Durrës, 28. 02. 2016. Do të mund të kisha thënë KUAZIPOLITIKANËSH, por thashë KUAZINJERËZISH, sepse edhe politikanët duhet të bëjnë pjesë në specien NJERI, dhe, varësisht nga puna e tyre, të marrin apo të mos marrin parashtesën KUAZI-.
“RIVALIT” të Hashim Thaçit nuk ia mësova dot as emrin. Aq “I RËNDËSISHËM” ish ai në politikën shqiptare, sa as emri të mos i mbahej mend! Një jonjeri, të cilin është mëkat ta quah shqiptar! Krejt i paburrë! Pa as elementin më të vogël të dinjitetit njerëzor!
Le elektoratin, se elektorati mund të matet edhe me një gjysmë thesi miell, por ç’do t’u thotë ky jonjeri, ky kuazinjeri, bijvet të vet dhe nipërvet të vet?!
– “Unë kam qenë njëherë kandidat për president dhe kam marrë vetëm 4 vota“?!
Nipërit, nëse edhe ata nuk do të jenë të po kësaj kategorie, do t’i thonë:
– „A s’pate turp, o gjysh?!
– A s’e mendove se mund t’ia lësh një njollë POSHTËRUESE familjes tënde?!“
Ndonjëri prej nipërvet mund t’i thotë:
– „Çfarë profesioni ke pasur ti, gjysh?
– A ke qenë klloun cirku apo palaço në ndonjë oborr mbretërish mesjetarë?!“
As gruas së vet nuk ka ç’i thotë ky kuaziburrë! Ky, as vetes nuk ka ç’i thotë, përveçse, kur t’i bjerë rruga afër kazanëvet të plehravet, të murmuritë pa zë:
– „Unë mu këtu e kam vendin!“
Doli në foltore NJË GRUA dhe u tha gazetarëvet, teleshikuesvet, protestuesvet, që kishin ngrirë gjithë natën në shesh, diplomatëvet, dua të them, sehirxhinjvet cinikë, përfaqësues të asi shtetesh, ku, brenda një viti zhduken në labirintet e trafikimevet 10 mijë fëmijë, na tha të gjithëvet që ky „njeri“ na qenkësh i denjë për president të Republikës së Kosovës. A nuk pat turp, le prej elektoratit, por prej burrit të vet dhe prej fëmijëvet të vet kjo grua, nëse ka burrë e fëmijë?! Apo janë edhe ata soj bilmezi si kjo?!
Të 71 „deputetët“ kanë të njëjtën fytyrë si këta dy, që i përmenda këtu sipër. Në shqipen tradicionale do të thoshim:
– Janë të paburra!
– Janë burracakë!
– Janë burrecë!
Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, edhe pse e nominoi deputetin e PDK’së, Rafet Ramën për President të vendit, duke deklaruar se “kandidati Rafet Rama është njeriu me i denjë për president”, ajo e votoi Hashim Thaçin! Por, Thaçin e votoi edhe vet kandidati i saj – Rafet Rama! Ai pas votimit ka deklaruar se në tri raundet e votimit e ka votuar Hashim Thaçin! Kush mund të thotë se ky veprim nuk është demokratik?! Një maskaradë e tillë s’ndodh as në SHBA, as në Angli e as në Gjermani! /sh.b/
…………………………………………………………………..
Por, meqë midis tyre kish edhe gra, të quajtura gra, gjoja nëna fëmijësh, gjoja gjyshe të ardhshme, jemi të detyruar t’ua lëmë pasardhësvet për t’ua vënë emrin që u takon.
Pashë në gazetat e sotshme foton e një gruaje me gjinj përjashta. M’u duk si një dosë. Por, këto dhe këta 71 “parlamentarë” “votues” pro Hashim Thaçit, nuk mund t’i përqasim as me emra kafshësh, dosë, lopë, pulë e ku di unë çfarë. Na duhet të mjaftohemi vetëm me kaq:
– A nuk e dinin këta kuazinjerëz që Hashimi ua ka falur sërbëvet Zveçanin dhe Trepçën?!
Dhe, nëse do të ishin sado pak shqiptarë, a nuk do të mund t’i bënin TË PAVLEFSHME fletët e tyre të votimit, në mënyrë që, për Zveçanin, Trepçën, Rugovën, Graçanicën, Deçanin, Republikën e Shadërvanit, Brezovicën, të paktën të mund të hapej një faqe e re e historisë?! Do ta kish quajtur historiografia këtë parlament PARLAMENTI I REHABILITUAR! PARLAMENT BURRASH E BURRNESHASH! Mirëpo, këta 71 ”kuazivotues” të mjerë, nuk ishin aspak më njerëz se ai i emërharrueshmi “kandidat” “për president”. Asnjëri prej këtyre nuk e meritoi, më 26 shkurt 2016, as metaforën KËRMILL.
Krejt ajo tufë brohoritësish na e kujtoi atë natë vitin 1928, kur një tufë tjetër kuazideputetësh i vinte kurorën një salep-sulltani! Një salep-sulltani, pas të cilit s’mund të vinte tjetër, veçse një 7 Prill, tragjik për krejt Shqipërinë! Ajo tufë kuazideputetësh, që e brohoritën atë natë Hashim Thaçin, na e kujtoi edhe vitin 1998, kur një tufë tjetër kuazideputetësh i vinte “kurorën” një salep-presidenti, pas të cilit do të thirreshin 8 mijë forca ushtarake të huaja, për të vendosur “paqen”, në një vend ku do të mjaftonte të mos ishin kaq të cekët ata që ua kish dhënë Zoti rastin të mbanin në dorë një mandat deputeti.
Ndërkaq, në qoftë se për të 71 “votuesit” do ta pranojmë emërtimin pezhorativ KËRMILL, do të mund të themi që KRYEKËRMILLI, atë natë, tek po i numëroheshin “votat”, po qeshte aq shëmtueshëm, sa nuk mund të durohej. Ne, që po e shihnim në televizor, ishim të detyruar ta gëlltisnim atë lloj të zgërdhiri të paturpshëm, në një kohë kur policia po derdhte gaz lotsjellës mbi shtetasit e tij. Zgëdhihej tjetri, duke u mburrur para popullit të vet: “Ia dola ta rikthej Kosovën nën Sërbi!”
Sa poshtë raka njeriu! Është i njëjti person, i cili, para 8 vjetësh, e ka shpallur PAVARËSINË e Republikës së Kosovës, ditë, kur shqiptarët ishin gati ta vendosnin portretin e tij pranë atij të Ismail Qemalit! Dhe ja tani, si e rrukullisi vetëveten! I paburrë! Na kujton Dhimitër Farin e vitevet 230 para erës sonë.
Në vend që t’i thoshte, në radhë të parë familjes së vet e pastaj krejt popullit:
– “U gabova! M’i patën shti ndërkombëtarët të dyja këmbët në një këpucë dhe s’pata rrugë tjetër.” Të jepte DORËHEQJEN, duke i thënë po këto fjalë para kameravet dhe të mbetej përjetësisht i nderuar.
A do të mund t’ia pengonin DORËHEQJEN ndërkombëtarët?!
Ajo farë Gjykate Speciale, të cilën avokati Tomë Gashi e ka quajtur, me plot të drejtë, GJYKATË mirëfilli RACISTE, ndoshta do të mund ta shtinte në burg Hashim Thaçin, por, nëse do t’i kish mbetur Hashim Thaçit sado pak burrëri, ai duhej ta pranonte edhe burgimin dhe të zinte ashtu një vend nga më dinjitozët në historinë e kombit të vet.
Por kujt t’i thuash?!
Emri Hashim në gjuhën arabe ka kuptimin: ai që përshesh bukën në lëng mishi. S’ka ku të vejë më përdreq! Përputhet emri me veprimin! Na e bëri PËRSHESH Republikën e Kosovës dhe e zhyti historinë e kombit tonë në „LËNGUN“ e tragjedivet! Në GJAKUN e tragjedivet!
Mirëpo, për fatin tonë të mbushur plot me zhgënjime, albumi i kuazinjerëzvet nuk u mbyllka me kaq! Presidenti i Republikës së Shqipërisë e uroi këtë PËRSHESHBËRËS TË IBRETSHËM, duke e quajtur “zgjedhjen” e tij “legjitime”! Një burokrat, o ka logjikë burokrati, dmth, tru të mpiksur, ose nuk e ul kush në atë karrike! Se çfarë “personaliteti” është presidenti i tashëm i Republikës së Shqipërisë, ne e pamë ditën kur luajti rolin e kapixhiut në Aeroportin e Rinasit. Kapixhi është fjalë turke dhe do të thotë: njeri që hap e mbyll një derë, një portë, një kapi. Në sarajet e sulltanëvet kapixhinjtë hapnin e mbyllnin kapitë kur u vinte dikush sulltanëvet për vizitë. Vizituesi, për mirësjellje, mund të ndalej dhe të bisedonte 2-3 minuta me kapixhiun.
Thanë se edhe Ilir Meta dhe Ed Rama ia paskan bërë të njëjtin urim kuazipresidentit më të freskët shqiptar, tashmë “mjeshtër” i përsheshbërjes. Do të mjaftonte që 2 kryepushtetarët e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe Ed Rama, t’i bënin në vetëvete 2 a 3 arsyetime fare të thjeshtë: Në emërimin president të Republikës së Kosovës morën pjesë edhe të quajturit “deputetë” të “Listës sërbe”. Kur po ky Hashim Thaç e pat shpallur Republikën e Kosovës shtet të pavarur, a patën votuar sërbët për atë pavarësi?! Po tash, sado që mund të thonë se nuk kanë votuar pro Hashimit, a erdhën për ta plotësuar të quajturin kuorum të domosdoshëm?! Erdhën, sepse, po ky Hashim ka pranuar tashmë të krijojë mes për mes Kosovës një “ASOCIACION” të sëbëvet e kjo praktikisht do të thotë që krejt Kosova të mbetet përjetësisht e varur prej Sërbisë. Ilir Meta dhe Ed Rama, nëse do të kujdeseshin sado pak për të mos u shndërruar edhe këta në kuazinjerëz, do të duhej të paktën të kishin mbajtur një QËNDRIM lidhur me atë TUFË SËRBËSH, që e ka prurë, me katapultë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, një finlandez. Një finlandez i pensionuar, të cilit i jepet çmimi “Nobel”, jo se e shpëtoi Ballkanin nga dinamiti, por sepse ia vuri dinamitin Ballkanit mu në themele.
A mund të presësh prej të këtillë kuazipersonalitetesh dhe kuazinjerëzish një prezantim më dinjitoz të kombit tonë?! A nuk do të duhej ta lexonim të paktën edhe njëherë Andon Zako Çajupin:
„Shqiptar, mos rri, po duku,
shqiptar!
Mjaft punove për (qejfin e të tjerëvet),
o fatkeq!“ ?!
Gjokë Dabaj, Durrë – 28 shkurt 2016