GJOKË DABAJ: MARRËVESHJA E SOTME SHQIPTARO-SËRBE DHE TRAKTATI I DIKURSHËM I SHËN-STEFANIT

Durrës, 4 shtator 2020: Marrëveshja ekonomike që sapo u nënshkrua në Njujork, po i lumturon sidomos nënat e viktimavet sërbe në Kosovë. Tani do të vijnë sërbët lirshëm nëpër krejt Kosovën dhe do t’i sjellin mallrat sërbë për t’ua shitur të mbeturvet gjallë. Më të parët që do të vijnë dhe do të shëtisin lirshëm në këto hapësira, do të jenë vrasësit e djemvet tanë dhe përdhunuesit e vajzavet tona. Ata e njohin mirë terrenin. Do të kalojnë këndej si tregtarë, por edhe si punonjës të kompanivet sërbe, si shpërndarës mallrash, si menaxherë, si shoferë. Duke vozitur nëpër rrugët tona, ata do të ndalen herëpas’here pranë lapidarëvet, që i kemi ngritur ne në kujtim të dëshmorëvet, dhe do të bëjnë shurrën mbi pllakat e mermerta.
Ndërkohë, tregtarëvet tanë nuk do t’u lejohet të kalojnë kufirin me pasaportat e Republikës së Kosovës. Nuk dot’u lejohet, sepse Zoti D.Tramp u interesua vetëm për “problemet ekonomikë”, ndërsa për çështje politike nuk e pa të arsyeshme të ndërmjetësojë, përveçse “duke e ngrirë” njohjen për të paktën një vit. Le që, ç’po u duhet shqiptarëvet të Republikës së Kosovës të shkojnë në Sërbi?! Mallrat që u duhen shqiptarëvet, do t’i sjellin vetë sërbët në Kosovë.
Aty u përmend edhe shtimi i vendevet të punës. Nuk u tha nëse do t’u shtohen vendet e punës sërbëvet apo shqiptarëvedt, por kjo vetëkuptohet. Përderisa objektivisht tregtinë do ta bëjnë sërbët, kuptohet që vendet e punës do t’i shtohen në radhë të parë kombit sërb, andej dhe këndej kufirit. Pastaj, ç’të mbetet, do t’u takojë shqiptarëvet. Shqiptarët, për shembull, do të mund të punojnë si punëtorë të ngarkim-shkarkimit dhe si pastrues, brenda kompanivet sërbe, që do të ushtrojnë tregtinë në Republikën e Kosovës, tashmë koloni sërbe si dikur.
Donald Trampi ia dhuroi me këtë rast Kosovës edhe njohjen nga ana e Izraelit.
Për ta festuar këtë mrekulli, këtë ngjarje epokale të rishndërimit të Kosovës në koloni, mijëra kosovarë vijnë në bregdet për t’u rrezitur në diell. Në Morinë sot, pikërisht sot, kaluan 35 mijë pushues, që të gjithë të lumtur që D.Trampi e riktheu Sërbinë në Kosovë.
Bravo, shqiptarë! Festojeni Traktatin e Ri të Shën-Stefanit, duke i kthyer bythën diellit në Velipojë, në Shëngjin e në Vlorë! Edhe ju, udhëheqës të shqiptarëvet, që vetë ne ju këmi vënë krye, lëvdojeni sa më shumë këtë marrëveshje!
Më 1878-n Perandoria Osmane ia dha Rusisë tokat e Gadishullit të Ilirisë deri te portat e Stambollit, më 2020-n Shtetet e Bashkuar të Amerikës ia dhanë Rusisë tokat e të njëjtit gadishull deri në Tivar e deri në Nikopol. Kush nuk i shikon lidhjet midis “zgjedhjevet” në Republikën e Malit të Zi, pushtimit të detit nga Greku dhe firmosjes amerikano-izraelito-vuçiqo-hotjane në Njujork, nuk ka sy në ballë.
Njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit u paraqit si dhuratë që iu bë shqiptarëvet. Ku paska qenë Izraeli deri më sot, që nuk e paska njohur Republikën e Kosovës?! A s’po e shprehin ditë për ditë izraelitët mirënjohjen që shqiptarët i patën strehuar e mbrojtur izraelitët në kohën e Holokaustit?! Si qenka vonuar kaq shumë Izraeli për të njohur këtë republikë shqiptare?! Dhe pyetja tjetër çudishkaktuese është kjo: Izraeli po e njihka Republikën e Kosovës në një kohë kur shtetin e Palesdtinës fqinje ende nuk e ka njohur!
Ç’janë këto lojëra në sy të popujvet?! Më një anë një Tel-Aviv që shtrin dorën mbi Jerusalemin, në anë tjetër një Beograd që shtrin dorën mbi Prishtinën!
Na ngushëllon në këta çaste vetëm një thënie që po thuhet se e ka thënë Xho Bajdeni: „Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe jo pjesë e Sërbisë.“
Mbas Traktatit të Shën-Stefanit, burrat e Shqipërisë u mblodhën në Prizren dhe i dolën zot vendit, aq sa mundën. Sot sërish duhet të mblidhen pasardhësit e Ymer Prizrenit dhe të Abdyl Frashërit, ndoshta pikërisht në Prizren, dhe t’i bëjnë thirrje popullit të Shtetevet të Bashkuar të Amerikës që t’ia japë votën Xho Bajdenit. Ddhe pastaj të brohorasim: Amerikë, dilu zot shqiptarëvet!
Edhe Zonjës A.Merkel t’i shkruhet letër: Gjermani, dilu zot shqiptarëvet!
4-5 shtator 2020. Gjokë Dabaj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura