DR.JAKUP KRASNIQI: AKADEMIA E SHKENCAVE DHE ARTEVE TË SERBISË BËN APEL PËR NJË LUFTË TË RE NË BALLKAN!

Prishtinë, 14. 02. 2017: Serbia që nga mbarimi i luftërave për krijimin e Serbisë së Madhe, asnjëherë nuk ka pushuar angazhimet e saja të përhershme sesi në paqe ta kthejë atë që e kishte humbur në katër luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë: Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë!
Sesi politika zyrtare e Serbisë dhe ajo e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (ASHAS) i kanë vënë vetes si qëllim “mbrojtjen e interesave të popullit serb në rajon, i cili ishte dhe është imperativ politik, historik dhe moral”. Sidomos për Ivica Daçiqin e Vuk Jeremiqin, të cilët jo pak herë deklaronin se: “Është normale që prioritet për ne është pozitat e serbëve në rajon…” Po kësaj valleje, por në mënyrë të programuar, iu bashkuan edhe akademikët Dobrica Çosiq e Lubomir Tadiq, të cilët përgatitën Memorandumin 2 (2011) të ASHAS, i cili në dallim me Memorandumin 1 të vitit 1986, është dokument intern, i cili iu është dërguar anëtarëve të kabinetit qeverisës për lexim, por “pa shpërndarje të mëtejshme” (https://hr.wikipedia.org/wiki/Drugi_Memorandum_SANU).

Në mes këtyre Memorandumeve ekziston edhe një dallim esencial. Në të parin hartuesit qaheshin sesi “Serbia atë që e kishte fituar me luftë e humbiste në paqe”. Në Memorandumin e dytë kërkojnë që “Serbia ta fitonte në paqe, atë që humbi në katër luftëra”! (Po aty) Shih, për të arritur ketë në fund të viteve ’90 e në fillim të shekullit të ri, Serbia kishte angazhuar një grup të intelektualëve edhe ekspertëve të ndryshëm për të përgatitur dosje kundër njerëzve të UÇK-së. 27.000 faqe (Bardhyl Mahmuti: Mashtrimi i madh, Çabej 2015),f – 447) materiale që i kishte dorëzuar në Gjykatën e Hagës dhe OKB-së, kishte hartuar edhe një seri të Librave të Bardhë (1999 – 2003) për t’i akuzuar të tjerët e në ketë kontekst edhe pjesëtarët e UÇK-së. (Po aty, f, 401) I fundit nga ajo seri “për t’i kthyer humbjet në luftëra, në fitore në paqe” është hartimi i Memorandumit të Dytë (2) nga ASHAS-ja.
Memorandumi 2 është përgatitur dhe ka për qëllim që ta shpëtojë Serbinë pas gjithë humbjeve të pësuara në hapësirat e ish-FJ-së. Qëllimi i këtij Memorandumi është që të vendosë Serbinë në pozita të barabarta me të gjitha shtetet që ajo kishte bërë agresion. (http://www.hrvatskipravoslavci.com/index.php?option=com_content&view=article&id=707:nova-platforma-za-irenje-velike-srbije-memorandum-2&catid=1:vijesti&Itemid=10)
Në disa paragrafë të Memorandumit 2 janë dhënë qëllimet dhe orientimet kryesore sipas të cilëve Serbia duhet dhe mundet të shpëtohet nga proceset gjyqësore ndërkombëtare. Gjithashtu, Memorandumi i përmendur, Qeverisë së Serbisë i jep orientime sesi t’i zvogëlonte përgjegjësitë e Serbisë për gjenocidet dhe krimet e kryera në Kosovë, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. (http://www.cro-eu.com/forum/index.php?topic=3332.0).
Gjithashtu ata, akademikët, kërkojnë që të shpërndahej përgjegjësia edhe në shtetet që kishin dalë fituese nga luftërat t’ju montoheshin procese gjyqësore në mënyrë që edhe ato të vendoseshin në pozita të barabarta me Serbinë. (http://www.hrsvijet.net/index.php/kolumna-ivica-ursic/138-arhiva-stari-hrsvijet-net-2/17655-to-sadri-velikosrpski-memorandum-2)
Autorët e Memorandumit 2 detajisht kanë paraparë sesi e në ç’masë Serbia duhet të veprojë në mediet rajonale e ndërkombëtare për të përfunduar proceset e ish-përfaqësuesve të politikës serbe, përfshirë edhe proceset e ushtarakëve të lartë serbë, të cilët ishin në proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës (Vojsllav Sheshel, J. Stanishiqin, Frenkiju Simativiqin, general Momqillo Perishiqin…).
(http://www.hrvatskipravoslavci.com/index.php?option=com_content&vieë=article&id=707:nova-platforma-za-irenje-velike-srbije-memorandum-2&catid=1:vijesti&Itemid=10)
Të gjitha këto duhet të bëheshin me qëllim që të tërhiqej vëmendja e publikut, të grumbulloheshin aktakuza, të shpalleshin fletarrestet si ky i Ramush Haradinajt dhe të organizoheshin procese gjyqësore para organeve gjyqësore serbe kundër shtetasve të Bosnjë-Herecegovinës, Kroacisë e Kosovës, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat kundër Serbisë (Po aty). Memorandumi 2 përpunon format sesi shtetet fqinje Bosnjë-Hercegovina, Kroacia e Kosova të viheshin në pozita që të tërhiqeshin nga aktakuzat e paralajmëruara në gjykatat ndërkombëtare (Po aty). Ndonëse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk duket se ishte e interesuar që ta shpallte fajtore Serbinë, e cila pastaj do të detyrohej që t’i paguante dëmet e luftërave. Dhe dëmet e luftërave të shkaktuara nga Serbia janë të mëdha.
Si politikanët serbë, po ashtu edhe akademikët ishin të angazhuar sesi me aksione të vendosura Serbia të sillej në pozita të barabarta me viktimat e shumta dhe të dëmtuarit e shteteve përreth. Qëllimi ishte që në çdo mënyrë të pengohet (tejkalohet) çdo izolim ose pengesat që Serbia t’i vazhdon bisedimet me BE-në.

Këto ishin vetëm disa udhëzime të Akademikëve serbë se me çfarë vëmendje qeveritarët serb duhej të përcillnin opinionin botëror deri te ndërprerja përfundimtare e mandatit të Tribunalit të Hagës. (http://www.cro-eu.com/forum/index.php?topic=3332.0)
Nuk ka asnjë dyshim, Serbia i friksohej shumë vazhdimit të Tribunalit të Hagës dhe në një masë ia ka arritur qëllimit. Ia ka arritur qëllimit që të mbyllej Tribunali dhe të barazoheshin krimet serbe me ato kroate, myslimane e të Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim më e dëmtuara në këto procese po del të jetë Kosova. Miratimi i Gjykatës Speciale nga institucionet e Kosovës është kulmi i padrejtësisë, ose më mirë të themi i vetë padrejtësisë që përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës ia bënë shtetit të tyre.
Akademia Serbe merret me politika të errta! Ajo merret me atë sesi duhet destabilizuar qeveritë e shteteve fqinje, nën moton: “qeveri e dobët, shteti i dobët (Po aty)”. Edhe në këtë plan politika serbe është treguar e suksesshme, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Në ketë kontekst, sipas autorëve të Memorandumit 2, provokimi i problemeve të brendshme, me pakënaqësi e protesta në shtetet fqinje, ishte angazhim i përhershëm dhe i vazhdueshëm. “Në shtete të destabilizuara ashpërsia e akuzave kundër Serbisë dobësohen njëkohësisht (Po aty)”, llogarisin autorët dhe nuk gabuan.
Nëse deklarativisht qeveritarët serbë thonë se sovraniteti i vendeve fqinje nuk vjen në pikëpyetje, zyrtarët e Beogradit nuk tërhiqen nga strategjia e instrumentalizimit të serbëve në vendet e rajonit. Ata edhe në këto plane janë udhëhequr nga praktika dhe teoria e Millosheviqit “foli populli” (dogagjaj naroda), vazhdues i kësaj politike pa dyshim që është Daçiqi, i cili kurrë nuk është tërhequr nga ajo praktikë e krimit dhe e gjenocidit. (Po aty).
Një kapitull të veçantë Memorandumi 2 i kushton bashkësisë serbe në Vukovar, në Sllavoninë Lindore dhe në pjesën veriore të Kosovës. Ata kërkojnë me ngulm që serbët në këto vende duhet të jenë popull konstituiv. (http://www.hrsvijet.net/index.php/kolumna-ivica-ursic/138-arhiva-stari-hrsvijet-net-2/17655-to-sadri-velikosrpski-memorandum-2 )
Akademia Serbe i sugjeron qeveritarëve në Beograd që në shekullin XXI, Serbia duhet të angazhohet që “në paqe të fitohet ajo që ka humbur në Luftë…vendet e humbura kurrë nuk duhet t’i shohim si humbje definitive.” (http://www.cro-eu.com/forum/index.php?topic=3332.0)
Nuk ka asnjë dyshim, Serbia edhe sot e kësaj dite është duke kultivuar me vendosmëri politikat e vjetra për Serbi të Madhe, madje edhe në ketë plan ka një mbështetje të fuqishme nga qarqe zyrtare e akademike të Botës Perëndimore. Këtu nuk përjashtohen as një nga mekanizmat që u morën me Raportin e Dick Martit.
Të gjitha zhvillimet që po ndodhin në Kosovë e për Kosovën që nga fillimet e bisedimeve në Bruksel dhe sidomos zhvillimet e viteve të fundit, konfirmojnë katërçipërisht se Serbia do të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e saja të angazhohet për një autonomi, mbase dhe Republikë Serbe në Kosovë. ASHAS dhe Qeveria serbe gjatë gjithë këtyre viteve janë angazhuar që ta kthejë vëmendjen e medieve rajonale e ndërkombëtare për tërheqjen e vëmendjes për përfundimin e ndjekjeve nga Tribunali i Hagës në ndjekjen e politikanëve e ushtarakëve të lartë serbë, për krimet që ata i kryen në Kosovë, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë.
Të përfundojmë
Nga gjithë kjo që u tha rezulton se shteti serb, i cili ushtroi gjenocide në të tri shtetet e përmendura, po del më i pafajshmi, ndërsa shqiptarët, mbi të cilët politikat serbe nga ajo e Garashaninit, e Kral Petrit, e Mbretit Aleksandër, e Titos dhe e Rankoviqit deri te Millosheviqi, ka ushtruar secili prej tyre politika të gjenocidit mbi shqiptarët. Nuk ka asnjë dyshim, burimi i konfliktit shqiptaro-serb duhet kërkuar te mitet serbe. “Këto mite, thotë Hans Peter Rullmann, të keqinterpretuar, janë manipuluar nga politikanët dhe historianët e politizuar serbë, me qëllim që t’i japin aureola lavdie e fantastike të realitetit të tyre, të një populli relativisht të vogël, joprodhues, bile të parëndësishëm në ‘marrëdhënie politike’, e cila në të vërtetë, nuk ka ekzistuar kurrë” (Leo Freundlich: Golgota shqiptare, Shtëpia botuese, “Lilo”, Tiranë 1995, f. 15.) Ndoshta fati ynë i hidhur filloi “në Berlin në vitin 1878, aty ku filloi tragjedia e gjatë Shqiptare, të një tragjedie që nuk po i duket fundi askund”. (Po aty, f. 25)
Në gjithë këto tragjedi, pa dyshim që faji duhet kërkuar edhe në çakordimet shqiptare ndër vite si dhe heshtja e Fuqive të Mëdha, të cilat më shumë se njëherë në emër të paqes e heshtën gjenocidin serb, të përsëritur disa herë që nga vitet 1876/78 e deri në vitet 1998/99.
Në kohën tonë, faji është shtrirë në të gjitha shtresat e organizuara të shoqërisë sonë, e sidomos në politikën qyqare (ndoshta?!), e në disa media të një orientimi më shumë se të dyshimta! Që jo pak herë, gjatë këtyre viteve të pas luftës çlirimtare kanë qenë në të njëjtat gjatësi valësh me politikën serbe të Beogradit?! Ndoshta “rasti është mbreti i botës”?!

………………………………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura