DR.JAKUP KRASNIQI: PËR NJË EKONOMI TË PËRBASHKËT TË TREGUT TË LIRË SHQIPTAR

Prishtinë, 25. 10. 2014 – Themeluesit e Bashkimit Evropian të sotshëm, që në vitet e pesëdhjeta e patën filluar krijimin e tregut të përbashkët për thëngjill e çelik e më vonë edhe për energji atomike. Ajo politikë në mënyrë sistematike është angazhuar për ekonominë e lirë të tregut (ekonominë e përbashkët), për tregun e lirë e pa pengesa. Kjo politikë vizionare nuk u ndal vetëm me ekonominë e tregut të lirë për thëngjill, çelik dhe energji atomike, por u shtri, dalëngadalë edhe në sfera tjera të jetës si të lëvizjes së lirë të kapitaleve, shërbimeve dhe punës. E më vonë është vazhduar në politika ambientaliste e sociale dhe ka vazhduar edhe në fushat që për një kohë kanë qenë të rezervuara për politikat nacionale, siç janë: politika e jashtme, siguria dhe drejtësia.
I thashë në pika të shkurtra çështjet e më sipërme, për t’ia përkujtuar politikës shqiptare (qeverive tona), në të dy anët e kufirit, se duhet sa më parë t’i eliminojnë të gjitha pengesat që e pamundësojnë zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë (tregun e përbashkët) shqiptarë në të dy anët e kufirit. Mundësitë e krijimit të politikave të reja edhe në fushat tjera të jetës, po bëhet domosdoshmëri dhe interes jetik jo vetëm i shqiptarëve, por i gjithë rajonit tonë.
Por, në rajonin tonë, të njohur ndryshe edhe si Evropë Juglindore, edhe përkundër interesave dhe mundësive të shumta të bashkëpunimit ekonomik, ende nuk kemi një frymë politike në interes të zhvillimit e të bashkëpunimit në këtë pjesë të Evropës ku tifozëria huligane i dikton politikës. Derisa të krijohen ato kushte bashkëpunimi, ne shqiptarët duhet të përshpejtojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve tona gjë që është shumë më i lehtë, për faktin se mes nesh nuk ka pengesa gjuhësore apo kulturore, veçse nëse e kemi lidhur vetveten.

Këtu kërkohet vetëm vullneti i mirë politik i krerëve të politikës kombëtare, me kushtin që ata të punojnë për interesin e kombit. Sipas të gjitha gjasave kjo politikë e interesit kombëtar është duke u penguar nga lidhjet e ngushta të politikanëve të lartë të të dy vendeve tona, që ata kanë krijuar lidhje të ngushta me oligarkët e sferave të ndryshme biznesore, të cilët pa dyshim janë duke i mbrojtur interesat e tyre ekonomike e financiare dhe aspak interesat kombëtare.
Për t’u realizuar ekonomia e tregut të lirë (tregu i brendshëm shqiptar) në mes Shqipërisë dhe Kosovës, përveç vullnetit politik është e domosdoshme që të organizohen trupa ekzekutive profesionale, të cilat duhet ta marrin përgjegjësinë për ekzekutimin e politikave programore të të dy qeverive, që pa dyshim do të ishin në interes të të gjithë shqiptarëve. Sigurisht që shqiptarëve nuk u duhet tregu i “krundeve” të përbashkëta, ky treg nuk i duhet askujt. Ne na duhet tregu i përbashkët zhvillimor i konkurrueshëm, jo vetëm për tregun shqiptar. Veç kësaj, në mes ministrive të ndryshme të Shqipërisë e të Kosovës janë nënshkruar disa marrëveshje të mira, por askush nuk e ka përcjell realizimin e tyre. Ne duhet të edukohemi, jo vetëm me kulturën e fillimit të një pune të mirë, por edhe të realizimit deri në finalizim të saj për gjithçka që merremi vesh.
Kur mundin evropianët me gjithë atë konglomerat kombesh që kanë brendapërbrenda për të pasur tregun e përbashkët, pse nuk mundim ne shqiptarët që jemi një komb e dy shtete, që më pas presim të bëhemi edhe pjesë e integruar e Bashkimit Evropian, atje ku janë eliminuar moti kohë këto barriera. Nëse për t’u bërë pjesë e integruar e BE-së kemi shumë pengesa të përcaktuara nga të tjerët për shkak të “standardeve para integrimit”, pengesat e brendshme varen kryekreje nga ne shqiptaret, që po “qajmë me lot krokodili” për t’u integruar në BE.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura