Durrës, 18 dhjetor 2018:
Shembulli i parë: Disa mijëra studentë të mrekullueshëm! Dalin nëpër rrugë, ecin normalisht, këndojnë, mbajnë lart parullat me kërkesëzat e tyre krejt modeste, ngrejnë flamurin kombëtar më lart se çdo kërkesë tjetër. Disa madje mbështillen me flamurin e kombit të vet, sikur duan të thonë: Edhe po s’na dhatë asgjë, ne do të mbijetojmë edhe kështu, të mbuluar e të mbështjellë me simbolin të pavdekësisë sonë.
Nuk mbajnë flamuj të tjerë. Mbajnë vetëm flamurin e vet, të shenjtin flamur të Adem Jasharit, të Ismail Qemalit, të Skënderbeut dhe të Konstantinit të Madh të Dardanisë, shenjë e një dinjiteti të ngulitur në shekuj, jashtë çdo servilizmi e përulësie.
Dalin një ditë, dalin dy ditë, rrinë me orë të tëra, tri ditë, pesë ditë, nëntë ditë. Shembull i papërshkrueshëm durimi e qytetarie. Ftohen gjithë natën midis ajrit të ftohtë të vjeshtës, lagen nën shi, durojnë shurdhërinë cinike të pushtetarëvet, por nuk thyejnë asnjë xham, nuk përmbysin asnjë makinë, nuk hedhin drejt policëvet asnjë shashkë. Përkundrazi, kur largohen nga ambientet ku kanë demonstruar, e pastrojnë vendin nga letrat dhe nga sendet e tjerë hedhur atje rastësisht, madje i fshijnë edhe pluhurat me fshesa, për të mos e lënë vendin të papastër.
A keni parë gjëkundi në botë rini më të kulturuar se kjo rinia e sotme shqiptare?!
Shembulli i dytë: Një qëndrim i ulët i qeverisë! Ke përshtypjen që këta qeveritarë, me në krye kryeqeveritarin, nuk kanë fëmijë dhe nuk dinë ç’janë fëmijët. Ose edhe më keq: Kanë fëmijë, por nuk kanë dashuri prindërore. Madje keq e më keq: Dashurinë prindërore për fëmijët e vet e shprehin duke derdhur para me thasë për ta (gjë që, në të vërtetë, s’është aspak dashuri e mençur), ndërsa fëmijët e të tjerëvet, fëmijët e popullit të vet, i barazojnë me mizat, duke i joshur me një pikë mjalti të rremë, sa për t’ua zhytur këmbët brenda.
Të qëndrosh kaq armiqësisht ndaj një gjenerate të tërë të rinjsh kaq të kulturuar, është shenja më e qartë që këta pushtetarë tashmë kanë harruar të jenë njerëz.
A ka në botë qeveri më çnjerëzore se kjo e jona?!
Dhe, a është në gjendje cilado parti politike shqiptare e sotme të krijojë një qeveri më njerëzore, të denjë për të këtillë studentë dhe për një të këtillë popull, që i ka lindur, rritur dhe edukuar kaq mirë këta studentë?!
Një dukuri e cila në filozofi emërtohet si ligji i të kundërtavet: Më një krah fytyra e pastër e një populli, më krah tjetër fytyra e ndotur e po atij populli!
Uroj që këta studentët kaq të përparuar të mos bien pre e gjithfarë përzierjesh, të cilat pala e ndotur ka për t’ua ofruar “me bujari”!
Gjokë Dabaj – 18 dhjetor 2018.