Durrës, 30. 04. 2014 – Në librin e tij “Intelektuali dhe paragjyimet” (Art Club, Ulqin 2013), Dr. Nail Draga del i shqetësuar deri në shkallën e alarmit: “Ç’po bëhet me shqiptarët në shtetin e sotëm malazias?!” Dhe ne jemi të detyruar ta përsërisim shumë herë këtë pyetje të mbushur me alarm: “Si po shkon në atë shtet fati i shqiptarëvet dhe cili është në përgjithësi fati i atij shteti, nëse vazhdojnë të trajtohen shqiptarët kështu si deri tani?!” Libri është i ndarë në 3 pjesë: “Diskursi socio-politik”, “Diskursi kulturor” dhe “Recensione”. Por pjesën më të madhe e ka zënë ndarja e parë: “Diskursi socio-politik” Në fillim janë vënë 3 a 4 shkrime me karakter të përgjithshëm, “Intelektuali dhe shoqëria”, “Etika, retorike dhe politika” e ndonjë tjetër. Pastaj vijnë shkrimet që pasqyrojnë ecurinë e zgjedhjevet në Rep. e Malit të Zi pas vitit 1990 dhe mënyra si e kanë trajtuar veten shqiptarët në këta vite të pluralizmit politik.
Krejt libri kërkon të tërheqë vëmendjen te kontradikta midis të drejtavet nacionale, sociale dhe ekonomike të shqiptarëvet, të shpallura dhe të garantuara në një rend normal demokratik, dhe mosrealizimit të atyre të drejtave deri në shkallën e DISKRIMINIMT.
—————————–
Mu në mes të kësaj kontradikte qëndron INTELEKTUALI. Ç’duhet të bëjë intelektuali shqiptar në këtë mjedis, në këtë shtet postkomunist multinacional, por edhe më gjërë, që kontradikta evidente të neutralizohet në një farë mënyre?! Puna arrin deri atje, sa shtrohet pyetja: “Kush meriton të quhet intelektual në këtë botë?!” A është intelektual çdo njeri që ka kryer një fakultet?! Madje, lexuesi shtron edhe pyetjen: “A është intelektual një shqiptar i këtyre anëve, qoftë edhe me 2 a 3 diploma, por që nuk e njeh historinë e kombit të vet dhe nuk e përdor gjuhën shqpe, gjuhën e të parëvet të vet, as me gruan kur bie për të fjetur?!” Sigurisht, një i tillë “shkollar shqiptar”, i “diplomuar”, nuk mund t’i afrohet, për nga DINJITETI NJERËZOR, as një samarxhiu apo një lustraxhiu këpucësh e jo më një intelektuali.
Të jesh intelektual i mirëfilltë nuk është lehtë, as në monizëm, as në pluralizëm. Intelektuali i mirëfilltë ka, gjithë jetën dhe në të gjitha kohët, barrën më të rëndë: barrën e progresit komunitar, kombëtar dhe gjithnjerëzor. Ai është prijës në rrugën e progresit dhe kjo, doemos, shoqërohet edhe me privacione.
NË FAQEN E PËRPARME TË KOPERTINËS shohim një pamje sa kuptimplotë, aq edhe keqardhëse e rrënqethëse: Një njeri, sigurisht i shkolluar, po ia qep vetëvetes gojën me gjilpërë e me pë. Gjilpëra është goxha e madhe, përi duket goxha i fortë dhe shihet qartë që është i lyer me gjak.
Nuk kisha parë ndonjëherë kopertinë më kuptimplote në lidhje me misionin e intelektualit.
Domethënia është: “O do të flasësh, siç duhet folur dhe siç të takon të flasësh, në mënyrë që komuniteti, populli, kombi yt, apo gjithë njerëzimi, të kenë ç’të mësojnë prej teje, o do t’i qepësh buzët me një gjilpërë dhe me një pë të përgjakur. Në i qepsh buzët në këtë mënyrë, s’ta ka kush fajin. Ia ke falur veten atij që i ka mundësitë të të përdorë si kafshë pune.”
“Kafsha, kali, gomari, lopa, s’i kanë buzët të qepura, sepse nuk dinë të flasin. Por ti, që e ke një diplomë fakulteti, e s’di ç’t’u thuash as fëmijëvet që pretendon t’i bësh të vlefshëm në jetë, vaj halli!” Sidoqoftë, kur e mbyll gojën e nuk flet asgjë një “SHKOLLAR” i tillë, është gjysma e së keqes, por kur goja e tij flet së prapthi, atëherë ç’të bëjnë me të, familja, lagjja, enti shtetëror, shkolla apo partia, parti-zeza, që e ka në krye?!
E gjithë kjo duket se e ka shqetësuar shumë Dr.Nail Dragën, jo vetëm në këtë libër, por gjithë jetën e tij. E ka shqetësuar, sepse, me rrethanat që u krijuan pas vitit 1990, SHQIPTARËT, në marrëdhënie me malazezët, në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Tuz, Gusi e Plavë, DUHEJ TË ISHIN MË MIRË. Duhej të ishin më mirë, por nuk janë ashtu si duhej të ishin.
——————————-
S’ka dyshim që shqiptarët, si konstrukt etnokulturor, janë më të integrueshëm se malazezët. Unë do të mundohem këtu ta trajtoj këtë çështje, i nxitur pikërisht nga ajo që lexova në këtë libër, sado që Z.Nail Draga nuk është ndalur dhe aq në të këtillë aspekte.
Shqiptarët janë ALTRUISTË në thelbin e tyre etnokulturor. Ata janë aq altruistë, sa, kur ndodhen në shoqëri me një italian, me një francez, me një malazi, me një sërb apo me një mysliman aktualisht sllavishtfolës, të Rozhajës dikur shqipfolëse, e harrojnë gjuhën e vet dhe përpiqen të flasin gjuhën e tjetrit, qoftë edhe copa-copa. Shqiptarët janë aq altruistë, sa, në shumë raste, ngjajnë si BUDALLENJ.
Ndërkaq, malazezët janë, të paktën gjer tani, PURITANË TË PAINTEGRUESHËM ose “TË INTEGRUESHËM” vetëm me një kahje, me kahjen e pansllavizmit.
Janë të gatshëm ta konsiderojnë veten “SËRBË” dhe harrojnë që sërbët e patën katandisur atë popull në rolin e një TRIM-BUDALLAI, i cili, me një të lavdëruar, hidhet në zjarrin e luftës, vret e pret gra e fëmijë dhe, më në fund, vritet edhe vetë për hesap të të tjerëvet. Harrojnë që ajo rendje pas qerres sërbe e pat shndërruar Kral Nikollën në një qyqar, syrgjyn gjer në vdekje.
Në të njëjtën vazhdë, malazezët janë të gatshëm për ta konsideruar veten “1 kamion plus 200 milionë”, duke harruar që ajo ËNDËRR RUSE pas Luftës së Dytë Botërore, më shumë se gjysmën e intelektualëvet malazias i pat çuar në Goli Otok, atje ku profesorët dhe gjeneralët detyroheshin t’u pastrojnë këpucët kriminelëvet ordinerë.
Malazezët janë aq PURITANË, sa, në këtë kohë integrimesh në Evropë, duken 2-fish më BUDALLENJ se ne shqiptarët. Pikërisht këtu qëdron kontradikta midis 2 popujve, të gjendur konjukturalisht në të njëjtin shtet dhe pikërisht ky duket se është shqetësimi më i madh edhe i autorit të këtij libri.
Ai thotë: “Shqiptarët në hapësirën e tyre etnokulturore… (shprehjet fyese) (i) kanë përjetuar në lëkurën e vet.” (f.20)
—————————–
Unë, ndërkaq, po vazhdoj arsyetimin tim, nxitur, midis tjerash, edhe duke lexuar tekstin e këtij libri.
Kombet, në shtetin malazias, jetojnë tashmë me dekada në një ngatërrueshmeri konceptesh nacionalë vijimisht të pakristalizuar.
Vetë KOMBI MALAZIAS rezulton i përçarë në të kuptuarit e nacionalitetit të vet. Ajo pjesë e këtij kombi, që e ruan veten, që regjistrohet si komb malazias, ka ndjekur logjikën historike, krejt të natyrshme, të krijimit dhe konsolidimit të saj si komb. Filluar nga shekulli XV e këndej, ky komb, në të vërtetë një SIMBIOZË ARBRO-SLLAVE, u krijua dhe mori formë, mori tiparet e kombit, në rrethanat e rrëzikut islamo-osman, rëzik i cili ishte i pranishëm në këto hapësira e pakta deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Gjeografikisht dhe historikisht, ky komb është krijuar në hapësirën e 4 nahijevet: E Katunevet (Katunska), e Leshanit (Leshanska), e Rijekës (Rijeçka) dhe e Cërrnicës (Cërmniçka), hapësirë kjo që është quajtur STARA CËRRNA GORA (Mali i Zi i Moçmi).
Në procesin e dobësimit të Petrandorisë Osmane, në periudhën kur Perandoria Osmane zuri të quhej “e Sëmura e Bosforit”, dhe kur edhe shqiptarët kërkonin pavarësi, por s’e realizuan dot, thjeshtë për shkakun se nuk përdorën në administratën e pashallëqevet të vet gjuhën arbërishte-shqipe, malazezët, të udhëhequr prej vlladikëvet të dinastisë petroviqase, ia dolën ta zgjerojnë konceptin etnogjeografik në dëm të kombit arbro-shqiptar, duke vënë nën influencën e tyre Luginën e Zentës, Vasojeviqin, Kuçin dhe Fushën e Zentës. E arritën këtë, duke predikuar besimin pravosllav në gjuhën sllave, duke e përdorur atë gjuhë edhe jashtë kishës, duke krijuar në popull idenë se vetëm ashtu do të çliroheshin prej Turqisë, por, në shumë raste edhe me forcën e armëvet. Sidoqoftë, sot kombi malazias ekziston, e ka shtetin e vet qysh prej gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe doli i pavarur në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Mirëpo, një pjesë e shtetasvet të atij shteti, pjesë jo e vogël, po e quajnë “më të arsyeshme” ta konsiderojnë veten “SËRBË”. Sërbia kurrë nuk ka qenë shtrirë gjeografikisht në këto hapësira, madje as në Mesjetë, në kohën e sundimit të Nemanjiqvet, megjithatë, kësaj pjese të popullsisë pravosllave të shtetit malazias i është mbushur mendja, në mënyrë destruktive, ta konsiderojë veten “SËRBE”. Kjo kategori e vetëquajtur sërbe, është pozicionuar fanatikisht kundër shqiptarëvet.
Pjesa MYSLIMANE e popullsisë së këtij shteti, aktualisht sllavishtfolëse, e ka quajtur më të përshtatshme të vetëdeklarohet si popullsi boshnjake, ndonëse ajo nuk e ka prejardhjen nga Bosnja. As Bosnja kurrë nuk ka qenë shtrirë gjeografikisht mbi këto hapësira. Përkundrazi, një shumicë, në mos shumica absolute e këtyre myslimanëve sllavishfolës, janë me prejardhje shqiptare. E dinë nga e kanë prejardhjen, prandaj dhe ruajnë afinitet me ne shqiptarët. Ruajnë afinitet në pikëpamje politike, por gjuhën nuk e kthejnë ashtu si e kanë pasur.
Pjesa KATOLIKE sllavishtfolëse e këtij shteti, filluar nga Grykat e Kotorrit deri në afërsi të Tivarit e në ndonjë fshat të vetë Tivarit, po e deklarojnë veten popullsi kroate, thjeshtë sepse janë të besimit katolik dhe se flasin sllavisht. As Kroacia nuk ka qenë asnjëherë e shtrirë gjeografikisht mbi këto hapësira. Edhe kjo popullsi, në shumicën e vet, historikisht e ka prejardhjen arbërore. Edhe kjo popullsi, në pikëpamje politike, e ruan afinitetin me shqiptarët.
I vetmi popull, i vetmi komunitet, PËRVEÇ MALAZEZËVET TË MIRËFOLLTË, atyre që i kanë rrënjët kombformuese në të 4 nahiet e Malit të Zi të Moçmit (Stara Cërrna Gora), qartë dhe pa ngatërresa konceptuale, edhe kombëtarisht, edhe gjeografikisht, JANË SHQIPTARËT. Këta janë krijuar si komb në rrjedhë të shekujvet, duke qenë pasardhës të drejtpërdtrejtë të ilirëvet (ardiano-dalmatë, labeatë, autariatë dhe dokleatë), unifikuar më vonë nën emrin ARBËR dhe përfundimisht konsoliduar me emrin SHQIPTAR në shekujt XVIII e XIX. Në pikëpamje gjeografike e historike, atdheu i shqiptarëvet është ajo Shqipëri, e cila, në kohën e Perandorisë Osmane, ishte e organizuar në 4 vilajete dhe e cila u copëzua shtetërisht në shekujt XIX e XX. U copëzua shtetërisht, por gjeografikisht mbeti po ajo që ish dikur.
Shqiptarët e Ulqinit, Tivarit, Podgoricës, Rozhajës dhe Plavë-Gucisë jetojnë në atdhuen e vet, në tokën e vet dhe prandaj janë popull pa kurrfarë ngatërrese në të konceptuarit e ncionalitetit të vet. Ata dëshirojnë të shkojnë mirë me të gjithë kombet e atij shteti.
“Trashëgimia kulturore e shqiptarëve është pjesë e mozaikut të gjithmbarshëm kulturor të Mali të Zi”, shkruan Dr.Nail Draga. (f.28)
——————————–
Është për t’u çuditur se si pikërisht këta 2 popuj, të kristalizuar qartësisht si 2 kombe, SHQIPTARËT DHE MALAZEZËT, janë më së shumti TË SULMUAR E TË RRËZIKUAR. Malazezët do dikush, ose t’i bëjë sërbë ose t’ia rimorkiojnë ata politikës ruse, shqiptarët do dikush, ose t’i tjetërsojë në sllavë, ose t’i zhdukë fare prej këtyre hapësirave.
Dhe është për t’u çuditur edhe më shumë se si MALAZEZËT, në vend që të realizojnë një afinitet sa më fqinjësor dhe sa më bashkështetëror me shqiptarët, ata PËRPIQEN T’UA MOHOJNË SHQIPTARËVET TË GJITHA TË DREJTAT, sidomos ato ekonomiket. Pse nuk po krijojnë malazezët një atmosferë mirëkuptimi me shqiptarët, në mënyrë që të mund t’u bëjnë ballë më me sukses sfidavet të historisë, të cilat nuk janë pa të papritura?! A e dinë malazezët që, dikush më i fortë se ne, do të shfrytëzojë pikërisht kundërshtitë midis këtyre 2 kombeve, për të na mposhtur që të dyve dhe për ta shkatërruar përfundimisht këtë shtet?!
“Shqiptarët në Mal të Zi përqafuan pluralizmin (1990)… Por, për fat të keq, jemi të zhgënjyer”, ka vënë në dukje Z.Nail Draga (f.26-27), ndërsa në një vend tjetër ai shkruan: “Në pozitë më të pavolitshme janë… shqiptarët.” (f.35)
Ndërkaq, unë jam i prirur të konstatoj që edhe malazezët janë e do të jenë në pozitë të pavolitshme, sa kohë që ata nuk do ta kuptojnë që me ne shqiptarët duhet të sillen krejt ndryshe, që do të thotë, si fqinjë të respektueshëm dhe sinqerisht dashamirës.
—————————–
Shohim një panoramë tjetër:
Midis VOTUESVET SHQIPTARË ka nga ata, ka madje shumë nga ata, që e japin votën për partitë joshqiptare, kryesisht për atë parti që ndodhet në pushtet. Këta votues shqiptarë mendojnë se ashtu i bëjnë mirë VETËVETES, por, në të vërtetë, u bëjnë shërbime vetëm klanevet antishqiptarë dhe ashtu, doemos, nuk i ndihmojnë as VETES, as familjevet të veta dhe, në kuptimin më largpamës, nuk i ndihmojnë as shtetit malazias.
Midis VOTUESVET ME KOMBËSI MALAZIASE NUK KA të atillë që e japin votën për ndonjë parti shqiptare dhe kjo ndodh sepse INDOKTRINIMI ANTISHQIPTAR në kombin malazias është aq i helmët, sa atyre do t’u dukej sikur po i tradhtojnë interesat e kombit të vet nëse do të votonin për ndonjë parti shqiptare. Mirëpo, kur votojnë për partitë prosërbe, po atyre votuesve nuk u duket se po i tradhtojnë kombin dhe shtetin e vet.
Midis shqiptarëvet ka shumë familje që i çojnë fëmijët e vet në shkolla ku mësohen gjuha dhe historia malaziase, në një kohë kur midis familjevet malaziase nuk ka të atilla që i çojnë fëmijët në shkolla shqiptare. Pse nuk shkojnë fëmijët malazias në shkollat shqipe, edhe atëherë kur ato shkolla i kanë fare afër?! Sepse INDOKTRINIMI ANTISHQIPTAR midis malazezëvet është aq i helmët, sa ata do ta quanin braktisje dhe tjetërsim kombëtar të arsimuarit në një shkollë shqiptare.
“Institucionet e Malit të Zi”, shkruan Z.Nail Draga, “… nuk shfaqin interesim që të mbështesin edhe kulturën shqiptare në këtë mjedis.” “Nuk financohet asnjë projekt nga lëmi i kulturës shqiptare nga ana e Ministrisë së Kulturës.” (f.28-29)
Krejt kjo është një shkurtpamësi njerëzish të paformuar dhe, nëse vazhdohet me të këtillë mentalitete, me siguri e ardhmja në këto hapësira ka për të qenë e zymtë dhe tragjikisht e turbullt.
Do të ish në të mirë edhe të Ballkanit, edhe të krejt Evropës që, në këtë mjedis mendjesh të çorientuara, të punohej më shumë për të krijuar midis malazezëvet dhe shqiptarëvet një të atillë marrëdhënie fqinjësore, e cila të mos i poshtëronte shqiptarët, por t’u jepte atyre vendin që u takon, bashkë me malazezët, në mbarëvajtjen pikërisht të shtetit malazias.
————————–
Për ta pasur edhe më të qartë problemin që po trajtoj, le t’i shohim edhe 2 a 3 shembuj të tjerë.
Në Rusi ka RUSË që i mësojnë gjuhën dhe historinë e shqiptarëvet. Nuk po ndalemi këtu te qëllimi apo destinacioni, por po marrim vetëm faktin si të tillë. Në Moskë e në San Petersburg, një grup i vogël rusësh merren edhe me gjuhën e me kulturën e shqiptarëvet. Në Kinë ka KINEZË që i mësojnë gjuhën dhe historinë e shqiptarëvet. Në Gjermani e Austri ka GJERMANË E AUSTRIAKË që e mësojnë gjuhën shqipe. Në Ulqin, në Tivar e në Podgoricë, MALAZEZËT NUK I MËSOJNË GJUHËN DHE HISTORINË E SHQIPTARËVET. Nuk i mësojnë as vallet, as këngët e shqiptarëvet. Ç’është kjo pikë e zezë?! Ç’është kjo hata e madhe, kjo urrejtje atavike ndaj një populli, me të cilin i ka detyruar Knjazi i tyre i dikurshëm të jetojnë në të njëjtët qytete?!
Z.Nail Draga thotë: “Nuk janë fajtore këto pjesë të popullit (shqiptar, Gj.D.) që kanë mbetur jashtë kufijve të shteteve të tyre kombëtarë. “ (f.49)
Në Ulqin dhe në Tuz ka madje edhe kinezë e kineze që flasin shqip me shqiptarët. MALAZEZËT NUK PRANOJNË KURRSESI TË FLASIN SHQIP ME SHQIPTARËT. Ç’emër t’i vëmë kësaj dukurie?! DUKURI APARTEIDI?!
——————————
Duke lexuar këtë libër të Dr.Nail Dragës, ai që i njeh këto hapësira, e kupton që kriza e përcaktimit dhe deklarimit të nacionalitetit vjen nga konceptimi i gabuar i nocionevet SHTET dhe NACIONALITET. Më një anë tentohet që nacionaliteti t’i nënshtrohet shtetësisë, në anë tjetër, një tentativë e tillë del punë shterpë dhe gjithsesi shumë e dëmshme.
Ka edhe në shkallë botërore përpjekje të tilla. Në SHBA psh po përpiqen të konsolidojnë kombësinë amerikane. Mirëpo, atje kjo punë kryhet duke mos e cënuar prejardhjen kombëtare të secilit shtetas. Psh thuhet: franko-amerikan, izraelito-amerikan, ruso-amerikan, shqiptaro-amerikan. Ka, pra një demokraci që synon të jetë e zbatueshme në praktikë. Megjithkëtë, edhe atje del një ngatërresë: Janë amerikanë edhe kanadezët. Si dallohen ata në emërtim, kur gjenden, ta zëmë, në Japoni apo në Filipine?!
Në Evropën Perendimore vepron një i quajturi “NATYRALIZIM”. Fëmija që lind psh në Gjerami apo në Francë, quhet gjerman ose francez, pa marrë parasysh se cilit komb i përket. Por, në të vërtetë, ai s’është natyralizim. Ai është çnatyrim. Është denatyrim, sepse foshnjës së sapolindur vërtet mund t’i hapësh disa dritare përfitimi, por, në anë tjetër, asaj i këputen rrënjët dhe, në të ardhshmen, njeriu “I NATYRALIZUAR” në këtë mënyrë aspak të mençur, mund të hasë në shumë vështirësi. Kemi përvojën tepër të hidhur të hebrenjvet që e pësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndonëse shumica e tyre ishin regjistruar si gjermanë. Një pjesë e rinisë në Bashkimin Evropian po pëlqejnë të thonë: “Ne jemi evropianë.” Mirëpo, kur thua, “jam evropian”, nuk ke thënë asgjë në lidhje me nacionalitetin dhe prandaj do të të duhet të bësh sqarime plotësues, gjë që doemos mund të të sjellë edhe telashe.
Në Ish-Jugosllavinë e Dytë u bënë prova për të krijuar “NACIONALITETIN JUGOSLLAV”. Por ai eksperiment doli i pazbatueshëm, madje qesharak, sapo ndodhën ngjarjet e vitevet 1990.
Rrjedhimisht, në shumë familje shqiptare, sidomos tivarase, mund të gjesh sot djem të rinj e vajza të reja në këtë situatë tejet të palakmueshme: Gyshërit e gjyshërvet i kanë pasur SHQIPTARË, prindët e gjyshërvet ua ka pasë regjistruar Kral Nikolla si “MALAZEZË”, ndonëse ata nuk dinin asnjë fjalë malazezisht dhe gjuhës malazeze i thoshin nashke, gjyshërit u janë regjistruar si “JUGOSLLAVË”, prindët, tash së voni, janë rikthyer përsëri emërtimi “MALAZEZË” dhe, gjoja për t’u siguruar një të ardhshme më të denjë fëmijëvet, e kanë pasë ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në familje. Tani, si të veprojnë ata të rinj, kur u shkon te dera regjistruesi i popullsisë?! Ata e dinë që janë SHQIPTARË, por shqipen nuk e flasin ose e flasin fare pak. E shohin qartë KOMEDINË që është luajtur me ta, por s’e gjejnë dot forcën për t’i rikthyer, jo vetëm identitetin, por edhe dinjitetin.
Nuk ka dinjitet një shqiptar i tillë, me identitetin e të cilit janë tallur turlifarë zyrtarësh të pakulturë. Nuk mund të zërë vend në shoqëri një i tillë! Nuk mund të merret as me art, as me shkencë, as me politikë një i tillë!
Z.Nail Draga e përforcon këtë konstatim kështu: “Nuk mund të jetë përfaqësues politik i një populli (në rastin tonë, i shqiptarëvet, Gj.D.) … individi, i cili në shtëpi nuk flet shqip dhe fëmijët nuk i shkollon në gjuhën shqipe.” (f.57)
Edhe një pjesë, ndoshta më shumë se gjysma e sllavishtfolësvet pravosllavë (ortodoksë) të këtij shteti, e kanë problem përcaktimin nacional, sepse nuk janë mirëfilli malazezë. Nikshiqasit nuk janë lashtomalazezë, vasojeviqtë dhe durmitorasit nuk janë lashtomalazezë, banorët e vjetër të Luginës së Zentës dhe të Fushës së Zentës nuk janë lashtomalazezë. Këta të fundit, fushorët e Zentës (Zetës), janë thirrur gjithë jetën me përçmim prej malazezëvet: “Krivi Zeqani” (“zentas shtrembalakë”). Thirreshin kështu, sepse e kishin prejardhjen prej bujkrobërish arbër, ashtu si edhe një pjesë e piperasvet që thirreshin “Cërrnci” (nga Carnici), sepse kishin qenë arbër bujkrobër të “carit”, dmth bujkrobër të Nemanjiqvet. Kuçasit, po ashtu, deri në brezat e fundit kanë folur shqip. Mark Milani u mundua të bëhet malazi, por e pësoi, sepse talleshin me të prijësit e fisevet mirëfilli malazias. Pastaj u vetquajt sërb dhe, në fund, për të larë shpirtin e humbur, shkroi një libër “Zhivot i obiçaji Arbanasa” (“Jeta dhe doket e arbanasëvet”).
Përfundimisht, ashtu si nuk mundi të krijohej nacionaliteti “JUGOSLLAV”, ashtu nuk mund, të themi, të zgjërohet e të përgjithësohet as nacionaliteti MALAZIAS, duke u mbështetur thjeshtë në përkatësinë shtetërore të banorëvet. Nuk është përkatësia shtetërore ajo që e përcakton kombësinë. Për shekuj me radhë janë munduar t’i quajnë TURQ arbro-shqiptarët myslimanë, por nuk kanë arritur t’i TURQIZOJNË. S’ia kanë dalë edhe për shkak të vetë turqvet, sepse vetë ata na thërrisnin: jo TURQ, por ARNAUTË. Kështu edhe një shqiptar të Shestanit apo një kuças të sotëm, sado të përpiqet ta quajë veten MALAZI, vetë malazezët nuk e pranojnë. Ata i emërtojnë shqiptarët katolikë të Tivarit në mënyrë përçmuese: KATOLIÇKI ZHIVAL. Madje arrijnë deri atje, sa ndonjërit prej nesh, i cili tenton të shitet si malazi, t’i thonë: “ TI SI GOVNO ISPOD RUMIJE”. Nuk po e përkthej, sepse më vjen neveri.
Babëzia për t’i shndërruar të gjithë shtetasit e vet në malazezë është mendësi gjoja “strategjike” e pushtetmbajtësvet. Atyre, në mënyrë burokratike, miope dhe megalomane, u duken njerëzit si karavidhe dhe prandaj mundohen t’i rrasin që të gjithë në të njëjtën shportë.
Por Z.Nail Draga, në kundërt të asaj babëzie, shkruan: “Ekzistimi i diversitetit kulturor në Mal të Zi është begati për këtë mjedis.” (f.26)
Ata pushtetarë nuk e kuptojnë që pikërisht larmia e nacionalitetevet e zbukuron vendin, ashtu siç e zbukuron natyrën larmia e gjallesavet. Ç’kuptim do të kish një planet, i mbuluar vetëm me një lloj druri?! Ç’kuptim do të kish deti, vetëm me një lloj peshku?!
——————————-
Problem nga më kryesorët për Z.Nail Draga është qëndrimi i keq, qëndrimi jo i duhur, i krerëvet të partivet politike shqiptare. Shqiptarët e kësaj pjese të Shqipërisë Veriperendimore, që gjendet në shtetin e Malit të Zi, kanë pritur që, me vendosjen edhe këtu të sistemit të quajtur PLURALIST, të kenë në krye një subjekt të atillë politik, i cili do t’i mbronte denjësisht interesat e tyre. Prandaj dhe qenë grumbulluar pothuaj me entuziazëm rreth partisë së parë shqiptare që u krijua në këta vise. Prandaj dhe patën votuar thuajse në mënyrë plebishitare për atë parti. Mirëpo, shumë shpejt ka ndodhur shkapërderdhja, copëzimi i subjektit tonë politik të atyshëm dhe, me kohë, janë krijuar aty 5 apo 6 parti shqiptare. Përfundimisht, krejt ai PLURALIZËM, ajo liri e trumbetuar me aq bujë, është shndërruar në një amalgamë, e cila, në vend që t’u realizojë shqiptarëvet aspiratat nacionale, kulturore dhe, mbi të gjitha, ato EKONOMIKE, ka bërë të kundërtën dhe njerëzit tash janë të detyruar të kërkojnë e të marrin vetë, individualisht ose në grupe të vegjël, ç’të mundin e si të mundin.
Le ta citojmë përsëri Z.Nail Draga: “Pluralizmi kulturor është tani një nebulozë terminologjike,… e cia i irriton pjesëtarët e këtij populli.” (f.25)
“Mali i Zi mund të shërbejë si shembull negativ, sepse nuk zbaton në praktikë ligjet, të cilët i ka miratuar (vetë, Gj.D.) Kuvendi i Malit të Zi.” (f.34)
Z.Nail Draga, me të drejtë, ua ze për të madhe udhëheqësvet të partivet tona në ato hapësira. Drejtuesit e partivet duhet të jenë më këmbëngulës, më të guximshëm, më vizionarë e, mbi të gjitha, MBI TË GJITHA MË PATRIOTË, gjë që ata fatkeqësisht nuk e kanë dëshmuar bindshëm. Mirëpo, autori, të paktën në këtë libër, përveç në faqen 174, ku thotë shprehimisht “pushteti ka vepruar në mënyrë perfide për të ulur peshën e shqiptarëve”. nuk e ka vënë fort dukje faktin që, në krejt këtë proces shpërbërjeje të subjektevet tanë politikë, në qerthullin shqiptar në Republikën e Malit të Zi, ka rolin e vet rrënues veprimtaria e pushtetmbajtësvet të sotëm malazias, të cilët, në krejt konstruktin e vet e kanë të konservuar sindromën atishqiptare. Sado që ata pushtetarë e kanë reklamuar dhe vazhdojnë ta reklamojnë një lloj korrektësie me ne shqiptarët, prapëseprapë ata kanë mbetur në traditën e tyre: përçaj e sundo. Metoda “përçaj e sundo”, metoda “merr me të mirë herë njërin, herë tjetrin e mos plotëso as edhe 1 kërkesë serioze dhe reale të komunitetit”, është zbatuar e vazhdon të zbatohet në këta vise me konsekuencën më keqdashëse të mundshme.
Duke lexuar pjesët ku flitet mbi gjendjen jo të mirë të subjektevet tanë politikë, mbi paaftësinë për t’u bashkuar dhe për të realizuar me efikasitet të drejtat që u garantohen popujvet në demokraci, ne shqiptarëvet të atyre anëve s’ka si të mos na shkojë mendja te e kaluara jonë.
Knjaz Nikolla, i fundit të shekullit XIX dhe i fillimit të Shekullit XX, nga njëra anë, u thurte këngë krahinavet tona duke i lavdëruar dhe duke ngritur në qiell virtytet e traditat tona, nga ana tjetër bënte çmos për ta shkatërruar identitetin tonë dhe e çoi popullin shqiptar varfëri e në injorancë më keq se në kohën e Perandorisë Osmane. U jepte grada e ofiqe kapetanësh e bajraktarësh individëvet që i përshtateshin, ndërsa krejt ekonominë e orientonte për vete e për njerëzit e vet.
Komunistët jugosllavë erdhën në anët tona me këngë lirie në gojë dhe me premtime nga më shpresëdhënësit, por u dhanë këtij vendi e këtij populli vetëm aq sa qenë të detyruar të jepnin. Krejt pasurinë e këtyre anëve, deri edhe rrezet e diellit, komunistët sllavojugorë i kanë shfrytëzuar për vete. Tivarin e shndërruan në një nga portet e tyre më të rëndësishëm. Ne s’na lanë asnjë të drejtë në Tivar. As të drejtën për t’u shkolluar në gjuhën tonë.
Lexuesi, duke shfletuar këtë libër, s’ka si të mos konstatojë që edhe pushtetarët e sotëm malazias po veprojnë në të njëjtën mënyrë me vise ku jetojmë ne shqiptarët.
“Pushteti aktual… vazhdon gjithnjë me të vjetrën” “Strukturat qeveritare vazhdojnë me të vjetrën.” (f.182)
“Nga institucionet e buxhetit shtetëror u financua vetëm një kulturë e kjo është kultura malazeze.” (f.27)
“(Nga ana e Ministrisë së Kulturës) nuk financohet asnjë projekt nga lamia e kulturës shqiptare.” (f.29)
“(Në Ministrinë e Kulturës) nuk është punësuar asnjë individ nga radha e shqiptarëve.” (f.29) Këta fakte që i ka sjellë Z. Nail Draga me kaq shqetësim prej INTELEKTUALI, janë të mjaftueshëm për ta vënë në lëvizje vetë Brukselin, nëse atje janë të ndijshëm sado pak ndaj të këtillë realiteteve.
——————————–
Fjalën DISKRIMINIM autori e ka përdorur gjithsej nja 10 a 15 herë (psh në faqet 34, 44, 127, 128, 165, 174, 186), por në krejt librin ndjehet e rëndë atmosfera e DISKRIMINIMIT që u bëhet shqiptarëvet kudo ku është e mundur.
INTELEKTUALI SHQIPTAR, po edhe INTELEKTUALI MALAZIAS, ai i mirëfillti, pyet me shqetësim të madh: “Përse të ndodhë kështu?!” Diskriminuesit janë gjithsesi pushtetarët, të cilësdo kohë qofshin, të kohëvet së monizmavet apo edhe të kohëvet të pluralizmavet. Por fryma e diskriminimit përhapet dhe shtrihet, si me anë të thashethemevet, inkonjito, ashtu edhe me anë të shtypit, në mënyrë perfide. Përhapet ashtu dhe hyn, në të gjitha instancat dhe në të gjitha poret e etnogrupevet, fryma e urrejtjes, e intolerancës. Përse të ndodhë kështu?! Përse të mos punohet më shumë që kombi malazias ta njohë më mirë kombin shqiptar, historinë tonë dhe kulturën tonë?! Të na njohë dhe të afrohet më shumë me ne, jo nga pozitat “superiore”, me atë mendjemadhësinë rutinore protomalaziase, krejtësisht të paarsyeshme, por nga pozita e dëshirës për të krijuar një OSMOZË SA MË TË PËRZEMËRT për të bashkëjetuar të 2 popujt në të njëjtin shtet. Nuk mund të kalojmë këndej edhe pa thënë se malazezët, sado që në gjuhë dallohen prej shqiptarëvet, në genin e tyre dhe në konstruktin e tyre kulturor, kanë shumë ngjashmëri me ne shqiptarët. Por, fatkeqësisht, në vend që, midis pjesëtarëvet të atij nacionaliteti, të nacionalitetit malazias, të përhapet e të kultivohet vetëdija e afrueshmërisë, aty po kultivohen dallueshmëria dhe largimi, deri në shkallën e përpjekjevet për t’ua shkurtuar shqiptarëvet edhe ato të drejta që Evropa i ka përcaktuar shtetit malazias si kushte për integrimin.
Në faqen 32 lexojmë: ”Në Mal të Zi… është mjedisi më multinacional, multikulturor, multikonfesional dhe multigjuhësor nga Ish-Jugosllavia.” “Në ç’masë kanë vepruar strukturat shtetërore që toleranca si kategori morale të jetë e pranueshme për të gjithë qytetarët e këtij mjedisi(?)”
————————————
Në legjislacionin e shtetit të Malit të Zi popujt jomalazias emërtohen si “PAKICA KOMBËTARE”. Z.Nail Draga flet për këtë problem në shumë raste, ndërsa termi “PAKICË” s’u ndahet shqiptarëvet në të gjitha faqet, ashtu si nuk u ndahet në të gjithë ligjet dhe aktet që lëshon administrata e atij shteti. Shqiptarët, që Mali i Zi i ka pushtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX e që janë pjesë e një kombi 15-milionësh, u quajtkan PAKICË, ndërsa malazezët që realisht, si komb, e kalojnë a s’e kalojnë gjysmën e milionit, u quajtkan SHUMICË!
“Sintagma pakicë është irrituese,” thotë Z.Nail Draga. (f.45) “Kategorizimi i qytetarëve në shumicë e pakicë… i irriton qytetarët.” (f.48)
E gjithë kjo ngatërresë, me pasoja keqndodhëse, krijohet, siç thashë edhe më lart, prej të kuptuarit gabim të nocionit SHTET. Shteti i sotëm i Malit të Zi, edhe me kushtetutë, është një shtet qytetarësh, shtet banorësh të kombeve të ndryshëm, ndërsa malazezët e konceptojnë atë si shtet vetëm të tyrin. Madje edhe partitë e tyre, ndonëse kanë emërtime me karakter social, janë thjeshtë nacionale, deri edhe nacionaliste.
Malazezët nisen nga emri dhe nga fakti që të parët e tyre, më shumë se gjysmën e territorevet të këtij shteti, e kanë aneksuar apo edhe pushtuar me forcën ushtarake. Në këtë mënyrë, aty bie ndesh koncepti demokratik bashkëkohor i të jetuarit së bashku me konceptin monarkist të të sunduarit mbi tokat dhe mbi banorët dikur të pushtuar. Kuptohet që, me parimet demokratikë, të njohur gjithandej, e gjithë kjo punë do të mund të ish zgjidhur me kohë. Të mos krijoheshin ministri “PAKICASH”, por të krijoheshin ministri KOMBESH, ku të gjithë etnitetet të ishin të barabartë dhe ku fondet të ndaheshin me përparësi atje ku ka më shumë mungesa. Ky do të ishte çelësi. Por kush i heq konceptin monarkist dhe sindromën e sundimtarit prej kokës së pushtetarëvet malazias?!
“Sot në Mal të Zi… kemi të bëjmë jo me shtetin qytetar, por me shtetin tipik nacional-partiak.” Thuhet në faqen165.
Dhe prandaj, Dr.Nail Draga, intelektuali ynë i spikatur, jo vetëm në fushën kulturore patriotike, por edhe si ithtar i një demokracie të vërtetë, është shumë i shqetësuar. Duke qenë i shqetësuar dhe duke u dëshmuar si një intelektual i kompletuar, që do të thotë, edhe moralisht i konsoliduar, ai, shqetësimin e vet nuk e mban të mbyllur në vetëvete, por e shfaq atë BOTËRISHT, duke kërkuar që problemet TË ZGJIDHEN e jo të lihen për t’u MAHISUR deri sa të shndërrohen në plagë të pashërueshme. Dr.Nail Draga, me librin që kemi përpara, na shfaqet si një qytetar nga më progresistët në shtetin e sotëm të Malit të Zi.
Ndërkaq, ai e deklaron qartë dhe prerë: “ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAL TË ZI MBETET E HAPUR.” (f.167)