GJENERALI QË IA HOQI PETËN LAKRORIT RUS

Nga Dr.Eshref Ymeri, Kaliforni, 18 shtator 2023

Gjenerali që ia hoqi petën lakrorit rus

Para disa ditësh, në Portalin “Fjala e Lirë”, lexova një analizë mjaft interesante të gjeneralit Piro Ahmetaj. Analiza titullohej “6 betejat e humbura dhe fundi turpërues i luftës së Rusisë – Putiniste”.

https://www.fjalaelire.com/post/6-betejat-e-humbura

Në atë analizë, gjenerali erudit në fushën e artit ushtarak, ka folur me gjuhën e fakteve. Të lënë përshtypje tëthella rreshtat në vijim:

“… pas 18 muajsh do duhet risjellë në vetëdijen publike, se udhëheqës të deformuar nga paranojat e (mbi) pushtetit dhe nostalgjikë të lavdisë së ushtrisë së kuqe në Kremlin dhe jo vetëm; politikanë të korruptuar dhe kamikazë anti-perëndimorë, si dhe sekserë të interesave të oligarkisë (përfshi në Shqipëri), e mbivlerësuan fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale…”.

Ajo “peshorja tradicionale” e ka pasur dhe e ka  “selinë” para Kremlinit, në Sheshin e Kuq, ku çdo 9 maj transmetohen mebujë të madhe paradat ushtarake të ushtrisë ruse, me të cilat, në vetëdijen e naivëve perëndimorë dhe të rusomanëve të tjerë të Evropës, pa përjashtuar rusomanët shqiptarë, banda oligarkike e Kremlinit, me neofashistin Putin në krye, është munduar dhe mundohet të krijojë bindjen e patundur për “madhështinë” e forcave të armatosura ruse, si ushtria me armatimin  “më modern” në botë. Këta naivë perëndimorë dhe rusomanë me gjykim të cekët, nuk kanë qenë në gjendje ta kuptojnë që paradat ushtarake “madhështore” në Sheshin e Kuq, kanë pasë shërbyer gjithmonë vetëm si fasadë për mashtrimin e opinionit publik  ndërkombëtar.

Zhvillimi i ngjarjeve në Ukrainë pas sulmit të ushtrisë fashiste ruse dhe analiza mjaft e argumentuar e gjeneralit Piro Ahmetaj, të bëjnë të kthehesh shumë prapa në kohë dhe të kujtosh historianin dhe diplomatin francez Lui Filip de Segyr (Louis Philippe, comte de Ségur – 1753-1830). Në vitet 1784-1789 ai ka pasë qenë ambsador i Francës pranë oborrit të perandoreshës ruse Ekaterina II (1729-1796) dhe në kujtimet e veta ka lënë këtë shënim:

“Rusia është një kolos me këmbë argjile”.

Një kolonel rus, anëtar i shoqatës ruse të historianëve të luftës së dytë botërore, ka deklaruar.

“Më 22 qershor 1941, pra, brenda një dite, Ushtria e Kuqe humbi 1200 aeroplanë”. (Citohet sipas: Juri Rubcov.“Janë zbuluar dokumente të tmerrshme, të mbajtura sekrete, për humbjet e vitit 1941”. Faqja e internetit “Svobodnaja pressa”. 08 shtator 2023).

Shkrimtari Sergej Bajmuhametov (1950) ka bërë publike një dukuri thellësisht domethënëse që është vënë re në Rusi pas ardhjes në pushtet të neofashistit Vladimir Putin. Sulmi i ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe zhvillimi i ngjarjeve pas kësaj date, ka dëshmuar më së miri se në Rusi është vendosur neofashizmi. Ai shkruan:

“Në dritën e korrigjimeve të reja në legjislacion, të cilat janë të shumta, tani a ka rrezik të dënohesh me burg nëse citon gazetat sovjetike të vitit 1939? Të gazetave të tilla, në të cilat qenë botuar telegramet që shkëmbenin Hitleri, Stalini dhe Ribentropi, si, fjala vjen:

“Miqësia e popujve të Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik, e lidhur me gjak, i ka të gjitha argumentet të jetë afatgjatë dhe e fortë (gazetat “Pravda” dhe “Izvjestija”, 25 dhjetor 1939). Ose të gazetave të tilla, në të cilat botohej fjalimi i kreut të qeverisë sovjetike, Molotovit, në sesionin e sovjetit suprem të Bashkimit Sovjetik”. (Citohet sipas: Sergej Bajmuhametov.“Paradokset e historisë: në Rusi u ngrejnë shtatore përkrahësve të Hitlerit”. Faqja e internetit “Novije Izvjestija”. 13 maj 2021).

Në atë fjalim, Molotovi, si një komunist-fashist i rangut të lartë, shfreu tërë urrejtjen e vet kundër një vendi fqinj, të cilin, Bashkimi Sovjetik, në bashkëpunim të ngushtë me Hitlerin, kërkonte ta zhdukte krejtësisht nga harta e Evropës. Prandaj ai pati deklaruar:

“Rezultoi e mjaftueshme një goditje e shkurtër kundër Polonisë, fillimisht nga ana e ushtrisë gjermane, mandej nga ana e ushtrisë së kuqe, në mënyrë që të shfarosej kjo pjellë e shëmtuar e traktatit të Versajës”  (po aty).

Pra, politika ruse, që nga koha e carizmit, periudha e diktaturës komuniste, deri te neofashizmi i bandës së Kremlinit të ditëve tona, ka në themel egërsinë shoviniste për pushtime territoresh të huaja. Por historia e ka vërtetuar me fakte se të gjitha sulmet agresive që Rusia ka pasë ndërmarrë për pushtime të tilla, të gjitha janë regjistruar si dështime, si faqe të turpshme në historinë e saj dhe në atë botërore. Le të kujtojmë për një çast sulmin e ushtrisë së kuqe kundër Finlandës më 30 nëntor 1939. Asokohe Finlanda kishte 3,5 milionë banorë, kurse Bashkimi Sovjetik – 197 milionë Në një burim të internetit thuhet:

“Më 30 nëntor 1939, Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën, me synimin  për ta shtyrë kufirin nga Leningradi dhe për të krijuar një qeveri-marionetë prosovjetike.  Komandantët ushtarakë patën planifikuar ta përfundonin luftën brenda 20 ditëve dhe të zhvillonin një paradë në Helsinki, për t’i bërë një dhuratë Stalinit me rastin e ditëlindjes së tij më 21 dhjetor. Por fushata ushtarake në Finlandë përfundoi me turp për ushtrinë e kuqe” (Citohet sipas: Gjergj Erman. “Lufta dimërore: si e ndaloi Finlanda sulmin e Bashkimit Sovjetik, në të cilin u vranë mijëra ukrainas”. Faqja e internetit “BBC News Ukraina”. 02 dhjetor 2019).

Agresioni fashist kundër Finlandës, për tre muaj e gjysmë (30 nëntor 1939-12 mars 1940), Bashkimit Sovjetik i kushtoi 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të sakatuar, të zhdukur pa lënë gjurmë dhe të vdekur nga të ftohtit.

Bashkimi Sovjetik po me turp e mbylli edhe fushatën agresive kundër Afganistanit, në të cilën u vranë 30 mijë ushtarë dhe oficerë dhe 60 mijë mbetën  të sakatuar.

Për këto agresione kundër vendeve fqinje, me dështime të turpshme, fajin kryesor, para së gjithash, e ka vetë popullit rus, i cili, tradicionalisht, ushqen respekt për diktatorët gjakatarë. Prandaj shkrimtari, publicisti dhe mendimtari rus, Ivan Shmelov (1873-1950), thotë:

“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë…”.

Duke pasur parasysh një të tillë formim psikologjik të popullit rus, jo rastësisht, më14 tetor 2016, në qytetin e Orllovit të qarkut të Kirovit, për herë të parë në historinë e Rusisë, u inagurua shtatorja e diktatorit gjakatar, carit Ivani i Tmerrshëm. Profesori i Universitetit të Orllovit, Juri Malutin, ngriti padi kundër Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Por dardha e ka bishtin prapa. Në qytetin Velikie Lluki të qarkut të Pskovit, më 15 gusht 2023, u inagurua shtatorja e Stalinit me një lartësi prej 8 metrash. Me sa duket “epidemia” e ngritjes së shtatoreve të diktatorëve do të vazhdojë të përhapet në mbarë Rusinë.

Pra, dashuria e popullit rus për diktatorët është tradicionale, sepse, sipas formimit të tij psikologjik, gjatë sundimit të tyre ka dalë shumë në pah “madhështia” e Rusisë. Kjo “madhështi” ka rënë tepër në sy gjatë sundimit të Stalinit, sidomos pas sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941. Por disfatat e ushtrisë së kuqe në vitin 1941, propaganda sovjetike i pati kaluar në heshtje, duke parapëlqyer mistifikimet heroike për ato  ngjarje, mistifikime që kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe tani në Rusinë putiniste.

Historiani rus dhe gjerman, Aleksandër Gogun, i Universitetit të Berlinit me frekuentim të lirë, është autor i librit me titull “Gabimi i vitit 1941”. Ai shkruan:

Statistika e thjeshtë dëshmon se Ushtria e Kuqe, në vitin 1941, nuk u shfaros në luftë, ajo pranoi të binte rob e vermahtit. Numri i ushtarëve të rënë rob kapte shifrën afërsisht prej 3,5 milionë, ndërkohë që ushtria efektive në qershorin e atij viti arrinte në 5,5 milionë ushtarë dhe oficerë, ¾ e të cilëve ishin përqendruar në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik. Pa prekur karakteristikat konkrete të luftimit,.. lidhur me armatën e blinduar staliniane në gjysmën e dytë të vitit 1941, po japim një përshkrim të qartë, deri në notat e groteskut, të atyre ngjarjeve, përshkrim që e ka përcjellë një dëshmitar i drejtpërdrejtë – Taras Boroveci, komandant i një çete partizane antisovjetike:

“Që nga deti Balltik deri në detin e Zi, po shpaloset një pamje e paparë në historinë e njerëzimit… Divizione, korpuse, ushtri, fronte të tëra tërhiqen me duart lart””. (Citohet sipas: Aleksandër Gogun. “Arsyet e disfatave të ushtrisë së kuqe në vitin 1941. Faqja e internetit “cripo.com.ua”. 06 korrik 2021).

Po si shpjegohet që ¾ e ushtrisë efektive të Bashkimit Sovjetik, siç thekson historiani Aleksandër Gogun, ishin përqendruar në kufijtë e tij perëndimor?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop më 23 gusht 1939. Ky pakt fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte nën këmbë demokracitë evropianoperëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e ushtrisë së kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krej Evropën Perëndimore, dëshmohet edhe në dy burimet në vijim:

1. “… në planin operativ të ushtrisë së kuqe është një shënim i zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm,  gjeneralit Nikollaj Vatutin (1901-1944): “sulmi të fillojë më 12 qershor”. Faktikisht, nuk arritën t’i grumbullojnë trupat, t’i përqendrojnë forcat dhe prandaj datën e shtynë për një afat paksa më vonë”” (Citohet sipas: Aleksandër Gogun. “Arsyet e disfatave të ushtrisë së kuqe në vitin 1941. Faqja e internetit “cripo.com.ua”. 06 korrik 2021).

2. “Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik – E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Citohet sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).

Gazetarja e njohur ruse, Julia Llatëjnina (1966), është ndalur në atë disfatë të turpshme që pësoi ushtria e kuqe më 22 qershor 1941. Ajo shkruan:

“Më 22 qershor populli rus u shndërrua në kope frikacakësh… Si ta shpjegojmë atë lemeri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke pasur epërsi mbi gjermanët edhe në armatim, edhe në numër, edhe në cilësi, pati braktisur armatimin dhe u hodh në anën e gjermanëve?” (Citohet sipas: Julia Llatëjnina. “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe rusët”. Faqja e internetit “Livejournal”. 04 mars 2023).

Pa përmendur miliona jetë civilësh që ranë viktima nga radhët e popullit sovjetik gjatë asaj lufte 4-vjeçare, po ndalemi vetëm në numrin e ushtarakëve të vrarë. Në burimin e mëposhtëm thuhet:

“Pas atij sulmi, humbën jetën… tetë milionë ushtarakë, nga të cilët rreth katër milionë e gjysmë patën vdekur në kampet e përqendrimit për robërit ushtarakë”  Citohet sipas: “Vojennoje obozrenjije”. Faqja e internetit “topwar.ru”. 25 qershor 2010).

Vetvetiu vjen përfundimi se historiani dhe diplomati francez Lui Filip de Segyr, ka pasur shumë të drejtë me shënimin që ka pasë lënë më shumë se dy shekuj më parë për Rusinë, si një kolos me këmbë argjile. Ndryshe s’ka se si shpjegohet që ushtria e kuqe, e armatosur deri në dhëmbë, siç vë në dukje historiani Aleksandër Gogun, pas 22 qershorit 1941, për pesë muaj rresht, vazhdoi tërheqjen e turpshme me humbje të rënda përgjatë pothuajse 1100 km, deri në rrethinat e Moskës. Dhe vetëm më 5 dhjetor ajo u hodh në mëymjekundër trupave gjermane. Po pse pikërisht më 5 dhjetor? Sepse aty i erdhi  një “ndihmë e pallogaritshme nga strategu i madh ushtarak”, me emrin “Dimri rus”. Sigurisht që ushtria e kuqe do ta fitonte atë luftë, se mbronte vendin e vet, sepse dihet që luftërat pushtuese gjithmonë përfundojnë me disfata. Por ushtria e kuqe, fitoreve të merituara që korri deri në Berlin mbi ushtrinë naziste, u vuri vulën e turpit me përdhunimin e 2 milionë vajzave dhe grave gjermane, nga mosha 8 deri në 80 vjeçe, një turp ky i pashlyeshëm kurrë ndonjëherë në historinë e mbarë njerëzimit. Me sa duket, sipas gjeneralëve dhe komandantëve të Ushtrisë së Kuqe, të të gjitha niveleve, “fajtore” për sulmin e 22 qershorit paskëshin  qenë vajzat dhe gratë gjermane! Dhe kundër tyre “duhej kryer” hakmarrja në mënyrën më të  poshtër, më shtazërore.

Analiza fort e argumentuar e gjeneralit Piro Ahmetaj, shërben si një leksion tepër domethënës për nostalgjikët rusë në Shqipëri, të cilët patën menduar se trupat fashiste ruse do të priteshin me lule në Kiev, ose Ukraina do të mposhtej brenda 3-4 ditëve. Me këtë analizë, gjenerali i nderuar e ka zveshur lakuriq Rusinë fashiste, ashtu siç e kanë zhveshur deri tani edhe forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat shumë shpejt ia nxorën të brendshmet jashtë bandës kriminale të Kremlinit dhe të oligarkëve të babëzitur rreth saj, që, me grabitjet skandaloze të pasurive të vendit, Rusinë e populluar nga njerëz-skllevër, e kanë katandisur në një gërmadhinë të kalbur, jo vetëm ekonomikisht, por edhe ushtarakisht.

Kaliforni, 18 shtator 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura