GJOKË DABAJ: SIRIA, PARALAJMËRIM I NJË LUFTE TË TRETË BOTËRORE

Durrës, 05. 09. 2013 – Tërheqja e Mbretërisë Bashkuar nga të dalurit zot njerëzvet që po vriten në Siri, shmangia në një farë mënyre edhe e Gjermanisë, deklarimi i Putinit që “çdo ndërhyrje e njëanshme në Siri do të konsiderohet agresion”, mungesa e njëzëshmerisë edhe në Senatin SHBA-së, të gjitha këto janë tregues që Njerëzimi, me “LOJËRA” të këtilla, po shkon drejt një lufte të tretë botërore.
E pamë edhe në vitin 1999 si u fut Rusia në Kosovë. Atje, në Këshillin e Sigurimit, votonte kundër ndalimit të krimevet të sërbëvet në Kosovë, këndej dërgonte forca për t’iu kundërvënë ndërhyrjes së NATO-s.
Ka tashmë me miliarda tregues që Njerëzimi (nëse nuk ia gjen shërimin vetes) po shkon drejt një lufte të tretë botërore. Them: ME MILIARDA, sepse të tillë shenja të shkuarjes drejt një lufte shfarosëse botërore mund t’i shikojë secili prej banorëvet të këtij planeti nga 20 herë apo nga 200 herë në ditë.
Ç’është ai i quajturi “recesion” në Evropën Perendimore dhe në Shtetet e Bashkuar të Amerikës?! Cilat janë masat parambrojtëse dhe masat shëruese, TË SHIKUESHME, që “recesione” të tillë, dmth të tilla KRIZA EKONOMIKE, të mos ndodhin më?! Apo mos Njerëzimi duhet t’i pranojë si “fenomene të natyrshëm” krizat ekonomike e financiare?!
Ç’është trafikimi i qenievet njerëzore në shek.XXI?! Trafikimi i organevet të njeriut?! Trafikimi i fëmijëvet?! Trafikimi i femravet?! Prostitucioni spermëqelbur, që nga Indokina e deri në Brigjet e Baltikut?!
Ç’është të shtirurit sikur s’kemi ç’i bëjmë prodhimit dhe përdorimit të drogës?!
Ç’është përhapja, shtrirja likenore, algo-amebore, e homoseksualizmit?! A mund të miratohet ulja e personalitetit njerëzor në nivelin e amebës, algës apo likenevet?!

Ç’është të mbushurit e planetit Tokë me qindra Çernobilë e Fukushima?! Ky regjim i sotëm botëror (i cili s’ka ç’u bën: burokracisë, inflacionit, korrupsionit, deri as falsifikimit të pasaportavet e të doktoratavet), në një ditë të vrenjtur, nuk do të mund t’u sigurojë Çernobilëvet dhe Fukushimavet, as roja të sakta te portat, le më të ndalojë rjedhjet e rrezatimevet apo shpërthimet!
Ç’është ky grumbullim i dhjetëra milionë njerëzve njëri sipër tjetrit, duke i lënë bosh, pa njerëz, miliona kilometra katrorë, madje duke u vënë sharrën dhe zjarrin pyjevet dhe duke zhdukur gjallesat pa mëshirë, në tokë e në det, përveç virusevet dhe minjvet që shkojnë, bashkë me njerëzit, nëpër qytete?! Planeti Tokë, me qytetet e sotëm dhjetëramilionësh, mbirë kështu mbi lëkurën e tij, i ngjan një kau apo një bizoni të rrëzuar, mbi plagët e të cilit mblidhen krimba të panumërt, grumbull njëri mbi tjetrin.
Qytetet dhjetëramilionësh, të cilët krimbat s’kanë si t’i kuptojnë ndryshe, veçse shans për lumturi, janë objektet më “të mirëseardhur” për ndonjë sulm kimik, për ndonjë mësymje virusore, për ndonjë bombë nga ato bërthamoret (që sot janë të llollojshme), apo thjeshtë për një asgjësim katastrofik me anë të urisë. Përfytyroni të mbetet 5 muaj pa miell: Hongkongu, Shangaji, Meksiko-siti, Njujorku, Moska, Stambolli, apo krejt Ishujt Britanikë, ose e quajtura Eurozonë! “Recesionet” bëjnë pikërisht të tilla “mrekullira”: Lënë pa miell 1,2 apo 4 miliardë njerëz. Shmangiu pastaj luftëravet, po munde!
Asgjë nga këto, shtetet e sotëm të fuqishëm, qeveritë që ndodhen në krye të shtetevet të fuqishëm (sepse të tjerat dihet që janë kukulla), nuk po janë në gjendje as t’i shohin, jo më të kërkojnë e të gjejnë rrugë shërimi. Në vend të kërkimit të rrugëvet për të shpëtuar Njerëzimin (e aty edhe veten), superfuqitë e sotme po përdorin metodat më anakronike, për të MUNDUR njëri-tjetrin.
Kur shtetet kishin në dispozicion vetëm shpata e shigjeta, hajde, të themi, edhe kur shtetet arritën të kenë avionë,topa dhe bomba, deri te napalmi, mund të llogarisnin për ta MUNDUR tjetrin dhe për ta ulur atë në tavolinën e kapitullimit.
Por tani… Dua të them: Tani, kur secili nga këta supeshtete ka në dorë armë të mjaftueshme për ta MUNDUR tjetrin, deri në shfarosje të plotë, asnjëri prej tyre nuk do të ulet kurrsesi në tavolinën e kapitullimit. A e kuptojnë këtë situatë këta kryetarë shtetesh, apo jo?!
SIRIA është një nga shembujt që po na e tregon shumë qartë se në krye të Njerëzimit të sotëm nuk po ka njerëz vizionarë.
Ai, kryetari i shtetit në Siri, ndonëse kolltukun ia ka lënë i jati, normalisht nuk duhej të ishte kriminel, vrasës i popullit të vet. Megjithatë, ai po e vret popullin e vet!
Putini, Obama, ai i Kinës, ai i Mbretërisë së Bashkuar, ai i Indisë, ai i Francës (Nuk i përmenda kot këta emra e këta shtete.) po bëjnë një diplomaci, e cila nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse diplomaci makinacionesh dhe njëkohësisht miope, shkurtpamëse. Aty s’ka burrëri burrash shteti! Aty s’ka trimëri, deri te trimëria e dorëheqjes! “Nuk po mund t’i shpëtoj ata fëmijë! Po iki në shtëpinë time, të merrem me fëmijët e mi!” Aty nuk ka humanizëm! Ata, fatkeqësisht liderë shtetesh, me armë bërthamore në arsenalet e vet, armë esencialisht ANTIHUMANE, nuk po janë në gjendje të ulen në bisedime, mirëfilli HUMANË, dhe të vendosin burrërisht e trimërisht: “Nuk do të lejojmë që njerëzit të asgjësohen si mizat e si milingonat!”
Në vend që të thonë fjalë burrërore dhe të bëjnë punë guximtarësh, ata, ndërsa u shesin armë njërës apo tjetrës palë dhe Asadi vret kalamjtë e gratë e Damaskut, nxjerrin ca “viza të kuqe”, për konsum opinioni, dhe veprojnë si ca shtëpiake llafazane: “Kush po i bën këto punë? Unë jo, për kokën time! Është ajo tjetra!”
“Është ajo tjetra!” Kurse gratë tjera të lagjes dalin nëpër dritare dhe bëjnë: ose sehir, ose tifozllëk.
As që shtrohet fare pyetja krejt logjike: Po kur dikush i vret kalamajtë, madje të lidhur, me pushkë a me pistoletë, a nuk paska aty “VIJË TË KUQE”?!
Bota KATOLIKE, e cila mburret se ka qenë, në mos promotori, terreni i progresit gjithnjerëzor, me shumë para nëpër duar, lundron e kotur përsipër një kënete, në ujërat e së cilës ka ambiente deri edhe për ipeshkvij pedofilë… Bota MYSLIMANE, e cila aspiron e punon për ta dominuar edhe Perendimin, me shumë para nëpër duar, s’është në gjendje të ndalë në Irak një hemoragji të përditshme e të lemerishme midis sunitëvet dhe shiitëvet. S’është në gjendje as t’i parandalojë ato që po ndodhin në Siri, as t’i ndalojë, kur ato tashmë kanë ndodhur… Bota ORTODOKSO-PRAVOSLLAVE, me shumë para nëpër duar, merret me një kishëz në një qytet të vogël shqiptar (me kishëzën e Përmetit) dhe me një Kosovë Veriore: “Të jetë apo të mos jetë”!?
Puna “KRYESORE” e që të 3 këtyre konfesioneve është, që të ndërtojnë sa më shumë xhami e kisha. S’ka gjë se në ato xhami e kisha nuk hyn as çereku i komunitetit të tyre dhe s’ka gjë që, pasi ta kenë përvëluar dheun nja 200 Hiroshima, s’ka për të hyrë më as edhe një besimtar në ato kisha e në ato xhami! “Të shpenzojmë para e punë të mos bëjmë!” Kjo është “PUNA” e këtyre 3 botëve të mëdha gjithnjerëzore!
E gjithë kjo, s’tregon tjetër, veçse atë që NERËZIMI, ky NJERËZIM i madhërishëm, I PUNË, I DIJEVET, I ARTIT, I SPORTIT, I TEKNIKËS, I NDËRTIMTARISË MAHNITËSE, I KIBERNETIKËS, I SATELITËVET, I FLUTURIMEVET PERENDIORË NËPËR GJITHËSI, këtu në Tokë, po gjendet në duart e ca njerëzve moralisht shumë të vegjël dhe aspak, as të mençur, as të guximshëm. Nëse ky NJERËZIM nuk do të gjejë mënyra për të vënë në krye udhëheqës më të saktë, lidershipë më larpamës e më burrërorë, është krejtësisht e dukshme që ky NJERËZIM do të rrukulliset pa kthim në rrëpirat e luftëravet: edhe kimike, edhe bakteriologjike, edhe bërthamore, të gjitha këto të mbështetura gjithanësisht në mjetet e një informatike tepër të sofistikuar.
Shembulli i SIRISË, këtë rrëzik të madh po e tregon tashmë fare sheshit. Shembulli i IRANIT do ta tregojë edhe më shkoqur.
Ne shqiptarët, po jemi atje, shyqyr Zotit, mu në ballë të kësaj marrëzie! Të kësaj marrëzie trushpëlarë! I kemi atje nja 600 bijtë tanë, që s’dinë, as pse po luftojnë, as kundër kujt po luftojnë, as pse po vriten, as ç’të mirë do të ketë dikush, nëse vriten. Por s’është për t’u çuditur, se, siç po e shohim, epidemia e cektësisë mendore dhe e moralit të kalbur, ka marrë tashmë përmasa të frikshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura