Durrës, 20 janar 2020: Shkrimin me titull “Namik Luci, inxhinieri nga Peja që u arrestua i akuzuar se do t’i bënte atentat Enver Hoxhës në Muzeun e Krujës” e lexova te gazeta “Tema” e datës 26 dhjetor 2019.
Para disa vjetësh, me kërkesën e bashkëshortes së tij Leno Lucit, si njëri prej shokëve të Namikut, kam shprehur edhe unë mendimin tim në librin që i kushtohet atij dhe atje marrëdhëniet tona janë treguar gjërë e gjatë në gati 20 faqe. Por duke parë që, 21 vjet mbas vdekjes së tij, po shihet e arsyeshme të flitet e shkruhet përsëri për Namikun, po e ndiej edhe unë, jo vetëm të nevojshme, por edhe detyrë, t’u tregoj lexuesvet të sotëm si e kam njohur unë Namik Lucin dhe si e kam përjetuar fatkeqësinë e tij. Njëkohësisht do të sjell këtu edhe disa të dhëna, përjetime dhe qëndrime, në mënyrë që brezi i tanishëm të mund ta kuptojë më mirë kohën në cilën kemi jetuar ne.
Në vitin 1967 unë isha i internuar në Tepelenë. Namiku, që ish martuar me të bijën e një patrioti tepelenas, duke qenë ende student në Tiranë, vinte në Memaliaj dhe në Tepelenë, për të takuar bashkëshorten dhe për të parë e përkëdhelur një foshnjë që sapo u kishte lindur.
Lenoja, e shoqja, punonte mësuese në Memaliaj. I jati, Kalo Brahimi (Xhaferri) nga Krahësi, ishte një atdhetar që e nderonin të gjithë. Kish qenë luftëtar në vitin 1920 për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë dhe përsëri luftëtar për çlirimin nga fashizmi e nazizmi në Luftën e Dytë Botërore. Ai e kish shumë për zemër Kosovën dhe më përshëndeste me shumë dashamirësi.
Isha njohur me Namikun në një restorant dhe, në prill të 1967-s, ish i dyti apo i treti rast që u pamë, por këtë herë në rrethana krejt të pazakonshme. Unë sapo kisha dalë nga një grevë urie 5-ditore, sepse më kishin akuzuar për armik. Dhe isha dukshëm i dobësuar. Namiku dhe Ahmet Sadiku, një djalë tjetër i mrekullueshëm nga Peja, po hanin drekë në po atë restorant dhe, kur hyra unë aty, ata u habitën me pamjen time të frikshme dhe m’u afruan. Ua sqarova ç’më kish ndodhur. Të dy u indinjuan dhe më premtuan që këtë ngjarje timen nuk do ta linin pa e bërë problem në Ministrinë e Punëvet të Brendshme.
Namiku, sapo është kthyer në Tiranë, ka shkuar në Ministrinë e Punëvet të Brendshme, ku drejtor i një drejtorie e cila merrej me të quajturit “emigrantë”, ishte Skënder Backa, një burrë shumë i nderuar skraparlli, dhe, i revoltuar, ia ka thënë çfarë kishte ndodhur me mua në Tepelenë.
Kjo ndërhyrje e Namikut në Ministrinë e Punëvet të Brendshme bëri që mua, qysh atë vit, të më jepej shtetësia dhe të më jepej bursa për të filluar studimet në Universitetin e Tiranës.
Shoqëria dhe miqësia jonë ka vazhduar në të gjithë vitet, edhe mbasi ai ka dalë prej burgut. Mbasi doli nga burgu, i bëra vizitë bashkë me bashkëshorten time, për ta uruar. Në atë kohë ai ishte shef i seksionit të indusrisë për rrethin e Kurbinit, ndërsa Lenoja ishte Kryetare e Këshillit të Rrethit dhe anëtare e Kryesisë së Parisë Demokratike.
Unë kisha blerë një furgon të keq, me të cilin mundohesha të bëja pak tregti, por policët rrugorë e financiarë kërkonin shumë “bakshishe”. Kur e mori vesh Namiku, kontaktoi me njërin nga shefat e atyshëm të policisë dhe pastaj më tha: “Sa herë të të ndalë ndonjë polic, kërkoja emrin, që unë ta di cili ëshë, dhe përmendja emrin tim.” Kjo ndërhyrje e tija e dha menjëherë efektin e vet. Policët e atij segmenti rrugor, nga Fushë-Kruja deri në Milot, nuk më bënin më presione.
Por unë po dua të ndalem pak edhe në disa gjëra të tjera që duhen sqaruar në lidhje me Namik Lucin. Namik Luci, në vitet para arrestimit, ka qenë vërtet kundër Enver Hoxhës, por në kohë të mëhershme jo. Në vitet e mëhershëm, psh, kur ne ishim studentë, ndodheshim ndonjëherë në shoqëri me Skënder Backën dhe ai na tregonte se si kish qenë pikërisht Enver Hoxha ai që i kish thënë Skënderit: „Shko dhe kujdesu për vëllezërit kosovarë! Të mos i trajtojnë sikur janë të huaj!“ Në atë kohë Namikun e kishin pasë marrë nga fakulteti dhe e kishin pasë degdisur në Kampin e Semanit. Skënder Backa e pat marrë prej andej dhe e pat sjellë sërish në fakultet. Namiku e zinte në gojë shpesh porosinë që Enver Hoxha i kish dhënë Skënderit: „Shko dhe kujdesu për vëllezërit kosovarë!“. Ç’i ndodhi Namikut më vonë, që ndryshoi mendim?!
Nuk e di se cili vit ishte, kur shkuam njëherë për të parë Qazim Radoniqin, që ish i shtruar në Sanatoriumin e Tiranës. Mbasi ndenjëm një copë herë të mirë me Qazimin dhe mbasi i uruam shërim të shpejtë, zbritëm më këmbë asaj lugine deri te Filologjiku. Është goxha rrugë nëpër pyll dhe ne patëm kohë bisedojmë gjatë. Gjithë rrugës Namiku më foli kundër Enverit, duke u munduar të më mbushte mendjen se „Enver Hoxha e ka tradhtuar Kosovën“. Unë e kundërshtoja vendosmerisht, me argumentet e mi, por ai ngulte këmbë në të tijën.
Në po ata vite, në një bisedë me Nysret Rodonin, me të cilin Namiku kish kaluar kufirin në vitin 1961, Nysreti, shumë i shqetësuar, më pat thënë: „Gjokë, fol me Namikun, se ndoshta të dëgjon ty.“ Unë i qeshë përgjgjur: „Nysret, ti Namikun e ke shok kufiri. Në mos të dëgjoftë ty, as mua nuk më dëgjon.“ Por Nysreti ishte me të drejtë tepër i shqetësuar, sepse Namiku mendimet e tij kundër Enverit tashmë ua kish shfaqur mjaft njerëzve.
Këta mendime të tijët, shprehur me shumë të njohur të tij, me siguri kanë qenë material i mjaftueshëm, që dikush e ka shfrytëzuar për t’i arrestuar, edhe Namikun, edhe Istref Këlmendin, edhe Selim Këlmendin. Por nuk mund të mendohet kurrsesi që ata të tre kanë dashur ta vrasin Enver Hoxhën. Nuk ishte Namik Luci atentator! As Istrefi e as Selimi, i cili vdiq në hetuesi, nga goditjet e ndonjë polici “atdhembrojtës” dhe “të papërmbajtshëm”, nuk mund të ishin kurrë atentatorë, sidomos ndaj Enver Hoxhës. Pastaj ka edhe një arsye tjetër: Pse do ta vrisnin Enverin, në një kohë kur ai ishte gati të vdiste vetë, pa e vrarë askush? Ka prapë edhe një arsyetim plotësues: Nëse vërtet, në vitin 1982, do ta kishin përgatitur një atentat të tillë, ata që të tre do të ishin pushkatuar. Do të ishin pushkatuar jo për “agjitacion e propagandë”, por për organizim atentati ndaj udhëheqësit të Partisë e të shtetit.
As Idriz Zeqiraj, i cili gjithashtu qe arrestuar, madje dy herë, dhe më në fund qe dënuar, nuk ka qenë fillimisht kundër Enver Hoxhës. Unë e kam pasë shok Idrizin dhe e di mirë që ai nuk ka qenë as kundër Enverit, as kundër vepravet të Enverit.
Atëherë, ç’mund të ketë ndodhur me këta atdhetarë të përkushtuar?! Kjo është detyra e gazetarisë, që të hetojë, qoftë me investigime, qoftë duke e shtruar si kërkesë, qoftë edhe duke përdorur arsyetimin. Kjo është detyrë edhe e historiografisë: Ç’mund të ketë ndodhur realisht me këta djem e tashmë burra, të cilët ia kishin kushtuar jetën e vet Kombit dhe Atdheut?! A mos vallë u “ndërgjegjësuan” apo, thënë më sakt, u çorientuan nën ndikimin e ndonjë konspiracioni të mirorganizuar antishqiptar?! Unë mendoj që ata u çorientuan, prej një veprimtarie perfide, për t’u bërë dëm ashtu, vetë atyre dhe çështjes kombëtare, së cilës qenë kushtuar.
Në ata vite, dhe sidomos mbas vitit 1981, armiqtë e Kombit Shqiptar ishin tepër të shqetësuar. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë po i përkrahte demonstruesit e Kosovës me të gjitha mundësitë që kishte. S’është e vërtetë ajo që thuhet se RPSSH-ja nuk i ka përkrahur demonstratat e 1981-shit. Lexoni gazetat e Tiranës të atyre muajve dhe do të shihni sa shumë janë përkrahur dhe me sa zgjuarësi politike janë përkrahur! Unë kam kryer një studim mbi mënyrën si janë pasqyruar ngjarjet e 1981-shit në shtypin e Tiranës dhe ai studim është botuar.
Në anë tjetër, madje edhe në këtë artikull që e botoi „Tema“ më 26 dhjetor 2019, është shkruar: „Kancelaritë e Perendimit… jo vetëm… ngritën zërin në mbrojtje të asaj popullate martire, por e detyruan Beogradin zyrtar që të tërhiqte nga Kosova makinerinë e saj të luftës.“ (Kolona e parë, rreshtat 31 etj). S‘është aspak e vërtetë! Në vitin 1981 Sërbia jo vetëm nuk e tërhoqi makinerinë e saj të luftës, por e shumëfishoi terrorin dhe vetëm mbas 20 vjetësh, (mbas 20 vjetësh!), u detyrua të tërhiqet disi. Të tërhiqet disi, por pa hequr dorë nga absurdi shekullor dhe kjo pikërisht për faj të kancelarivet perendimore! Në qoftë se kancelaritë e Perendimit do të kishin dashur të ushtrojnë presion ndaj Beogradit për t’u dhënë shqiptarëvet të atjeshëm statusin e republikës, a thua shteti shqiptar („shteti komuist shqiptar“) do të mund t’i pengonte?! E vërteta është se Perendimi në ata vite nuk ka ushruar kurrfarë presioni ndaj Beogradit. Është mjaftuar vetëm me njoftimet nëpër gazeta.
Me qenë se edhe mund të mos e kem informacionin e duhur, po i bëj edhe këto dy pyetje: A ka ndonjë notë proteste qeveritare, perendimore apo lindore, që t’i jetë drejtuar qeverisë së Beogradit me qëllim plotësimin e kërkesavet për republikë të atyre mijëra demonstruesve, të atyre shqiptarëve që ishin në numër më të madh se tri nga republikat e asaj Jugosllavie?! Po Organizata e Kombevet të Bashkuar a ka bërë ndonjë reagim zyrar kundër atyre reprezalieve të Sërbisë mbi një popullsi që kërkonte të drejta kombëtare?! Sepse e quajnë „Organizatë e Kombervet“! Si vepron ajo organizatë e kombevet, kur shkelen të drejtat themelore të kombevet?!
Unë kam bindjen që Namiku dhe shumë nga bashkëkombësit tanë, që e kishin kaluar kufirin dhe jetonin në RPSSH, janë dënuar këtu në Tiranë nga duart e zgjatura të Beogradit, ndihmuar ndoshta edhe nga ndokush tjetër. Ose të paktën përkrahur heshturazi.
Thashë duart e zgjatura dhe kjo do kuptuar që: disa shqiptarë në Tiranë bënin edhe atëherë punët e tjetërkujt. Vetë Skënder Backa, funksionar i lartë i Ministrisë së Punëvet të Brendshme, në prani të Namik Lucit, Ahmet Sadikut, Cen Stojkut e ndonjë tjetri që tash s’po më kujtohet, më pat thënë kështu (dhe kemi qenë mu në banesën e tij që e kishte në rrugën „Gjon Buzuku“): „Gjokë Dabaj! Unë, për ty e për Myrteza Bajraktarin, kam ndenjur gatitu para Ministrit (Kadri Hazbiut), i cili më ka qortuar pse ju kam prurë ju të dyve në fakultet.“
Megjithkëtë, falë, midis tjerash, edhe mbrojtjes që më bënin matjanët, në mesin e të cilëvet shërbeva një çerek shekulli, unë jam nga të rrallët që shpëtova pa u ndëshkuar rëndë. Pra, pa u burgosur. Myrteza Bajraktarit dhe shumë të tjerëve iu gjetën mënyrat dhe u çuan në burgje.
Nuk dua të duket sikur unë tani po shfryj kundër Kadri Hazbiut. Në të vërtetë, unë nuk e di dhe s’kam si ta di, nëse Kadri Hazbiu ka qenë, këtu në Tiranë, një nga duart e zgjatura të Beogradit. Por unë po sjell këtu vetëm disa nga ngjarjet që na kanë ndodhur ne, që e kishim kaluar kufirin shtetëror Shqipëri-Shqipëri.
Kush ka qenë i interesuar që të burgosen djemtë shqiptarë, 116 prej të cilëvet Skënder Backa, i porositur prej Enver Hoxhës, i kish prurë në Universitet?!
Nuk është lehtë të zbulohen faktet. Megjithatë, analistët tanë nuk duhet të ndjekin rrugë të shkurtra. Duhet gjurmuar nëpër dokumente, atje ku ata kanë shpëruar pa u zhdukur. Por duhen kërkuar dokumentet edhe jashtë kësaj pjese të Shqipërisë, që në atë kohë quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, e mundësisht edhe në arkivat e shumtë të UDB-së.
E them këtë, sepse nuk mund të mendohet që, të gjithë ata shqiptarë që erdhën këtu, ishin dashakeqës të atij regjimi të këtushëm. Përkundrazi, ata ishin atdhetarë nga më të përkushtuarit. Mjafton të kujtojmë faktin që, që të gjithë ata, i lanë familjet e veta, lanë atje më të dashurit e vet, shumica e të cilëvet vdiqën pa i takuar kurrë më. Ashtu si më vdiq edhe mua im atë, pa e takuar kurrë më, por krenar që kisha ardhur në shtetin tim… Ai u thoshte familjarëvet: „Gjoka ka shkuo n’shtetin e vet“. Dhe vdiste i qetë edhe krenar.
Mund të pranohet që vetëm një numër i vogël dërgoheshin këtu me qëllime subversioni. Mund të mendohet edhe se ndonjëri vinte duke qenë mendjelehtë apo tip aventurieri dhe pastaj pendohej. Por shumica më e madhe e jona ishim të pastër si loti dhe qëllimi ynë ishte t’i shërbenim çështjes sonë kombëtare. Ndërsa shtetin, që udhëheqej në atë kohë nga Enver Hoxha, e adhuronim. Atëherë, si ndodhi që një shumicë e jona zumë burgjet?! A i interesonte Enver Hoxhës që ne ta urrenim?! Kush është ai që dëshiron të ketë sa më shumë urrejtës?!
Është e vërtetë që Enver Hoxha është treguar shumë i ashpër ndaj të gjithë shkelësvet të rregullavet të tija shtetërore. Por ai e dinte që do të vinin ditë të zeza për vendin tonë (dhe këtë e ka thënë), prandaj përpiqej që ta shtynte sa të ish e mundur qëndresën, duke ndërtuar një bazë të fuqishme ekonomike, qoftë edhe me sakrifica, dhe duke shpresuar që ajo bazë ekonomike do ta mbante më këmbë këtë vend. Por është gjithkështu e vëretë që ai i kish nëpër këmbë gjithfarë ngatërrestarësh, të cilët s’ish aspak e lehtë që t’i zbuloje. Kush ishte Ritë Markoja që iu ankua Enverit për Skënder Backën dhe ia arriti ta largojë atë prej kosovarëvet?! Kush ishte Andre Markoja, vëllai i Ritës, që i sillej nëpër këmbë Skënder Backës?! Kush ish Ramiz Alia, i cili arriti t’i laguritej Enverit deri sa Enveri dha shpirt, e pastaj e la Republikën e Shqipërisë të rrokullisej tatëpjetë, sikur të ish një vend krejt i pavlerë?! Ç’ishin ata „atentate“ që gjoja do t’i bëheshin Ramizit diku në Has a në Tropojë?! Kush ishte një Tod Lubonja, i cili, mu në zyrën e tij në Korçë, i pat thënë sime shoqeje: “A unë të thashë të marrësh një burrë të huaj?!”
Në vitet e mëvonshëm: Ç’ishin ata kosovarë që vinin këtu me veturat e tyre luksoze dhe shfaqnin pakënaqësi se rrugët e këtushme na qenkeshin me gropa?! Kush ishte Luljetë Pula, që Namiku e zinte në gojë shpeshherë dhe që përmendet edhe në shkrimin të gazetës “Tema”?! Dhe kush ishin mjaft nga ata vizitues që “interesoheshin” aq shumë për ta takuar Namik Lucin?!
Në ndërkohë, le të ndalemi pak edhe te Kapllan Resuli. Ç’kërkonte Kapllan Resuli, i cili, me paratë e shtetit, dërgohej vend më vend për t’u folur njerëzvet mbi mënyrën se si e tradhtuan sërbët Kombin Shqiptar?! Kapllan Resuli kish shkruar një libër me titull “Tradhtia”, me vlera mjaft të mira njohëse dhe artistike. Ç’i duhej atij që vajti e shkroi edhe librin me titull “Jezu Krishti” dhe kërkoi me arrogancë që ai libër t’i botohej pikërisht në RPSSH, ku temat dhe titujt me personazhe të fevet nuk përkraheshin?! Dhe pse duhej ky Kapllan Resul të merrej me gjëra të vogla, si në tregimin “Shyta”, ku partizanët gjoja qenkeshin treguar cinikë dhe mosmirënjohës ndaj të zotit të një dhie me emrin Shytë? Kapllan Resuli është shembull, i cili, po të mos kish bërë budallallëqe dhe aventura, do të mund të përafrohej sot, në kulturën shqiptare dhe në historinë e shqiptarëvet, deri edhe me Adem Demaçin e madh. Sepse të tillë ishin fillimet e karrierës së Kapllan Resulit.
Sot është lehtë, madje edhe privilegj, të flasësh kundër Enver Hoxhës. Por cila ka qenë e vëreta?! Historianit nuk i takon të ndikohet prej rrymavet politike të çastit. Një historian që ndikohet prej politikavet të çastit, është një lake dhe një puthador pa vertebër! Enver Hoxha e dinte ç’do të ndodhte, prandaj dhe e sforcoi ekonominë, për të ndërtuar fortifikimet. Prandaj edhe i porositi ushtararakët ta ruanin Atdheun kur të vinin ditë të vështira. Por, as populli ynë, as oficerët tanë, nuk ia dolën për t’i ruajtur ata fortivikime që i kishin projektuar e ndërtuar vetë, me shumë privacione. Një nga ata ndërtues të pakursyer ishte edhe Alfred Moisiu. Por as ai nuk arriti të na i ruajë bunkerët, që të mos na shkatërroheshin! Ata bunkerë që ishin aq të bukur dhe aq të parrëzikshëm për cilindo shtet që na rrethon! Mjaftonte që ai shtet, fqinj ose jofqinj, të mos kërkonte poshtërimin apo nënshtrimin e këtij populli.
Në kohën kur unë isha i internuar në Tepelenë, në një rast kur Kadri Hazbiu pat ardhur për gjah në malin e Trebershinës dhe, kur në mbrëmje i qe shtruar darkë në fshatin Malas, dikush prej të pranishmëvet i paskish thënë për mua: „Kemi një jugusllav këtu në fermë. Është djalë me shkollë dhe sillet mirë. A mund ta vëmë normist apo llogaritar?” Kadriu kish pyetur për emrin tim, pastaj kish kundërshtuar: “Kurrsesi! Ne atë e kemi prurë këtu, të punojë vetëm në kazëm!” Këtë bisedë ma pat rrëfyer që të nesërmen Vero Alikaj, anëtar i PPSH-së dhe roje nate në fermën e Beçishtit.
Një rast tjetër, kur unë tashmë isha mësues në krahinën e Matit, po ai Kadri Hazbi i pat thënë dikujt (tani s’më kujtohet emri, por është e verifikueshme): „Mirë ai (ish fjala për mua), se e dimë kush është, por po çuditem me qëndrimin e së shoqes!“ Ime shoqe është përmetare dhe, në raste „emergjencash“, tregohet mjaft kategorike. Kjo e paska çuditur ministrin! Por ai mbase nuk e dinte që ime shoqe ishte mbesa e një patrioti dhe dëshmori nga më të shquarit e Jugut tonë!
Kur qe burgosur dhe dënuar Namiku, një i njohuri ynë, që e dinim se ishte informator i organevet të Sigurimit (dhe që s’na prishte aspak punë, sepse, në fund të fundit, ai thjeshtë po tregohej vigjilent), ka ruajtur rastin kur unë nuk isha në shtëpi dhe ka ardhur për vizitë. Ndërsa ime shoqe po bënte gati kafenë, ai ka shfletuar një album me fotografi, ka gjetur atje Namik Lucin dhe ka thënë: „Pse thotë Gjoka që nuk ka pasur lidhje me Namik Lucin? Ja ku kanë dalë bashkë në fotografi!“ Ime shoqe, duke e ditur kush ishte mysafiri, e ka marrë atë fotografi, e ka grisur, e ka futur në sobë (që të mos mund të përdorej si „dokument“), dhe i ka thënë: „ Oh! Ne këtë album ka kohë që nuk e kemi hapur. Kushedi si ka mbetur këtu kjo fotografi. Me Namikun, ka shumë vite që nuk kemi komunikuar.“
I thashë të gjitha këto, për të dëshmuar me fragmente konkretë të jetës sonë, si ishe ajo kohë që sot quhet „Koha e Enverit“. Historiografia vërtet i përdor ngjarjet e veçuara, por nuk nxjerr konkluzione pa i analizuar ato në mënyrë shkencore.
Kujt i interesonte burgosja dhe ndëshkimi i shqiptarëvet të ardhur nga përtej kufirit? Përse duhej të shpalleshin „armiq të Partisë e të Pushtetit Popullor“ herë një grup e herë një grup tjetër? Përgjigjja është kjo: U interesonte atyre që nuk e donin forcimin e Kombit Sjhqiptar. Ata që nuk e donin forcimin tonë si komb, i futnin në kurthe, edhe naivët edhe jo naivët, kë të mundnin, në mënyrë që ruajtësit e shtetit të gjendeshin para faktevet dhe t’i ndëshkonin të akuzuarit. Këto tragjedi nuk ka si bëhen më tragjike!
Ndërsa Radio-Kukësi buçiste natë për natë duke lexuar artikuj të gjatë që i përkrahnin kërkesat tona përtej kufirit, duhej stisur diçka që të dëshmonte se „Shqipëria nuk po i do kosovarët.“ Rruga më rezultative ishte, të shqyrtoje informacionet mbi bisedat konfidenciale të këtyre djemve atdhetarë dhe t’i thoshe Partisë: „Ja kush është filani!“
Agjenti shqiptar, spiuni i Sërbisë, i cili ndodhej në një karrike të rëndësishme, realizonte dy përfitime njëheresh: E para, e rrëfente veten „besnik të Partisë“ dhe e dyta, kryente punën e atyre që e kishin futur prej kohësh në kuth. Kryente detyrën e UDB-së sërbe.
Namik Luci, Istref Këlmendi dhe Selim Këlmendi, në bisedat e tyre konfidenciale, siç e dëshmova më parë, u kishin dhënë spiunëvet të Sërbisë mjaft material për t’i paraqitur këtu në Tiranë si „armiq të Partisë e Pushtetit“. Spiunët e Beogradit fare pak gjëra duhej të shtonin, si për shembull „këta po përgatiteshin për të vrarë Enverin“, dhe kjo mjaftonte për t’i rrasur në birucë e për të mos i nxjerrë më kurrë prej andej, edhe atëherë kur alibia e atentatit nuk do të vërtetohej.
Në përfundim, po dua të them edhe diç tjetër: Kam qenë një çerek shekulli mësuses dhe u kam folur nxënësvet të mi për Kosovën dhe viset e tjerë shqiptarë nën Jugosllavi, sa herë që më është dhënë rasti. Askush nuk më ka ndalur. Kam çuar recitues në Girokastër, të cilët me recitimet e tyre zgjonin mall për vendet e paçliruar dhe askush s’më ka ndalur. Përkundrazi, kemi fituar çmime. Në vitin 1982 i kam dërguar Enver Hoxhës, jo letër, siç ndodhte zakonisht, por libër 100-faqesh, në të cilin mbi 30 herë kam treguar të zezë mbi të bardhë se „kështu nuk bëhet socializmi“. Dhe nuk më tha askush asnjë fjalë të keqe, jo më të më shpallnin armik. (E publkiova atë libër në vitin 2017, si pjesë të një libri 380-faqesh, me titull “Rrnoj edhe unë për me tregue“.)
Dua të them edhe diç tjetër në fund të këtij shkrimi: Namik Lucin e ka çorientuar dhe pastaj arrestuar dhe dënuar, jo ai që e kish bërë inxhinier dhe që e thërriste për ndihmë kudo ku kish nevojë për dituritë e tija, por ai të cilit i vinte keq që Namik Luci, duke qenë një specialist shumë i zoti dhe atdhetar i madh, po e ndihmonte fuqishëm zhvillimin dhe funksionimin e industrisë kimike në këtë pjesë të Shqipërisë. Jam unë dëshmitar që ia kam parë Namikut gishtat, të djegur prej acidit sulfurik deri në kockë!
Për ta konkretizuar edhe më qartë këtë që thashë, le të shtrojmë edhe këto pyetje: Kombinatin e Laçit, ku Namiku shkriu një pjesë të jetës, kush e ndërtoi dhe kush e shkatërroi?! E ndërtoi RPSSH-ja e udhëhequr nga Enver Hoxha dhe e shkatërroi, pa dyshim, një forcë antishqiptare, e njëjta forcë që ia kish hequr atij Kombinati inxhinierin e saj më të mirë, Namik Lucin.
Dhe unë jam dëshmitar që, mbas daljes nga burgu, Namik Luci po punonte me mish e me shpirt për ta mbajur më këmbë atë Kombinat. Prandaj dhe dyshoj shumë që Namik Lucin e kanë asgjësuar (ndoshta helmuar) pikërisht ata të cilëvet nuk u duhej një atdhetar i pakorrigjueshëm. Unë jam dëshmitar që Leno Luci, bashkërortja e Namik Lucit dhe bijë e një atdhetari shumë të nderuar të Jugut tonë, kur tentoi të ndalte pushtimin dhe shkatërrimin e repartit të tankevet, që gjendej në territorin ku ajo ish Kryetare e Këshillit të Rrethit, asaj iu tha në telefon: „Po ty ç’të duhet që merresh me atë punë?!“ Ata ishin shkatërruesit e Shqipërisë, po edhe të familjes Luci, e cila fatkeqësisht, nuk mundi t’u shpëtojë kurthevet.
Përfundimisht, ta mbyllim kështu: Do të vijë një kohë që, edhe Namik Luci, edhe Istref Këlmendi, edhe Selim Këlmendi, do të konsiderohen viktima të një konspiracioni të shëmtuar antishqiptar. Ata do të kujtohen me keqardhje të thellë, shoqëruar me porosinë jetike drejtuar të gjithë brezavet: Shqiptarë, kini kujdes! Mos bini viktima të atyre që kanë dashur dhe po duan të na shfarosin!
Gjokë Dabaj, Durrës 26 dhjetor 2019
________________________________
“Namik Luci, inxhinieri nga Peja që u arrestua i akuzuar se do t’i bënte atentat Enver Hoxhës në Muzeun e Krujës”
https://www.gazetatema.net/2019/12/17/historia-e-panjohur-kush-ishte-inxhinieri-nga-peja-qe-u-arrestua-ne-lac-i-akuzuar-se-do-ti-bente-atentat-enver-hoxhes/