Tani nuk ishte fjala për sklerotizimin e sistemit që e vërente Kipola, por për paralizimin dhe për plogështimin e tij krahas nevojave të rritura për modernizim. Për këtë shkak ata e braktisën besimin mbi nevojen e fitores së socializmit në botë dhe e akceptuan kontrollin parlamentar mbi forcat eventuale luftënxitëse. Sipas një artikulli të botuar në numrin e janarit të vitit 1988 në revistën «Komunist» të PK të BRSS “nuk ekzistojnë forca me ndikim politik, qoftë në Evropën Perëndimore, qoftë në SHBA, që të mund të ndërrmernin ndonjë agresion ushtarak kundër socializmit”. Sipas tij, institucionet demokratike amerikane, edhe po të ekzistonin ato forca, do t’a pamundësonin një agresion të tillë të shkallës së lartë. Demokracia borgjeze tani shërbente si barrierë definitive në rrugën e shpërthimit të një lufte të tillë. Konstatime të tilla logjikisht të çonin tek përfundimi se luftëra të mëdha mund të zhvillonin vetëm ato vende ku nuk ekzistonin institucione të tilla demokratike, d.m.th. pikërisht si në Bashkimin Sovjetik. Andaj rrugëdalja nga lufta në Afganistan u gjet edhe në ndërtimin e sistemit të mendimit që më vonë u përfshi me emrin «Perestrojka»: “Përdorimi i forcave të armatosura jashtë vendit, – shkruante M Gorbaçovi, -pa sanksionimin e Sovjetit Suprem ose të Kongresit, ka përfunduar kategorikisht njëherë e përgjithmonë”. Në një numër të mëvonshëm (qershor, korrik) të po atij viti, revista në fjalë përmbante një tekst të Vlladimir Kudravcievit dhe të Jelena Lukashevës (doktore e shkencave juridike) ku pohohej se marksistët kishin gabuar në kritikën e tyre të ndarjes së pushtetit dhe të sundimit të ligjit (parime të organizimit të pushtetit politik në Perëndim, tani edhe këtu) : “Baza filozofike e parimit të sundimit të ligjit është formuluar nga Kanti -pohonin ata. Në të vërtetë Imanuel Kanti në veprën e tij të vogël «Paqja e përjetshme» të botuar me 1795, konsideronte se paqja e përjetshme nuk mund të ishte produkt i balancës së fuqive, por i një qeverie republikane si në Amerikë. Duke i admiruar parimet e Revolucionit Amerikan, ai e hidhte poshtë merkantilizmin ekonomik si dhe botëkuptimet gjeopolitike, në favor të tezave të cituara të Adam Smithit. Ashtu si idealizmi politik në Amerikë, edhe teoria sovjetike kishte ardhur në përfundim se kontrolli i urryer politik i territoreve të huaja nuk mund të ishte as bazë solide e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe as e modernizimit. Për një gjë të tillë, nëse nuk do të ishte e mundshme përsosja e menjëhershme e aftësive të klasës punëtore, atëherë më adekuate do të ishte tregtia. Andaj, në qoftë se kësaj i shtohet edhe besimi se institucionet demokratike në Perëndim nuk do të lejojnë ndonjë luftë eventuale antisovjetike, atëherë, në instancën e fundit, sigurimi sovjetik nuk garantohej me hendeqe territoriale dhe as me fuqinë e forcave të armatosura sovjetike. Kjo gjë i mundësonte Bashkimit Sovjetik që të tërhiqej nga Evropa Lindore dhe Mihal Gorbaçovi të deklaronte se “faktori kyç i mendimit të ri është koncepti i lirisë së zgjedhjes… Të kundërshtohet liria e zgjedhjes do të thotë t’i kundërvihesh tendencës objektive të vetë historisë”. Ndërkaq Eduard Shevernadze do të shtonte se “imazhin e shtetit e përbën qëndrimi i tij ndaj qytetarëve të vet, respekti për të drejtat dhe liritë e tyre dhe njohja e sovranitetit të individit”. Mirëpo teoria sovjetike pikërisht këtu nuk është e shkoqitur, dhe as që mund të jetë e shkoqitur gjer në fund. Sovraniteti individual është në themel të teorisë amerikane: “Parimi amerikan, nga ana tjetër, – shkruan Stanly Kober, -është vetëvendosja individuale dhe jo vetëvendosja nacionale”. Ndryshe nga francezët, të cilët besojnë se “baza e gjithë sovranitetit qëndron esencialisht te kombi (Deklarata franceze mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit), amerikanët konsiderojnë se në shtetet multietnike dhe në botën multinacionale -nuk mund të ketë bazë tjetër për ruajtjen e paqes pos garantimit të drejtave dhe lirive mbi baza individuale dhe jo kolektive. Përderisa e besojmë një gjë të tillë, atëherë “koncepti i kombit për amerikanët është irelevant”. Por jo edhe për sovjetikët. Perioda e zhvillimit socialist atje ishte e mbushur me lavdata për afirmimin e kombeve, të kombësive dhe të nacionaliteteve, dhe kjo gjë nuk mund t’u mohohet aq lehtë. Andaj akceptimi i variantit amerikan mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit në Bashkimin Sovjetik normalisht ka përfunduar në konceptin mbi BRSS-në si shtet – asociacion i republikave sovrane dhe të barabarta, por jo edhe në shtimin e numrit të tyre (që do të ishte gjithashtu teorikisht e logjikshme) apo në pavarësimin e plotë të atyre ekzistuese apo të pranuara.
Shqiptarët dhe proceset integruese
Procesi i sipërpërmendur nuk ka përfunduar as në Bashkimin Sovjetik, as në Evropë dhe as në Jugosllavi. Vërtetë është e vështirë të pritet që procesi i tillë të përfundojë me konstituimin e 58 njësive të ndryshme kushtetuese, a të mbi 100 nacionaliteteve në republika sovrane dhe të pavarura të Bashkimit Sovjetik, njësoj sikur do të ishte e vështirë të pritej se pakicat turke, rome, serbomalazeze e muslimane në Kosovë ose katolikët e Mirditës apo etnosi grek i Dropullit në Shqipëri të konstituohen si kombe të veçanta dhe në republika sovrane dhe të pavarura. Midis ekstremizmit të majtë dhe ekstremizmit të djathtë njëmend ekzistojnë shumë pika të përbashkëta jo vetëm për shkak se e reflektojnë njëri-tjetrin, por edhe sepse që të dy ata në çështjen nacionale rëndom përfundojnë në relativizimin ekstrem të rolit të shtetit apo edhe në folklorizimin e këtij roli për kombet më të vogla. Një gjë e tillë duket se akoma i takon sferës së fantastikës politike, por një pjesë e intelektualëve shqiptarë në Kosovë megjithatë seriozisht e beson një mundësi të tillë. Ata nisen nga besimi jo fort i pabazuar, se Evropa së shpejti do të bashkohet, se kufijtë shtetërorë do të suprimohen dhe se, prandaj, do të hapen mundësi të pakufizuara për krijimin e feudeve të tyre të vogla. Ata vetëm sa nuk e thonë hapur, akoma jo në mënyrë rezolute, se në rrethana të tilla nuk na duhet kurrfarë republike, pasi që nuk do t’ia vlente barra qiranë të luftosh për diçka që edhe ashtu është e destinuar të zhduket. Ndoshta edhe për këtë shkak rinia e Kosovës pothuajse u shpërngul e tëra nga Kosova. Pohohet se tashmë janë shpërngulur afro 300.000 të rinj, të shumtën në Gjermani dhe në Zvicër. Pohohet se atje me të madhe janë duke u martuar me evropiane dhe kështu procesi i “evropeizimit” të tyre shprehimisht është në përfundim e sipër. Mirëpo, asimilimi nuk është evropeizim. Nga ana tjetër, “njohësit” e politikës në Kosovë duhet ta kuptojnë (dhe sa më parë ta kuptojnë këtë aq më mirë do të jetë) se proceset integruese të Evropës nuk e kanë për qëllim, dhe as që mund ta kenë për qëllim, deklarativ apo sekret, rivendosjen në Evropë të universalizmit kishtar të mesjetës së hershme. Universalizimi i konceptit mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit si dhe të parimeve demokratike në Evropë, e ka për qëllim ndërtimin e një Evrope të re, bashkimin e saj mbi baza të dialogjikës, (jo të dialektikës, ndonëse rezultati mund të jetë i njëjtë), por është me rëndësi intenca që lidhet me ruajtjen e identiteteve kombëtare; integrimin ekonomik, qarkullimin e lirë të ideve, mallrave dhe vlerave, të cilat do ta mundësonin zhvillimin e saj të mëtejshëm dhe forcimin si fuqi.
Ky është një integrim i mbështetur në proceset e brendshme që e kanë logjikën e vet imanente. Në qoftë se kjo logjikë e brendshme do të rezultojë në relativizimin e rolit të kombeve më të vogla në favor të kombeve më të mëdha, atëherë detyra e intelektualëve të kombeve të vogla do të duhej të konsistonte nga ajo që të luftonin për instrumentalizimin e shtetit në funksion të zhvillimit dhe kultivimit të identiteteve të njëmendëta të kombeve të tyre. Fjala është për kombet e ngulitura në territoret e tyre shekullore, të cilat në krahasim me pjesëtarë të kombeve të tjera janë në shumicë, ndërsa në krahasim me kombet tjera brenda shtetit të dhënë multietnik, proporcionalisht nuk janë edhe aq të vogla. Për këtë shkak lufta për jetësimin e Republikës së Kosovës në të vërtetë është luftë për ekzistencën e Kosovës, jo si konotacion gjeografik, por politik. Ata që këtë nuk dëshirojnë ta kuptojnë, tashmë ndodhen me një këmbë në Evropë, por shpopullzimi i Kosovës nuk është në interes të askujt dhe këtë as që do ta lejojë populli në Kosovë.
Zhvillimi i proceseve të përmendura integrative është e vërtetë se ndihmohet nga bartësit kryesorë të tyre – shtetet e zhvilluara të Evropës (Bashkësia Ekonomike), por edhe nga SHBA-të. Është e natyrshme që ato ta ndihmojnë zgjerimin e proceseve të këtilla në ato vende dhe në ato shtete ku ato akoma nuk janë zgjeruar plotësisht dhe ku nuk janë thelluar akoma. Mirëpo, pikërisht këtu paraqitet “thembra e Akilit”: Një shtytje e këtyre proceseve që nuk do t’i merrte parasysh specifikat e realitetit politik të këtyre vendeve është rrezik të konsiderohet si imponim i proceseve të këtilla dhe të shkaktonte kundërvënien afatgjatë të forcave të ndryshme politike. Në rrethana të kundërvënies së këtillë, siç po ngjet aktualisht në Jugosllavi, është e mundshme fitorja e njërës apo e palës tjetër, por për një kohë relativisht të gjatë nuk do të jetë i mundshëm qetësimi i kënaqshëm i situatës dhe as integrimi i vullnetshëm i Evropës, sepse një integrim i Evropës mbi baza të fitores së njërës palë presupozon mbështetjen në aleatët e saj dhe frenimin apo shtypjen e kundërshtarëve. Hipotetikisht do të ishte p.sh., e mundshme mundja e sllavëve dhe integrimi i tyre në baza të kësaj mundjeje. Mirëpo, çfarë do të ishte perspektiva e Evropës në qoftë se, p.sh., nesër do të forcohej aq shumë njëra nga shtetet sllave, si p.sh., Rusia, saqë Evropa të paraqiste një kafshatë të vogël për të? A do ta kishim pastaj një integrim të ri mbi baza të fitores ruse apo një luftë tjetër botërore? Një Evropë të tillë të ndarë me Murin e Berlinit tashmë e kishim. Secila në sferën e vet i presupozonte aleatët dhe kundërshtarët. Në Evropën Perëndimore, në plan të jashtëm, ndodhej një gjysmë Gjermanie e kontrolluar prej aleatëve kryesorë të luftës, të cilët mbështeteshin në shtetet-aleate, satelite të tyre, ndërsa në planin e brendshëm mbështeteshin nga shtresa të caktuara shoqërore të cilat me metoda të ndryshme e pengonin aktivizimin e plotë në jetën politike të forcave kryesisht të majta. Një skenë e ngjashme ndodhej edhe në Lindje. Atje ishte gjysma tjetër e Gjermanisë nën kontrollin e shtetit kryesor ngadhënjimtar të luftës (BRSS) që mbështetej në kontrollin e shteteve tjera të Evropës Lindore, me përkrahjen e forcave të pakta komuniste dhe me shtypjen e forcave të djathta, por edhe të masave tjera të përcaktuara për demokraci dhe për pluralizëm politik. Bashkimi i Gjermanisë u arrit në mbështetje të proceseve integruese të cilat teorikisht e synojnë fshirjen apo tretjen e këtyre ndasive dhe të hierarkisë së tyre të brendshme. Në këtë mënyrë supozohet edhe bashkimi i Evropës. Bashkimi i Gjermanisë realisht u arrit edhe në mbështetje të mundjes ekonomike të palës tjetër. Gojëkëqijtë do të thoshin se ajo u “shit” nga rusët me para të majme.
Realisht, ndoshta edhe bashkimi i Evropës do të arrihet në mbështetje të mundjes ekonomike. Gojëkëqinjtë do të thoshin se tani puna është “të milet” një çmim sa më i shtrenjtë për integrimin në Evropë, e cila edhe ashtu do të bëhet. Mirëpo, gjërat nuk bën të shikohen sipërfaqësisht, sepse në të dy rastet, si dhe në realitet, mundja nuk është e plotë. Nga ky aspekt, mundja, edhe po të ishte e plotë, e presupozon zhvendosjen dhe rrotullimin e pozitës së aktorëve. Në plan të jashtëm, p.sh., mund të vijë, dhe tashmë ka ardhur, gjer te forcimi i tillë i Gjermanisë (80 milion banorë, të ardhurat e shumëfishuara nacionale, etj.), i cili po të lejohej i lirë dhe i pakontrolluar nga marrëveshjet dhe instrumentet e Helsinkit, doemos do të rezultonte në ndryshimin e pozitës së stabilizuar në stacion kryesor të policisë evropiane, kurse aleatët e saj të natyrshëm do të shndërroheshin në stacione ndihmëse. Ndërkaq, në plan të brendshëm, forcat udhëheqëse gjermane do t’i përkrahnin, por edhe do ta gëzonin përkrahjen e plotë të forcave të ngjashme të aleatëve natyralë të saj. Është interesant se po të gjykohet me logjikën e forcës dhe në mbështetje vetëm të indikatorëve sasiorë (kuantitativë) një gjë e tillë do të ishte edhe e natyrshme të ngjajë, dhe është duke ngjarë. Shumë njerëz, ndër ta edhe intelektualë shqiptarë, jo vetëm se mendojnë, por edhe preferojnë që një ditë Shqipëria (eventualisht e bashkuar) ta lozë rolin e një Izraeli të vogël Ballkanik. Ëndrra të këtilla reflektohen aty-këtu edhe në shkrimet e shtypit të përditshëm shqiptar në Kosovë. Mirëpo, një rezonim i tillë politik nuk do mend se sillet në suaza të mendimit gjeopolitik. Ai është në kundërshtim me trendet aktuale, jo vetëm të proceseve integruese në Evropë, por edhe me përmbajtjen e brendshme të synimeve për universalizimin e demokracisë. Shkenca gjermane është përplot me hulumtime të shkaqeve reale të humbjes së dy luftërave botërore, andaj aspiratat për kontrollim politik (të urryer) të territoreve të huaja në rrethana të tanishme, kur protagonistët kryesorë të një politike të tillë tashmë i kanë braktisur ambiciet e tilla, për Gjermaninë, si për këdo tjetër, do të ishin një anakronizëm i vërtetë, tërësisht jashtë kohe. Ajo mund të aspirojë një ndikim politik që do të rezultonte nga niveli i lartë i zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, por do të ishte në kundërshtim me interesat reale gjermane, po të provohej “përkthimi” i këtij ndikimi në një kontroll rigoroz politik.
Nga ana tjetër, jo vetëm frika se do të ngjante diçka e tillë, por edhe inercioni i së vjetrës, mentaliteti robust hegjemonist serbomadh i atij mentaliteti militarist i cili me 1981 kujtonte se brenda një dite do të marshonte në Tiranë, e shtyri palën tjetër t’i kundërvihet edhe asaj që është e pamundur t’i kundërvihesh -tendencës historike për bashkimin e Evropës; jetësimit të Republikës së Kosovës; zgjidhjes definitive të çështjes shqiptare. Në një tekst tjetër (shih «Shqiptarët dhe çështjet vitale të kombit», punim i kumtuar në simpoziumin shkencor «Shqiptarët dhe Evropa dje, sot dhe nesër» të mbajtur me 6-9 qershor 1991 në Prishtinë) në mënyrë të argumentuar janë shkoqitur tezat se bashkimi i Gjermanisë nuk ishte bërë përkundrejt interesave dhe për inat të Bashkimit Sovjetik, por për hir dhe në kontekst të bashkimit të Evropës që ishte interes më i madh dhe më i rëndësishëm edhe për vetë sovjetikët.
Në analogji me këtë konstatim, Republika e Kosovës nuk u konstituua për inat të serbëve e për dhunë të të tjerëve, por se ishte e drejtë e popullit shqiptar në Jugosllavi; kurorëzim i natyrshëm i procesit të rritës në Kosovë dhe rezultat i pritur i proceseve të pjekurisë politike në vend e më gjerë. Në këtë kontekst, Kosova jo vetëm që i ndihmoi proceset integruese të Evropës, por edhe ishte ndër iniciatorët e universalizimit të parimeve dhe të vlerave demokratike në Evropë.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Pashtriku.org, 14. 05. 2013 – REPUBLIKA DHE LUFTA NË KONTEKST TË EVROPËS – Nga gjysma e parë e këtij viti, në fshatin Billushë të Prizrenit, gjatë një bisede, pyetjet e shumta të pjesëmarrësve reduktoheshin në interesimin e tyre të gjallë mbi mënyrën dhe mundësitë eventuale për jetësimin e Republikës së Kosovës. Natyrisht, kjo bisedë ishte një këmbim joobligues i mendimeve. Ma kishte marrë mendja se do të duhej të kthehej policia e mbrojtja teritoriale, pastaj të formohej një qeveri, e cila do ta merrte mbi vete përgjegjësinë mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe eventualisht të legalizohej Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës. Disa nga këto mendime mund të jenë realizuar, por në mënyrën e vet, dhe pavarësisht nga ajo që kisha menduar unë, gjë që do të thotë se të tjerët jo vetëm që mund të kenë pasur mendime të ngjashme, por edhe të elaboruara, meqë vetë nuk e kisha bërë elaborimin e mendimeve të mia, në qoftë se përgjigjet e rastit në pyetjet e shumta që më shtroheshin, nuk do të konsideroheshin si të tilla. Në ndërkohë kishte përfunduar me sukses të plotë referendumi gjithëpopullor për Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës; ishte zgjedhur qeveria dhe ishte emëruar kryetari i saj dr. Bujar Bukoshi, kurse Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e kishte bërë njohjen e Republikës së Kosovës. Dukej se gjërat do të venin mbarë… Megjithatë, komentet e politikës serbe për referendumin dhe ato që pasuan më pastaj kishin qenë mospërfillëse, ndërsa ndonjëherë edhe ironike. Ato flisnin për një republikë “joekzistuese” të Kosovës, ose për “Republikën në letër” të Kosovës! Një gjë e tillë nga kundërshtarët politikë edhe mund të pritej. Mirëpo nuk mund të pritej prej tyre edhe moslejimi i vijimit të mësimit për nxënësit dhe studentët. Pavarësisht nga arsyetimet e ndryshme dhe fajësimi i alternativës kosovare, kjo nuk mund të arsyetohej me asgjë. Zhvillohej vallë një luftë për të vajtur në Evropë në një ose në shumë mënyra, apo për t’a ruajtur errësirën mesjetare në trojet e Ballkanit? Pastaj nuk mund të arsyetohej vazhdimi i heqjes nga puna të mësimdhënësve të Universitetit, pastaj mbyllja e tij e mëvonëshme dhe suprimimi i Akademisë së Shkencave; nuk mund të arsyetohej as mizerja e luftës në Kroaci, as keqësimi i vazhdueshëm i gjendjes ekonomike të popullsisë dhe as ikja masive e rinisë shqiptare në Perëndim. Mbi të gjitha, nuk mund të pritej pajtimi me një gjendje të tillë, e cila vazhdimisht është duke ecur drejt një lufte të përgjithshme në Ballkan dhe ndoshta edhe në Evropë.

Kushtrim (Ish’Billushë), Shtator 1991: Ukshin Hoti,

në Tryezën Shkencore “Kosova, dje – sot dhe nesër”.

( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura