ALI AHMETI DUHET TË PËRKRAHET NGA TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO QË JETOJNË

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

A është Talat Xhaferi shqiptar sipas Bekim Qokes dhe VV-së

 Pas  nënshkrimit të koalicionit midis LSDM -së dhe BDI- së , njëra ndër pikat ishte që BDI në 100 ditët e fundit të qeverisjes të udhëheqë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut përkatësisht që kandidati i propozuar nga kjo parti ta caktojë kryeministrin e qeverisë teknike , deri në zgjedhjet e muajit maj të këtij viti .Kjo ishte një marrëveshje e cila edhe mund të mos përfillej nga partneri qeverisësë , LSDM –ë. Partitë tjera maqedonase , të pamësuara që shqiptarët mund të udhëheqin institucionet më të larta shtetërore ,  që në fillim e kundërshtuan duke deklaruara se gjatë kohës sa kryeministri të jetë shqiptar , Maqedonia e Veriut është me qira në shtetin e vet. Edhe e majta ekstreme maqedonase kundërshtuan këtë transicion 100–ditësh . Deri këtu asgjë nuk është për t’u befasuar po  mos të ishin partitë opozitare të mbledhura rreth “ Grupit të Zjarrit “ , që proklamojnë një patriotizëm të fortë shqiptar e që këtë ia mohojnë BDI–së . Prandaj edhe u ndanë , jo për të rivalizuar LSDM dhe VMRO – DPMNE por për ta detronizuar Ali Ahmetin që nënkupton se luftën personale e kanë vënë mbi interesin e përgjithshëm , nëse edhe e kanë një interes të tillë. U lakuan disa emra për kryeministër 100 ditësh dhe fjalën e fundit e kishte Ali Ahmeti duke u përcaktuar për Talat Xhaferin , kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë  së Veriut , ish eprorin profesionist e që u bë edhe ushtar – epror i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare si Komandant “ Forina “ gjatë luftës në këtë shtet që ende ka shumë për të bërë në rrugëtimin e integrimit evropian. Familjarisht jam i lidhur me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut  për më shumë se 40 vite dhe e njoh mirë gjendjen e tyre atje , që nga vitet e 80 –ta. Edhe në llogoret e Kroacisë ishim në vujatje të dënimit me patriotë shqiptarë nga ky shtet si ; Tahir Hani nga Veleshta e Strugës , Zeqir Emini nga Kërçova , Zaim Beqiri nga Shipkovica e Tetovës,  Bejtullah Ademi – Demokrati nga Reçica e Madhe e Tetovës dhe Asllan Reshiti nga Tetova .

Të gjithë shokë të jashtëzakonshëm dhe politikisht të pregatitur që ishin organizuar edhe para demonstratave të vitit 1981 . Këta vepruan në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët kurse shkollimin e kishin përfunduar kryesisht në   Kosovë . Ali Ahmetin e kam njohur personalisht përmes Tahir Hanit ndonëse kam pasur informata të shumta për aktivitetin e tij kombëtar nga shokët që ishin në grup me te dhe që ishin dënuar bashkë me Ali Ahmetin – Abazin apo Cimën. Zaim Beqiri , bashkë me vëllezër , nënën dhe motrën , me armë kishin kundërshtuar policinë jugosllave – maqedonase dhe të gjithë ishin të arrestuar. Edhe Rafi Halili kishte qëndruar ballë policisë i armatosur deri sa ishte plagosur rëndë. Viteve të 80 –ta gjendja e shqiptarëve në Maqedini i shte tepër e rëndë , më e rëndë se e shqiptarëve në Kosovë. Pastaj , patriotët shiptarë nga Maqedonia kryesisht e zhvillonin aktivitetin ilegal politik në Kosovë me shpresë se , sipas një automatizimi të projektuar nga ata se ;” nëse zgjidhet çështja e shqiptarëve në Kosovë , do të zgjidhej në tërë territorin e ish –  Jugosllavisë ..” e që nuk ishte  e vërtetë. Shqiptarët në Maqedoni u shpërngulën masisvisht në Turqi , Amerikë dhe shtetet tjera , arsimi ishte vetëm për nivelet e ulëta me një orientim krejtësisht jugosllav kurse ndikimi i fesë ishte jashtëzakonisht i madh dhe i dëmshëm.  Për hapjen e fakultetit në gjuhën shqipe dhe për Flamurin Kombëtar kishte të vrarë , të arrestuar dhe të dënuar kurse për ndërtimin e xhamive , jo që nuk kishte kundërshtim nga shteti por kishte përkrahje . Në një fshat , psh. Çegrani , si fshati  më i madh shqiptar në Maqedoni  ishte plotësisht nën ndikimin e fesë dhe të politikës jugosllave . Kur shkova atje për herë të parë pasi dola nga burgu në vitin 1983 për ta vizituar motrën u përballa me një kolonë dasmorësh me mbi 50 vetura ku në veturën e parë ishte fotografia e Josip Broz – Titos ,  ish – kriminelit dhe vrasësit të shqiptarëve , që nga kryengritja e Drenicës e deri kur iku nga kjo botë. Në institucionet e shtetit nuk kishte fare shqiptarë të punësuar e sidomos në institucione shtylla të shtetit. Menduh Thaçi dhe Arben Xhaferi e rritën farën e patriotizmit në Maqedoni farën e të cilit e kishin mbjellur ata që i përmenda më lartë dhe ata që me pushkë dhe gjak kundërshtuan okupimin e shqiptarëve e të cilët pastaj u bënë frymëzim për gjeneratat e Ali Ahmetit me shokë dhe të cilëve Ali Ahmeti , me shokë iu këndonte në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ditën kur Talat Xhaferi u votua për kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Këta heronjë ishin frymëzim për patriotët e burgosur , për ata që me armë kundërshtuan dhe për ushtarët e të gjitha ushtrive çlirimtare në trojet ku jetojnë shqiptarët . Sigurisht se nuk mund të ishin frymëzim Kiro Gligorov , Llazar Mojsov , Llazar Kolishevski, Vanço Maihajllov apo dhunuesit e tjerë të vullnetit politik të shqiptarëve. Gjeneratave të reja  ,të brymosura me kulturën jugosllave , këto këngë që i ka kënduar dhe po i këndon Ali Ahmeti , Mujë Krasniqi  , Rexhep Selimi , Remzi Ademaj dhe patriotët tjerë mbase iu duken anakronike dhe dalë mode prandaj , në këtë prizmë e shohin edhe aktivitetin e tyre kombëtar dhe politik mirëpo po të mos ishte ky frymëzim , nuk do të ishte as liria , kjo që është sot. Këta e përqeshin Gjergj Fishtën , Dervish Shaqen , Bajrush Dodën , bijtë e Sefë Mleqanit që luftuan dhe ranë për liri , nuk e duan as Ilir Shaqirin kur i këndonë trimërisë dhe lirisë . Kosmoplitanët jougosllavë që për mrekulli janë ankoruar në VV –ë ende frymojnë nën këngët e “ Bijello Dugme “ , “ Yu Grupa “ , “ Smak “ , Zdravko Çolliq  , Bajaga ,  “ Riblja Çorba “ Llepa Brena  , Vesna Zmijanac , madje shkojnë edhe në koncert të vesë së Arkanit , Ceca Razhnjatoviq … Të tillët sot pyesin nëse Talat Xhaferi qenka shqiptarë duke thënë se , po të ishte shqiptar , e para punës do të shkonte e do të përkulej para heronjve të rënë në Varrezat e Dëshmorëve të luftës çlirimtare në këtë shtat thuaja se këta , të udhëhequr nga Toger Qokja paskan bërë luftë të madhe ndonëse as edhe një plumb ( qoftë edhe qorre ) nuk e kanë shkrepur në këtë luftë. Kur të tillët pyesin nëse Talat Xhaferi qenka shqiptar dhe nëse përfaqëson shqiptarët duhet seriozisht të ndalemi dhe të pyesim ; “ vërtetë pafytarysia i ka kapur këto maja ..” ? Cili është qëllimi i këtyre pohimeve të përçundnuara dhe jonormale ?! Pse e lejon KM i Kosovës që një ikanak nga fronti i betejës politike në Maqedoni të Veriut  , nga Kosova vjellë vrerë kundër kryeministrit të parë shqiptar në këtë shtet dhe , duket se nuk paska mbledhur mend me rastin e përpjekjes së zyrtarizimit të VV-së , si shtylla e katërt ( aq i kishte UNMIK –u në Kosovë ) të “ opozitës “ në Maqedoni . Pastaj sikur u zbythë por përmes një Qokes që e ka këshilltar , në vazhdimësi po punon kundër interesve të shqiptarëve në Maqedoni. Pas ndërhyrjes në Maqedoni dhe kur të gjithë e kundërshtuan , KM i Kosovës e dërgoi për takim me Ali Ahmetin një bedel ( Liburn Aliun ) për ta zbutur gjendjen . Po të ishte një udhëheqës inatçor shqiptar e jo një politikan i pjekur siç ishte Ali Ahmeti , Liburn Aliut nuk duhej t’i hapej fare dera e takimit . Mirëpo , liderët e vegjël merren me konspiracione , ndërskëmëza  ,goditje nën brezë  vetëm për qëëlime personale kurse burrështetasit e tejkalojnë egonë personale për ineteres të përgjithshëm , jo vetëm të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni por për interes të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Këtë e bëri edeh Ali Ahmeti dhe këtë nuk e bëri Albin Kurti e as kipci i tij , Liburn Aliu.

Ali Ahmeti nuk bëri asgjë të keqe me rastin Talat Xhaferi , përkundrazi

Pas një kohe apo distance historike dhe kur vlerësimet do të bëhen me koka të ftohëta dhe mbështetur në fakte , sa i përket realizimit të të drejtave për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut koha do të llogaritet sipas ndarjes , para dhe pas Ali Ahmetit  sikur koha para dhe pas Krishtit. Me të gjitha lëshimet e Ali Ahmetit , për mua ishin vetëm taktike për të arritur një fitore strategjike , Aliu mbetet lideri i pakapërcyeshëm i shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm në Maqedoni të Veriut.  Si një barazpeshues në trapez , e mbajti barazpeshën midis të së dëshirueshmës dhe të së mundshmës duke e nxjerrë maksimunmin prej ofertave që i kishte në tavolinë të bisedimeve. Faktorizoi shqiptarët sikur që defaktorizoi sundimin mbi baza etnike të maqedonasve duke dalë nga vetkënaqësia e kërkesave minimaliste me të cilat ishin përshtatur garniturat e mëparshme politike shqiptare. Asgjë nuk bëri pa u konsultuar me shtetin shqiptar sikur edhe me komunitetin vendimmarrës ndërkombëtar. Dhe , deri më tani nuk i doli keq. Asnjëherë nuk u ligështua e të distancohej nga lufta , me luftën edhe sot krenohet. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga bashkëluftëtarët dhe bashkëvuajtësit e luftës dhe të burgjeve  , ndjehet pjesë e tyre shpirtërisht , politikisht , kombëtarisht dhe fizikisht . Kryeministri shqiptar 100 ditësh është zotim para votuesve dhe zotim para qytetarëve , këtë e realizoi. Kurrë nuk ka thënë se Talat Xhaferi është KM vetëm i shqiptarëve por i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut . Kurse , Besnik Qokja e thotë pikërisht të kundërtën , bashkë me bilallin , Afrimin dhe Izetin e “ Grupit të Zjarrit “ . merreni me mend , ky farë mendermethënë “ Grupi i Zjarrit “ do me i vënë flakën shqiptarëve për inat të Ali Ahmetit i cili , hollë – hollë mund të llogaritet si Baba Politik i tyre . Është e vërtetë se pozicioni dhe fuqia vendimmarrëse  e Talat Xhaferit është simbolik por nuk duhet të harrohet se dikur edhe për simbolikë shqiptarët në Maqedoni të Veriut  arrestoheshin , torturoheshin , dënoheshin dhe vriteshin . Deri në kohën e Ali ahmetit kur simbolika u materializua me një post të rëndësishëm politik. Se Talat Xhaferi është shqiptar dhe kombëtar , nuk e kam asnjë mëdyshje po çka është dhe kënd e përfaqëson Besnik Qokja që po e vë në dyshim përkatësinë kombëtare  dhe angazhimin politik të Talatit , pa  e treguar të kaluarën e tij , politike , kombëtare , nëse e ka .

Po pse kjo tullmhane pikërisht tash dhe në këtë kohë

Në Maqedoni të Veriut në maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme në të cilat mendoj se VMRO – DPMNE do të fitojë , si parti maqedonase . Ata kanë nevojë për një parti shqiptare pa të cilën nuk mund ta formojnë qeverinë. Dhe në këtë hapësirë grupi i Bilall Kasamit , me barot të lagur të “ Grupit të Zjarrit “ po i vetofrohet  VMRO – DPMNE , si një partner koalicioni përmes luftës ndaj BDI –së të cilën e identifikon me Ali Ahmetin me të ciilin edhe duan ta bëjnë luftën. Realisht , kjo i gjason luftës së Don Kishotit me mullinjtë e erës . Bilall  Kasami , Izetin e konsideron si Sanço Pançon e Mançës me të cilin e ka të qartë se do e humbë këtë luftë , ende pa e filluar. Përkrahja e Albin Kurtit dhe VV –së nuk është se do iu sjellë shumë vota , në fillim mendoja se edhe mund të fitojnë diçka , madje edhe të Trashët e Surlës  mirëpo  bojkotimi i votimit të Talat Xhaferit i ka shndërruar në një gozhdë të ndryshkur në arkivolin ku do të varroset kjo nismë . Albinit as që i bëhet vonë për këtë , gjithmonë e ka një buxhet të ndarë për rrogëtarët e bindur sikur që ishte rasti me Besnik Qoken. Po të njëjtin trajtim ua bënë “ legjionarëve të Luginës “ që i paguan si përkrahës të Shaip Kamberit dhe Besnik Bislimit. Në Shqipëri , “ I Gjati “ i preu 100 metra pa iu afruar pragut zgjedhor , në Luginë  , Shaipi po ia ushqen egon e të qenit Baba i Kombit kurse në Maqedoni të Veriut i bëhet qartësimi i atësisë , nëse fiton mund të konsiderohet në masën 40 përqind të jetë në pespektivë Baba i Shqiptarëve . Me votat e fituara në zgjedhjet e fundit në Kosovë e ka fituar epitetin e të qenit Baba i Kosovarëve .  Po i presim zgjedhjet dhe  rezultatet  në  Maqedoni të Veriut që të kuptojmë nëse Shaip Kamberi do të mbetet Mohikani i Fundit i Albin Kurtit në kartën e tij të djegur të panshqiptarizmit apo se tregu politik ndërkombëtar do të pësojë ndryshime të mëdha me futjen në lojë të Besnik Qokes , pas së cilës Ukraina , Gaza dhe kriza në Ballkan do të mbetet lojë fëmijësh!

29 janar 2024 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura