Durrës, 26 shkurt 2020: Mjafton të bësh dy pyetje dhe, me përgjigjet përkatëse, të nxjerrësh konkluzionin që njerëzimi i sotëm po jeton një etapë të frikshme regresi. „Ç‘dëshiron të bëhesh?“ Pyetje drejtuar një fëmije apo një adoleshenti. „Ku dëshiron të jetosh?“ Pyetje për cilindo banor të këtij planeti.
Pra, le ta përfytyrojmë sikur kasta e gazetarëvet, e cila s’është e pakët në kohën tonë, i ka hyrë për ta kryer këtë anketë, të parën me rreth dy miliardë banorët e këtij planeti të moshës nën 20 vjeçe, të dytën me të gjashtë apo shtatë miliardët.
„Ç’dëshiron të bëhesh në jetë?“ Pjesa më madhe do të ngrejnë supet. Jam i sigurtë se do të ngrejnë supet, sepse nuk dinë ç’dëshirojnë të bëhen. Një pjesë tjetër, po kështu e madhe, do të shkruajnë apo thonë diçka, por jo me siguri, jo me dëshirë të flakët për t’ia arritur. Pjesa tjetër, ndoshta një miliardë, do të duan të bëhen: mjekë, juristë, afaristë, topmodelë, sportistë, inxhinierë, ekonomistë, bankierë, gazetarë, kineastë, politikanë. Dhe, kur t’i pyesësh pse, ata do të të thonë dy-tri arsye: ka para, është profesion i mirë, bëhesh i famshëm.
Në pyetjen “Ç’dëshiron të bëheshnë jetë?”, midis dy miliardë të të intervistuarvet, sa do të dëshirojnë të bëhen: blegtorë e bujq, muratorë, zdrukthtarë, mekanikë, peshkatarë, minatorë, pastrues qytetesh, shoferë, rrobaqepës, kuzhinirë, mirëmbajtës rrugësh, druvarë?! Sidomos për profesionin BUJQ E BLEGTORË, profesion i cili nënkupton një varg veprimesh, që nga punimi i tokës dhe mjelja apo kullotja e bagëtivet, deri te prerja e druvet, krasitja e pemëvet, kositja e barit, ky profesion, pra, do të ketë aq pak dëshira, sa cilido filozof socolog i kthjellët (sepse ka plot filozofë tekahutë e somnambulë), normalisht duhej të ngrinte alarmin: Njerëzimi po rrëzikohet prej vetëvetes, jo prej ndonjë fuqie jashtënjerëzore!
Në pyetjen “Ku dëshiron të jetosh?”, midis disa miliardë të intervisuarvet, shumica do të duan të jetojnë: në ndonjë qytet të tyret më të afërm, në Amerikën Veriore, në Evropën Perendimore e Veriore, në Australi dhe në Zelandë të Re. Dhe, kur t’i pyesësh pse, ata do të të përgjigjen: “Sepse atje jetohet mirë.”Do të të thonë që atje janë rrogat më të larta, do tÃ⢠të thonë që atje ka punë, që nuk mbetesh pa punë dhe, ata që janë çifte të rinj, do të të thonë që atje ka të ardhshme, ka perspektivë për fëmijët.
Po ndalem vetëm te “arsyeja” e fundit: E ARDHSHMJA E FËMIJËVET. A është e vërtetë që e arhshmja e fëmijëvet të të gjithë atyre që dëshirojnë, madje shkojnë nëpër qytetet apo kryeqytetet më të afërm, ose që nisen për në Amerikën Veriore, Evropën Perendimore e Veriore, apo Australinë e Zelandën e Re, pra, e ardhshmja e fëmijëvet, është e garantuar për të qenë e mirë? Nëse fëmija im, që e kam me vete ose që do ta lind atje, nuk është i aftë, nuk ia del dot, të bëhet mjek, jurist, afarist, topmodel, sportist, inxhinier, ekonomist, bankier, gazetar, kineast a politikan, ç’do të bëhet me fëmijën tim në ato pjesë të botës ku njerëzimi „jeton i lumtur“?!
As atje nuk duan të jetojnë në fshat, por duan të jetojnë në qytet! Dhe rezultati është ky: Miliarda banorë të planetit Tokë janë grumbulluar tashmë nëpër qytete. Rrjedhimisht, ç’po ndodh me miliarda fëmijë që po lindin e rriten nëpër qyttete? Ata, kur po rriten, nuk po janë të aftë të bëjnë më këmbë as udhë të shkurtra e as udhë të gjata. Madje, as që po u bie rasti të udhëtojnë më këmbë. Nuk po dinë dhe nuk po kanë fuqi të punojnë as me veglat më të thjeshta bujqësore: me kazëm, me shat, me bel, me lopatë, me sëpatë, me kadhë, me gërshërë hardhie. Nuk po janë në gjendje të punojnë në dhe, madje po e urrejnë dheun, nuk po janë në gjendje të punojnë me gurët, të bëjnë një mur të thjeshë apo një kaldrëm të thjeshtë, madje as që po u bie rasti të merren me gurët. Lidhjet e njeriut me kafshët tashmë po bëhen ose në formë plastike, me kafshë të fabrikuara dhe të ngjyrosura bukur, ku edhe miu, edhe lepuri, edhe qengji, edhe ujku, edhe luani, janë njësoj të dashur ose njësoj të rrëzikshëm. Puna ka arritur deri atje, sa miliarda njerëz, nuk njohin praktikisht asnjë kafshë të gjallë shtëpiake, përveç qenit edhe maces. Dhe, a e dini si sillet njeriu i sotëm me qenin e me macen? I lan me ujë e sapun, i puth, i mban në prehër, i ushqen në pjatë porcelani, i fut në krevat dhe fle bashkë me ta. E pra, a kjo është lidhja e njeriut me natyrën?! Vetë njeriu, a po shënon progress apo regres në jetën e vet?! Ç’po ndodh me njeriun në këtë gjysmë të parë të shekullit 21?!
Mjetet e komunikimit kanë arritur shkallën më të lartë të përsosmërisë. Njeriu po niset nga Evropa dhe po arrin në Amerikë brenda disa orëve. Njeriu po flet me njeriun, duke e dëgjuar dhe duke e parë, që nga Johanesburgu në Tokio. Njeriu ka arritur t’i njohë, matematikën, kiminë, mikrobiologjinë, gjenetikën, astronominë, si kurrë më parë, jo vetëm cilësisht, por edhe sasijisht. Njerëz që i njohin këto shkenca ka sot me miliona. Po veten, sa po e njeh njeriu dhe si po e trajton veten njeriu?! Veten, si pjesë të botës së gjallë, veten si gjallesa më e zhvilluar e njohur deri më sot, veten si pjesë të asaj bashkësie që quhet SHOQËRI NJERËZORE dhe, përfundimisht, sa dhe si po i kryen njeriu detyrat ndaj vetes dhe ndaj natyrës që e rrethon, që realisht është krijuesja edhe e njeriut? A mos po e shndërron veten njeriu në shkatërrues, edhe të vetes, edhe të natyrës që e rrethon?! Duke kërkuar „punë të rehatshme“ dhe strehë vetëm në qytete?!
Unë njoh njerëz që kanë ikur nga fshati, kanë ikur me të drejtë, sepse nuk mund të jetonin në fshat, dhe tani s’dinë ç’të bëjnë me fëmijët që po u rriten. S’dinë fëmijët asnjë punë. Në shkollë i shtyjnë vitet copa-copa. I humbin kot dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet. Prindët ua kanë krijuar kushtet optimalë për të jetuar dhe për të studiuar, por ata s’kanë vullnet për asgjë. Dinë vetëm të luajnë në ajfon. Orë të tëra, ditë të tëra, vite me radhë, i kalojnë me atë copë xham ndër duar dhe kjo është jeta e tyre. Prej këtyre, ka me mijëra që e gjejnë „kapërcimin e vështirësivet“ duke marrë drogë. Katastrofa e të tilla familjeve ka filluar që ditën kur rrethanat shoqërore ekonomike i kanë detyruar të braktisin tokë e shtëpi dhe të shkojnë në qytet. Ndërsa tani, ja si përmbyllet kjo tragjedi: me fëmijët përdorues droge dhe me çdo gjë tjetër që sjell në një familje përdoruesi i drogës. Njoh familje që janë shpërngulur nga trualli i të parëvet të vet „për një jetë më të mirë“ dhe që bijtë e tyre i janë kushtuar kumarit.
Është lehtë të thuash, të njoftosh, të publikosh, që mijëra vajza të reja po shesin trupin e vet nëpër Evropë e kudo në botë, por cili është shkaku që këto vajza po e shkatërrojnë kështu jetën e vet? Është lehtë të thuash, të njoftosh, të publikosh, që mijëra njerëz po merren me tregti të paligjshme, me tregti fëmijësh, me regti organesh, me shfrytëzim prostitucioni, me prodhim e shpërndarje droge, me „industri“ të kazinovet e bastevet, por cili është shkaku që njeriu po e ul veten kaq shumë, deri në rrëzikimin e ekzistencës?!
Madje është lehtë edhe të thuash, të konstatosh, që sot në botë po zhvillohet një garë tërësisht e palogjikshme armatimi. Por cili është shkaku dhe a je në gjendje të japësh „recetë“ shpëtimi nga katastrofa që po ia afron kështu vetes njerëzimi?!
A ka sot në botë një filozof, një grup filozofësh, një shoqëri filozofësh, që t’i ketë vënë vetes detyrë t’i tregojë njerëzimit rrugët e shpëtimit?! Unë nuk e di. Madje nuk e di a ka edhe të atillë sociologë që, me shkrimet e tyre, me librat e tyre, me ligjëratat e tyre, të kenë dhënë alarmin, thjeshtë të kenë dhënë alarmin që njerëzimi, me këtë rrugë që ka marrë, po shkon drejt asgjësimit. Ose, në rastin më të mirë, drejt reduktimit për nja gjashtë të shtatat, duke çuar në nul çdo arritje qytetëruese të derisotme!
Armët bakterike, kimike, atomike, të ndihmuara të gjitha këto nga kibernetika, Shtetet e Bashkuar të Amerikës do t’i përdorin një ditë. Madje ato e kanë filluar tashmë një të tillë veprimtari.
Armët bakterike, kimike, atomike, të ndihmuara e të mbështetura nga arritjet në fushën e kibernetikës, Rusia dhe Kina, veç e veç ose së bashku, kanë për t’i përdorur një ditë. Madje ato e kanë filluar tashmë një të tillë përdorim.
Por as India, Izraeli e Brazili nuk do të rrinë dot pa u përfshirë në një përballje tragjikisht antinjeri dhe antinatyrë.
Mbasi Bashkimi Sovjetik pësoi kolaps në rrugën e projektuar komuniste dhe u vetëshkatërrua, SHBA-ja s’e pat vështirë t’i shkaërrojë edhe pushtetet progresistë të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Afërt e të Mesme. Me Afganistanin SHBA-ja i ndenji Rusisë për vite me radhë fare afër, me shkatërrimin e Sirisë SHBA-ja iu afrua Rusisë edhe më shumë. Por a do të mund SHBA-ja të veprojë me Iranin e me Turqinë, ashtu siç veproi me Irakun e me Sirinë? Rusia s’është më ajo e Brezhnjevit dhe e Gorbaçovit. Kinës s’ka ç’i bën një koronavirus, përveçse ta mobilizojë për t’u përballur me të gjithë kinëshkatërruesit cilëtdo qofshin.
Në këtë situatë kaq kritike, dy-tri gjëra, megjithkëtë, duhet të thuhen: Zbrazja e fshatit duhet të ndërpritet vendosmërisht dhe të gjenden mënyra për t’u lehtësuar qytetet, sidomos megaqytetet, nga mbipopullimi.
Përqëndrimi i parasë në një grusht multimiliarderësh, në shkallë shtetesh dhe në shkallë botërore, duhet të ndërpritet dhe të gjenden forma për ta shpërndarë paranë në mënyrë harmonike dhe rreptësisht të kontrolluar.
Sistemi shkollor duhet të reformohet që në themel. Për pesë klasat e para të arsimit fillor duhet doemos të vendoset metoda e marrjes në dorëzim. Më vonë të shihet si mund të veprohet më tej.
Mjekësia duhet sa më parë ta ndryshojë destinacionin: Nga institucion që e shfrytëzon sëmundjen e njerëzvet për t’u pasuruar, duhet të kthehet në institucion mirëfilli humanitar dhe të mos lejohet kurrë më që një dentist i Njujorkut për mjekimin e një dhëmballe të marrë 500 dollarë.
Sistemit juridik duhet ngutshëm t’i ndalohet të bëjë padrejtësi dhe tregti me të drejtat dhe detyrat e njeriut. Sistemit juridik duhet t’i ndalohet të bëjë tregti me kodin penal!
Ëndrrathurësit e moralit duhet të dëbohen, duhet të nxirren jashtë nga sallat e parlamentevet, në mënyrë që të mos mund të na nxjerrin ligje deri edhe për martesat mashkull me mashkull! Ata le të shkojnë në ndonjë shpellë, të ndezin atje një zjarr dhe të thurin atje ëndrra e magjira, bashkë me lakuriqët e natës!
Armata e madhe e klerikëvet, veshur me rroba perendipëlqyese, të krishterë, myslimanë, budistë apo hebrenj, o të bëjnë diçka konkrete për të mos u përsëritur edhe njëherë katastrofa e Gomorrës e Sodomës, ose t’i zhveshin ato rroba dhe të zhduken nga sytë e njerëzvet!
Shkombëtarizimit, qoftë edhe një pjesëtari të vetëm të cilitdo komb në botë, duhet njëherë e mire t’i jepet fund. Kombet janë stolia e njerëzimit dhe ata duhet të mbrohen praktikisht nga shpërbërja.
Dhe, që krejt kësaj pune, para se të jetë vonë, t’i jepet forma e zgjidhjes, është e domosdoshme të krijohet një grup mendimtarësh sociologë, filozofë të problemevet gjithnjerëzorë, të cilët të dalin në opinion me tezat e veta PROGRASISTE. Është koha që të bëhet luftë efikase kundër çdo forme të filozofisë së regresit, filozofi e cila sot po zotëron në mendimin gjithnjerëzor.
Gjokë Dabaj, Duurës – 25 shkurt 2020.