Durrës, 04. 04. 2014 – Në shtëpinë e Hajgarit, biznesmenit më të njohur të njërës prej nahijevet tona të çliruara përfundimisht prej sërbëvet, po bëheshin përgatitje të ngutshme për drekën që do të shtrohej atë ditë. Hajgari vetë, rrinte më këmbë dhe jepte urdhëra. E shoqja hipi në makinë dhe u nis për në floktore. E bija, dukshëm e turbulluar, doli dhe u ndal midis 2 kolonave që mbanin pjesët e sipërme të ndërtesës. “Edhe ti, çikë e babës, vishu pak ma bukur!”, i tha Hajgari, tek po i kalonte pranë.
E bija kërkoi t’ia shohë sytë të jatit, por ai rrëshqiti dhe humbi përtej kolonavet. “Hajgar!”, tha ajo me vete. E kish dëgjuar nga të tjerët, se si i kish mbetur prindit të saj ky emër përçudnues… Kalamajtë e mëhallës, tek nxirnin bullicat në anë të lumit, kishin pasë imituar pikërisht bullicat, duke u shkërryer nëpër baltën e vanit. Hajgari në atë kohë, doemos, kish emër tjetër, por fëmijët hajgarexhinj qenë mësuar ta përdornin këtë si punë gomari. E bënin të ulej në gjunjë dhe në duar, mu në lloçin e shkelur prej bullicavet, dhe ia hipnin në kurriz, duke thërritur: “Ush, gomar!” Kur ndodhte që dikush, kalimtar andejpari, t’i thoshte “Pse, more djalë, po duron me ta hipë?”, ai përgjigjej: “Hjagare po bajmë!” Thoshte kështu dhe qeshte, duke zbuluar dhëmbët midis fytyrës ngjyrë hiri, prej stërkalavet të baltës. Hajgare sot, hajgare nesër, më në fund i pat mbetur emri Hajgar.
Vajza ia pa shpinën të jatit, tek po nxitonte nëpër korridorin e madh, dhe nuk mundi të ndjehet aspak krenare.
E ëma e Hajgarit rrinte kruspull në njërën prej dhomavet të shumta që kishte shtëpia. Hajgari hyri atje për të marrë diçka. Ajo ia lëshoi sytë, por nuk i foli. U struk edhe më në kolltukun prej lëkure, i cili gjithnjë e më shumë po i dukej si i njomë, sikur ajo lëkurë sapo i ishte hequr një kafshe dhe prurë aty, për të ndenjur ajo më rehat.
Iu rënqeth krejt shtati dhe iku prej andej. E kërrusur, e lebetitur, u mundua të gjejë një vend, por s’e gjeti dot. Doli në korridor, që ishte i gjërë si punë salloni, me dritare shumë të mëdha përpara, pa gjithandej, më në fund, shkoi e u rras, gjunjështërnguar, në njërin kënd të korridorit.
Në mendjen e saj kish më se 15 vjet që përsëritej pa ndërprerë vetëm AJO NGJARJE…
Jetonin atëherë në shtëpinë vjetër njëkatëshe, me avlli prej qerpiçi. Një ditë, ndja të ngrysur, pat dëgjuar të bërtitura në rrugët e lagjes. Bërtitësit qenë afruar, i patën rënë portës me diçka të hekurt, e patën shkallmuar dhe patën hyrë. Ishin nja 7-8 asish që u thoshin paramilitarë. Qenë shpëndarë nëpër oborr, me armët ngrehur, pastaj i qenë sulur kësaj. E patën kapur për krahësh, e patën tërhequr deri te kumbulla, ia patën lidhur duart rreth trungut të kumbullës, ia patën shqyer rrobat dhe pastaj, njëri pas tjetrit, bërë ashtu siç bënin gjithandej.
Bërtisnin, bënin potere dhe vazhdonin punën, për të cilën njeriu gjithë jetën mund të bëjë pyetjen: A vërtet ndjehet kënaqësi në të tillë veprime? Dhe asnjëherë nuk e merr dot përgjigjen.
Midis dhunuesvet, gruaja, e lidhur dhe e shtrirë, kish njohur vetëm njërin: Fqinjin sërb, ardhur familja e tij qysh në kolonizimin e parë, por ai lindur e rritur aty.
Pak më larg atyre që i hidheshin lakmueshëm përsipër, rrinte më këmbë një gjysmëushtarak, fytyregër, me kallashnikov ndër duar dhe thoshte diçka në një gjuhë tjetër. Asaj i qe dukur si gjuhë ruse.
Në atë cast, pat dalë nga plevica, i çakërdisur, i zoti i shtëpisë, i shoqi i kësaj, me një sëpatë të madhe, që shtërngonte me të dyja duart. I ndërkryer, po donte t’u sulej atyre që tashmë ia kishin marrë nderin. Gruaja e ka parë dhe, ndonëse me një trup të stërëndë përsipër, ka arritur t’i thërrasë: “Ik, o njeri, e shih fëmijët! A s’po sheh se s’na hyn ma në punë sëpata?!” “Ani, çka me ba tjetër?!”, pat thënë i shoqi dhe, sakaq, qe këputur përtokë. Rusi, ai që ngjante si rus nga të folurit, pasi qe rrëzuar burri me sëpatë mbi kashtën e bykun e derdhur te hyrja e plevicës, e pat mbështetur automatikun, që nxirte tym, te trungu i kumbullës dhe ua pat bërë me shenjë përdhunuesvet të tjerë që të largoheshin. Pat zbërthyer pantallonat me gjakftohtësi, ndërsa kësaj i pat rënë fikët dhe s’dinte më asgjë çfarë i kish ndodhur, deri sa, dikur natën, e pat parë veten në shtëpinë e së mortës, në një katund tjetër. Aty ish edhe Hajgari, i cili qante, duke fshirë qurrat dhe duke përsëritur herëpas’here: “Fajin ma ka UÇK-ja!”
———————–
Mbas Luftës, Hajgarit papritur i buzëqeshi fati. U njoh me një pardon të madh, i cili e futi Hajgarin në botën fatlume të biznesit. Ortaku sërb, me të cilin e lidhi padroni i madh, kish rastisur të ishte pikërisht djali i kryepërdhunuesit të nënës së tij. Por padroni i kish thënë: “Është koha të mos shikohet fort nga e kaluara. Duhet të shikojmë nga e ardhshmja.”
I jati i ortakut, meqë, hë për hë, nuk vinte dot në Kosovë, kish zënë vend në Beograd dhe shërbente si koordinues. Ortaku e kalonte mallin, pa doganë e pa kurrfarë analizash, në pikëkalimin e Jarinjës. Hajgari, të cilit i thoshin edhe Hajgar Qurrësi, për arsye se qante dhe i rridhnin hundët, te Vani i Bullicavet, kur e kalëronin nga 2 e 3 përnjëheresh, e merrte mallin prej ortakut dhe ua shiste shqiptarëvet. Fitimi, me të tillë kombinime dhe me të tillë blerës, ish i levërdisshëm jashtë çdo parashikimi. Hajdar Qurrësi e kalonte një sasi malli edhe në Kukës (Sepse edhe ata janë patriotë.) dhe kështu, thasët, me stampa në ca gjuhë që nuk kuptohen, por që gjithsesi janë tërheqëse, arrinin deri në Fier e Berat.
E ëma e Hajgarit rrojti po në atë oborr, ku e kishin përdhunuar. Shihte përditë kumbullën ku e paten lidhur, shihte edhe vendin ku ia kishin vrarë të shoqin. I dukej sikur kashta e byku, te dera e plevicës, rrinte përherë me gjak. I hiqte sytë nga ajo kashtë e nga ai byk dhe mundohej të mos e shikonte as kumbullën e mallkuar.
Nuk shkoi shumë dhe djali e rrëzoi shtëpinë e vjetër dhe, në vend të saj, hodhi themelet e vilës 3-katëshe, që ka sot. Për të ndjekur punimet, vinte shpesh një që i thoshin Saradnik, por ajo nuk e njihte, deri sa një ditë i tha e motra: “A me djalin e atij po ban ortaki Hagari yt, a?!” “Me djalin e kujt?” “Të atij që të ka lidhë te kumbulla!”
Gruaja e përdhunuar nuk pat fuqi me thënë asnjë fjalë. Trupi i saj ish tretur e tharë me kohë, por tani dukej sikur edhe kockat po i thaheshin. Donte të vdiste, por vdekja nuk po i vinte. Donte të kalbej. Donte të hynte në dhe.
I përfytyronte dhënie-marrjet me të birin e atij komshiut të pabesë. Nuk mund t’ia rrokte mendja se si djali i saj, shpirti, zemra, jeta e saj, të mund të kish farë miqësie e përzemërsie pikërisht me birin e atij që ia kish nxirë krejt jetën.
Që nga dita kur kish ndodhur hataja, ajo nuk ish takuar më me asnjë nga gratë e afërta, të lagjes, të fshatit apo të fisit, përveç me të motrën. Nuk shkonte askund. Nuk i vinte asnjëra nga ato, me të cilat pat kaluar një jetë. E motra i thoshte që mikeshat e saja të dikurshme do të donin t’i vinin për vizitë, si dikur, por nuk deshën t’ia lëndonin plagët.
“Disa ta kanë vu emnin Nana Kosovë”, i tha një ditë. “Mos qoftë Kosova kështu si jam unë!” “Kur janë 20 mijë si ti, tanë Kosova asht si ti.” “A, medet për ne!”
Nganjëherë, si nënë që ish, mundohej ta arsyetonte disi atë punë që po bënte i biri. Padroni, mendonte me vete, ka interest e tij që, këta të 2, të mos vriten njëri me tjetrin. Ia ka dhënë këtë mundësi dhe, djali, për të mos mbetur gjithnjë i varfër, e ka pranuar bashkëpunimin. Ç’të bëjë njeri-ziu!? Është i detyruar ta bëjë fytyrën sholl këpuce.
Herë të tjera ia kapte ngërçi krejt trupin dhe zinte e dridhej e kruspullosur midis jastëkëvet. Mirë që qenka i detyruar të bëjë tregti, por t’ia kish thënë të paktën! T’i kish thë padronit të madh: “Unë nuk pranoj kurrfarë lidhjeje me të, pa më kërkuar falje, ai edhe i jati, për turpërimin që i kanë bërë familjes sime!” Mirëpo, Hajgari i saj s’ish i asaj kategorie. Ajo e dinte që i biri nuk bënte dot punë burrërore. Trishtohej.Tkurrej gjithnjë e më shumë.
———————–
U bë një lëvizje. Kaluan njerëz, hynë, dolën. Ajo rrinte në cep të sallonit, ulur mu sipër pllakavet të ftohta. Dukej sikur s’po e shihte askush. Në një farë kohe, dëgjoi t’i thoshin shërbëtoret njëra-tjetrës: “Ka me ardhë edhe ai sërbi i Beogradit! I jati i ortakut. Vjen me padronin e madh dhe me disa miq të tjerë.” Ndoshta i qenë afruar pranë, pikërisht për ta njoftuar për çfarë po ndodhte.
Por s’pat kohë ta bluante nëpër mendje kumtin që i dhanë shërbëtoret. Te dera kryesore u duk i biri, pa nënën ulur në dysheme dhe i tha dikujt: “Hiqeni andej!”
Por nëna u ngrit në këmbë dhe i thirri zëngjirur: “Po hajde, hajde njëherë këtu!” Ai iu afrua. “A deri këtu arrite, o djali jem?!”
Hajgari u trubullua si përherë dhe foli, me zë të lartë, si duke qarë: “Ani, çka kam me ba tash?!”
“Tash, lidhe tët shoqe te kumbulla! Merr edhe tët bijë e lidhja ngat!”
Dridhej. I biri i ktheu shpinën. Te supi ndjeu të mbesën. I çoi sytë te fytyra e saj. Ajo nuk qante. Bebëzat i kish si 2 gropa të zeza. Gruas së përdhunuar iu ngjall sado pak një fije shprese.
Kështu ka ndodhur në njërën prej nahijeve tona, të çliruar përgjithnjë prej sërbëvet.
Gjokë Dabaj – Durrës, Prill, 2014
Postime të Lidhura
ISAK GUTA, NJERIU I VLERAVE NË HISTORINË E ATRTIT KOMBËTAR
Hazir MEHMETI, Vjenë, 09 shtator 2023 ISAK GUTA, NJERIU I VLERAVE NË HISTORINË E ATRTIT KOMBËTARMe rastin e…
ISUF ISMAILI: REXHEP MALA – RRUGËTIMI I NJË VIGANI
Zvicër, 24. 02. 2014 – Krijimtaria letrare dhe artistike shqiptare duhet të pasurohet vazhdimisht jo vetëm me tema…
IBISH NEZIRI: BOTIMI I KËTIJ LIBRI KA NJË RËNDËSI TË MADHE PËR BREZAT QË DO TË VIJNË
Pashtriku.org, 27. 01. 2014 – Më 26 janar 2014, në ambientet e sindikatës UNIA në Zürich, u promovua…
Gjekë Gjonaj: Lahuta dhe lahutarët në rrezik zhdukjeje në Hot, Grudë, Triesh e Kojë
Ulqin, 5 mars 2021: Trashëgimia shqiptare Malësorët e Hotit, Grudës, Trieshit e Kojës janë të njohur për artin e…