GJOKË DABAJ: I SHQETËSUAR ME NDËRGJEGJEN KOMBËTARE TË SHQIPTARËVET

Durrës, 15 tetor 2020: Shqiptarët e Tivarit nuk ngurruan të regjistrohen si malazezë, si sërbë, si kroatë dhe si boshnjakë. Nuk ngurruan ta lënë pa përdorur gjuhën shqipe dhe bënë çmos t’u mësojnë fëmijëvet të vet, mbarë e mbrapsht, gjuhën sllave. Sot, brezi i tretë apo i katërt i shqiptarëvet të Tivarit, thuajse nuk e njeh fare gjuhën e paraardhësvet të vet. Arbëneshët e Zarës kanë 290 vjet që janë shpërngulur prej këndej dhe ende përpiqen ta ruajnë gjuhën e vet, ndërsa këta që jetojnë brenda atdheut të vet, pa pikë sedre e ndërgjegjeje, harruan kush janë!
I njëjti turp nacional na ka ndodhur edhe me shqiptarët e Plavës, të Rozhajës dhe të Sanxhakut. I janë dorëzuar sllavizimit (boshnjakizimit) pa u shqetësuar fare. Sikur gjuha e dikujt tjetër po i çonte drejt e në parajsë. Dhe kjo ka ndodhur në kohën kur shteti i së quajturës Jugosllavi e Re i kish proklamuar të drejtat kombëtare si një nga vlerat e veta më të dallueshme. Askush nuk të ndalonte, zyrtarisht, që të regjistroheshe shqiptar dhe askush nuk të ndalonte, zyrtarisht, që të kërkoje shkollimin e fëmijëvet në gjuhën shqipe.
Them zyrtarisht, sepse forma të tjera denigrimi e pengimi dihet se kishte me shumicë. Por, pse edhe këta shqiptarë, të Tivarit, të Plavës, të Rozhajës e Sanxhakut, nuk gjetën forma për t’i ruajtur gjuhën dhe traditat e veta kombëtare?! Siç gjetën, në të njëjtën kohë dhe nën të njëjtin pushtues, ata të Drenicës apo ata të Gjakovës!
Në krahun tjetër, në ekstremin jugor të Shqipërisë, shqiptarët ortodoksë, sikur mezi kishin pritur të përfshiheshin në shtetin grek. Pranuan të regjistrohen grekë, pranuan që liturgjia në kishat e tyre të thuhej greqisht dhe pranuan që shkollimi i fëmijëvet të tyre të bëhej greqisht. Shkuan kot (për atë pjesë të Shqipërisë) përpjekjet e shqiptarëvet ortodoksë, si Boçarët, si Papa Kristo Negovani, si Pandeli Sotiri, si Petro Nini Luarasi, si Thimi Mitkoja e si Themistokli Gërmenji!
Tani duhen të tjerë heronj, për t’iu bashkuar atyre që dhanë jetën në ato kohë, dhe për ta ringjallur atë pjesë të kombit tonë, kombëtarisht pothuaj të vdekur!
Në Kosovën e sotme, me përpjekje të mëdha, me burgje e me privacione nga më të patregueshmit, me dëshmorë të panumërt, u arrit që, më në fund, të shikohej drita e lirisë. Por shqiptarët e Mitrovicës Veriore sikur mezi kishin pritur që t’ua lëshonin sërbëvet Mitrovicën Veriore! Ua shitën sërbëvet shtëpitë, dyqanet dhe pasuritë e tjera dhe ikën me bisht ndër shalë drejt vendbanimevet ku nuk kishte sërbë. A kështu u dashka vendi yt?! Të ikësh e t’ia lësh tjetrit, të bëhet zot në tokën tënde!? Unë kam folur me njerëz që kanë jetuar në vitet 1960 në Mitrovicën Veriore dhe ata më kanë thënë që atje, në ta vite, mbizotëronte elementi shqiptar.
Ç’do të bëjmë tani me Mitrovicën Veriore?! T’ua lëmë sërbëvet, apo të kërkojmë sërish Isa Boletinë, për t’ia rizbardhur faqen asaj pjese të Shqipërisë?!
Në Republikën e Shqipërisë, në vitet 1990 e këndej, është manifestuar në mënyrë edhe më të shëmtuar mungesa e atdhedashurisë. Si mund të shkatërroheshin fabrikat dhe objektet e tjerë industrialë, sikur ata të mos ishin mundi i prindëvet të tyre ose i vetë atyre që po i shkatërronin?! Si mund të kishte shqiptari aq urrejtje ndaj objektevet që vetë shqiptarët i kishin ndërtuar?! I rrënuan shqiptarët fabrikat e shqiptarëvet! I shndërruan në gërmadha në fare pak kohë! I plaçkitën dhe i shkretuan magazinat! E derdhën rrugëvet vajin, orizin, sheqerin! I shkulën pllakat e kanalevet ujitës dhe i përdorën… për asgjë! Traktorët me zinxhirë, tanket, topat, autokombajnat, tor not, frezat, shinat e hekurudhavet, kapakët e pusetavet, i shndërruan sakaq në hekurishte dhe i nisën për në Zhelezarën malazeze të Nikshiqit, ose, pak më vonë, i çuan te Kurumi turk i Elbasanit!
Nuk po dua tani të mendoj se aty patën dhe kanë dorë spiunazhet e huaj. Ata, pa dyshim, ishin dhe janë të pranishëm. Por po dua t’i thërras edukatës sonë kombëtare! A kemi ne ndonjë institucion për edukimin patriotik të njerëzvet tanë, siç po dua unë ta ngre, me emrin “Përkujdesja Gjishqiptare”, dhe që s’po çan kush kryet për të?! Ç’bëmë e ç’po bëjmë ne, për të mos e ulur veten kaq poshtë dhe për të mos firuar si komb në mënyrë kaq skandaloze?!
I lamë tokat tona t’i mbulojnë shkurret dhe ferrat dhe shkuam të punojmë tokat e Grekut e të Italianit!
I lamë spitalet dhe infermieritë tona në duart e atyre që ende s’e kanë gjetur terezinë për të ikur, dhe morëm rrugët, për të pastruar uturakët ndër azilet e pleqvet e ndër spitalet e Gjermanisë e të Italisë! E për çfarë?! Për një grusht euro më shumë! Kësaj i thonë shitje, shitje e vetëvetes dhe e dinjitetit tënd, njëlloj siç shiteshim dikur te sulltanët!
Nuk po dua të flas për kushtet që i kemi këtu. Kushtet janë ata që janë, por kushtet i përmirësojnë njerëzit, atëherë kur nuk pranojnë të shiten!
Sapo vëmë sado pak dhjamë, dmth sapo arrijmë të pasurohemi pak, puna e parë e jona është, që t’i çojmë fëmijët diku jashtë për t’u shkolluar. S’na bëhet fare vonë, a do të kthehen apo s’do të kthehen më ata fëmijë në atdheun e vet! Le të shkojnë! Le të ikin! Le ta gjejnë lumturinë ku të mundin, veç jo këtu! Jo në Shqipëri!
Kjo s’është atdhedashuri dhe as “tendencë gjithnjerëzore”, siç mundohen ta paraqesin disa! Kjo është jargosje para atyre kombeve që kanë ditur dhe që dinë t’u dalin zot gjuhës së vet dhe atdheut të vet!
Të pasurit tanë duhet të dinë t’i shërbejnë kombit, të cilit i përkasin, filluar qysh prej edukimit të fëmijëvet të vet. Vetëm ashtu ata do të mund t’ua sigurojnë të ardhshmen dhe jetëgjatësinë familjevet të veta. Përndryshe: Qen që rrjepin popullin e vet dhe njëkohësisht qen që lëpijnë sahanët e të tjerëvet! Të pasurit tanë duhet të zgjedhin: O atdhetarë të nderuar, si dikur ata që e shpallën Shqipërinë indipedente, o lapërdharë përjetësisht të pavlerë!
Ç’është kjo hata e madhe?! Ç’ësht kjo mynxyrë që po vazhdon të ndodhë në ndërgjegjen tonë kombëtare?! A nuk ka kombi ynë një rrugë e mundësi tjetër?! A nuk mund të realizohet një organizim kombëtar, në mënyrë që shqiptarët të dëshirojnë për të mbetur shqiptarë dhe të dëshirojnë për të jetuar këtu në Shqipëri?! Dua të them, të jetojnë në territoret e vet në këta 6 shtete ku na ka lënë historia dhe të mos e mohojnë veten?! Përkundrazi, ta pohojnë veten në mënyrën më njerëzore, duke ruajtur gjuhën dhe traditat e mira, të cilat nuk na kanë munguar kurrë!
Më erdhi ndot nga vetja, një ditë kur po i shihja disa kilometra vetura shqiptarësh që po i luteshin Grekut: “Aman, na lejo të ikim nga vendi ynë!” Ndërsa nëpunësit grekë të doganavet talleshin me ne, ndërkohë që një autoambulancë shtypte një fëmijë shqiptar mu në mes të rrugës! Ç’po bëhet kështu me krenarinë tonë kombëtare?!
…Përse, Sllovenisë dhe Kroacisë, nuk iu desh t’i luteshin shumë BE-së për t’i pranuar në organizmin e saj, ndërsa ne po na detyron BE-ja t’i bëjmë temenara pa fund?! Cili qenka djalli që paska hyrë në barkun tonë?! Mos është pikërisht nënvleftësimi që i bëjmë ne vetë, gjuhës sonë dhe veçorivet të tjera, me të cilat do të duhej të krenoheshim para të gjithë kombevet të tjerë!? Pse u dashka të bëhemi malazezë, sërbë, grekë, turq, italianë, gjermanë apo anglezë, që ta ndiejmë veten të lumtur?!
Gjokë Dabaj, Durrës 13 tetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura