GJOKË DABAJ: TË QUAJTURIT ATEISTË KANË FAJ TË RËNDË

Durrës, 29 shtator 2020: Qyshkur njerëzimi ka filluar të udhëhiqet nga idetë, midis njerëzvet kanë ekzistuar të quajturit TEISTË (te dikush DEISTË) dhe të quajturit ATEISTË.
As njërët, as tjerët nuk i kanë emërtimet të saktë.Teistët (ose deistët) do të duhej të quheshin CELESTOTEISTË, me kuptimin adhurues të perendisë qiellore, ose FANTASTOTEISTË, me kuptimin që besojnë në një Zot të përfytyruar. Ateistët do të duhej të quheshin GJEOTEISTË, me kuptimin adhurues dhe mbrojtës të jetës në planetin Tokë, ose REALTEISTË, me kuptimin që besojnë në një Zot të dukshëm.
Teistët kanë besuar në një Zot, të përfytyruar si fuqi e mbinatyrshme, fuqi që, sipas tyre, e ka krijuar botën dhe që i udhëheq të gjithë zhvillimet e mëtejshëm në krijesën e vet. Teistët, në shërbim të këtij besimi, kanë krijuar INSTITUCIONET e vet dhe e kanë predikuar religjionin e vet pa ndërprerje, në të gjitha kohët.
Fjala religjion vjen nga latinishtja religio, që do të thotë vetëdije. Pra teistët kanë predikuar vetëdijen e vet, bindjen e vet, besimin e vet, duke e shndërruar atë në kult, që do të thotë, në adhurim, për ta të pakontestueshëm.
Duke kaluar nëpër shekuj, teistët janë ndarë e rindarë në grupe të ndryshëm, në sekte të ndryshëm, në parti të ndryshme, që i kanë quajtur fe (nga latinishtja fides, besim), janë vrarë njëri me tjetrin, kanë bërë luftëra të pafundme dhe kanë derdhur gjak të njëri-tjetrit, sa nuk mund të llogaritet. Por asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga besimi te një Zot, te një fuqi e mbinatyrshme, duke iu lutur e falur atij Zoti secili në mënyrën e vet, për interes të vet, dhe duke e urryer njëri-tjetrin herë më pak e herë më shumë.
Kur vjen rrëziku nga një i tretë, urrejtja reciproke është më e pakët, ndërsa kur rrëziku nga i treti largohet, urrejtja kundër njeri-tjetrit shtohet deri në përballje me armë vdekjesjellëse. Deri në dëshirën për ta shuar, për ta zhdukur kundërshtarin. Deri në vrasje të pamëshirshme, thjeshtë sepse ai tjetri i lutet të njëjtit Zot disi ndryshe.
Tani ka ardhur puna që, kjo botë, dmth jeta në planetin Tokë, e udhëhequr ekskluzivisht prej të quajturvet teistë, në të vërtetë celestoteistë apo fantastoteistë, po rrëzikohet për t’u shuar përfundimisht ose pothuaj përfundimisht!
Të quajturit ateistë, në të vërtetë gjeoteistë apo realteistë, provuan t’ua marrin pushtetin të quajturvet teistë (deistë), vendosën të quajturin socializëm apo komunizëm në një pjesë jo të vogël të planetit tonë, por dështuan me turp e me faqe të pëgëjtur.
Pse dështuan të quajturit ateistë, që në të vërtetë do të duhej të quheshin realteistë, dhe pse e rimorën pushtetin në krejt planetin tonë të quajturit teistë, në të vërtetë fantastoteistë?! Pse po ndodh që teistët (deistët) apo fantastoteistët, po e çojnë sot krejt njerëzimin në rrugën e vetasgjësimit?! Po ndodh kjo, sepse të quajturit atestë, realteistët, geoteistët, në të gjithë shekujt, përfshirë këtu edhe dy shekujt e fundit, nuk kanë ditur ta organizojnë religjionin e vet.
Pikë së pari, ata kanë rënë pre e të quajturvet teistë (deistë), të cilët thoshin dhe thonë se ateistët nuk besojnë në asnjë Zot. Të quajturit ateistë madje e kanë pranuar, si njerëz dritëshkurtër, edhe cilësimin ateist. Është vërtet e çuditshme. Dikush që e di, që është i bindur se nuk ekziston një fuqi e mbinatyrshme, e cila vetëdijshëm u kujdeska veçanërisht për njeriun, do të duhej të dinte edhe si të organizohej dhe si të bënte që vetëdija e tij të triumfonte mbi vetëdijet e quajtura ndryshe edhe obskurantiste. Të dish që të tjerët janë obskurantistë e vetë, si iluminist, të mos dish të gjesh rrugën e shpëtimit të jetës mbi dhe, kjo është e pafalshme!
Por ja që, për fatin e keq të njerëzimit, ata, iluministët, nuk ditën të gjejnë rrugën që do t’i çonte drejt fitores dhe që, rrjedhimisht, ajo rrugë do të duhej ta shpëtonte njerëzimin nga katastrofat.
Ata, krejt verbërisht (Pika iluminizmit të tyre!) iu drejtuan urrejtjes dhe armëvet, para se t’i drejtoheshin vetëdijes gjithnjerëzore, institucionalisht dhe praktikisht, lagje më lagje, shtëpi më shtëpi dhe individ më individ. Ata, jo vetëm nuk e krijuan e nuk e predikuan fenë e vet, por madje pranuan të quhen të pafe. Si mund të shkojë njerëzimi prapa dikujt që nuk ka kurrfarë feje, që nuk ka kurrfarë besimi?!
K.Marksi dhe F.Engelsi nuk e parashikuan domosdoshmërinë e krijimit praktik të një religjioni, ku JETA NË TOKË të ishte SHENJTËRIA, për të cilën njeiru duhej të kujdesej. Lenini i praktikoi qelizat, celulat, ku predikohej komunizmi, shoqëria e re pa shfrytëzues e pa të shfrytëzuar, por ato celula kurrë nuk u shndërruan në INSTITUCION të përbotshëm dhe të përjetshëm. Siç i kishin krijuar fantastoteistët: sinagogat, faltoret budiste, kishat, xhamitë.
Mbas marrjes së pushtetit nga ana e partivet komuniste, funksionoi në ata shtete një mënyrë edukimi, të anëtarëvet të partivet që ishin në pushtet dhe të të quajturavet masa punonjëse, por institucioni i qëndrueshëm i një të atillë religjioni, nuk u themelua kurrë dhe, sapo u uzurpua pushteti, mori fund edhe religjioni. Mori fund, sepse iluministët (qorrat iluministë!) nuk kishin ditur ta IN-STI-TU-CIO-NA-LI-ZO-NIN religjionin e vet.
Jezu Krishti e predikoi religjionin e vet, i cili kish synimin kryesor të zhdukte skllavopronarinë. Mbas Jezu Krishtit ithtarët e tij, në radhë të parë Shën Pali e Shën Pjetri e pastaj të tjerët, për 300 vjet e predikuan thuajse ilegalisht religjionin e Jezu Krishtit dhe vetëm mbas 300 vjetësh, arritën ta legalizojnë. Nuk po them që luajti rol tërësisht pozitiv krishtërimi i legalizuar, ashtu si edhe budizmi, hebraizmi apo islamizmi, por po them që ai besim arriti të legalizohet falë pikërisht INSTITUCIONIT që e kish krijuar vetë Jezusi qysh në predikimet e tij të parë.
Të quajturvet ateistë, në të vërtetë gjeoteistë e realteistë, as që u ka shkuar ndërmend ta krijojnë një INSTITUCION të tillë. Ata, as para 1000 vjetësh, as para 100 vjetësh, nuk kanë pasur një vend ku të mblidhen dhe ku të predikojnë idetë e tyre, pa marrë parasysh kush mund ta kishte pushtetin.
Edhe sot ka në botë, në botën tonë, në planetin tonë, miliona njerërëz që nuk besojnë në një Zot të mbinatyrshëm, por nuk kanë kurrfarë ORGANIZIMI. Madje, unë them me bindje që, pjesa më e madhe e këtyre milionave, sado që e dinë që nuk ka ndonjë Zot tjetër që të kujdeset për njeriun, përveç njeriut, shkojnë për inerci dhe i falen atij Zoti që e dinë se nuk ekziston.
Në këtë mënyrë, feja myslimane i regjistron si myslimanë edhe ata që e dinë se nuk ekziston Allahu, ndërsa feja e krishterë i quan të krishterë edhe ata që fare formalisht festojnë Krishtlindjet dhe Pashkët, duke e ditur që Jezu Krishti, as ka qenë i biri i Zotit dhe as ka shkuar, pas kryqëzimit, për të jetuar diku në qiell pranë Zotit.
Kjo është papërgjegjësia e pafalshme e të gjithë atyre që, krejt pasaktësisht janë quajtur ateistë, në vend që të quhen gjeoteistë apo realteistë, dhe vazhdojnë të sorollaten nëpër planet, pa bërë asgjë për ta shpëtuar jetën, e cila, ndoshta fare ratësisht, ekziston në planetin tonë dhe prandaj edhe duhet adhuruar si një perendi.
Pra, është koha kur, ata që njohin vetëm natyrën për perendi, të dalin nga letargjia, të krijojnë institucionet e religjionit të vet dhe të marrin përsipër për ta shpëtuar botën e gjallë të këtij planeti nga përvëlimi e shkrumbimi prej armëvet biologjike, kimike e bërthamore.
As Rusia, as Amerika, as Kina, nuk do ta kursejnë njëri-tjetrin kur të vijë puna për të qenë apo për të mos qenë. Asnjë lloj manovre nuk do ta shpëtojë njerëzimin prej përvëlimit paranuklear dhe prej shkrumbimit nuklear e postnuklear, nëse brenda këtyre shteteve nuk do të organizohen, nëpër VENDTUBIMET e vet të rregullt, ata që kanë perendi jetën e gjallë mbi këtë planet e askënd tjetër.
Braktisini faltoret e rreme dhe krijoni faltoret, vendtubimet, e së vërtetës! Mos rrini hundëqurrosur si delet në oborrin e thertorevet, sepse, mbas Luftë së Tretë Botërore Totale, edhe po të mbetet dikush gjallë, nuk do t’jua falë pamendësinë dhe neglizhencën tuaj!
Përfundimisht, cila duhet të jetë detyra KONKRETE, e përditshme, e përorshme, e e gjeoteistëvet apo ralteistëvet, siç po i quaj unë ata që deri më sot janë quajtur abuzivisht ateistë? Detyra konkrete, e përditshme dhe e përorshme, tepër e vështirë, e gjeoteistëvet apo realteistëvet, do të jetë: Të ruajnë njeriun e mirë nga të gjithë rrëziqet, në radhë të parë nga rrëziqet prej njeriut të keq, i cili shpeshherë gjallon edhe brenda vetë njeriut të mirë! Të ruajnë ekuilibrin në botën shtazore, të ruajnë ekuilibrin në botën bimore, që do të thotë t’i mbrojnë botën shtazore e botën bimore në radhë të parë nga veprimtaria shkatërruese e njeriut të keq! Të gjitha të tjerat i rregullon vetë natyra.
Në të gjitha këto punë duhet të kërkohet kontributi bashkëpunues edhe i religjionevet të tjerë, nëse ata duan vërtet të mos shuhet jeta në planetin Tokë.
Gjokë Dabaj. 27-28 shtator 2020.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura