(Pashtriku.org, 26. 07. 2012) – Duke pritur 100-vjetorin – Festa e Flamurit është e vetmja festë që u takon, nga njëra anë, të gjithë shqiptarëvet, edhe atyre që u ndodhën brenda kufijvet të pranuar prej Konferencës së Ambasadorëvet në Londër, edhe e atyre që mbetën jashtë këtyre kufijve. Është festë e të gjithë shqiptarëvet, sepse Kuvendi i Vlorës nuk shpalli të pavarur vetëm një pjesë të Shqipërisë, por krejt Shqipërinë. Festa e 28 Nëntorit duhet të jetë festa më madhe e shqiptarëvet. Duhet të valëviten me qindra mijë flamuj kuq e zi në krejt Shqipërinë e anembanë Globit, duhet të shtrohen në çdo familje dreka e darka, të ketë shëtitje, të ketë urime, të ketë dhurata, fishekzjarre, këngë patriotike. Po nuk u bë 28 Nëntori festa më e madhe e shqiptarëvet, në fund të shekullit XXI nuk do të ketë më Shqipëri!
Jo me kuptimin e pronës, por me kuptimin e përkatësisë, çdo shqiptar ka të drejtë të thotë Shqipëria ime siç thotë familja ime, fshati im, qyteti im, krahina ime.
Më 14 dhjetor 2009 u bë një konferencë, solemne, kushtuar gjuhëtarit të madh shqiptar, Selman Rizës. Kuptohet, në atë konferencë merrnin pjesë gjuhëtarët më të shquar të Kombit ose pjesa më kryesore e një të tillë ajke kombëtare.
Me qëllim që të hapej ai diskutim që duhej hapur, ai që i duhet Kombit, kur flitet për shembëlltyra aq të rëndësishme kombëtare, siç është Selman Riza, trajtesën tonë e filluam kështu: “Këtë trajtesë të shkurtër për Fjalorin e Selman Rizës e kam shkruar në Ditën e Flamurit. Atë ditë kisha shumë arsye për të qenë i trishtuar. Duke u marrë me botën e këtij patrioti të madh, gjeta një mënyrë për ta kaluar më mirë atë ditë” (Trajtesa duhet të botohet në përmbledhjen me materiale të Konferencës në fjalë.)
Festa e 28 Nëntorit duhet të jetë festa më madhe e shqiptarëvet. Duhet të valëviten me qindra mijë flamuj kuq e zi në krejt Shqipërinë e anembanë Globit…
…………………………………………….
E patëm bërë këtë hyrje intriguese me shpresën që dikush do të çohej e të pyeste: “Cili ishte shkaku që ti, në Ditën e Flamurit, të ishe i trishtuar?” …Do ta kishim filluar përgjigjen në këtë mënyrë: “Po më vjen mirë që Ju ka tërhequr vëmendjen shprehja ime. Selman Riza ka qenë një i atillë patriot, sa, kur flasim për të, kemi folur edhe për Atdheun dhe, kur flasim për Atdheun, kemi folur edhe në emër të Selman Rizës. Ai është një nga simbolet e atdhedashurisë dhe ne kemi për detyrë ta shpiem më tutje atdhedashurinë e tij, ashtu si edhe të të gjithë të tjerëvet, që u shqetësuan dhe u sakrifikuan për Atdheun, secili në mënyrën e vet.
Arsyeja pse unë isha i trishtuar dhe jam i trishtuar sa herë që vjen 28 Nëntori, ishte kjo: Atë mëngjes feste djali im u ngjit në tarracën e shtëpisë dhe vendosi flamurin. Ime shoqe na pruri kafetë, gotat me raki dhe biskotat. Uruam për Ditën e Flamurit, ndërsa në ekranin e televizorit z.Bashkim Hoxha po lexonte titujt e gazetavet, si dikur që i lexonim ne mësuesit gazetat e Partisë së Punës para kooperativistëvet.
Unë vura re që, ndër të 30 gazetat e asaj dite të madhe, asnjëra nuk kishte as tituj solemnë, as pamje solemne. Prandaj dhe më zuri trishtimi.
Festa e Flamurit është e vetmja festë që u takon, nga njëra anë, të gjithë shqiptarëvet, edhe atyre që u ndodhën brenda kufijvet të pranuar prej Konferencës së Ambasadorëvet në Londër, edhe e atyre që mbetën jashtë këtyre kufijve. Është festë e të gjithë shqiptarëvet, sepse Kuvendi i Vlorës nuk shpalli të pavarur vetëm një pjesë të Shqipërisë, por krejt Shqipërinë. Nga ana tjetër, kjo festë është vetëm e shqiptarëvet dhe nuk është e dikujt tjetër. Sepse, psh Viti i Ri, që e festojnë edhe shqiptarët, është festë edhe e popujvet të tjerë. Krishtlindjet dhe Pashkët janë festa edhe të popujvet të tjerë. Bajramet janë festa edhe të popujvet të tjerë. Dita e Flamurit, pra 28 Nëntori, është vetëm festë e shqiptarëvet. Është festa, e cila na dallon ne prej popujvet të tjerë, është emblemë e Kombit tonë, është krenaria e Kombit tonë. Mbështetur në një të këtillë arsyetim, kjo festë duhej të festohej edhe FAMILJARISHT prej të gjithë shqiptarëve.
Por çfarë po na ndodh në të vërtetë? Nga tarraca e shtëpisë sime duken rretherrotull më shumë se 300 shtëpi. Asnjëra prej tyre nuk e ka ngritur flamurin. Pra, në asnjërën prej tyre nuk festohet Dita e Flamurit. Si për ironi, në kulmin e më së afërmes shtëpi, në kulmin e fqinjit tim më të afërm, valëvitet një flamur italian. Ai e ka vënë atë flamur, gjatë ndërtimit të asaj shtëpie, sigurisht, në shenjë mirënjohjeje që ato para, me të cilat e ka ndërtuar atë shtëpi, i ka fituar jo në Shqipëri, por në Itali. Është puna e tij. (Nuk e di, italianët, në ato shtëpi që ua ndërtojnë shqiptarët, a e ngrejnë flamurin shqiptar, në shenjë mirënjohjeje se ato shtëpi po ua ndërtojnë shqiptarët?)
Sidoqoftë, mua më ngacmon dhe më trishton një e tillë pamje. Përse të mos valëviten, në këtë ditë të shënuar, me qindra flamuj kombëtarë në tarrasat e shtëpivet tona, në dritaret e shtëpivet tona dhe në ballkonet e shtëpivet tona?!
Kam kaluar në ditë të tilla të Festës së Flamurit nëpër Tiranë. Ballkonet e pallatevet shumëkatësh të shqiptarëvet, që jetojnë në kryeqytetin tonë, janë të “zbukuruar”, si çdo ditë tjetër, me këmisha që teren, me peshqirë, me kanotiere, me brekë dhe me sutjena grash.
Kam kaluar nëpër kryeqytet dhe kam vënë re që, në atë Ditë të Madhe Kombëtare, as Universiteti privat “Motrat Qiriazi” nuk e kish ngritur flamurin, as universiteti “Luarasi”, as libraria “Mehdi Frashëri”. Me këtë, unë kuptoj që as pasardhësit e patriotëvet tanë të dikurshëm nuk e ndiejnë të nevojshme për t’i nderuar paraardhësit e vet, dhe trishtohem duke bërë pyetjen: Ku po shkon kështu Kombi im ?!
Ndoshta e kam gabim. Ndoshta Kombi im e ka rrugën e vet të sigurtë edhe pa e manifestuar në këtë mënyrë patriotizmin e vet.
Por unë prapë trishtohem, sepse, kur vë re që Shën Valentini festohet me bujë të madhe, kur shoh që atë festë e festojnë jo vetëm të dashuruarit, por edhe imoralët e lloj-lloj prostitutësh dhe prostitutash, kur shoh që atë ditë shiten me mijëra suvenire, lule, pako me biskota e me çokollata, shishe me verë, gjerdanë floriri, orë dore. Trishtohem dhe bëj pyetjen: Në Ditën e Festës sonë Kombëtare, pse nuk shiten, fruta, pije, mish, fishekzjarre, dhurata, aq sa shiten për Shën Valentin ose psh për Vit të Ri?! Në ditën e Shën Valentinit shkëmbehen me qindra mijë mesazhe urimi. Dhurohen edhe kartolina të bukura me “Të dua si shpirt” “Je më e shtrenjta e Botës” “Puç! Puç!”. Në ditën e Vitit të Ri shkëmbehen midis shqiptarëvet qindra mijë “Gëzuar!” “Gëzuar!” “Gëzuar!” Mirë bëjnë, por në Ditën e Flamurit përse nuk ka të tillë urime personalë midis shqiptarëvet njëri me tjetrin?! Ku po shkon Kombi im me këtë lloj mentaliteti nënvleftësues për vetëveten?! A është një komb i mençur Kombi im?! A është një komb krenar Kombi im, i cili të dijë edhe ta manifestojë krenarinë e vet?!”
Kjo do t’ishte fjala jonë para baballarëvet të gjuhës shqipe në atë ditë përkujtimi të Selman Rizës. Mirëpo, ata nuk ma bënë pyetjen: Pse isha i trishtuar në Ditën e Flamurit? Nuk ma bënë pyetjen madje as në formë qortimi: Ne kemi shumë arsye që të jemi të gëzuar, sepse Shqipëria u bë një vend demokratik, sepse Kosova u çlirua etj. etj. Ti na paske arsye që të ndjehesh i trishtuar?! Nuk u ngacmua askush prej një të tillë deklarate, e cila, në një farë mënyre, duhej të tingëllonte mjaft bombastike.
Pas një të këtillë mosreagimi, fare “natyrshëm”, vazhdova të ndjehem thellësisht i trishtuar.
Në Republikën e Shqipërisë ka me dhjetëra universitete privatë. Dikush thotë 30, dikush thotë 50. Secili nga ata universitete ka nga një tufë fakultetesh, por asnjëri prej tyre nuk ka fakultet që përgatit albanologë. As për gjuhën shqipe, as për historinë e Shqipërisë, as për arkeologjinë, as për etnologjinë. Pse nuk po ka fakultete të tillë në universitetet tanë privatë? Përgjigjja është nga më trishtimshkaktueset: Pasanikët shqiptarë, që i çojnë fëmijët në ata universitete, nuk duan t’i bëjnë albanologë bijtë e bijat e tyre. Nuk duan t’i bëjnë albanologë, sepse puna e albanologut nuk paguhet. Nuk paguhet sidomos me mënyra korruptive. Kush po i jep ryshfet një albanologu: Aman, shpjegoje kështu fjalën patate!
Ku po shkon kështu Kombi im?! Ai po ecën nëpër histori pikërisht si një ergjele kuajsh të verbër. Ose edhe më keq: Ai, si një tufë robërish të vetëverbuar dhe të vetëlidhur, po ecën në strategjitë e kombevet të tjerë. Në strategjinë e grekëvet, në strategjinë e sërbëvet, në strategjitë e popujvet të tjerë të Evropës… Thonë ata ashtu, edhe ne ashtu! Bëjnë ata ashtu, edhe ne ashtu! Na plaçin sytë, vërtet !
Ndërkaq, shqiptarët duhet ta kuptojnë njëherë e mirë: Festa e 28 Nëntorit duhet të jetë festa më madhe e shqiptarëvet. Duhet të valëviten me qindra mijë flamuj kuq e zi në krejt Shqipërinë e anembanë Globit, duhet të shtrohen në çdo familje dreka e darka, të ketë shëtitje, të ketë urime, të ketë dhurata, fishekzjarre, këngë patriotike. Po nuk u bë 28 Nëntori festa më e madhe e shqiptarëvet, në fund të shekullit XXI nuk do të ketë më Shqipëri!