EMIN HALIMI: DRENICA DHE ‘ANTIDRENICA’ E HASHIM THAҪIT!

Skënderaj, 11. 05. 2014 – Kryeministri në largim, i cili mëton të jetë kryeministër i TË GJITHËVE edhe në mandatin e tretë, zbuloi sot mendësinë e tij primitive – lokaliste e fisnore. Ai, pasi nga pozita e kryeministrit, me para të miletit, kreu një pjesë të mirë të fushatës parazgjedhore – ende pa u shpallur zgjedhjet, duke vizituar institucione publike, si shkolla, ҫerdhe fëmijësh, pensionistë, spitale (për herë të parë në jetën kryeministrore), biznese…, tani – prapë para se të fillojë zyrtarisht fushata parazgjedhore dhe prapë me para të miletit – ua ka mësyrë fshatrave. Kryesisht fshatrave të Drenicës! Sot paska vizituar 5-6 sosh. Pikërisht në fshatin e Hasan Prishtinës, në Polac, paska shpërfaqur anën e errët të formimit të tij njerëzor, kombëtar e intelektual. Zatën, këtë anë të karakterit të tij – përcaktuese në sjelljet e tij, nuk ka arritur ta fshehë edhe në ndonjë situatë inferioriteti të tij intelektual ndaj ndonjë lideri tjetër. Njërit nga ta i pati thënë ‘shko në vendlindjen tënde…’. Sot, në Polac të Drenicës, paska lëshuar kushtrimin: Kush nuk voton partinë time është antidrenicë!!!

Hashim Thaçi, Polac – 10 Maj 2014: “Çdo votë që nuk është e PDK-së, është votë anti-Drenicë. Mos lejoni të rrjedhë vota”!!!!

Në Polacin e intelektualit, diplomatit politikanit e të përkushtuarit deri në vdekje për ATDHE, siҫ ishte Hasan Prishtina, të lëshosh një kumt të tillë, është – makabre! Sot iu paska treguar fshtarëve të varfër se të gjitha partitë e tjera, pra e gjithë Kosova tjetër është kundër Drenicës dhe po nuk e mori Drenica Qeverinë, ma mirë u bjen me e marrë kryet n’dorë e me hupë!
– Si nuk paska mësuar asgjë nga historia jonë, historiani ynë?
– Si nuk paska mësuar se jo vetëm politikanët atdhetarë, po edhe tribunët popullorë, në tubime dhjetrafish më të mëdha se këto të tijat, popullit i drejtoheshin për bashkim PA DALLIM FEJE, KRAHINE E IDEJE, në shërbim të ATDHEUT!
– Si nuk paska mësuar asgjë nga shtetndërtimi politikani ynë, i cili ҫdo të dytën fjalë e ka ‘shtetndërtim’, se shteti nuk krijohet e forcohet duke u ndarë në krahina, nahi e principata, fise, fe e lagje, po duke u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët!
Nga ky kumt i tij, i lëshuar para nja 150 vetash në një OBORR SHKOLLE, shumkush është djersitur nga turpi. Ka pasur të tjerë, mendjelehtë, që e kanë ngritur kokën lartë duke menduar:
– ”Qe, vlla, kush munohet për Drenicën!”
Ky, mbase, ua ka hapur udhën edhe pretendentëve të tjerë si ky – se gjë më të mirë nuk janë as ata, sepse i kemi provuar tanimë – që, në Llap, Isa Mustafa të thotë: “Kush nuk voton partinë time është antillap!”, në Gollak të lëshoj të njëjtin kushtrim Behgjet Pacolli, në Dukagjin Ramush Haradini…
Duke u përpjekur që drenicasve të varfër t’u hedhë hi syve, ai ka zbuluar se Kosova, Shteti, Institucionet…, janë vetëm farsë në fjalorin e tij monoton. Ka zbuluar se para se të punojë për Kosovën, për shtetin, ai (kinse) punon për Drenicën! Në fakt ai nuk punon për shtetin, as për Drenicën, madje as për Brojën, vendlindjen e tij, por punon për një pjesë të thaҫëve të Brojës – për të bijtë e Haxhi Sinanit e më së shumti për të birin e tij të dytë – Hashimin!

===================================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Kryeministri në largim (lexo në theqafje) Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendësministrat dhe deputetët e komunës së Skënderajt, të shtunën ka mbajtur tubim në Çirez, në Klinë të Poshtme, Klinë të Epërme, Runikë dhe së fundi në Polac, dhe në të gjitha tubimet ai pa u skuqur fare, iu ka thënë të pranishmëve se ata që nuk e votojnë PDK-në janë kundër Drenicës!!!
“Çdo votë që nuk është e PDK-së, është votë anti-Drenicë. Mos lejoni të rrjedhë vota”, ka deklaruar Hashimi në tubimin që e ka mbajtur në fshatin Polac, prej nga e ka prejardhjen familja e heroit Hasan Prishtina.
Në këtë fshat ai ka mbërritur me më shumë se një orë vonesë, dhe kishte vendosur që “të dalë për lendinë”, duke mbajtur, për herë të parë, tubim në ambient të hapur, por zor se ka mbetur i kënaqur meqë nuk ishin tubuar më shumë se 200 veta. Pasi ka falënderuar për mbështetje të vazhdueshme, ai i ka përkujtuar të pranishmit se “kështu, të bashkuar kanë fituar shumë sfida siç ishin lufta, pavarësia, shtetndërtimi”etj., dhe i ftoi ata që kështu, të bashkuar të vazhdojnë të jenë edhe në zgjedhjet e 8 qershorit, transmeton koha.net.
“Të jeni të bindur se me fitoren e PDK-së, do të fitojë secili qytetar, secila familje. Krejt ajo që kërkoj nga ju, është të mobilizoheni për zgjedhjet e 8 qershorit, në mënyrë që fitorja të jetë edhe më bindëse, dhe kështu do të kemi një parlament më të mirë”, ka thënë ai.
Ky “bir drenice” pastaj ua ka uruar të pranishmëve Ligjin e luftës, rritjen e pagave, regjistrimin pa pagesë të studentëve dhe ua ka përkujtuar atyre investimet në rrugë, shkolla e kanalizime dhe ka premtuar investime të reja, prej të cilave ka përmendur zgjerimin e rrugës Komaran – Klinë e Epërme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura