GJOKË DABAJ: INDIVIDUALIZMI VETËMBYTËS I SHQIPTARËVET

Durrës, 15. 06. 2014 – Kur po shkruaja librin “STRATEGJIA E SHQIPTARËVET”, nuk e kisha problemin, a ish mirë apo keq ajo që po shkruaja. Problem ishte, a do të gjendeshin ithtarë, njerëz të gatshëm PËR TA ZBATUAR atë që po shkruaja. Shqiptarët janë individualistë. Shqiptarët janë egoistë. Nuk shkojnë dot pas fjalëvet të tjetrit, përveçse në i detyroftë dikush. E kishin thënë këtë shumë të tjerë para meje. E kish thënë A.Z.Çajupi, e kish thënë Atë Gj.Fishta, e kish thënë F.Konica. Mitrush Kuteli e pat shprehur në mënyrën e vet këtë konstatim trishtues. Kujto letrën që i shkroi së shoqes para se të vdiste. E tha edhe I.Kadareja: “Shqiptarët kanë probleme me vetëveten”.

 LEXONI LIBRIN – GJOKË DABAJ: STRATEGJIA E SHQIPTARËVET
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/strategjiaeshqiptarevet.pdf

………………………………………………………………………

Ky ishte për mua shqetësimi më i madh. Libri im nuk ishte roman, për ta lexuar e për ta lënë në etazher. Libri im ishte një MANIFEST, platforma e të cilit kish nevojë TË ZBATOHEJ. A do të gjendeshin apostuj të atillë, që t’i hynin vënies në jetë të asaj që shkruhej në atë manifest?! Dyshimi ishte mirëfilli frymëzënës, frymëbllokues.
Megjithatë, e shkrova dhe e publikova, falë edhe gatishmërisë dhe kthjelltësisë së ish-nxënësit tonë, deputetit BEDRI HOXHA, i cili e sponsorizoi librin. Le të dalë në dritë, i thashë vetes, sepse, kushedi, mund edhe të gjenden 10 a 15 shqiptarë të atillë SIÇ I DUHEN SHQIPËRISË.
Kisha, e pakta 60 vjet, që rropatesha të kërkoja një rrugë EFIKASE, REZULTATIVE, SHPËTIMTARE, për të mos u ngushtuar e për të mos u zhbërë Kombi im, Kombi Shqiptar. SHPËTIMTARE, por edhe ZHVILLIMORE, sepse nuk mjafton të shpëtosh nga vdekja, por duhet edhe të jetosh mirë.
Fëmijërinë dhe rininë i pata kaluar në një krahinë, e cila PO ZHBËHEJ dhe PO SHPËRBËHEJ në sytë e mi. E pata kaluar pastaj krejt jetën time duke përjetuar TRAGJEDINË e një të tillë shpërbërjeje. Nuk po ndalem tash në këtë histori, sepse, pikërisht për këtë histori e TRAGJEDI e kam shkruar një libër 1400-faqesh dhe, kush të dojë, mund ta lexojë.
Me kalimin e vitevet dhe me plotësimin e njohurivet, arrita në përfundimin që, jo vetëm vendrrënja ime, krahina ku thuajse çdo familje kish nga një biografi mbi 400-vjeçare, por krejt Kombi ynë, po shkonte frikshëm në të njëjtën rrugë, NË RRUGËN E DEKOMPOZIMIT KATASTROFIK, përkundër asaj që ai arriti të krijojë 2 shtete.
Krijimi FATLUM i 2 shtetevet tanë nuk duhet të jetë rast për t’u dehur, por shans për të krijuar IMUNITETIN e nevojshëm, që TA NDALIM njëherë e mirë PROCESIN E NGUSHTIMIT DHE DEKOMPOZIMIT, i cili vazhdon të jetë real tashmë prej shumë shekujsh.
Mjafton të përfytyrojmë ç’po ndodh me shqiptarët që jetojnë në shtetin grek, ç’po ndodh me shqiptarët që jetojnë në Turqi, ç’po ndodh me shqiptarët që jetojnë nëpër Europën Perendimore e në Amerikë apo në Australi, dhe, secili, që i ka 2 pare mend, e sheh që s’po ndodh tjetër, veç TKURRJES, mes mijëra përpjekjevet TË KOTA për t’u mbajtur më këmbë.
Mjafton, po them, të nxirret një statistikë sado e përafërt me një të vetmen të dhënë shifrore fare të thjeshtë: Sa fëmijë shqiptarë kanë lindur para 20 vjetësh në diasporë dhe sa prej tyre sot, mbas 20 vjetësh, NUK DINË të lexojnë e shkruajnë shqip e madje NUK DINË as të flasin shqip?! Të mos numërohen ata që DINË! Të numërohen vetëm ata që NUK DINË!
Por TKURRJA nuk është vetëm në diasporë. TKURRJA po ndodh ditë për ditë edhe këtu, në Atdheun e shqiptarëvet. Shihni Çamërinë ortodokse, shihni Janinën, shihni Konicën, Kosturin, Follorinën, shihni Manastirin, Shkupin (ku po na rrahin e po na zhdëpin përditë!), Velesin, Vranjën, Leskovcin, Nishin, Medvegjën, Sanxhakun, Bihorin, Rozhajën, Plavën, Podgoricën, Tivarin! A ka lulëzim, apo ka THARJE E SHKRETIM të qenies sonë kombëtare në ata vise?! Dhe, pasi t’i kemi lënë që të na THAHEN ata vise, a s’duhet të na zërë frika se, në vazhdim, E NJËJTA THARJE do t’i përfshijë edhe pjesët që gjenden brenda të 2 shtetevet tanë?! Ky lloj gangrene nuk mund të shërohet me amputacion! Ky lloj gangrene nuk ndalet aty ku ka një kufi shtetëror!
PLATFORMA ime, programi im PËR VEPRIM KOMBËTAR, që s’kërkon tjetër, veçse TË ZBATOHET, është publikuar në vjeshtën e vitit 2011. Pas kësaj, pas këtij publikimi, pritej që njerëzit ta lexonin, ta komentonin dhe, si pëfundim, mbi bazën E KËSAJ PLATFORME, duhej të ishin mbledhur një tufë atdhe-e-kombdashësish shqiptarë dhe t’i viheshin ZBATIMIT. Pritej, natyrisht, nëse shqiptarët do ta kishin ndryshuar sadopak natyrën e tyre prej individualisti.
Nuk them: ta ripunonin e ta copëzonin e ta tjetërsonin secili sipas menjes së vet. Them: TA ZBATONIN ashtu siç është thënë aty dhe, në ecje e sipër, të bëheshin edhe përmirësimet e retushimet.
Mirëpo, nuk ndodhi asgjë prej asaj që duhej të ndodhte. Nuk ndodhi, sepse, ne jemi po ata që ishim: të paaftë për t’iu bindur vullnetarisht mendimit të tjetrit. S’u bë i gjallë thuajse asnjëri prej intelektualëvet tanë! Akademikët, doktorët e shkencavet, pedagogët, sociologët, politologët, analistët, publicistët, mësuesit e shkollavet fillore! Që të gjithë heshtën! Ku janë të gjithë këta, që duhet të jenë disa qindra mijë?! Ku janë udhëheqësit e partivet shqiptare, udhëheqësit e shoqatavet patriotike, shkrimtarët, njerëzit e artit, hierarkët e 3 religjionevet tanë, por edhe klerikët e thjeshtë, ose edhe pjesa e quajtur ateiste e shqiptarëvet?! Ku është gjithë kjo masë e Kombit tonë, e cila, në një mënyrë apo në një tjetër, PAGUHET PËR TË MENDUAR?!
S’janë askund! Nuk u shfaq në këta 3 vjet askush prej këtyre njerëzve, as për keq, as për mirë. I vetmi njeri që ka reaguar pozitivisht ndaj atij libri, në të cilin nuk bëhet fjalë për punë të vogla, është zoti SHERADIN BERISHA, moderator dhe kryeredaktor i portalit mediatik “pashtriku.org”.

Tiranë, 21 gusht 2013: Gjokë Dabaj, autori i librit “Strategjia e Shqiptarëvet”, gjatë takimit me kryeredaktorin e pashtriku.org, Sh.Berisha.

““““““““““““““““““““““““““““““““

Është edhe një tjetër, që ka reaguar me “kritikë”, sepse e kish hallin mos në këtë libër po i cënohej religjioni. Pasi i kish parë punët e religjionit të tij, krejt për së mbari, në Irak, në Afganistan e në Siri, e kish gjetur me vend të tërheqë vëmendjen e lexuesvet për t’iu ruajtur “Strategjisë së shqiptarëvet”.
Edhe në një bisedë private, ku unë po e shprehja shqetësimin tim, i cili s’është çudi të rezultojë me ndonjë hemoragji cerebrale, njëri prej të pranishmëvet më tha kështu: “Ti nuk di të shkruash! Libri yt nuk mund të lexohet! Unë nuk i lexova dot as 2 faqe!”
“Mund të jetë edhe kështu,” i thashë bashkëbiseduesit dhe shtova me vete: “Por, a mund të ndodhë edhe e kundërta, që ti, deri më sot, nuk e ke lexuar fillim e mbarim as edhe një libër, madje as nga ata që i ke pasur provim në fakultet?” Nuk ia thashë me zë, se nuk desha të bëhej debat i kotë.
Gjithsesi, do ta ndieja veten më komod përballë nihilistëve si këta të 2, se sa midis një heshtjeje mortore. Le të ishin 1000 kundërshtarë! Le të ishin 2000 apo 5000, por le ta kishin LEXUAR njëherë, qoftë edhe me “STËRMUNDIME”. Ta kishin lexuar KREJT, pastaj le të dilnin nëpër gazeta e në rrjetet socialë e le të flisnin sa të donin e çfarë të donin!
Nuk ndodhi ashtu. Ndodhi HESHTJA individualiste dhe egoiste. Unë tani po u afrohem të 80-avet dhe, nga dita në ditë, mund edhe t’i mbyll sytë. Do të shkoj atje ku shkojnë të gjithë dhe s’ka asnjë arsye të më vijë keq për jetën time. Mirëpo, IDEJA ime s‘është për të shpëtuar veten nga vdekja. IDEJA ime është për të shpëtuar KOMBIN nga vdekja. A duhet që kjo IDE të mbetet PA U VËNË RE e PA U ZBATUAR?!
Thonë se, në rastet kur pacienti (në këtë rast Kombi ynë), është duke dhënë shpirt, organizmi i tij nuk i pranon ilaçet. Por ka edhe raste kur i sëmuri (në këtë rast, Kombi ynë), nga mendjemadhësia dhe nga injoranca, refuzon të mjekohet. Ku ta vëmë Kombin Shqiptar, midis këtyre 2 mundësive?!
S’është aspak vështirë të kuptohet kjo platformë. I kam publikuar edhe 3 a 4 artikuj, me qëllim sqarimi të atyre që mund të jenë të interesuar. Kam bërë edhe përpjekje të tjera, por s’ka kurrfarë reagimi. Do të mjaftonte që, pas leximit të kujdesshëm të atij libri, siç thashë edhe në fillim, të mblidheshin 10 a 20 djem e vajza, nga ata që SHQETËSOHEN për fatet e Kombit të vet, dhe të krijonin një KRYESI të asaj që unë kam quajtur “PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE”. Kam bindjen që, pas kësaj, çdo gjë do të mund të shkonte më për së mbari.

Tiranë, 23.12.2012: Në Muzeun Historik Kombëtar, Gjokë Dabaj dhe Sheradin Berisha.

***

Në vazhdim lexoni:

GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE (PLATFORMË)
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=1276
***
GJOKË DABAJ: TA KRIJOJMË INSTITUCIONIN E PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=332
***
GJOKË DABAJ: ORGANIZIMI I INSTITUCIONIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE (ASKUSH TË MOS MENDOJË SE ËSHTË I LEHTË)
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=381

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura