Durrës, 8 shkurt 2021: Pjesë nga libri i Leonidha Mërtirit “Një diplomat i Tiranës në Shkup”, faqe 225-229, shtator 1993.
Dje, në orën 20.00, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Stojan Andov, por këtë radhë edhe në cilësinë e kryetarit të Partisë Liberale, dha një pritje në Hotel “Grand” për nder të disa specialistëve amerikanë që ndodhen në Shkup. Midis të ftuarvet ishim edhe ne diplomatët.
Sapo hyra në sallë, erdhi i shqetësuar drejt meje shefi i Misionit të KSBE-së, ambasadori Anderson. Më pyeti për incidentin që kishte ndodhur në kufirin tonë me Maqedoninë dhe si ishte i plagosuri, i cili ndodhej për kurim në spitalin e Ohrit. U gjenda i befasuar. Nuk dija asgjë. Ministria jonë e Mbrojtjes apo Ministria e Brendshme, si dhe për incidentin e mëparshëm, nuk kanë dërgua asnjë njoftim. Aty për aty, për të dalë nga kjo gjendje, i thashë ambasadorit Anderson, se sapo isha kthyer nga Kumanova dhe nuk kisha informacion. Sakaq e falenderova për njoftimin që më dha dhe sugjerimin që u kishte bërë organevet të këtushëm të Ministrisë së Mbrojtjes, që nesër të mblidhen komisionet e të dy palëvet për të ndriçuar këtë rast. Do të lidhem menjëherë me Tiranën, i thashë, dhe po shkoj në Ohër për të parë vetë gjendjen e shtetasit tonë.
U ndava nga Andersoni për të takuar Ministrin e Jashtëm, Stevo Crvenkovski, i cili ishte në pritje edhe si nënkryetar i Partisë Liberale. Sikundër më tha, as ai nuk dinte gjë, duke shprehur shqetësimin për incidentin e përsëritur. E besova shqetësimin e tij. Premtoi se do të interesohej për këtë dhe se do të bisedonim përsëri.
Ndërkaq u largova nga pritja dhe shkova në zyrë. Telefonova në spitalin e Ohrit. Nga urgjenca m’u përgjigjën se i plagosuri është jashtë rrezikut, pasi plaga nuk ishte e rëndë. Hollësira të tjera, më thanë, nuk mund të jepnin, sepse personi ishte në gjendje arresti. Edhe pse vonë, i telefonova, gjithashtu në shtëpi, zëvendësministrit të Mbrojtjes, Nazmi Maliqi. Incidenti ka ndodhur afër fshatit Llabunishtë, më tha ai, pranë Shën-Naumit dhe se Ministri i Mbrojtjes kish dhënë urdhër pas kësaj që të pezullohej nga puna komandanti i batalionit dhe se të nesërmen, rasti do të shqyrtohej me hollësi. Në vendin e ngjarjes do të shkojnë edhe disa nga oficerët e kësaj Ministrie, si dhe do të mblidhet Komisioni i Përbashkët Kufitar, shtoi Maliqi. Më erdhi mirë për reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë, por pyetja se përse këto ngjarje përsëriteshin edhe pas këtyre reagimeve, nuk m’u nda. Të ishin forca të ndryshme, me prapavijë tjetër, që u kundërviheshin qëndrimevet për një kthesë reale në këtë drejtim, siç na është premtuar? Sikurse jam shprehur dhe më parë, mendoj se shteti, pavarësisht një avashllëku të dukshëm nga disa institucione qendrore, nga ç’kam vërejtur unë, në ndjekjen dhe zbatimin burokratik të problematikavet të ndryshme, funksionon me të mirat dhe të metat. Atëherë?!
…Deri në mbarim të orarit zyrtar të ditës së sotme, prita ndonjë përgjigje nga Drejtoria e Parë e MPJ, pasi kisha informuar për ngjarjen dhe propozoja të shkoja në spitalin e Ohrit, për të parë nga afër gjendjen e njeriut tonë. Asnjë përgjigje. Vendosa vetë të nisem në pasdite vonë. Mora më parë në telefon zotin Sh. P. në Strugë, nëse mund të shkonim bashkë në spital, sapo të mbërrija atje. U tregua i gatshëm. Sa erdha në Strugë, në Hotel “Drim”, i telefonova përsëri atij. Nuk mund të vij dot, më tha, më kanë ardhur mysafirë. Të ishte vërtet kështu? Apo, me të drejtë kërkonte t’i shmangej ndonjë konflikti me policinë? Ç’të bëja? Tashmë ishte errur. Edhe rrugën nuk e dija mirë, pa folur për spitalin. Mendja më shoki te mjekja e njohur Flora Doko Lumani dhe i shoqi i saj, Memetaliu, po mjek. Florën e njohin dhe shumë pacientë të saj në Shqipëri, si mjeke e apasionuar, por edhe për shpirtin e madh. Klinika “Preventiva” në Strugë e dr. Florës, prej vitesh ruan emër të mirë. Ajo vetë përfaqëson denjësisht intelektualen e angazhuar, por dhe të guximshme, tek e cila rrezaton edhe një patriotizëm i admirueshëm…
Sapo i thashë si e kisha hallin, nuk priti ta zgjatja më tej. Takohemi pranë klinikës sonë, tha, po vij me bashkëshortin. Kështu, të tre u nisëm për në Ohër. Te hyrja e spitalit, pasi u prezantuam kush ishim, na thanë që mund të hynim vetëm dy vetë dhe të pritnim në korridor mjekun e shërbimit. Hymë të dy me Florën. Mjeku që erdhi, na ftoi në zyrën ku qëndronte. Plagën e ka në këmbë, tha ai. I janë bërë të gjithë shërbimet dhe mendojmë se çdo gjë po shkon mirë. Kaq mund t’ju them, përfundoi mjeku roje. E falenderuam, duke i kërkuar ndërkohë të takohem me të plagosurin. Këtu mbaron gjithçka për mua, u përgjigj ai. Tani, flet vetëm policia. Kërkova përgjegjësin e tyre. Katër policë të armatosur qëndronin jashtë dhomës dhe dy brenda saj. Besnik Mema, ky i ri 24-vjeçar nga Alarupi, një fshatar i varfër, dhe në atë gjendje që qe, ruhej si të ishte kriminel i rrëzikshëm, që “rrezikonte sovranitetin” e Maqedonisë(!) Një nga policët, ndoshta përgjegjësi i këtij misioni, u afrua te ne. Pasi iu prezantova edhe atij, i thashë arsyen e ardhjes dhe i zgjata dokumentin e diplomatit. Po ju?- i tha Florës dhe i kërkoi pasaportën. Aty për aty ma ktheu: “Nuk mund të takoheni, është në proces hetimi”. Ju lutem, i thashë, lajmëroni shefat tuaj për ardhjen time. Çuditërisht, policë që ndërroheshin apo shtoheshin, hynin e dilnin. Me dokumentet tanë në dorë, polici përgjegjës hyri në dhomën e infermierisë, nga ku merrej vesh me shefat e tij. Kjo situatë zgjati rreth një orë, gjersa erdhi komandanti i policies së Ohrit, i cili, siç dukej, kishte biseduar me shefat e vet. I krekosur, që nuk të shihte në sy. Më tha se mund të hyja vetëm unë, me kushtin që të mos bisedoja asgjë me të sëmurin rrerth incidentit. Në të kundërt, tha ai, do t’jua ndërpresin takimin. U ktheva nga dr. Flora, me merakun se mos e kisha futur në telashe dhe, si për të ndryshuar atmosferën, i them: Po të lëmë në mes të policëvet. Je e siguruar.
Hyra në dhomën e Besnikut. Ai ishte mbuluar i tëri me batanije, nën shoqërinë e dy policëve, po të armatosur, tani edhe të një përkthyesi, që nuk e mora vesh se çfarë mund të bënte ai, sepse dy fjalë i fliste shqip dhe tri maqedonisht. I hoqa pak batanijen. “Besnik, si je? Unë jam… Kam ardhur për ty… mos u bëj mertak”. Sikur të mos kishte asgjë, u ngrit vëtik në të ndenjura, më hodhi duart në qafë dhe nuk më lëshonte. Filloi të qajë me dënesë. “Isha duke prerë dru, -tha. Më akuzojnë se do vrisja ushtarët me sëpatë. Përse do t’i vrisja, vëlla? Ndërhyni të dalë e drejta dhe të kthehem në shtëpi!” Gjendja shpirtërore e Besnikut ishte tepër e rënduar. U përpoqa ta qetësoj. Duke e përqafuar, i thashë se “ditën e gjyqit, do të jem edhe unë me ty. Mos u shqetëso fare!”
…Atë ditë gjyqi filloi në orën 8.00. Kur hyra unë, pas njoftimit që i bëra gjykatës së Ohrit, ai kishte filluar tre-katër minuta më parë. Duke shkuar të zija vend, i vura dorën në shpinë Besnikut, si për t’i thënë që kam ardhur. M’u duk se ishte më mirë, jo aq i ngarkuar si më parë. Këmba e fashuar deri afër gjurit, ende me njolla gjaku, qëndronte mbi çizmet e vjetra prej llastiku, me qafat e prera si këpucë. Në akuzë, gjithçka i lihej shtetasit tonë. E shikoja Besnikun, të varfër, të këputur, i vetëm në mes të të huajvet… Por po ky Besnik e mbrojti veten me dinjitet, duke më bërë edhe mua të ndihem më mirë, teksa nuk i hiqja sytë nga ai dhe bluaja: “Ç‘po ndodh kështu me njerëzit tanë…? ”
Para se trupi gjykues të tërhiqej për të marrë vendimin, kryetari i seancës, që është edhe kryetar i Gjykatës së Ohrit, njoftoi për 30 minuta pushim. Isha i merakosur se mos Besniku dënohej me heqje lirie. Edhe plumbin, edhe burgun. Biseduam në zyrën e kryetarit si dy intelektualë, si fqinjë me njëri-tjetrin, të zhveshur nga detyrat që kishim, për vështirësitë që po kalonin vendet tanë, për traumat e tranzicionit dhe ëndrrat e njerëzvet tanë pas asaj mbylljeje të njohur… I fola shkurt, kjo dhe për shkak të mungesës së kohës.
Së fundi, gjyqi vendosi atë çka dihej: Shpalljen fajtor të të riut dhe për pesë vjet i ndalohej të hynte në Maqedoni.
Shënim: Mund të kisha bërë një përshkrim panoramik mbi përmbajtjen e krejt atij libri që e ka shkruar Leonidhë Mërtiri, konsulli i parë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, aso kohe të saposhpallur shtet i pavarur. Mund të kisha qëmtuar aty-këtu pjesët më pikante, siç bëhet zakonisht kur flasim për një libër. Por m’u mbush mendja dhe zgjodha këtë mënyrë, duke prurë këtu fjalë për fjalë katër faqe e pak më shumë të atij libri. Pikërisht në këto katër faqe e pak më shumë, lexuesi mund ta shikojë e kuptojë më së miri punën e madhe dhe tepër të vështirë që ka kryer ky konsull i yni në atë shtet fqinj. Në atë shtet, të cilin, jo vetëm shqiptarët e atjeshëm, por krejt kombi ynë ka interes për ta ruajtur të pacopëzuar. Por, si ta ruajmë, kur ata sillen kështu ndaj nesh?!
1 shkurt 2021 Gjokë Dabaj