GJOKË DABAJ: DITA E ZEZË E BIHORIT (1943)

Durrës, 16. 12. 2013 – Në kalendarin shqiptar ka shumë ditë të zeza. Këto janë ditët e masakravet mbi popupllsinë tonë. Dita e Zezë e Manastirit (Në të vërtetë, Manastiri ka jo 1, por disa ditë të tilla të zeza.), Dita e Zezë e Hormovës, Dita e Zezë e Kardhiqit, Dita e Zezë e Paramithisë, Dita e Zezë e Voskopojës (Edhe këtu ka, jo 1, por disa ditë të tilla, të zeza), Dita e Zezë e Gravet të Sulit, Dita e Zezë e Stubllës, Dita e Zezë e Dibrës, Dita e Zezë e Kërçovës, Dita e Zezë e Zajazit, Dita e Zezë e Vakëfit të Benicës, Dita e Zezë e Gostivarit, Dita e Zezë e Kumanovës, Dita e Zezë e Tivarit, Dita e Zezë e Drenicës (Drenica ka disa Ditë të Zeza), Dita e Zezë e Kurshumlisë, Dita e Zezë e Toplicës, Dita e Zezë e Qafë-Previsë, Dita e Zezë e Reçakut, Dita e Zezë e Prekazit. Do të duhej që dikush t’i hynte kësaj pune dhe të na e bënte një kalendar, të cilin, para çdo ndërrim viti, të mund ta varte çdo familje në një nga ambientet e vet të banimit.
Fundja, shqyrtojini pak kalendarët që sot i përdor njerëzimi. Shumica e ditëvet shënohen me nga një të vdekur, të quajtur martir ose shenjtor. Ky kalendari ynë, i martirëvet, nuk do të përkujtonte vetëm 1 martir në një ditë të caktuar, por secila nga datat tona do të bartte mbi shpinë me dhjetëra, me qindra e, disa herë, me mijëra martirë, përjetësisht të pangushëllueshëm.
Unë, këtë herë, me qenë se po afrohet 5 janari, po dua të përkujtoj këtu vetëm njërën prej këtyre ditëve tona të zeza, Ditën e Zezë të Bihorit. Të dhënat i kam marrë në librin e Shaban Brahës “Gjenocidi sërbomadh dhe qëndresa e shqiptarëvet”, botim i shtëpisë botuese “Lumi-T” Gjakovë, shtypur në shtypshkronjën “Tirana” në Tiranë, 1992, faqet 397-402.

Qyteti i Bihorit ku ndodhi masakra, më 5 – 6 janar të vitit 1943.

 “Më 4 janar 1943 kaluan lumin në fshatin Gubavec 500 çetnikë dhe morën drejtimin e Koreticës. Komanda italiane në Beranë e çorientoi popullsinë e shqetësuar, duke thënë se ‘janë njerëzit tanë, pra nuk duhet me qitë pushkë kundër tyre’. Po atë ditë kaluan lumin Lim në Vollovac edhe çeta të tjera çetnikësh.” (f.397-398)
A po shihni?! Italia, që thuhej se ua kish dhënë “lirinë” shqiptarëvet!.. Besoj se kjo mund të krahasohet fare bukur edhe sot me ata që po thonë se ia kanë dhënë lirinë Republikës së Kosovës, të cilët, për sërbët e 8 a 9 komunavet “të asociuara”, po na thonë përditë: “Janë njerëzit tanë! Duhet me u dhanë çkado që të kërkojnë.” Kuptohet fare qartë: Me u dhënë çdo gjë, në mënyrë që, një natë të acartë të mund të na e punojnë si në Bihor!
Në një tjetër dokument thuhet kështu: “Çetnikët malazezë e sërbë, 4 a 5 mijë e ndoshta ma shumë, nën komandën e vojvodës Pavle Ll. Gjurishiq, ose të urdhënuem prej tij, iu avitën tinëz katundevet të Bihorit tue kalue lumin togje-togje, në mug të natës. Sapo e kuptoi popullata rrëzikun, çetnikët iu vërsulën. Kjo ndodhi në orën 2 të mëngjesit të datës 5 janar 1943. U hodhën 3 bomba si shenjë për fillimin e kërdisë. Mitralozët dhe pushkët hynë në veprim menjëherë. I kishin organizue pritat në një mënyrë të atillë që, kush të dalë nga shtëpia, të bjerë nën plumbat e armëvet të zjarrit… Për gra e fëmijë… pëdorën më shumë thikat dhe shpatat.” (f398)
“Zakonisht asnjë njoftim nuk jepej. Komanda italiane e Cetinjës njoftonte Tiranën se nuk ka kurrgjë, ndërsa më 9 janar 1943, legata italiane në Beograd njoftonte se mbretëronte qetësia e plotë ndër ata vise, në një kohë kur banorët e ikur vriteshin me pushkë nga malazezët që ishin turrë me grabitë çka kishte mbetur.” (f.398)
Në një njoftim nga Peja, ndërkaq, shkrueht: “Shumë katunde janë djegë krejt me gjithë gra e fëmijë brenda… Në pak kohë, 82 katunde u prishën dhe u shfarosën. Banorët e tmerruar dolën në mes të natës prej shtëpivet, që të shpëtonin prej zjarrevet. Dolën të veshun e të zhveshun, por ranë në duert e çetnikëvet të egër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kursyen as gra, as fëmijë, as pleq. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëvet, e gjeti vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit.” (f.398)
“Simbas hetimevet të bamë me shpejtësi, del se të vdekunit janë 3741 dhe të plagosun 634. Mungojnë 251 frymë, shumica gra e vajza. Këto do të jenë marrë rob, që t’u shërbejnë çetnikëvet për me plotësue veprën e tyne të turpshme e çnjerëzore. I takon botës së qytetnueme t’i peshojë këto mizori.” (f.398-399)
“Në dokumentet dhe anekset përfundimtarë… raportohej se ndër të mjeruemit e tragjedisë së Bihorit nga krahinat e Senicës e Bjellopojës… janë edhe të ikunit nga tmerri. Mbathë e zbathë, kanë lanë plangun e shtëpinë dhe kanë marrë rrugën e malit. Një pjesë e tyne gjinden në Bjellopojë, nja 4-5 mijë vetë, ndërsa në Pejë kanë zbritë 6 a 7 mijë shpirt. Të gjithë gjinden mos ma keq. Të plaguemit e të sëmunët janë në rrëzik të madh. (f.399)
“Komisioni i krijuar në Rozhajë për verifikimin e gjendjes në vend i drejtohej drejtorisë së Kryqit të Kuq në Tiranë: ’Po ju dërgojmë një kuti bashkë me raportin mjekësor, ku gjinden të mbylluna disa dëshmi të masakrës që kanë ba çetnikët malazezë mbi popullsinë shqiptare të Bihorit. Me anë të këtyne dëshmive mund të marrë vesh bota mbarë se këta janë veprime të shekullit XX të çetnikëvet malazezë kundër një zone thjeshtë shqiptare… Këtë që pësuen shqiptarët në Bihor, nuk asht çudi që ma vonë ta pësojë edhe Kosova.’” (f.399)

Krimineli Pavle Gjurishiq, ai që udhëhoqi njësitë çetnike në kryerjen e masakrës në 82 fshatra shqiptare në Krahinën e Bihorit.

Përmbajtja e kutisë shkurtimisht është kjo: Kokë djali 12-15 vjeç, e prerë me shpatë ose me thikë. Kokë gruaje 22-23 vjeçe, e prerë me shpatë ose me thikë. Flokët e djegur dhe lëkura e karbonizuar tregojnë që ajo kokë, pasi është prerë, është hedhur në zjarr. Dora e një djali 10 vjeç. Këmbë burri. Dorë e djathtë e prerë 2 gisht mbi beryl dhe e karbonizuar, edhe kjo hedhur në zjarr pas prerjes. Dorë e majtë, e prerë mbi bërryl dhe e hedhur në zjarr. 2 veshë të një burri të moshuar. 1 vesh i djathtë. Hundë me buzën e sipërme, me gjithë mustaqe, prerë mbi kockën e hundës. 2 sy të nxjerrë me gjithë kapakë nga gropa e syvet. (Krs.f.299)
Bihori u shua i tëri në këtë mënyrë. Kosova e pësoi jo vetëm atëherë, në mesin e shekullit XX, por edhe në fund të atij shekulli.
Në ata vite të Luftës së Dytë nuk mjaftuan fashistët italianë, nazistët gjermanë, çetnikët sërbë e malazezë, komunistët sërbë e malazezë, grekët mbi Çamërinë, por edhe avionët e aleatëvet tanë anglezë, me bombardimet e tyre, gjoja sikur po luftonin gjermanët, vranë sa mundën, jo gjermanë apo sllavë, por shqiptarë: në Ulqin, në Podgoricë, në Pejë e gjetkë. Vetëm në Pejë thuhet se avionët anglezë, më 13 qershor 1944, kanë vrarë mbi 3000 shqiptarë dhe po aq i kanë plagosur. (Shih: “Cafobeg Ulqini”, Art-Club, Ulqin, 2009, f.143)
Por mua nuk po ma copëtojnë shpirtin këta fakte kaq rrënqethës, sa po ma shkurton jetën një fakt tjetër, shumëfish më i papërballueshëm: Indiferenca e shqiptarëvet që kanë mbetur gjallë dhe që po e jetojnë jetën në shekullin XXI.
– A do të mund të bëhet ndonjëherë mjaftësisht i ndijshëm ky popull ndaj martirëvet të vet?!
– Mjaftësisht, por edhe organizativisht!
– Kur do të pikturohen pikturat?!
– Kur do të shkruhen veprat dramatiko-tragjike?!
– Kur do të bëhen filmat?
– Kur do të kompozohen operat kushtuar martirëvet?
– A do t’i zgjojnë ndonjëherë akademitë tona zërat këlthitës të atyre qindra mijë martirëve?!
– Kur do të mund të lexojmë përditshmërisht në shtypin tonë, sot kaq shumë të zgjëruar, ndonjë rubrikë të përhershme mbi martirët tanë të panumërt?!

Kjo po më dhemb mua shumëfish më tepër se vetë tragjedia e kurrëmbaruar e Kombit tim! Po më dhemb, sepse e di fort mirë që, po vazhduam të harrojmë në këtë mjënyrë, këtij populli prapë e prapë nuk do t’i ndahen plojat e tragjeditë.
Një pasqyrë përgjithësuese që po e sjell këtu, mendoj se do të mund ta përforconte më së hidhuri këtë që thashë në këta 10 a 12 rreshta.
Në Bihor na u vranë atëherë 590 burra, 340 gra, na u vranë e pastaj na u masakruan 185 burra, 285 gra dhe 701 fëmojë, na u dogjën në zjarre 705 fëmijë, ngrinë në borë 119 burra, 206 gra dhe 447 fëmijë, vdiqën urie 103 vetë, u zunë rob, dmth u morën për t’i përdhunuar 251 gra e vajza dhe, si merrret vesh, u vranë edhe ato në mënyrën më të lemerishme, pas përdhunimevet. (Krs.f.401)
Gjithsej, sipas kësaj statistike, martirët e Bihorit janë 3932.
A nuk meritojnë këta martirë të përkujtohen të paktën 1 herë në vit?
– T’u ngrihet një përmendore dhe të shkojmë e të vëmë lule në atë përmendore! Nuk mund ta bëjmë atë vend muze si Mat’hauzenin apo Aushvicin, por në piktura dhe në skulptura do të mund ta riprodhonim. Do të mund të bënim nga një sallë apo shtëpi përkujtimore në Plavë, në Pejë, në Tiranë e në Prishtinë.
– Pse të mos i bëjmë?!
Ne nuk kemi ndërmend të hakmerremi ndaj askujt, por mendoj që edhe malazezët e sërbët e sotëm e të ardhshëm, kur të shikonin si i përkujtojmë ne martirët tanë, do të mund të reflektonin edhe ata, ashtu siç reflektojnë sot pjesa e qytetëruar e gjermanëvet ndaj krimevet të nazizmit. Pikërisht kjo, besoj unë, do të ishte Dita e Bihorit. Dita e Zezë e Bihorit tonë, si e Premtja e Zezë në fenë e të krishterëvet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura