GJOKË DABAJ: ARSYEJA PSE M’U MOR GOJA KUR PO SHQIPTOJA DISA VARGJE TË PASHKO VASËS

Durrës, 29 korrik 2018: Në mbrëmjen e 25 korrikut 2018, në një fshat afër Ulqinit, u mblodhën një tufë shqiptarësh. Me angazhimin dhe me drejtimin e një grupi priftërinjsh katolikë shqiptarë, organizohet vit për vit në trevat rreth Ulqinit, një manifestim me emërtimin “Dita e Mërgimtarëvet”. Me atë rast, është bërë traditë t’i jepet një fletëfalenderim njërit prej kontribuesvet të atyre anëve në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të traditavet të tjera kombëtare.
Këtë vit Kisha Katolike e Ulqinit kish menduar të ma japë mua fletëfalenderimin e radhës. Doemos që ndjehesha shumë i nderuar. Aty skruhej: Për kontributin në fushën e Historisë, Kulturës dhe Kombit.
Kam të botuar, me tematikën kombëtare të shqiptarëvet të këtyre anëve: monografinë “Shestani”, studim filologjik gjithpërfshirës, “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”, shqyrtim shkencor i një libri të autorit Ivan Jovoviq, “Prush plagësh të pambyllura”, poemë që i kushtohet Masakrës së Tivarit kryer nga forcat ushtarake jugosllave në prill të vitit 1945, “Në rrugë rrëziqeh me vetëdije”, një rrëfim i shokut tim Fadil Cukaj mbi përfshirjen në veprimtarinë ilegale çlirimtare edhe të djemvet e vajzavet të këtyre trevave, “Kontribut për historinë e Tivarit”, libër i botuar vetëm onlain, dhe një varg studimesh e artikujsh që lidhen me historinë, gjuhën, traditat dhe jetën e banorëvet të kësaj pjese të Shqipërisë Veriperendimore.
Është kompleks shpirtëror i natyrshëm i pothuaj të gjithë krijuesve, të cilët, sado shumë punë të kenë bërë, kur u jepet një mirënjohje, e ndiejnë veten sikur nuk kanë bërë aq sa duhet për ta merituar atë mirënjohje. Një i tillë kompleks e pushtoi edhe shpirtin tim, kur u gjenda para mikrofonit. U thashë të pranishmëvet që nuk e konsideroj detyrën time të kryer, pa i hapur të paktën 5 a 6 Fjalëmira të Gjuhës Shqipe në Tivar e në rrethinat e tija.

 

Të pranishmit e dinin se në krejt komunën e Tivarit, përjashtuar vetëm pak fshatra të Kranjës së Poshtme, nuk ka shkolla shqipe, e dinin që shumica e atyre shqiptarëve nuk regjistrohen si shqiptarë, që shkresat e administratës në atë komunë nuk shkruhen edhe shqip, por vetëm sllavisht dhe që tashmë edhe në shumicën e familjevet shqiptare të asaj komune nuk flitet shqip, por sllavisht.
Të thoshe që mbetet detyrë e jona, e imja dhe e shqiptarëvet të tjerë, deri edhe e atyre që ende nuk kanë lindur, të hapin në Shushan, në Maranj, në Tivar Nalt, në Tivar Poshtë, në Tombë e Bartull, në Zalef dhe në Ujëmir, nga një Fjalëmirë të Gjuhës Shqipe, dëgjuesvet doemos do t’u dukej një ëndërr e parealizueshme. E përjetova atë atmosferë mes murmurimavet që më vinin te veshët. Në atë çast më erdhën në mendje disa nga vargjet e Pashko Vasës nga poema e tij “O moj Shqypni” dhe fillova të recitoja: “Qysh prej Tivarit deri në Prevezë,/ Gjithkund lshon dielli vapë edhe rrezë,/ Asht tok’ e jona, t’part na e kanë lanë”… Dhe aty m’u zu fjala në grykë! Nuk e thashë dot: “Kush mos t’na e preki, se desim të tanë!” Nuk fola dot! Fillova të belbëzoj dhe s’u muar vesh as çka desha të them unë, as cilët ishin emocionet e atyre që ishin mbledhur aty.
Ata vargje Pashko Vasa i ka shkruar para 138 vjetësh! Ata vargje kanë ngritur peshë mijëra zemra shqiptarësh patriotë! Por tash, 138 vjet më vonë, në gjysmën e Shqipërisë Jugore, nga Follorina, Konica e Filati, deri në Artë e Prevezë, shqiptarët nuk shkruhen shqiptarë por grekë dhe në shkolla mësimi nuk jepet shqip por greqisht. Fëmijët e asaj pjese të Shqipërisë Jugore janë fidanë që i than kultura e huaj qysh në mbjellje! Në pjesë të mëdha të Shqipërisë Veriore, Veriperendimore dhe Lindore, shqiptarët nuk shkruhen shqiptarë, por diç tjetër! Në shkolla mësimi nuk jepet shqip dhe, ende më keq, një pjesë e atyre viseve të Shqipërisë tashmë janë kolonizuar me popullsi joshqiptare. Jo vetëm kolonizuar por edhe pohuar, jashtë çdo logjike njerëzore, që ata vise nuk i takojnë Shqipërisë as gjeografikisht e le më shtetërisht.
U derdh gjaku shqiptar! U mbushën me kocka shqiptarësh ata vende, kocka që shpeshherë mbetën pa u varrosur, gjysmë të shkrumbuara nga zjarret!
“Kush mos t’na e preki, se desim të tanë!“ A ndjehet sot ky varg kushtrimtar, në Tiranë, në Prishtinë, në Prizren, në Korçë a në Fier?! A përsëritet ky varg prej brezash që ndërrohen?! Apo thjeshtë është depozituar në analet e historisë kjo thirrje?!
A e dinë shqiptarët e sotëm që, mbas Tivarit, u vjen radha Ulqinit dhe Shkodrës për t’u shkombëtarizuar, sepse sëmundja e shkombëtarizimit i ngjan lebrozës, e cila ia grin trupin kombit pjesë-pjesë dhe ia hedh përtokë copa-copa?! A e dinë shqiptarët e sotëm se, mbas Janinës, Filatit, Konicës e Follorinës, u vjen radha për t’u greqizuar edhe Sarandës, Bregut, Përmetit dhe Korçës?!
Kjo ish arsyeja që m’u zu fjala në grykë, tek po u flisja shqiptarëvet të tubuar atë mbrëmje në fshatin Braticë (Mbëratëz) të Ulqinit.
Ka vite që ia kam bërë pyetjen vetes: Pse na u copëtua dhe pse po na copëtohet Atdheu, në mënyrë kaq tragjike, vit mbas viti dhe shekull mbas shekulli?! E kam bërë këtë pyetje dhe përgjigjja, të paktën për intelektualët, duhet të jetë sa e thjeshtë, aq edhe e qartë: Që një komb t’ia sigurojë vetes jetëgjatësinë, atij i duhen, i janë të domosdoshëm, tre komponentë të organizimit të jetës: 1.Masa e popullit, e cila prodhon të mira materiale dhe ruan e kultivon në gjuhën e vet krejt çka lidhet me qenësinë e tij. 2.Organet shtetërorë, të cilët mund dhe duhet të jenë të vetë atij kombi, por mund të jenë edhe të ndonjë pushtuesi. 3.Institucioni i përbashkimit dhe i kompaktësimit shpirtëror e kulturor, i cli duhet të funksionojë doemos në gjuhën e atij kombi.
Ky institucion përbashkues u ka munguar edhe ilirëvet, edhe arbërvet e në vazhdim po u mungon edhe shqptarëvet. Si mund të mbijetonin ilirët pa një ushqim shpirtëror të shkruar dhe të predikuar në gjuhën e tyre fshat më fshat, qytet më qytet dhe krahinë më krahinë?! Si mund të mbijetonin arbërit pa një ushqim shpirtëror të shkruar dhe të predikuar nëpër kisha në gjuhën e tyre?!
Grekët e vjetër e patën krijuar atë lloj institucioni, e patën modifikuar me lindjen e krishtërimit dhe e patën ruajtur të gjallë gjatë gjithë shekujvet të pushtimit osman. Kjo ua lehtësoi atyre edhe çlirimin nga osmanët. Sllavët e krijuan një të tillë institucion të mbijetesës, në gjuhët e tyre, në shekujt e Mesjetës dhe, jo vetëm mbijetuan, por edhe u zgjeruan në kurriz tonin, që nuk e kishim. Është një mrekulli dhe habi e madhe, si ndodhi që mbetëm gjallë?! Si ndodhi që s’u shuha fare kjo gjuha jonë e bashkë me të, vetëkuptohet, çdo gjë që e karakterizon kombin tonë?!
Faji apo gabimi (ndaç thuaj krimi), që etnia jonë nuk arriti ta krijojë komponentin më të domosdoshëm të mbijetesës etnike dhe kulturore dhe që na shkaktoi një rrudhje katastrofike, qëndron te mosbashkimi, rrjedhimisht, mosmarrëveshja midis inteligjencës dhe klasës pushtetmbajtëse, skllavopronare, feudale dhe më në fund kapitaliste.
Intelektualët tanë të Mesjetës bënë përpjekje (Pal Engjëlli, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani e shumë të tjerë), por sundimtarët, me përjashim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, as që deshën të dinë për këtë lloj përbashkimi shpirtëror të etnisë së tyre. Rilindësit e kuptuan mirë këtë mungesë të madhe, për shkak të së cilës ishte ngushtuar aq keq etnia jonë, sa rrëzikoheshim për t’u zhdukur krejt. Ata vendosën, në radhë të parë dhe në krye të të gjithavet, shkrimin në gjuhën shqipe, themeluan gazetat dhe botuan libra shqip, kërkuan hapjen e shkollavet me mësim në gjuhën shqipe, kërkuan që administrata të mbahej shqip dhe pikërisht kjo e çoi Kombin tonë në krijimin e shtetit vetjak. Jo armatosja! Arbërit, më vonë shqiptarët, kishin qenë në të gjitha kohët të armatosur. Jo kryengritjet! Arbërit, që më vonë u quajtën shqiptarë, kishin bërë me qindra kryengritje! Armët dhe kryngritjet apo mbrojtja me forën e armëvet, kanë rëndësinë e vet të pazëvendësueshme, por nuk janë çdo gjë në jetën e një kombi. Vendimtar është shpirti i kombit, i cili duhet mbajtur gjallë institucionalisht, jo vetëm kur është i lirë, por sidomos kur ai është i robëruar.
Në kohën e Rilindjes sonë dolën me dhjetëra të pasur shqiptarë dhe politikanë e diplomatë, që iu kushtuan Atdheut tonë dhe duhet ditur që, pa një Ymer Prizren, pa një Abdyl Frashër, pa një Hasan Prishtinë dhe pa dhjetëra si ata, shteti shqiptar as do të ish krijuar dhe as do të ish mbajtur dot më këmbë.
Në kohën e Rilindjes sonë Kombëtere dolën me dhjetëra klerikë shqiptarë që i predikuan idetë tona kombëtare nëpër kisha katolike e ortodokse, në teqera e në xhamira, dhe predikimet e tyre luajtën rol shumë të rëndësishëm në frymëzimin e besimtarëvet me ide atdhetare. Pa veprimtarinë e tyre patriotke, gjithmonë në kundërshtim me qendrat përkatëse fetare, vështirë se do të mund të mobilizohej për liri gjithë ajo masë analfabetësh shqiptarë. Dhe pikërisht ky është fryti i bashkëpunimit: intelektualë (qoftë laikë, qoftë klerikë), klasë e të pasurvet (të cilët kanë edhe politikën në dorë) dhe masës së gjërë të popullit.
Mirëpo, në Kombin tonë ka ekzistuar dhe ekziston një handikap i madh vdekjeprurës: Kisha katolike, përveçse nuk e kish nën përkujdesje krejt Kombin Shqiptar, varej institucionalisht nga Vatikani, i cili nuk ish një institucion shqiptar. Kisha ortodokse varej institucionalisht nga Patriarkana e Stambollit, e cila në të gjithë shekujt s’kish bërë tjetër, veçse ish përpjekur ta shuante etninë tonë dhe vazhdon edhe sot të njëjtën punë djallëzore. Sekti mysliman bektashian është munduar të bëjë diçka, por krejt praktika e tij rituale ka mbetur në suazat e një arkaizmi, i cili kurrsesi nuk mund t’u përshtatet kohëvet moderne. Sekti i synitëvet, sado që midis atyre klerikëve kish dhe ka patriotë, në fund të fundit, varet edhe ai nga islamizmi gjithbotëror, të cilit pak ose aspak i interesojnë gjuha shqipe dhe kultura shqiptare.
A mund të shpresojë Kombi Shqiptar te një i këtillë konstrukt shpirtëror i shkapërderdhur?! A do të mund të shkojë përpara ky komb pa një institucion të vetin, tepër specifik, të përbashkimit shpirtëror e kulturor?! Them tepër specifik, sepse është vërtet një inovacion, i kushtëzuar në Kombin tonë, pikërisht prej rrethanash tepër specifike.
Nuk e kemi ende një institucion të tillë dhe prandaj m’u mor goja kur duhej të kisha thënë, me zë shumë të lartë: „Asht vendi ynë, t’part na e kanë lanë,/Kush mos t’na e preki, se desim të tanë!“
Ai vend ku ishim mbledhur ish plot me njerëz të nderuar, me personalitete kombëtarë të asaj ane, me atdhetarë dhe me mërgimtarë të përmalluar. Por, a mund të çohej qoftë edhe njëri prej tyre dhe të më thoshte: „Hajde ta hapim unë e ti njërën prej atyre Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe në cilindo katund të Tivarit!?“ Natyrisht që nuk mund të ndodhte një mrekulli e tillë, sa kohë që ndërtesa të tilla shpëtimtare të Kombit tonë nuk ekzistojnë ende as në Tiranë, as në Prishtinë, as në Prizren e as në Shkodër.
Shumë prej të pranishmëvet m’u duk sikur menduan, me keqardhje: Qenka plakur Gjoka!
Gjokë Dabaj, 27 korrik 2018.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura