GJOKË DABAJ: EPO, MIRË! LE TË BISEDOJMË! JEMI PËR MARRËVESHJE! POR NUK JEMI AS PËR TË VAZHDUAR ME POSHTRIMET NDAJ KOMBIT SHQIPTAR!

(Durrës, 18. 12. 2012) – SHBA-ja dhe BE-ja nuk duan ndryshime kufijsh. I dëgjuam edhe deklaratat e z.A.Arvizu, edhe ato të z.E.Sekui. Që të 2 ata u shprehën kundër deklaratavet nacionaliste të shqiptarëvet dhe thanë që nuk pajtohen me idenë shqiptare të ndryshimit të kufijvet në Ballkan. Por vetëm kaq. Nuk thanë asgjë tjetër. Ndoshta kjo është gjuha e diplomatëvet, që, duke mos i thënë të gjitha, të mos u hyjnë çështjevet në thelbin e tyre.
Por ne jemi të detyruar që gjërat t’i shoshitim në natyrën e tyre më thelbore.
1. Kombit Shqiptar i është bërë padrejtësi e madhe, që nuk i është lejuar krijimi i një shteti tërësor. (E tha këtë një parlamentar gjerman. Ne e falenderojmë atë në mënyrën më mirënjohëse të mundshme.)
Këtë gjë sigurisht që e dinë edhe z.A.Arvizu, edhe z.E.Sekui. Që nga vitet 1870, kur ka filluar copëtimi i Shqipërisë, shqiptarët kanë humbur shumë kilometra katrorë tokë, kanë humbur disa miliona njerëz dhe kanë humbur shumë, jashtëzakonisht shumë, pasuri. Kanë humbur edhe në aspektet kulturor dhe moral, në ata që quhen dinjitet kombëtar, dinjitet njerëzor, deri te mosguximi për të përdorur gjuhën e vet. A e dinë z.A.Arvizu dhe z.E.Sekui që sot ka miliona shqiptarë, të cilët hezitojnë ose nuk duan të përdorin gjuhën shqipe?!

Ambasadori i BE-së, Etore Sekui dhe ambasadori i SHBA-së,

Aleksandër Arvizu – në vendin tonë.

……………………………………………………….

Arvizu: Jo më nacionalizma…

Por ne po ndalemi fare pak vetëm te JETËT NJERËZORE që ka humbur Kombi ynë, pikërisht për shkak të copëzimit midisshtetëror. Në SHBA ndodhi një fatkeqësi e madhe: U vranë 20 fëmijë. Presidenti i SHBA-së u përlot. U përlotëm edhe ne para televizorit, sepse na u lëndua shpirti për ata fëmijë. Por z.A.Arvizu duhet ta dijë që, në njërën prej krahinave tona, që quhet Bihor, në një natë të vetme, na janë vrarë, djegur apo ngrirë në borë, duke u munduar t’u shpëtojnë therjevet, 1853 fëmijë. Dhimbja është dhimbje, si për 20, si për 1853! Por është dhimbje, dhe s’ka si kalohet sipër saj! Dhe s’ka si harrohet!
Mjafton kjo të mbahet parasysh dhe gjithkush të na japë të drejtë ne shqiptarëvet për të kërkuar bashkimin në një shtet të vetëm. (Ky, sigurisht, nuk është shpëtimi total nga e keqja, por është një nga kushtet për t’i pakësuar të këqiat që mund t’i ndodhin një kombi.) Ne nuk kemi vetëm këtë shembull. Ne kemi me qindra shembuj vrasjesh e masakrash, që na janë bërë qysh prej vitevet 1877 e deri në Reçak dhe më vonë se Reçaku.
2. Z.A.Arvizu dhe z.E.Sekui, me siguri e dinë që, edhe në mos kërkofshim ne, janë të tjerët ata që do të kërkojnë ndryshimin e kufijvet. Janë grekët që, sado në mënyrë krejt të palogjikshme, do të kërkojnë zhvendosje të kufijvet më në veri, duke vënë në rrëzik pjesë të tjera të Vendit tonë dhe pjesë të tjera të Kombit tonë. Janë sllavomaqedonët ata që nesër mund të kërkojnë bashkim me Bullgarinë. Me këtë rast, përsëri do të vihen në rrëzik toka dhe popullsi shqiptare. Janë malazezët që, nesër ose pak më vonë, mund të kërkojnë ribashkim me Sërbinë. Me atë rast, prapë i bie të rrëzikohen toka dhe popullsi shqiptare. Sërbët e Rep.së Kosovës po kërkojnë qysh sot ndryshimin e kufijvet. Ndryshim të kufijvet, të cilët vetë të parët e tyre e kanë vendosur.
Duke krahasuar këto 2 të vërteta, të cilat këtu u paraqitën me nga 2-3 fjali, por që mund të zënë me mijëra faqe faktesh, SHBA-ja dhe BE-ja, para se të na thonë ne: “Mos e kultivoni nacionalizmin tuaj!”, duhet t’u thonë fqinjëvet tanë: “Silluni ndryshe me shqiptarët!” Në vend të një të këtillë qëndrimi, ata po bëhen shumë të ndijshëm ndaj deklaratavet tona, ndërsa deklaratat dhe veprimet e fqinjëvet tanë nuk kemi vënë re që t’i kenë trajtuar në mënyrë kaq të ndijshme.
Duke krahasuar këto 2 të vërteta, të vërtetën që shqiptarët janë trajtuar keq ndërkombëtarisht në 2 shekujt e fundit, dhe të vërtetën që fqinjët tanë po vazhdojnë të sillen me ne në mënyrë skajisht jokorrekte, prapëseprapë ne e kuptojmë që, si SHBA-ja edhe BE-ja, e kanë problem çështjen e Ballkanit. Ne, e kuptojmë që ata, e kanë problem çështjen e Ballkanit, por nuk e kuptojmë pse na thonë vetëm ne që të heshtim. Kjo është çështja. Apo mos e shikojnë më të lehtë të na mbyllin gojën ne, sesa të detyrojnë fqinjët tanë të sillen ndryshe?!
Ndodhur para të këtilla situatave, ne, megjithatë, mund të bëhemi të arsyeshëm dhe të themi: “Epo, mirë! Hajdeni të bisedojmë! Nuk jemi për luftëra. Jemi për marrëveshje. Por nuk jemi as për të vazhduar me poshtërimet tashmë tradicionalë ndaj Kombit Shqiptar!”
Nëse nuk shihet i pranueshëm ndryshimi i kufijvet në të mirë të shqiptarëvet, atëherë bëni një punë tjetër në të mirë të shqiptarëvet: Përkraheni krijimin e një konfederate 4-shtetëshe. Në atë konfederatë do të përfshiheshin shumica e shqiptarëvet, pa u ndryshuar kufijtë, ndërsa sllavëvet që do të ndodheshin në atë konfederatë, nuk do t’u ndodhte asgjë e keqe.
Këtë ide unë e kam trajtuar më gjërë në librin tim “Strategjia e shqiptarëvet” (Tiranë, 2011), në faqet 280-298, prandaj nuk do të zgjatem këtu më shumë se kaq.
Kërkesa bazë e shqiptarëvet duhet të jetë: “Nëse doni stabilitet në Ballkan, mos na poshtëroni, mos na gënjeni, mos bëni demagogji me ne, sikur gjoja do t’u bashkokemi në Bruksel, por uluni të bisedojmë! Të bisedojmë, jo duke heshtur mbi faktin makabër të copëtimit ndërshtetëror të Atdheut tonë, por duke e pohuar ME KEQARDHJE dhe PENDESË atë copëtim dhe duke kërkuar rrugët më të mira për ta korrigjuar atë vepër të pamend të paraardhësvet.”

…………………………………………..

Pa koment! Një foto flet sa 10 000 fjalë!

,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura