BEHXHET SHALA: LUFTËTARI I ORËVE TË PARA TË UÇK-së QË KA SFIDUAR VDEKJEN – QANTE ME ZË!!!

(Pashtriku.org, 22. 04. 2012) – Ishte një burrë rreth të 50-ave… Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë,… Tash, po ata ish bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish-bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jasharin, Komandantin Legjendar të UÇK-së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin “ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i leshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 ( kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! …

GREVA E USHTARËVE TË UÇK-së, PARA SELISË SË QEVERISË THAÇI-2…

_______________________________________

     Nuk po shkruaj më! Jo pse nuk kam për çka të shkruaj dhe për kënd të shkruaj por janë ngatërruar adresat! Po luhet një lojë tjetër.
     Ne që shkruanim kundër dukurive negative duke e identifikuar UNMIK-un si majën e së keqes akuzoheshim se jemi kundër bashkësisë ndërkombëtare, “miqve ndërkombëtarë”, kundër integrimeve në BE dhe NATO, kundër pavarësisë së Kosovës, kundër Dejvidit dhe Tinës, përkrahës të Hugo Chavezit dhe përfitues të buxhetit të Serbisë meqë punuakemi për interesat e Serbisë; Baca Adem, Albini, Avniu, Shkelzeni, vogëlsia ime dhe të tjerët. Na thonin se po merremi me një kufomë, me një “kufomë politike” të quajtur UNMIK para tre viteve kur UNMIK-u, sipas “patriotëve” i pati paketuar valixhet. Shiheni realitetin sot, i njëjtë do të jetë edhe pas një viti. Tashmë të gjithë po e kërkojnë largimin e UNMIK-ut, edhe ata që kanë fjetur në të njëjtin shtrat me te. Do të ishte fat i mirë vetëm nëse kanë fjetur! Sot është më lehtë të hyhet në objektet e institucioneve të Republikës së Kosovës me ID-në e KMDLNJ-së apo të ndonjë OJQ-je tjetër se me ID-të e kontaminuara të UNMIK-ut! Lamberto Zanieri, për të realizuar një takim edhe me ndonjë administrator të rangut të mesëm të institucioneve të Kosovës duhet të paralajmërohet dhe të presë në radhë! Hashimin dhe Fatmirin ka filluar t’i shoh në ëndërr! Kush do të besonte këtë, para një viti, psh.! Edhe ministri Skënder Hyseni në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndau kartonin e kuq për UNMIK-un, kërkon të përjashtohet nga loja! Skenda vet! Skenda i cili na rriti adrenalinën në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me atë pjesën – përgjigjen që i dha Tadiqit, presidentit serb! Dua të them se pjesa politike e performancës së Skendës ishte e zbehtë, jobindëse me të cilën gjithsesi nuk pajtohem por ishte dukshëm më e mirë se herën e fundit që do të thotë se kritikat që i pata bërë, kanë shkuar në vend! Dhe se qëllimi im ka qenë i mirë, pa asnjë tendencë personale! Mirëpo, kjo është arsyeja të jem i bindur se UNMIK-u do të mbetet në lojë, do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e reprezentacionit të Serbisë, në lojë kundër Kosovës! EULEX-i është duke pritur të zëvendësojë UNMIK-un, nëse ndërrimi bëhet i domosdoshëm. Për kënd do të luaj nuk është aspak vështirë të prognozohet! I dhashë arsyet pse nuk kam shkruar apo kam shkruar shumë rrallë kohëve të fundit.
     Tash ju tregoj pse po shkruaj tani.

LOTËT E USHTARIT TË UÇK-së! 

    A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”.
Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’ia zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ-së, të njëjtën ditë. Ishte një burrë rreth të 50-ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim-bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte! Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish – bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jasharin, Komandantin Legjendar të UÇK-së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin “ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i leshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 ( kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja! Vërtetë, a do të vijë koha kur këta hajdutë, përfitues të luftës në kohën e paqes që dikur ishin pa asnjë kacidhe në xhep e që tash nuk dijnë ç’të bëjnë me ata milionat e tyre të pistë, të përballen me ligjin! Apo vetëm do t’i nënshtrohen gjykimit moral dhe mallkimit për të cilin as që e qajnë kokën! 

___________________________________

A DHA KUSH LLOGARI PËR FONDET?!

     Kush dha llogari për Fondin e 3%?
     Kush dha llogari për Fondin Vendlindja thërret dhe për ato para që qytetarët e Kosovës ua dorëzonin komandantëve në qese plastmasi?!
     A keni dëgjuar që ndokush nga komandantët apo politikanët rugovian ta ketë kthyer një pfening të vetëm pas përfundimit të luftës?
     Asnjeri, për be! 
     – Shihni kush zotëron godinat e mëdha, bizneset fitimprirëse në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera dhe se kush vërtet është zot i tokave rreth Çagllavicës si dhe tokave ku parashihet të ndërtohen rrugët dhe objekteve kapitale! Era u vjen, djersë e tjetërkujt, gjak i tjetërkujt dhe krim i tyre! Vizitori i papritur tha se këtë punë ia lë Zotit dhe historisë. U pajtova ta vendos Zoti për këtë sepse historinë e shkruajnë vet, si edhe deri më tani. Kontrolloni të gjitha librat e historisë, të të gjitha niveleve dhe më thoni nëse dikun e gjeni Adem Demaçin?! E gjeni, e gjeni, në 2-3 rreshta!
     Për fund
     Më takoi Luta ( i pati ndihmuar KMDLNJ’së në kohët më të vështira) dhe më pyeti pse nuk po shkruaj. Pata përshtypje se po mendon se më janë tharë topet apo më ka rrjedhur truri por për shkak të mirësjelljes nuk e tha këtë. Do të shkruaj. Kam shkruar disa shkrime për profilin moral, intelektual, politik, njerëzor dhe kombëtar të disa personave në Kosovë, që konsiderohen si VIP-a. Do ta kem shumë vështirë sepse do të jem i detyruar t’i keqpërdor, moralen, njerëzoren, kombëtaren, intelektualen dhe politiken, duke i ngatërruar me disa prej syresh! Punë që s’bëhet por që duhet të bëhet!
Behxhet Sh.SHALA – Prishtinë, 26. 03. 2009
– Autori është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ’së.

__________________________

LEXONI: GREVA DHE „MORALI“ I PUSHTETARËVE!

http://pashtriku.beepworld.de/pashtriku.htm

_______________________________

(FOTOILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU. ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura