GJOKË DABAJ: AKTI I FUNDIT I MARRËZISË NJERËZORE

Durrës, 19. 01. 2017: (Viti i Ri 2337, rrëfim në vendin e quajtur Te Bungu, Mali i Vetëtimavet, Labëri, në përkujtim të një novelëze të Migjenit “Urime për 1937”) Në njËrin nga ambientet në thellësi të malit – “Në mëngjesin e trembëdhjetë u kuptua se pothuaj çdo gjë kish mbaruar. Australia, Zelanda, Abisinia, Afrika e Jugut, Kongoja, Egjipti, Irani, Argjentina, Brazili, qenë mbuluar me tylin e tejdukshëm të rrezevet radioaktive.
Kjo mund të shihej më së qarti, (nëse do të kish kush të shikonte), atje ku pak ditë më parë kish pasë pyje. Pyjet e Brazilit, pyjet e Afrikës Tropikale, s’ishin më pyje, por grumbuj fantazmash të thata. Trungjet qëndronin ende më këmbë, kishin edhe degë, por krejt të thara dhe në shkërmoqje e sipër.
Në anët e oqeanevet, grumbuj pa fund peshqish dhe kafshësh ujore të ngordhura. Asnjë shpend nuk fluturonte.
Japonia dhe Kina qenë kthyer në shkretëtira të verdha dhe oker,pa asnjë gjë të gjallë.
Lumenjtë rridhnin, por ujët e tyre dilte që në burime i radioaktivizuar, sepse krejt shiu që binte nga qielli, ish qind për qind i ngarkuar me rrezatime. Ujërat e shiravet hynin në thellësi të malevet duke asgjësuar atje çdo qenie e mikroqenie të gjallë, dhe dilnin prej malesh po aq vrastarë, sa ç’kishin qenë lart në qiell, para se të shndërroheshin në pika shiu.

Por dukuria më e çuditshme ish se, prej gjallesavet të ngordhura, si dhe prej grumbujvet të njerëzvet të vdekur, nuk përhapej kurrfarë ere e qelbur. Kjo ndodhte sepse as bakteret tashmë nuk ekzistonin.
Në vendet ku dikur kishin qenë qytetet që, siç e keni mësuar tashmë, quheshin: Romë, Madrid, Paris, Londër, Berlin, Moskë, Teheran, Stamboll, Athinë, Njujork, Boston, Çikago, Los Anxhelos, Rio de Zhaneiro, Buenos Aires, qytete shumë të mëdhenj në atë kohë, mund të shiheshin, (nëse do të kish kush t’i shikonte), pirgje pa fund njerëzish, shtrirë pa rregull njëri mbi tjetrin, të padekompozuar dhe, me sa dukej, të padekompozueshëm edhe për shumë kohë, ndoshta për disa dhjetëvjetësha.
Vetëm në disa male të lartë dhe larg komunikimit, larg mundësisë për të marrë njoftime, (nëse do të kish kush t’i merrte njoftimet), nuk dihej me hollësi ç’kish ndodhur dhe deri në ç’pikë kish arritur stihia e shfarosjes. Kordileret, pjesë të Kilit, Perusë, Himalajet, Tibeti, Nepali, Pamiri, Alpet e Evropës, Monblani, Dinaridet, Malet e Pindit… Por edhe për polet nuk diheshin hollësira: A kish mbetur dikush i gjallë prej eskimezëvet?.. Kish droja që me anë të reshjevet, që binin veçanërisht në male, të ishte shuar edhe atje çdo gjurmë a burim jete. Por as kjo nuk mund të pohohej me dëshmi okulare.
Sena, Tamizi, Rini, Danubi, Vollga, Janceja, Gangu, Nili, Kongoja, Amazona, Misuri (Disa prej tyre edhe sot kështu quhen.), rridhnin krejt të braktisur nga çdo shenjë bote të gjallë. Kjo e shtonte hamendjen se edhe nëpër male tashmë qe shuar krejt ç’mund të shtohej e të rritej.
Në portet lumorë, liqenorë dhe detarë, anijet e të gjitha madhësivet llakaçiteshin midis dallgësh, si ca lëvozhga të zbrazëta. Disavet u qenë këputur prej ditësh litarët dhe ato endeshin sa andej-këndej ku t’i çonin ujërat.
Mbi hekurudha nuk rrëshqiste më asnjë tren. Lokomotivat dhe rreshtat e vagonëvet, me gjithë pasagjerët, ca ende ulur në sedile e ca të rrëzuar pranë sedilevet, ishin ndalur përgjithmonë, mu aty ku i kish zënë vala jetëmbytëse.
Nëpër rrugë e autostrada, as që mund të pritej ndonjë lëvizje makine. Andej s’kalonin më as breshka, as buburreca. Miliona automjete qenë shndërruar në grumbuj llamarinash dhe hekurishtesh.
Shkollat kishin heshtur paparashikueshëm, njëherë e përgjithnjë, shumica e tyre të boshatisura ditë ose javë më parë. Rrallëkund mund të gjeje një shkollë me fëmijë nëpër klasa, qoftë edhe të vdekur, siç gjendeshin, për shembull, pasagjerët nëpër trenat. Kjo shpjegohej se, në situata alarmi, fëmijët qenë çuar nëpër strehime, me shpresën që të shpëtoheshin, dhe atje qe shuar jeta e tyre. Miliona fëmijë, syhapur e gojëhapur, por që nuk merrnin frymë dhe nuk lëshonin zëra: as bërtisnin, as qeshnin, as qanin, as këndonin, as thërrisnin për ndihmë. Miliona jetë të njoma, prerë mizorisht për fajet e të rriturvet!
Satelitët qenë asgjësuar thuajse të gjithë. Kishin mbetur, siç u duk pak më vonë, vetëm nja dy a tre. Ndërlidhjet e të gjithë llojevet qenë këputur e mbyllur, qoftë se nuk funksiononin më, qoftë edhe se s’kish kush t’i përdorte. Gjithajo arritje! Gjithajo mrekulli njerëzore! Para dy javësh mund të bisedonin, vëlla me vëlla a nënë me bijë, nga Stokholmi në Riad, sikur të ishin në tavolinë duke pirë kafe ose pranë vatrës duke u ngrohur! Dy javë më vonë, as telefoni me tela nuk punonte.
Nëpër hapësirë qarkullonin nja njëqind a njëqind e pesëdhjetë të quajtura anije kozmike, mbushur me njerëz e gjallesa të tjera, por shumica pa jetë. Ato bridhnin pa kurrfarë orientimi midis planetevet, si ca meteorë prej llamarine, me fatin mijëfish më të pashpresë se Arka e dikurshme e Noes. Jo vetëm që s’kishin ujë (si Arka e Noes), por s’kishin as oksigjen, sepse edhe bombolat e fundit, marrë nga Toka, kishin kohë që u qenë shterrur.”
° ° °
Ne nje tjeter ambient në thellësi të malit
“Nëse kish mbetur dikush dikund, atij do t’i vinte ndër mendje, do t’i qarkullonte pa pushim nëpër tru, mënyra se si kish ardhur kjo shuarje tërësore gjithnjerëzore e gjithgjallesore.
Çdo gjë qe kryer fare-fare thjeshtë dhe, në mënyrë, siç e thoshin atëherë, krejt të pa-ra-shi-kue-shme! Ish shumë e çuditshme, si nuk e kish ndalur njeriu, gjallesa njeri, e pajisur me aftësinë e të menduarit, atë rroposje krejt të dukshme dhe tërësisht të k-u-p-t-u-e-sh-m-e. Njeriu kish pasë bërë shpikje të mëdha! Si nuk e shpiku dot mënyrën për të mbarëvajtur punët?! Si nuk e shpiku dot mënyrën për të shpëtuar nga asngjësimi?!
Fillimi i krizës qe paralajmëruar me veturat dhe me mjetet e tjerë motorikë të transportit rrugor. Për ata mjete, që i prodhonin korporatat me shumicë, një ditë prej ditësh u ndërpre shitja thuajse krejtë. Ata mjete nuk shiteshin. Sidomos veturat nuk i blinte më asnjeri. Mbetën stoqe dhe kjo solli falimentimin e menjëhershëm të prodhuesvet.
Menjëherë mbas kësaj, sikur industrivet po u vinte fundi në mënyrë të planifikuar, mbetën pa u shitur miliona pajisje të së quajturës industri e bardhë: frigoriferë, lavatriçe, enëlarëse… Stoqe pa fund ekspresësh të kafesë. Gratë i qenë kthyer larjes së rrobavet me dorë, me pak ose pa aspak sapun. Me finjë hiri! Ndërsa plakat u kthyen ta piqnin kafen në zjarr, jo kafe Brazili, por ‘kafe’ qiqri ose elbi. Sakaq, pushuan së shituri edhe fajancat. Nuk i duheshin më askujt, as pjatat e porcelanit, as pjatancat. Nëpër rrugët e qytetevet disamilionësh shihje njerëz me karroca dore mbushur pjata, tenxhere, tava, ibriqe, tek u luteshin kalimtarëvet: ‘T’i jap krejt për një tas oriz! Një tas oriz! S’të dua më shumë!’ Ecje bulevardit dhe papritur të dilte përpara një nevojtar, duke të treguar me të dyja duart makinën e parkuar: ‘Është Mercedes i dy vitevet të fundit! Ta jap për gjysmë buke!’ Po kujt i duhej Mercedesi?! Me çfarë ta mbushte Mercedesin?! Me ujë?!
Tekstilet mbetën pa u shitur, kahas makinavet dhe pajisjevet shtëpiake. Askush nuk nxitohej të blinte një fustan a pullovër të ri. Mbante pulovri një jetë njeriu. Mjaftonte të lahej fustani dhe vishej përsëri. Industria e tekstilevet stopoi brenda një jave dhe miliardat e të papunëvet s’kishin ç’të bënin tjetër, veç të plaçkitnin çdo gjë që mund t’u shërbente si plaçkë.
S’u deshën më shumë se dy muaj, për të vdekur përnjëheresh nga njëqind mijë njerëz në qytetet më të mëdhenj të botës, (ata që i përmenda më sipër), ndërsa naftë mund të gjendej vetëm për ekskavatorët, për të hapur varrezat gjigante masive dhe për kamionët vetëshkarkues, që t’i sillnin kufomat gjer te gropat.
Në krye të dy muajvet, u pa se s’kish rrugë tjetër, veç luftës me çdo lloj arme.
U përdorën fillimisht ca mekanizma fluturues me rreze lazer. Ata mundësuan që kunërshtari kundërshtarit t’ia asgjësonte satelitët. Edhe anijet, edhe nëndetëset, edhe një numër të madh vendstrehimesh të nëndheshëm. Por ata nuk mjaftuan as përafërsisht për të mundur pala palën. U përdorën edhe spërkatje me helme kimikë. Disa qytete u gdhinë me të gjitha ndërtesat më këmbë, por me asnjë qenie të gjallë brenda tyre. U pa që s’bëhej punë as me armen kimike.
Duheshin vënë në përdorim bërthamorët! Pse ishin prodhuar bombat me mbushje bërthamore?! A mos ishin prodhuar për t’i mbajtur për relike nëpër vendinstalimet e tyre?! S’kish ndodhur ndonjëherë që të prodhohej një armë e të mos përdorej! Brenda ditës u shndërruan në armë njëqind e gjashtëdhjetë centrale bërthamorë. U depërtuan koracat e tyre me rreze lazer. Njëqind e gjashtëdhjetë Çernobilë, shumëfish më jetasgjësues, u vunë në veprim në disa orë. Brenda më pak se një jave ndodhën më shumë se pesëqind goditje a la Hiroshimë, por dhjetëra e në disa raste qindfish më të lemerishme. Krejt planeti qe shndërruar në një Hiroshimë sferike të pafund.
Ish lufta më e tmerrshme bërthamore, e paralajmëruar mijëra herë prej njerëzish të mençur! Akti i fundit i asaj marrëzie njerëzore do të luhej midis dy vendstrehimevet: njëri diku në Andet e SHBA-së, tjetri në Uralet e Rusisë. Vetëm në dy pika të planetit Tokë kishin mbetur ende të paasgjësuar pinjojtë e dy prej shkaktarëvet kryesorë të asaj lufte: Në Andet e Amerikës Veriore, në njërin prej tunelevet, Dejvid Rotshildi me një ekip fare të vogël dhe vetëm me një femër, (të cilën s’dihej kush do ta mbarste më parë). Në malet e Uralit njëfarë David, David Putinkini, pjesëtar i vonshëm i plutokracisë, gjer dje me brekë të grisura, pjesë e atij trepërqindëshit, që thoshin se zotëronte mbi gjysmën e pasurisë botërore, i ngujuar me një ekip ushtarakësh të kualifikuar, por pa asnjë femër me vete.
Kish rastisur që, që të dy të mbanin emrin e Davidit të Biblës, të shekullit të dhjetë a njëmbëdhjetë para Krishtit, por asnjëri prej tyre nuk kish komunikuar dhe s’kish bërë kurrfarë marrëveshjeje me Zotin. Këta madje as që i njihnin fare biografitë, as të Abrahamit, as të Davidit, as të Moisiut. Megjithatë, secili prej këtyre kish diçka të përbashkët me Davidin e asaj kohe të lashtë: Luftërat dhe shfarosjet, shkurorëzimet dhe kurorëzimet.
Dejvid Rotshildit i kishin mbetur vetëm emrat e bankavet, midis të cilavet shquhej e famshmja Banka Botërore, lopë prej gjinjvet të së cilës Rotshildët nxirrnin miliarda dollarë, por qarkullimi i paravet tashmë nuk ekzistonte. Ai e pa veten të zhveshur përfundimisht prej çdo lloj pushteti, megjithatë, nuk donte kurrsesi të quhej i mundur. Çoi disa herë në sipërfaqe nga dy njerëz, të mbrojtur mirë prej rrezatimesh, por ata nuk i sollën kurrfarë lajmi për të qenë. Ai donte të dinte ku ndodhej kundërshtari i tij David Putinkini dhe a mund të gjuhej e të goditej me dy-tri raketat që i kishin mbetur… U sigurua me pajisjet antirreze, i ngarkoi vetë aparaturat objektivzbuluese dhe mori në duar pllakën raketëkomanduese. Jashtë s’kish mbetur asgjë e gjallë. U lidh me njërin prej satelitëvet të mbetur dhe sa s’bërtiti prej gëzimit që e gjeti sakaq vendstrehimin e David Putinkinit. U gatit të prekë butonët. Raketat bartnin mbushje plutoniumi. ‘Ah, David Putinkin, David Putinkin!’ Thirri me zë të lartë. ‘Do të të zhduk nga faqja e Dheut!’ Dhe u mëshoi butonëvet, sikur një kalorës i Mesjetës të ngrinte topuzin përpjetë.
Në të njëjtën kohë, thonë, David Putinkini, strehuar thellë në njërin prej tunelevet të Uralit, bëri të njëjtët veprime si armiku i tij, Dejvid Rotshildi. Ai thirri: ‘Dejvid Rotshild i mallkuar! Do të ta lëroj strofkën dhe ti s’do të kesh më asnjë shans për të jetuar!’ I shtypi butonët, por nuk pat kohë për të marrë vesh, u godit apo nuk u godit objektivi, se raketat e Rotshildit e shkatëruan përfundimisht.”
° ° °
Jashte, te hyrja, ne te kthyer për ne qytet
Ky ish akti i fundit i tragjedisë më tragjike të mundshme, që njerëzimi i atëhershëm i kish përgatitur vetes dhe subjektin e kësaj tragjedie ua rrëfeu studentëvet të vet një plakë Labërie, profesoreshë e shkencavet filologjike, në ditën e Vitit të Ri, mu në vendin që, edhe në vitin 2337, quhej Te Bungu.
Në të vërtetë, mu pranë atij lloj lisi që quhej bung, xhenierët e asaj kohe, instruktuar prej gjeneral Alfred Moisiut, president i pakmëvonshëm i shtetit të atëhershëm shqiptar, kishin ndërtuar një vendstrehim. Në atë vendstrehim, mbetur çuditërisht pa u goditur, çuditërisht dhe fare rastësisht, kish pasë fatin të mos asgjësohej edhe një libërth, të cilin, pasi dolën jashtë, profesoresha po e mbante në dorë si një relike të pazëvendësueshme.
“Pikërisht në këtë vendstrehim, që është edhe sot si atëherë, dhe që sapo ia patë ambientet brenda në thellësi të malit, të parët e familjes sime”, tha profesoresha, “kanë jetuar jo më pak se 100 vjet. Pra, tre breza të plotë!”.
“Si është e mundur?!” thirrën njëzëri disa nga studentët. “U bë e mundur, sërish fare rastësisht, po jua theksoj për të disatën herë: fare rastësisht, sepse kryefamiljari i familjes sime, gjyshi im i brezit të dymbëdhjetë, kish rastisur të ishte kimist dhe profesor i fizikës bërthamore.”
Studentët qenë shumë të interesuar që rrëfimi të vazhdohej, por profesoresha e ndërpreu bisedën me fjalët: “Historia e atij të mbeturi gjallë të atyre pak njerëzve, si dhe e shtimit e rimëkëmbjes së tyre, martesat me të tjerë të mbetur gjallë, është shumë e gjatë dhe tepër e ndërlikuar. Unë do të përpiqem ta publikoj një studim timin, rreth dy mijë faqe, i cili do të ndriçonte të paktën një për qind të ndodhivet pranë dhe rreth këtij Bungu të çuditshëm.
Gjithsesi, dua të ju them vetëm kaq: Problem kryesor i përbotshëm në shekullin XXI nuk ka qenë armatimi njerëzimshkatërrues, por MORALI njerëzimshkatërues.
Prandaj dhe po e marr këtë libërth me vete, për ta publikuar në gjuhët e këtyre pak popujve të sotëm të botës, që, çuditërisht dhe krejt rastësisht, një familje këtu e një atje, ia dolën të mbeten gjallë.”
Gjokë Dabaj, Durrës 4-6-17 janar 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura