GJEKË GJONLEKAJ: DISA KUJTIME NGA FËMIJËRIA IME NË VENDLINDJE, ME RASTIN E 60 VJETORIT TË THEMELIMIT TË SHKOLLËS TETËVJEÇARE TË TRIESHIT

New York, 10 Korrik 2019: Një herë e kishin pyetur Nastradin Hoxhën:” ku është qëndra e botës”? Ai ishte ngritur në këmbë dhe u kishte thënë: “qëndra e botës është këtu ku po shkelin këmbët e mia”. Kjo është mbase përgjigjja më pranueshme e secilit njeri kur është fjala për vendlindje dhe qëndrën e botës. Nga parimi i Nastradinit u nisa edhe unë:” se qëndra e botës sime është vendlindja ime Trieshi”. Të gjitha qytetërimet njerëzore qysh në kohërat më të lashta e deri sot tokën e vendlindjes e kishin dashur e nderuar më shumë se çdo vend tjetër në botë. Dheu i tokës ku lindëm është tokë e shejtë. Vendlindja ime është Trieshi,më mirë me thënë një katund i kësaj krahine që i thonë Budzë, që është në zemër të kësaj krahine legjendare. Ndoshta i thonë Budzë, ngase livadhet dhe arat e këtij katundi janë shumë të buta. Ndoshta edhe bora shkrihet këtu më përpara se në asnjë fshat tjetër të Trieshit. Në livadhet e këtij katundi në fund të marsit dhe në fillim të prillit çelin lulet e borës dhe mund të vihet re edhe një lloj gjelbërimi i atyre livadheve. Në malet e Budzësë shpërthehet heret edhe një lule e bardhë shumë e bukur që në Triesh i thonë syka. Këtë lule i mblidhnim rinia për t’ua dhuruar dashamirëve për festën e Pashkëve. Për Budzën ka shkruar gjeografi i permendur Cvijic, pastaj Antonio Baldacci dhe disa të tjerë. Pjesë e Budzës është edhe Bisaqi, fshat i vogël në anën tjetër të rrugës kryesore të Trieshit. Shumica e livadheve dhe ograjave të këtij katundi ishin të ledhuara dhe të thurura për bukuri. Njerëzit në atë kohë e punonin tokën me një dashuri të madhe dhe nëse binte shi, toka jepte prodhime të mrekullueshme. Fatëkeqësisht në Triesh nuk bëhet as gruri dhe as rrushi. Prodhimet kryesore ishin misri dhe kërtolla. Prodhimi i kërtollës dhe misrit varej nga shiu dhe mungesa e shiut mund të shkaktonte varfëri. Të parët tonë ishin shumë të shqetësuar gjatë korrikut dhe gushtit. Ata i vrenin me kujdes lëvizjet e rëve sidomos në Malin e Veleçikut ose vetëtimat dhe gjëmët e motit mbi Shkodër dhe në mal të Gashit. Kjo krahinë deri në vitin 1878 kishte qënë pjesë e Malësisë së Madhe. Por qysh atëherë e sot është pjesë e Malit të Zi ,përveç një periudhe të shkurtër në kohën e Italisë, kur Trieshi kishte qënë pjesë e Shqipërisë etnike. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Pëllumb Sulo gjatë një vizite në Triesh në vitin 2013 e kishte quajtur “Ballkoni i Malësisë”. Në të kaluarën e hershme disa e kishin quajtur “Qeta ose edhe Bregu iTrieshit”. Edhe rapsodët në këngët e tyre e kishin quajtur me këtë emër. Trieshin e rrethojnë tre male të larta: Kazheniku, Suka e Grudës dhe Qyteza. E gjithë hyrja e rrugëve në Triesh kalon nëpër qafa dhe gryka. Është si një fortesë të cilën e mbron edhe natyra e maleve për rreth. Eshtë sulmuar shumë herë nga sllavët dhe turqit , por pushtimet e Trieshit nuk kanë pas sukses. Edhe gjatë pushtimeve Trieshi ka ruajtur traditën, gjuhën dhe fenë e të parëve. Lagjen ku kam lindur e quajn Gjolekë. Këtu kishim një shtëpi të vogël përdhese të mbuluar me kashtë. Pas do kohe u bëmë shumë rob dhe mund të vihej re varfëria për gjërat elementare. Pas disa vjetësh mbi themelet e asaj shtepie ndërtuam një shtëpi të re, mjaft e mirë për atë kohë. Gjatë stinës së verës dilnim në bjeshkë në Koritë dhe në Koshticë. Ndërsa vjeshtën e kalonim në Gropë të Modhë. Kjo gropë ishte midis Kojës së Kuçit dhe Trieshit. Aty bëhej patatja por jo misri. Në Gropë Modhë ishin tre dëbana, dëbani ynë, i Palokë Ujkës dhe i Prëç Marashit. Në Gropë Modhë binte shi i madh.Të gjitha arat i mbulonte uji, sidomos një gropë e cila quhej “Gropa e Ujit”. Në arë të thellë mbjedhnim patate, por shiu i mbulonte për dy javë ose më shumë dhe si pasojë patatët kalbeshin dhe ne kshim problem me pronrarin e asaj toke, ngase ne e punonim atë tokë përgjysmë. Aty afër ishte një gurrë e madhe e cila quhej “Gurra e Prelokës”. Kur binte shumë shi dilte jashtë kontrollit. Quhej “Gurra e Prelokës” sipas emërit të babait të Dr. Athanas Gegaj. Aty në Gropë Modhë u njoha mirë edhe me Mrinë e Dedë Gjo’Lulit. Mria ishte nëna e Palokë Ujkës Dukaj. Mri Dedja e Dedë Gjonit në atë kohë ishte shumë e lodhur nga pleqëria. Ishte krrusur dhe i dridhej koka. Ishte shumë e urtë dhe në malet e Mullës ku ruante bagëtinë vajtonte vëllazerit e saj Kolën e Gjergjin, por edhe babain e saj Dedë Gjo’Lulin.

Ditën e parë të shkollës e kisha filluar në shtator të vitit 1954. Por vajtjet për qef në këtë shkollë i kisha filluar në vitin 1953. Unë nuk isha nxënës i rregullt por më pëlqente bashkimi me fëmijë të tjerë të moshave më të rritura. Mësuesit tonë në atë kohë kishin qënë Gjon Gjeka Lucaj dhe Dodë Prekë Gjolja edhe ai Lucaj. Prej Gjonit kisha mësuar një këngë për Bajram Currin dhe një tjetër për Dedë Gjo’Lulin. Në atë moshë Gjoni më kishte detyruar të recitoja këngën:”Kamë mas kame në maje të gurit, kamë mas kame mas flamurit, pushka vlon e vlon flamuri flutoron.” Kamë mas kame në maje të gurit. Jemi nipat e Dedë Gjo’Lulit”. Unë e recitova këtë këngë me sy të mbyllur ngase kisha turp nga të pranishmit. Këtë këngë nuk e kisha dëgjuar më veç edhe një herë në Romë në verën e vitit 1970 në një darkë që Ernest Koliqi kishte shtruar për nder të kryetarit të “Vatrës” të Amerikës Peter Çikos. Këngën që e kisha mësuar nga Gjon Gjeka i Trieshit e dëgjova pas 17 vjetësh nga piktori i njohur shkodranë Lin Delia.
Ne jetonim në Gropë Modhë kur fillova mësimet e klasës së parë. Nëna më kishte përgatitur dhe më nisi për në shkollë shumë e lumtur . Por atë ditë shkova deri te shtëpia e Zef Nishkut, dhe aty u ndalova gjithë ditën duke luajtur me fëmijët e tij. Zef Nishku kishte shumë fëmijë të moshave të ndryshme. Ata kishin një qën të zi tëpër agresiv dhe gjithë ditën e kalonim me frikë. Zef Nishku kishte një gomar të mirë dhe pas pak kohe unë u bëra kalorësi i këtij gomari të cilin e lodroja nëpër ulicat e Lujzit. Nga ky gomar mësova të lodrojë kalin tonë dhe kuajt e tjerë sidomos në Fushë të Koritës. Kur u ktheva në mbrëmje në shtëpi nëna më pyëti nëse isha në shkollë. I tregova të vërtetën dhe ajo u zemërua shumë dhe mori një thupër dhe më ra disa herë, pastaj pas pak u betova se nuk do të mungojë më. Klasën e parë e kisha filluar në Kodër të Burgut. Aty ishte edhe zyra e vendit. Mësuesi im i parë ka qënë Gjergj Hasanaj, shumë i qetë shumë i mirë dhe shumë i dashur. Gjergj Hasanaj ishte pedagog i vërtetë. Ai dhe Vasel Margilaj kishin themeluar në vittin 1959 shkollën tetëvjeçare të Trieshit. Pas vitit të katërt në Triesh në shtator të vitit 1959 I kisha filluar mësimet tetëvjeçare në Tuz. Mbaj mend se drejtori i asaj shkolle ishte Gjergj Gjokaj. Vajtja në shkollë të Tuzit më dukej mrekulli, sepse ajo shkollë kishte shumë nxënës dhe shumë arsimtarë. Një ditë shtatori shkuam shumë të organizuar në Titograd për të parë e përshendetur Titon dhe Hrushçovin gjatë një vizite në Titograd.
Në fillim të tetorit që ishte edhe Dita e Zojës së Trieshit u hap lajmi se në Triesh do të hapet shkolla tetëvjeçare. Ishte lajmi më i gëzuar që ishte dëgjuar ndonjëherë në Triesh. Gjatë atyre ditëve nuk flitej tjetër vetëm fillimi i kësaj shkolle tetëvjeçare në gjuhën shqipe.Unë u gëzova edhe më shumë sespe u ktheva nga Tuzi në shtëpinë time në Triesh. Në atë kohë në këtë shkollë jepnin ushqime të prodhimeve amerikane, bukë prej mjellit të Selanikut, pastaj tamël pluhuri dhe djath kaçkavall. Të gjthë shkonim në shkollë të lumtur edhe më shumë për këto ushqime se për mësime. Dila e Gjekë Gilës ishte guzhiniere e mirë dhe shumë e pastër. Ishte grua e mirë dhe e nderonim të gjthë. Ishte si një nënë e dytë. Në kutitë dhe thasët e atyre ushqime shkruante (MADE IN USA). Nga këto ushqime filloi edhe dashuria jonë për Amerikën. Sot kur e shoh djathin e verdhë kaçkavall në Amerikë më kujtohen ato kohë. Në gjysmën e parë të vitit të pestë isha nxënës I mirë. Këtë e bëri të ditur kujdestari i klasës sime Vasel Margilaj në mbledhjen e prindërve ku kishte marrë pjesë axha im Mark Pjetër Luka. Ai kishte dëgjuar fjalë të mira nga Vasel Margilaj dhe më përgëzoi shumë për suksesin tim. Natyrisht se aty ishin të pranishëm shumë prindër. Në ato kushte kisha qënë nxënës i mirë, siç ka thënë Jul Qezari :”Më mirë i pari i katundit se i mbrami i Romës”. Ajo që më kishte bërë nxënës të dalluar ishte përkushtimi i madh. Disa herë nuk kisha bërë asnjë orë gjumë gjithë natën vetëm e vetëm për të qënë i përgatitur për ditën e nesërme. Mbaj mend edhe sot kur kisha mësuar përmendësh rusisht gjithë natën poemën e Jeseninit: “Ti daragaja mama” (Nëna Ime e Dashur). Gjatë tetë vjetëve në këtë shkollë kisha përjetuar shumë gëzime por edhe disa hidhërime. Në vitin e katërt përjetova një dhimbje të madhe. Isha duke u kthyer me nënën time nga vizita te dajat e mi në Nënhelm. Dukë u kthyer në Triesh mbi Dinoshë në She të Leshahut një grua u ndalua për të na përshëndetur. Ajo na tregoi se një ditë më parë kishte thyer qafën Frani i Marash Perit Lucaj. Nëna ime qante aq shumë saqë edhe unë fillova të qajë. Frani kishte qënë nxënës i klasës së dytë dhe kishte shkuar atje në buzat e “Shkembit të Madh” për të mbledhur lule për stafetën e Titos. Nëna e tij Katrina e Gjo’Mirash Prekës e kishte gjetur copa copa në fund të shkëmbit. Një ditë më vonë u bë varrimi i tij.Ceremonia e mortit u bë në një livadh para shtëpisë së Marash Perit. Të githë nxënësit e shkollës morëm pjesë në mortin e tij. Gjergj Hasanaj mbajti një fjalim shumë të dhimbshëm. Në vorrin e tij shkruan: Fran Lucaj 1950-1958. Vdiq me Stafetën e Titos në dorë’. Dhimbja e dytë që nuk e harrova kurrë ishte plagosja e Kolë Palokës Dukaj nga shpërthimi i një bombe dore që e kishte gjetur në tokën e Malit të Kakarriqit. Kola kishte luajtur me atë bombë duke mos i ditur pasojat dhe pas pak i kishte shpërthyer. Pasi kishte qëndëruar në spital Kola ishte kthyer për të vazhduar mësimet në klasën tonë. Kur e vumë re se nuk e kishte njërën dorë u trishtuam të gjithë. Edhe një rast tjetër më kishte sjellur shumë dhimbje e kokëçarje. Shoku im më i dashur i klasës Rroku i Zef Nikollës Dukaj ishte arratisur në Shqipëri. Një natë përpara kishim qëndruar së bashku në shtëpinë e tij deri në orët e vona të natës. Të nesërmen e thirra për të shkuar së bashku në shkollë. Motra e tij Gjystja e Zef Nikollës më tha se atë ditë ishte nisur heret. Pas pak arritën nxënësit e Cemit dhe treguan se e kishin takuar Rrok Zefin afër urës së Lemajës dhe se më kishte përshëndetur duke thënë se po shkonte atje ku kishim biseduar disa ditë më parë. Mua nuk mu kujtua se kishim biseduar për këtë çështje. Aty lindi dyshimi se edhe unë kisha në plan të arratisesha në Shqipëri. Arsimtarët, nxënësit dhe i gjithë Trieshi u alarmua për ikjen e Rrok Zefit në Shqipëri. Pas pak orësh arritën forcat e sigurimit. Atë ditë u paraqitën edhe vullnetarë nga Trieshi për të ruajtur kufirin mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në atë kohë Mali I Zi kishte përjetuar një kohë të vështirë sepse krejt nxënësit e shkollës së Vuthajve ishin arratisur në Shqipëri dhe kishin frikë se kjo mund të ndodhte edhe në Triesh. Pas hetuesive që më bënë në shkollë erdhën edhe në shtëpinë time. Më kujtohet edhe sot se njëri pej tyre ishte edhe Savo Bakraçi, një burrë zeshkan me mustaqe të mëdha. Axha im Mark Pjetri para se me ardhë ata, më pyeti nëse isha në dijeni për ikjen e Rrok Zefit Dukaj. Ju betova që jo. Atëherë me tha mos u shqetëso se ai do të bisedonte me njerëzit e sigurimit. Pas disa pyetjesh e përgjigjesh, axha im Mark Pjetri u tha:”Për çka mund të ndodhë sot e mbrapa, unë marrë përgjegjësinë”. Në lidhje me këtë çështje i qëndrova besnik.Pavarësisht sjelljeve të mia korrekte disa nga ata më shikonin si të dyshimtë por kurrë nuk më thanë asnjë fjalë te keqe. Largimi i shokut tim Rrok Zefit më kishte shkaktuar dhimbje për një kohë të gjatë. Në pranverë të vitit 1963 mbaruam gjysmë maturën. Klasa jonë ishim gjysmë maturantët e parë të shkollës tetëvjeçare të Trieshit. Unë e përfundova klasën e tetë me sukses të shkëlqyeshëm. Bile në fund të vitit shkollor kisha fituar një çmim nga Ministria e Arsimit të Mali të Zi për një hartim të cilin e kishte përkthyer në gjuhën serbo-kroate Nua Lekoçaj arsimtari im. Njoftimi për këtë shpërblim ishte botuar në gazetën”Pobjeda”. Nuk e dijë nëse ishte çmimi i dytë ose i tretë, por jo i pari. Për këtë çmim më kishin dhuruar një sasi të vogël të hollash. Në këtë shkollë mësova shumë. Këtu i vura themelet e arsimit. Për mua shkolla e Trieshit është “Alma mater”. Për mua kjo shkollë është tempulli i dijes. Në familje dhe në këtë shkollë mësova bazat elementare për të vërtetën, për respektin, nderin dhe dinjitetin.
Zoti të bekoftë o shkolla ime e dashur.
___________
Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Triesh, 130 vjet arsim
https://www.youtube.com/watch?v=yEkYdACzSss

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura